Mendime
Kujtim Mateli: Sami Frashëri dhe akademikët e dështuar të Tiranës
E hene, 04.07.2022, 08:23 PM
Sami Frashëri dhe akademikët e dështuar të Tiranës
Nga
Kujtim Mateli
Më 1 qershor, dijetari
ynë i madh Sami Frashëri kishte 172 vjetorin e lindjes. Familja Frashëri i dha
kombit shqiptar politikanin e madh Abdyl Frashëri, si dhe poetin e përmasave
kombëtare Naim Frashëri. Të tre këta vëllezër janë shpirti dhe zemra e asaj
epoke të madhe në historinë e Shqipërisë që njihet si Rilindja Kombëtare, të
cilët krahas patriotëve të tjerë formuan ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve
dhe i përgatitën ata për betejat e ardhshme për Liri dhe Pavarësi. Të tre këta
vëllezër kontribuan në fusha të ndryshme dhe mund të merren si
themeluesit e fushave përkatëse ku ata kontribuan. Politikani Abdyl Frashëri
është shembulli më i mirë se si duhet të sakrifikojë politikani për Atdheun
deri në vetmohim. Naimi është poeti i parë shqiptar me përmasa kombëtare, kurse
Samiu dijetari i parë që mund të themi se hodhi themelet e një Akademie për
shqiptarët.
Arti merret në kontekstin
historik dhe vlerësimi bëhet mbi parimet estetike të asaj periudhe, kurse
shkenca është një proces debatesh dhe vlerësimesh që mund të vazhdojë gjatë
gjithë jetës së autorit, por edhe më pas, për të mbrritur tek e vërteta.
Kështu, nëse veprën e Naim Frashërit do ta vlerësojmë mbi parimet estetike të
kohës, veprën e Sami Frashërit do ta vlerësojmë mbi kriterin e së vërtetës. Për
të arritur te e vërteta kalohet në një proces debati dhe vlerësimi dhe
përfundimi arrihet mbi dëshmi dhe prova. Kështu mund të gjykojmë për tezën e
Sami Frashëri për prejardhjen pellazgjike të shqiptarëve.
“Më të
vjetërtë prindërt tanë bota i quajnë Pelasgë, fjal’ e mbeturë nga prindret tanë
më të pastajmë, të cilëtë quaninë më të parët’ e tyre Plak a Pleq.” (Sami Frashëri –
Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë, kapitulli 1, Pelasgëtë)
Ky është përfundim i një
shkencëtari që, në kohën e vet, ishte nga më të shquarit edhe brenda vetë
perandorisë osmane. Pyetja shtrohet: ka patur apo jo të drejtë Sami Frashëri në
përfundimin e tij si shkencëtar se shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve?
Për këtë le t`i referohemi edhe mënyrës se si Akademia e Shkencave e Shqipërisë
e rrëzoi tezën e tij pellazgjike duke krijuar një tezë të re, se shqiptarët nuk
janë pasardhës të pellazgëve, por të ilirëve.
Sami Frashëri, ky dijetar
i përmasave evropiane, me themelimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë,
duhet të ishte midis figurave të shquara shqiptare që kanë dhënë kontribute të
çmuara. Po të shkosh në godinën e Akademisë së Shkencave (sallën e takimeve dhe
korridoret) do të gjesh statujën e themeluesit të kësaj akademie dhe një dyzinë
të tjerësh që ishin bashkëthemeluesit e tij, sikur kjo Akademi të ishte pronë e
tyre vetiake dhe gjithçka fillonte me veten e tyre. Të hysh në sallën e
Akademisë së Shkencave i gjalli dhe statuja (pse jo dhe portretet) dyzojnë
njëri-tjetrin. Ky është mjerimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në këtë
garë të shpërfytyruar të akademikëve tanë që ta përjetësojnë veten sa janë
gjallë, nuk ka vend për vlerësime të tjera, qoftë edhe për dijetarët e
Rilindjes sonë Kombëtare.
Nisur nga kjo tezë
gjysmake për origjinën e shqiptarëve, u injorua çdo kontribut i
mëparshëm akademik, sidomos në fushë të Albanologjisë. Akademia e Shkencave e
Shqipërisë u modelua në modelin politik që fshiu çdo arritje të mëparshme. Edhe
zelli i akademikëve të rinj shqiptarë nuk qëndronte më poshtë se ai politik. Të
injorosh kontributin e Sami Frashërit në rrafshin albanologjik dhe të ngresh
një tjetër tezë pa u debatuar më parë teza e tij, tregon se ky institucion
vetëm emrin ka patur Akademi, në fakt ka funksionuar si një institucion i
nomeklaturës komuniste.
