Kulturë
Shefqet Dibrani: Nyjëzimi estetik specifikë e shtjellë së ndërmjeme
E enjte, 05.05.2022, 07:10 PM
NYJËZIMI ESTETIK SPECIFIKË E SHTJELLËS SË NDËRMJEME
(Ramadan
Musliu, "SHTJELLË SHPIRTËRORE", poezi e zgjedhur, botoi Shtëpia
Botuese "Beqir Musliu", Gjilan 2021, faqe 2020. ISBN
978-9951-760-57-7)
Nga
Shefqet Dibrani
Fillimi
Poezia e Ramadan
Musliut, është e veçantë, sidomos për mënyrën e shkrimit poetik, po ashtu edhe
për qasjen tematike të mendimit që ai e shtjellon në poezinë e tij. Kjo poezi i
plotëson të gjitha vlerat e poezisë postmoderne. Si njohës i teorive letrare dhe
i zhvillimeve botërore të poezisë, Ramadan Musliu, gjatë gjithë jetës u shqua
për elokuencë të shprehjes, me vargun konciz e me mendim të thellë, mjaftë
eksperimentues dhe abstraksionist, njohës i antikës dhe mitologjisë, pastaj i
frymëzuar edhe nga letërisa Arbëreshe, e bëjnë atë edhe më të kompletuar,
veçmas për motivin e mërgimit të cilin e ka shtjelluar më ndryshe, dhe me
kujdes të shtuar, veçmas kur mërgimi manifestohet si ndjenjë poetike. Ramadan
Musliu, ishte përkthyes i letërsisë botërore, pastaj redaktor librash poetik,
letrar e historiografik, me një fjalë ishte shkrimtar i kompletuar, andaj
dallohej nga brezi i tij. “Në mëngjesin e parë kur u linda/ në vajin tim
dëgjova/ hapat e Pal Engjëllit/ si shkonte duke e thënë përmendësh/ Formulën
e pagëzimit nëpër shekuj”, faqe 46, dhe diku tjetër poeti është shprehur:
“Hap Çetën e profetëve/ Mesharin e Buzukut/ dhe para Pasqyrës së Budit/
rrëfehem si para vetvetes”, faqe 47-48. Ky mendim poetik kaq i thellë e bënë
poezinë e Ramadan Musliut si tematikë mjaftë e qëndrueshme dhe si vlerë letrare
e pakapërcyeshme.
Veçantia e
vlerës poetike
Ramadan Musliu,
kapitullin e tij letrar e mbylli më herët se sa që pritej, në moshën kur
letërsisë shqipe mund t'i sillte edhe libra të tjerë poetik, kritik e artistik.
Megjithatë, pas vetës ka lënë një poezi të veçantë, vlerën e së cilës, si me
piketë, tashmë e kemi të përmbledhur në librin "SHTJELLË SHPIRTËRORE",
libër ky që jep mundësi për lexim të qasshëm e qasje më të kompletuar të
poezisë me estetikë të rrallë dhe me rimën brilante. Autori e ndërtoi
figuracionin e poezisë artistike në mënyrëtë papërsëritshme, pra, një veçanti
dhe veçori e cila si dhunti ishte e rrallë te ky poet.
KËNGA E TRUPIT
Trupi im në flakë fjale
heq mashtrimet heq stolitë
mvesh blerim fusha e male
sytë e mi i mbush me dritë
Fshehur nën shpuzë kënge
qenia ëmbël pëshpërit
jam në bredhje natë e ditë
si në rrjetë merimange
Rentë zjarrit nëpër kohë
nëpër vdekje nëpër jetë
kohën time që ta njoh
Ky instinkt befasie
për një fjalë të vërtetë
trupit viktimë m’i bie
Faqe 51.
