Mendime
Enver Bytyçi: Trekëndëshi që zbulon tradhtinë ndaj Kosovës
E shtune, 04.06.2022, 07:57 PM
Trekëndëshi që zbulon tradhtinë ndaj Kosovës
Nga
Enver Bytyçi
Ditët
e fundit kemi tri realitete në raportet me Kosovën. Nëse i vendosim këto tri
realitete në brinjët e një trekëndëshi, atëherë do duhej të ndiqnim këtë rend:
Në
këndin e parë vendosim projekt-rezolutën që opozita shqiptare ka paraqitur në
kryesinë e parlamentit, për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Kjo
projekt-rezolutë pret të diskutohet në një nga seancat e parlamentit për t’u miratuar
ose jo. Por kryeministri dhe një nga zërat e tij në Partinë Socialiste,
Ermonela Felaj, bënë me dije se ajo nuk do të votohet, pra se do të përmbyset.
Njësoj si rezoluta për masakrën e Srebrenicës!
Zonja
Felaj vendosi diçka tjetër ne brinjën e dytë të këtij trekëndëshit: - Open
Balkan! Pra, në vijim të Rezolutës për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë e
përballë tij ajo vendos Ballkanin i Hapur! Sipas saj ky asociacion nuk na lejon
të dënojmë krimet gjenocidale të Serbisë në Kosovë! Shkurt, të vërtetën e
Kosovës edhe kësaj radhe do ta mbulojë bashkëpunimi i ngushtë midis Tiranës
zyrtare dhe Beogradit! Deputetja e PS-së, zonja Felaj, duhet falënderuar për
sinqeritetin e saj! Sepse në fakt kjo është arsyeja pse qeveria shqiptare është
kundër dënimit të çdo gjenocidi serb në Kosovë, BH e gjetkë në Ballkan!
Në
brinjën e tretë të trekëndëshit u var, ndoshta pa dëshirën e kryeministrit të
Shqipërisë, Edi Ramës, betimi që bëri me 31 maj presidenti serb, Vuçiq, kur
përdori formulën e nacionalistëve serbë të Milosheviçit e Çubrilloviçit për
mbrojtjen e tërësisë territoriale të Serbisë, përfshirë „Kosovën dhe Metohinë“!
Kështu plotësohet mozaiku i gjithë asaj që ndodh rreth Kosovës.
Pra
Vuçiq kërkon që të ruajë sovranitetin e Serbisë në Kosovë. Madje betohet për
këtë! Po si do ta bëjë? Me luftë? Askush nuk e beson këtë. Atëherë i mbetet ta
realizojë këtë sovranitet të humbur përmes Open Balkan. Presidenti i Serbisë ka
deklaruar gjithashtu se në vendet ku drejtojnë miqtë e tij nuk do të ketë
rezultat për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë dhe në Kosovë. Ai është i
bindur në këtë deklaratë.
Por
opozita e re e shqiptarëve në Shqipëri pasi paraqiti rezolutën e njohjes së
gjenocidit serb në Srebrenisë, ka depozituar në kryesinë e Kuvendit të
Shqipërisë një rezolutë tjetër për të dënuar gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Në
këtë rezolutë janë shënuar një e për një të gjitha krimet gjenocidale që
regjimi i Milosheviçit ka kryer kundër shqiptarëve. Qëllimi i opozitës është që
deri më 12 qershor, ditën e çlirimit të Kosovës nga pushtimi dhe sundimi i
Serbisë, kjo rezolutë të kalojë në parlamentin shqiptar.
Por
ku qëndron në këto dy qasje Edi Rama? Qartësisht e saktësisht ai qëndron
pro-Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandër Vuçiq. Ai vijon ta mbrojë Open
Balkan-in edhe pse Vucciq betohet se nuk do të lejojë shtetësinë dhe pavarësinë
e Kosovës. Ndërkaq presidenti i Serbisë pranon që ka investuar që Shqipëria dhe
vendet e tjera të mos njohin gjenocidin serb në luftërat që Beogradi shkaktoi
gjatë viteve 1990. Dhe Edi Rama pranon de facto këtë të vërtetë kur kundërshton
miratimin në parlament të rezolutës së opozitës për dënimin e gjenocidit të
Serbisë së Milosheviçit dhe Vuçiqit në Kosovë!
Ky
qëndrim I kryeministrit të Shqipërisë ndaj rezolutës së lartpërmendur dhe
mungesa e reagimeve të tij për betimin e presidentit të Serbisë, si dhe
mbrojtja vetëmohuese që ai i bën Open Balkan-it e rrjeshton atë përkrah Serbisë
kundër Kosovës! Ky qëndrim e bën Edi Ramën, mazhorancën e tij në parlamentin e
Shqipërisë dhe qeverinë shqiptare subjekt anti-human. Dhe një subjekt që
rreshtohet në krah të kriminelëve serbë, duke mos pranuar ndëshkimin e krimeve
kundër njerëzimit dhe gjenocidit, në një farë mënyrë bëhet subjekt kriminal.
Por
ky qëndrim ka edhe dimensionin kombëtar. Shqiptarët mund të përcaktojnë
qëndrimin e tyre bazuar në kodin moral të tyre kur bëhet fjalë për sjelljen,
qëndrimet dhe përkrahjen që Edi Rama i bën Aleksandër Vuçiq dhe projektit të
tij serb të Ballkanit të Hapur! Refuzimi për ta votuar rezolutën e opozitës
shqiptare për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë nuk mund të justifikohet me
asgjë. Edhe nëse Serbia do t’i shpallte luftë Shqipërisë pse ajo do miratonte
një rezolutë të tillë, kjo rezolutë do të duhej të kalonte në parlamentin
shqiptar! Asgjë, asgjë nuk mund ta pengojë këtë rezolutë. Aq më pak Open
Balkan, ky projekt serb që shkatërron shtetësinë e Kosovës dhe projekton
prezencën ruse në rajonin tonë!
Nëse
vërtet Edi Rama do ta bllokojë këtë rezolutë, atëherë shqiptarët do të duhet që
kryeministrin e Shqipërisë ta trajtojnë njësoj si edhe Aleksandër Vuçiq-in!
Kosova, njësoj siç bllokon presidentin e Serbisë për të hyrë në territorin e
saj, po ashtu duhet të vendosë të njëjtin standard për kryeministrin e
Shqipërisë! Sa kohë që Rama trajtohet ndryshe nga Vuçiq, ai do të vazhdojë të
bashkëpunojë me Beogradin kundër Kosovës e madje edhe kundër Shqipërisë!