Problemi nuk qëndron
vetëm me ata që e themeluan Akademinë në vitin 1972, por sidomos për ata që e
zotërojnë atë sot, që vegjetojnë pa bërë asgjë, por përsëritin dhe ripërsëritin
tezën antishkencore të viteve 60-70 se jemi pasardhës të ilirëve duke lënë në
harresë strëgjyshërit tanë të moçëm që bota e qytetëruar dhe dijetari ynë i
përmasave evropiane i quante pellazge?
Po çfarë bëtë ju zotërinj
që mbani emrin akademik? Ju e përzutë Sami Frashërin nga tempulli që mban emrin
Akademi dhe i përndoqët të gjithë ata që besonin te teza e tij.
Institucionet tona
shkencore duke pranuar pa asnjë mbështetje shkencore tezën se shqiptarët nuk
kanë asnjë lidhje me pellazgët, u lanë dorë të lirë institucioneve politike dhe
shkencore të Athinës që këtë pasuri shpirtërore dhe materiale ta përvetësojnë duke
i ndryshuar identitetin nga pellazge në helene. Ndryshimi i identitetit të
kësaj kulture ka bërë që të rrudhet e të tjetërsohet identiteti i një kulture
tjetër që lidhet me shqiptarët.
E vërteta e ardhjes së
popujve në gadishullin ku banojmë jepet qartas nga Sami Frashëri, përfundim që
ai e ka nxjerrë nga një njohje e thellë dhe e gjithanshme e autorëve të
antikitetit:
“Më
pastaj erth një komp i vogëlë, q’ithoshmë Helen a Grek, e zu vënt në Greqi
nëpër nisit të Pellgut Egje e nëpër anët të detit rrotull, duke përzënë
Pelasgëtë andej a duke përzierë me ta.” Sami Frashëri –
Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë, kapitulli 1, Pelasgëtë
Akademia e Shkencave të
Shqipërisë e ka përmbysur tezën e Sami Frashërit: duke pranuar se Ilirët erdhën
në këto troje në periudhën e Hekurit, që do të thotë gati 1000 vjet pas ardhjes
së helenëve. Duke pranuar se jemi pasardhës të
ilirëve dhe pellazgët janë popullsi parailire, pa lidhje etnike me ilirët, në
të vërtetë dorëzuan para Athinës dhe opinionit shkencor Epirin që është njohur si pellazg bashkë me
kryeqendrën e saj që njihet botërisht si Dodona pellazge. Logjika është e
thjeshtë: përderisa nuk e njeh Dodonën si produkt pellazgo-iliro-shqiptar,
sepse Dodona dhe Epiri kanë qenë, janë dhe do të mbeten troje shqiptare, nga
mungesa e interesimit të institucioneve shkencore shqiptare, dikush tjetër do
të interesohej dhe do ta quante si vazhdimësi pellazgo-helene. Një logjikë
absurde ka bërë që Epirit t`i ndryshohej identiteti dhe që shovinistët e
Akademisë së Athinës ta pretendojnë Epirin si tokë të Helladës.
Tezat me gjysmë të
vërteta jo vetëm që nuk janë shkencore, por edhe të rrezikshme, sepse gjysmën
tjetër e plotëson kundërshtari. Kështu teza pellazgo-ilire e origjinës së
shqiptarëve, duke u pranuar vetëm gjysma: ajo ilire, bëri që grekët të
plotësojë gjysmën tjetër duke e quajtur helene periudhën pellazgjike dhe duke
përvetësuar jo vetëm historinë, por kërkojnë edhe territorin mbi të cilin kanë
banuar pellazgët, pra Epirin.
Kështu, Akademia e Athinës,
del para opinionit publik dhe atij shkencor me një vepër antishkencore: “Epiri 4000 vjet histori dhe qytetërim grek”, Athinë 1997.
Kundër këtij
libri prof. Kristo Frashëri, shkroi artikullin “Shtrembërime të
historisë së Epirit nga Akademia e Athinës” botuar tek “Gazeta Shqiptare” datë
07/08/2011, i cili vë në dukje se disa botime gjoja shkencore nuk janë gjë
tjetër veçse lakmi nacionaliste të fqinjit tonë jugor ndaj viseve shqiptare.