Poezitë përfaqësojnë
shqetësimin e përherëshëm, dhe sigurisht edhe shumë e shumë motive të tilla
poeti i ka marrë me vete. Preokupimi jetësor i Ramadan Musliut, duket të ketë
qenë shkrimi estetik dhe mendimi artistik që i kultivoi me pasion të
papërsëritshëm. Ai kishte intuitë të zhvilluar, mendim të thellë në qasjet
tematike, personalitet i letrave shqipe që dëshmoi cilësi në shkrimin letrar,
me kritikën brilante dhe me studime të thelluara letrare, të cialt iu bënë
pasion krijues. Me një fjalë, Ramadan Musliu, ishte tip aristokrati në shprehje
dhe mendim, kjo ishte bota intelektuale dhe krijuese e Tij, dhe sëkëndejmi edhe
bota poetike e cila shpaloset në mënyrë brilante, përgjatë librit
"SHTJELLË SHPIRTËRORE".
Një shekull para se të shfaqet
dritë bënte rreth nesh në astral
as për gjashtë shekuj nga faqet
e Dheut të Arbrit s’ hiqet drita kristal
Faqe 72.
Kjo është dhembje
plazmë që tajit ëndrrën
kur faqen e pasqyrës
e pastron me lot.
Faqe 75.
Të këtij motivi janë
edhe poezitë: Gjuha e gjallë, (Eqrem Çabejt); Me fjalë shpirti në buzë,
(Nënës Tereze); Gravurë në bronz, (Dëshmorëve të atdheut), dhe
nëpër disa poezi të tjera.
Shtjella e
poezisë
Shtjella e kësaj
poezie ka kuptimin e rrjedhës së përherëshme dhe e zhvillimeve të pandalshme
poetike e letrare, ku: “Mes emrave: historia/ mes foljeve: jeta/
nëpër këngë: vepra”, faqe 81. Po ashtu ka kuptimin e rrymës letrare,
ashtu sikurse shpjegohet për shtjellën e ujit dhe shtjellën e erës. Aty ku
ndeshen dy rrjedha të kundërta uji, ose dy fryma a erëra të forta dhe mbase të
tërbuara, do të krijohet një ndërmjetësim i ri, qoftë ky ujorë ose ajror, dhe
si duket ngjashëm me këto shtjella kozmologjike është zhvilluar dhe krijuar
edhe poezia e Ramadan Musliut, e cila është ndërtuar mbi sepcifikë të veçantë e
që mund të kategorizohet si poezi përfaqësuese e postmodernizmit, në të cilën
janë gërshetuar elmente të poezisë moderne dhe asaj klasike, me njohje nga
antika e mitologjia, e që kan freskuar mendimin postmodern në poezi, dhe që ka
krijuar shtimung përjetues – atmosferë tejet të këndshme, e cila manifestohet
si shakullinë e mendimeve përdredhëse, në vorbullën e së cilës përjetohet ai
shtimungu, si përjetim i rrallë emocinal dhe si mënyrë e re artistike e të shprehurit
poetik.
PËR EMRIN E LASHTË TË TRUPIT TONË
Pa kompas me vete pa orë dhe pa asgjë
lundronim detit plot lagështirë e reumë
për të dalë në brigjet atdhetare
...
Marinarët zhvisheshin deri në palcë:
njëri çonte spirancën tjetri velat
shpaloste
jeta duhej zbarkuar në breg
...
Dikur vonë shumë vonë
nga thellësia somnambule e historisë
shfaqeshin bukuroshet e jetës sonë
lakuriqe
me gjerdane psherëtimash varur në gushë
Faqe 87.
Kjo shtjellë, (si
kuptim a nocion psikologjik), të përvetëson, por në momentin që subjekti do
të bjen në tokë, drithërimat e kësaj rryme metaforike, e këtij mendimi të
thelluar artistik, dhe të këtij përjetimi sociopsikologjik kaq të rafinuar
sikur vërvitin magjinë, pasi poezia e Ramadan Musliut, nuk është poezi në të cilën
mendimi kapet në sipërfaqe, në një varg a strofë të saj, kjo poezi është e
konstruktuar si mendim i thellë tematik e meditativ, që të detyron lexim të
kujdesshëm. Duke e përjashtuar ciklin e poezive me rimë të përsosur, që
pëlqehen për ritmikën që kanë, edhe thellësia e mendimit, si nuancë tjetër, e
sfidon secilin krijues me përvojë, edhe ata që me vite trajtojnë poezinë si art
letrar.
