Mendime
Enver Bytyçi: Reciprociteti i Kosovës e izolon Serbinë dhe sjell paqe në rajon!
E enjte, 30.06.2022, 06:54 PM
Reciprociteti i Kosovës e izolon Serbinë dhe sjell paqe në rajon!
Nga
Enver Bytyçi
Qeveria
e Kosovës ditën e djeshme përmes komunikimit elektronik ka marrë vendimin që në
kalimin e pikave kufitare me Serbinë të vendoset i njëjti standard sjelljeje
për qytetarët serbë, të cilin e aplikon Beogradi për qytetarët e Kosovës.
D.m.th nëse policia kufitare serbe i detyron shqiptarët të dorëzojnë pasaportat
e Republikës së Kosovës e të hyjnë në Serbi me një dokument të përkohshëm që
ata e lëshojnë, të njëjtën gjë do të bëjë policia e Kosovës me qytetarët serbë
që hyjnë në vend. Po ashtu me targat, mallrat etj.
Përtej
emocionit dhe tifozllëkut kjo masë duhet parë në aspektin e interesit të
Kosovës. Kozmopolitët globalistë e shohin këtë masë si një qëndrim ekstrem dhe
"acarim të panevojshëm të situatës në rajon"! Open-ballkanistët e
shohin këtë si "cenim të interesit të Serbisë dhe politikave të saj
panserbiste në rajon" dhe kërcënojnë me sloganin, "Ose pajtim me
Serbinë, ose luftë në Ballkan"!
Ndërkohë
gjithkush e di se nëse Rusia izolohet në konfliktin e Ukrainës, atëherë luftë
në Ballkan nuk ka e nuk mund të ketë! Nëse ndodh e kundërta dhe luftën e fiton
Moska, atëherë Open-Balkan-i e favorizon një konflikt ballkanik!
Realistët
i përmbahen parimit, rregullit dhe jo ideve e iluzioneve pro-serbe! Sipas
realistëve, Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe për pasojë do të duhet të
detyrohet ta njohë këtë gjenocid. D.m.th ose njohje reciproke midis Kosovës dhe
Serbisë, ose reciprocitet në sjelljet e ndërsjella midis dy shteteve! Me
vendimin e saj qeveria e Kosovës nuk kërcënon dhe as e cenon integritetin territorial
të Serbisë. Thjesht zbaton një praktikë pune në kufi, të cilën Beogradi e ka
zbatuar prej më shumë se 20 vitesh me qytetarët e Kosovës.
Ndërkaq
presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi, tha se me këtë masë të vendosur në
Prishtinë nuk ka më dialog. Madje betohej "për sinqeritet" e
theksonte se Prishtina nuk do kompromis! Ai e përdor këtë fjalë magjike,
"kompromis", me zhdërvjelltësi të jashtëzakonshme sa intrigon me të
edhe shqiptarë të tillë si Edi Ramën, Hashim Thaçin, Dritan Abazoviç, Ali Ahmetin
e të tjerë politikanë, analistë, gazetarë, drejtues të shoqërisë civile në
Shqipëri, Kosovë e gjetkë ku jetojnë shqiptarët! Ndërkaq kompromisi i kërkuar
nga presidenti serb do të thotë shuarje - zhbërje e shtetit të Kosovës.
Por
fatmirësisht ky qëndrim i Beogradit dhe Tiranës zyrtare ka çuar në krijimin e
asaj që quhet Kosova-centrizëm. D.m.th ka krijuar një grupim të madh
politikanësh, akademikësh, intelektualësh, pra nga elita kombëtare, sidomos në
Kosovë, por edhe në Shqipëri e gjetkë, i cili është përkushtuar për forcimin e
institucioneve dhe shtetësisë së saj, duke mos llogaritur më në opsione të
tjera jashtë këtij skenari. Sa më shumë Edi Rama, Aleksandër Vuçiqi, Abazoviçi,
apo Ahmetoviçi i fryjnë Open-Balkan-it dhe "pajtimit me kompromis të
Kosovës me Serbinë", aq më shumë do të fuqizohet lëvizja për forcimin e
identitetit shtetëror të Kosovës!
Ky
proces nuk do të ndalet as me retorikat e "bashkimit kombëtar", as me
retorika të tjera që serviren në emër të simboleve kombëtare! Kjo sepse këto
retorika po i përdorin me qëllim dashakeq ata që bashkëpunojnë ngushtë me
presidentin e Serbisë dhe shtetin serb. Pra, janë retorika kurthi! Pra, shihet
qartë se retorika e bashkimit kombëtar është maskë për shpërbërjen e shtetit të
Kosovës dhe ndarjen e saj midis Serbisë dhe Shqipërisë! Këtë synim ka Ballkani
i Hapur, sepse kjo është parashkruar në vitin 2016 në Nish të Serbisë, sipas
Sonja Biserko, midis Aleksandër Vuçiqit dhe Edi Ramës!
Prandaj
dhe vendimi i djeshëm i Qeverisë së Kosovës është i një rëndësie jetike. Ai
vendim jep disa mesazhe: Së pari, paralajmëron lobet serbe në Bruksel e kudo
gjetkë se "nuk ka kompromis me shpërblimin e agresorit gjenocidist në dëm
të viktimës"! Por kjo nuk do të thotë se nëse vendoset e drejta
shtetërore, politike e morale nuk do të ketë pajtim midis palëve! Së dyti, kjo
paralajmëron autorët e Open Balkan-it se nuk ka kompromis as në këtë pikë,
derisa Serbia ta njohë shtetin e Kosovës! Së treti, vendimi i të mërkurës është
mesazh për Serbinë, se Kosova është shtet i pavarur dhe sillet edhe me
Beogradin e madje edhe me Tiranën zyrtare e kryeqytetet e tjera si e tillë!
Pra,
paralajmërimi është i qartë: Ose njihni Kosovën e lirë e të pavarur dhe
respektoni integritetin territorial e sovranitetin e saj, ose në vend të
izolimit të Kosovës do të shkohet te izolimi i Serbisë! Kosova ka në dorë ta
iniciojë e ta realizojë këtë izolim të Beogradit! Kush nuk e njeh dhe vlerëson
këtë rol të Kosovës, gabon!
Serbia
nga ana e saj, duke këmbëngulur në lojën e vet politike për ta mbajtur Kosovën
nën sovranitetin e saj, po përgatit rrethimin e radhës dhe ndoshta edhe një
fund tragjik për të! Këtë fakt e njohin në Beograd, por ata luajnë çdo gur deri
në momentin e fundit. Pikërisht për këtë shkak, qeveria dhe institucionet e
Kosovës duhet të mbajnë në duar gurë rezervë për t'iu përgjigjur provokacioneve
serbe!