Kristo Frashëri: “Prej tyre meriton të veçohet botimi me pretendime shkencore
që ka dalë nga shtypi në Athinë kohët e fundit. Fjala është për trajtesën që
Akademia e Athinës botoi kohët e vona në anglisht në format të madh prej 480
faqesh, nën drejtimin e përgjithshëm (general editor) të M. B. Sakellariut, me
titull “Epirus 4000 years of greek histori and civilization” (Epiri 4000 vjet
histori dhe qytetërim grek), Athinë 1997. Botimi i përmendur, që tani kemi në
tryezë, ndryshon nga moria e botimeve të mëparshme nga tri pikëpamje – trajton
nga pikëpamja kohore në mënyrë integrale historinë e Epirit gjatë 4000 vjetëve;
e dyta, në të kanë marrë pjesë autorë ndoshta më të shquarit e historiografisë
greke të ditëve tona; e treta, nga pikëpamja e përgjegjësisë shkencore,
politike e morale mban vulën e Akademisë së Athinës, e cila pavarësisht nga
emri që mban, është Akademia e Shkencave jo e Athinës, por e Greqisë”.
Dhe më tej
profesor Kristo Frashëri vazhdon: “Ne kemi pritur që me dobësitë e kësaj
periudhe të merren historianët shqiptarë të specializuar në problemet e
historisë së lashtë të Epirit. Arsyeja përse ata heshtin është puna e tyre”.
Pyetja shtrohet: pse
vazhdojnë akoma të heshtin institucionet tona shkencore? Përgjigjia e kësaj
pyetje mund të themi se mbetet enigmë, se si institucionet e shtetit shqiptar
dhe në këtë rast Akademia e Shkencave e Shqipërisë duhet të fliste, sepse është
institucion që i shërben shtetit shqiptar dhe për të folur e debatuar paguhet
nga taksat e shtetit shqiptar. Të heshtësh do të thosh ta pranosh. Dhe më tej
del një pyetje akoma më e vështirë për t`iu përgjigjur. A mos vallë Akademia e Shkencave ka rënë pa
dashje në ndonjë kurth shovinistësh? Dhe nëse ka ndodhur kështu, përsëri është
përgjegjësia jonë për ta nxjerrë Akademinë e Shkencave të Shqipërisë nga
humnera ku ka rënë, sepse zot të vendit dhe të historisë sonë jemi ne
shqiptarët dhe jo ca të ashtuquajtur që mbajnë spaleta akademiku.
Sami Frashëri, madhështia
e të cilit sa vjen e lartësohet, na ka dhënë një mësim të mirë në fushë të
diturisë për të vërtetën e shpallur prej tij se ne shqiptarët jemi populli më i
vjetër i Evropës. Këtë të vërtetë, fqinjët tanë, madje dhe disa shtete
evropiane, na kanë luftuar duke na përgjysmuar përmasën historike të
indentitetit tonë. Në këtë grackë ka rënë edhe Akademia e Shkencave e
Shqipërisë që në vitet e themelimit të saj duke lënë jashtë historisë së
popullit tonë përmasën historike që emërtohet pellazgjike dhe që është shtylla
e identitetit tonë kombëtar.
Shteti shqiptar u krijoi
të gjitha kushtet. Të aftëve, por edhe të besuarve të tij, u vuri spaletën e
akademikut. I nisi nëpër botë nëpër kongrese dhe konferenca shkencore. Po këta
të paaftë, në vend që t`u përcillnin këtyre organizimeve shkencore përmasën
reale të identitetit tonë kombëtar që ishte në zanafillë të qytetërimit
evropian, tërhiqeshin dhe vinin të çarmatosur, si një ushtri e thyer pas
beteje. Nëqoftëse do të përjashtojmë debatin Çabej-Bonfate, gjithë të tjerat
kanë qenë një dështim. Pas këtyre ballafaqimeve shkencore, librat e këtyre
akademikëve të Tiranës janë gati identike me ato teza që na kanë servirur
ustallarët evropianë që kishin marrë pjesë në ndarjen dhe copëtimin e trojeve
shqiptare.
Shembulli i Sami
Frashërit na mëson se, kur individi ka përgatitjen e nevojshme shkencore, i
përballon denjësisht dashakeqësit që nga rrafshi politik kanë zbritur dhe në
atë shkencor. E vërteta ndodhet brenda realitetit historik, ndaj duhet ta
njohësh atë plotësisht për të arritur në përfundime shkencore. Institucionet
shkencore nuk mund të shpikin realitete që nuk ekzistojnë, se sajesa të tilla
vdesin ende pa lindur, siç janë sajesat binjake të lindura në institucionet e
quajtura Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave
Albanologjike. Ky vit, do të jetë viti i dijetarit Sami Frashëri, sepse të
vërtetat e tij i kanë përqafuar shqiptarët e të gjitha trojeve.