Duke pritur në radhë
dikush për gazetë
tjetri për letër tualeti
u bëmë edhe vetë
për t’u hedhur në plehra
Poezia, FATI I KEQ, faqe 89.
Sidoqoftë, ky ndijim
rrëmbyes i vargut është aftësi dhe afinitet poetik, për të përfshirë anën
shpirtërore e cila të fut në atë vorbullën (shtjellën) e tyre tematike,
pastaj me ngadal zhvillohet e zbërthehet kjo frymë e re poetike. Në anën tjetër
"shtjella" poetike lidhet me aspektin e përjetimit "shpirtëror",
që të lenë mbresë të gjatë paskëtaj, kjo do të thotë: nga çasti i leximit e më
pas në kohën që do të vijoj, kjo poezi manifestohet si metamorfozë e zhvillimit
të brendshëm evolutiv, ndjenjë e përjetimit artistik, përkatësisht shtjellë e
historisë poetike të Ramadan Musliut. Janë këto arsye pse them se, titulli i
librit "SHTJELLË SHPIRTËRORE", është gjetje fatlume dhe në të njëjten
kohë edhe gjetje figurative që intrigon për një çasje serioze, për një
përkushtim të çasshëm dhe njëkohësisht edhe të thelluar të kritikes letrare.
I shtrëngova zengjitë
dhe i graha
kërmillit tim
të fshehur
prapa një shkurre
brenda veshit
Dhe dola
nëpër atë korridor
kokulur
nga lëkura
se më s’ma mban
t’i dal dikujt
në meidan
Poezia: NË KOPSHTIN E ZVERDHUR, faqe
92-93.
Moderniteti
poetik
Libri "SHTJELLË
SHPIRTËRORE", është strukturuar në gjashtë cikle: “Brenda prushit të
fjalëve”; “Në shtjellën e hijes sime”; “Ëndrra e hap derën e
harrimit”; “Kohë e djegur në shpirt”; “Në thjerrëzën e syrit”
dhe cikli “Syve të tu liqeni e mbyll kaltërsinë”, kurse poezitë e
përzgjedhura janë pjesë e pesë librave të autorit, të botuar për të gjallë të
tij: “Parodia e trupit” 1981; “Shqisa e gjashtë” 1985; “Pasqyra
e të rrëfyerit” 1987; “Në zemrën e gjërave” 2004 dhe “Gjendje
neutrale” 2019.
Poeti Ramadan Musliu,
shquhej për modernitet të vargut, për mënyrën estetike të shkrimit poetik, për
shprehjen artistike, përveç thellësisë së mendimit, poezia shquhet edhe për
nëntekstin specifik, një interpretues i shqetësimeve personale, të cilat
lidheshin drejtpërdrejt edhe me zhvillimet e shumta sociopolitike, ndërsa
poezia kurdoherë është shquar për mendimin e peshuar të fjalës publike. "Duke
pritur në radhë/ dikush për gazetë/ tjetri për letër tualeti/ u bëmë edhe vetë/
për t’u hedhur në plehra”, poezia FATI I KEQ, faqe 89. Ai ishte i saktë dhe
i guximshëm. Revoltë kjo e shprehur përmes poezisë, qoftë të drejtpërdrejt e
shpeshherë përmes metaforës ose ironisë, poeti ka realizuar dëshprimin dhe
pezmin si pjesë e pandashme e proceseve me të cilat përballej shoqëria
njerëzore në një vend me turbulenca të zhvillimeve dhe të dhunës politike. ”Shtron
gazetën mbi tryezë/ e vë ushqimin mbi të/ dhe duke lexuar/ përtyp mbeturinat/ e
ditës së djeshme”, poezia USHQIMI I THATË, faqe 107.
Vrojtim për
mërgimin Arbëresh
Plega e mërgimit,
qoftë si motiv, po më tepër si vrojtim, kundrohet si rikthim i domosdoshëm tek
plaga që ka brejtur qenien nacionale. Kjo grithmë për shekuj të tërë është
manifestuar tek Arbëreshët e Italisë, të cilët për Ramadan Musliun kanë qenë
frymëzim i përhershëm.
U ktheva nga mërgimet e mia
erdha nga gjumi i rremë
me ëndrra për të ardhshmen
Shih
dy qerberë
kafshë të liga
rojë bëjnë
te pragu i shtëpisë
Poezia “MËRGIMI I MENDJES”, faqe 49.
Ndërsa në poezinë
“REKUIEM PËR ZEF SEREMBEN”, faqe 76-78, Ramadan Musliu, thellon edhe më tej
dashurinë e vet për botën Arbëreshe, andaj është më i dukshëm motivi i mërgimit
të cilin, siç e theksuam e kemi prezent nga libri në libër. Ramadan Musliu,
mërgimin nuk e ironizon, atë e trajton si fatkeqësi të shoqërisë, i vetëdijshëm
se edhe mërgimet e reja do të kenë fatin e migrimit Arbëresh, ai s'pranë së
shkruari, kurse klithma poetike është kundër çdo lloj migrimi nacional. Pa
dyshim, Ramadan Musliu, kishte dashuri të veçantë për botën Arbëreshe, motivi
Arbëresh që zhvillohet në disa trajta e ndeshim edhe në poezitë: Natë
Kalabreze; Kënga e mërgimt; Mërgimi i frymës; Mërgimi i
trupit etj., në të cilat vetëm sa zgjerohet dijet, kurse qasja bëhet më e
përshpirtshme. Shikuar nga ky prizëm dhe për disa ndijime specifike, e shoh të
udhës për të sjell të plotë poezinë kushtuar Zef Serembes.
REKUIEM PËR ZEF SEREMBEN
I .
Po vjen detit
detin po e sjell në sy
dhe një gur kripe të vendlindjes
udhës së lashtë nëpër gjumë
nëpër detin me furtunë
sypafjetur truplodhur
gjuhëgjaku, gjuhënëne
këndoje nëpër histori
Ç’tel i hollë kënge
tëhollohet në kudhrën e zemrës
kur shpirti arbëresh
shpall të kremtet e gjuhës mëmë
O prush i fjalëve të mia
Zef Serembe po këndon me mua në duet
këngën që ashtin bren
zë bilbili është a erë e jugut
II.
Ngjyra e gjakut tim a është kjo në botë
flutura të limfës janë këto fjalë
ndjenja ime pastaj
ulet në një qoshe të mendimeve
dhe përvajet
III.
Valët e detit gurin e kripës
e hodhën në bregun e detit tim
tash njelmësia e bukës është njelmësia e
gjakut
Ç’kërkojmë tash nëpër botë
kurbetçarë të bukës
ç’kërkojmë zemra ime
Nëpër anije trupi ynë nëpër botë
bredh pa busull e pa fanar
IV.
Fanari me flokët tanë fitil
dritë bën në këtë tempull
kur në gjunjë kërkoj shëlbim
nga Atë Lekë Matrënga
O ai kandil iluzor kandil iluzor
natën e varrit ma ndriçon në trup
Kush më zgjon me shpirt ndër dhëmbë
kush ma premton parajsën
në malin e shenjtë
kush ferrin nën diell
V.
Tash nata po tretet
velat e agimit
nga frymëmarrja shpalosen
Gjumi që ikën detit
flokët me stërkala zgjimi
m’i veson
kur ëndrra e trupit të huaj
baltës shpirtin ma tërheq
zhvarur nëpër kohë
Verb poetik i
formës së harmonizuar
Poezia e Ramadan
Musliut, është klasifikimi më i mirë i motiveve dhe tipareve thelbësore të
përbashkëta, ndërsa gjuha e poezisë është tipologji më vete që nxjerr në pah
verbi poetik i saj, veprim ky i ideve si anë tipike të kësaj poezie, vlera e
saj përftohet si lëndë lirike, që përmbledh anët më të spikatura të vlerës
themelore e cila si tematikë trajton aspekte historike ose që merret me
dukuritë shoqërore e politike duke paraqitur në mënyrë metaforike anët e
rëndësishme të veprimit, parë si verb poetik i formës së harmonizuar dhe i
tërësisë si veprim i subjektit të marrë për shqyrtim, qoftë si qasje poetike
ose si qasje metaforike.
NATA E VARRIT
Një vaj mbi vaje
në botën tonë
të zënë në lak
sikur Zoti të na kish lënë
të vetëm
në natën e varrit
Faqe 172.
Metafora e poezisë së
Ramadan Musliut ka ndërtim asociativ, asonancë e cila nëpër poezitë ku nuk e
zbaton rimën e plotë shpeshherë kanë të njëjten tingëllim në fjalët fundore
duke krijuar një rimë ndryshe asaj klasike të cilën e zbaton nëpër mjaftë poezi
të tjera të cilat (për shijen time) janë krijimet më të mira të këtij
libri. Ky afinitet për të zbërthyer kuptimësinë figurative, pashmangshëm e bënë
vargun poetik të Ramadan Musliut specifik dhe me figurshmëri metaforike ndër më
të mirat për rimat e sistemuara, jo vetëm brenda kësaj poezie, qofshin si
trajtë ose si përmbajte motivore janë poezitë: Himni i krijimit; Kënga
e trupit; Çelësi i ëndrrës guacën çel; Ideali; Këngë e
përshpirtshme; Zalli; Acari; Kanarinë kristali; Fotografia
e zemrës; Rrezitja në hënësinë; Hënësia e trupit tënd; Hënësina
që po shuhet; Mashtrimi i hënësisë, etj.
Mishërimi
artistik si dhunti hyjnore
Mishërimi artistik si
dhunti hyjnore në vetëdijen krijuese të Ramadan Musliut determinon angazhimin e
tij në fushën e poezisë të cilën në kuadër të mozaikut të përgjithshëm e kishte
pasion, e kishte frmëzim jetik e epik, se mbase vetëm përmes artit të shkruar
ai la gjurmët përtej asaj që i thuhet jetë. “Mollën e grindjes/ e kanë
ngrënë/po djalli më në shishe/ nuk po hyn”, poezia ”MBYLLJA NË VETMI“, faqe
169. Por tejjeta e tij është materializuar vetëm në saje të librit dhe shkrimit
artistik. Kjo dhunti në qenien e krijuesit është hyjnore është psikologjia e
vet krijuesit, i vetëdijshëm për krijimin artistik që bënte. Poezia e Ramadan
Musliut, përveç anës estetike dhe artistike ka një psikologji të veçantë e cila
që nga fillimet e bëri poetin më të dukshëm dhe natyrisht edhe më të pranueshëm
në rrethin e zërave premtues që u shfaqën në ato kohë. ”A ka trupi ujë sa
deti/ apo deti mbushet lot/ ndër qeliza kush e gjeti/ zjarrin tim që s’shuhet
dot“, poezia, “SONET AKUATIK“, faqe 161.
Përfundim
Psikologjia e kësaj
poezie ka arritur të dëpërtoj në vetëdijen krijuese dhe lehtas ka tejkaluar
krizat shoqërore e politike të kohës. Kjo dhunti poetike e Ramadan Musliut,
bëri atë komunikimin me lexuesit dhe sëkëndejmi shpejt u rreshtua me elitën
krijuese të asaj kohe e cila Ramadan Musliut, në saje të vlerës, i hapi rrugë
duke e pranuar prirjen e tij drejt poezisë postmoderne, tendencë në rritje e
sipër gjatë asaj periudhe. ”Erdhi koha/ që gjithkush ta brejë/ ashtin e
vet// Jetë qençe/ me asht mes dhëmbësh/ e bisht nën këmbë“, poezia DARKË
QENÇE, faqe 158, ose vargjet: ”I zhveshi rrobat/ u la e u shpërla/ gati për të
hyrë/ nëpër atë vrimë të gjilpërës“, poezia VRIMA E GJILPËRËS, faqe 138. Ky
zbulim poetik, që për kohën ishte risi, u pranua si vlerë dhe u inkurajua, pasi
nuanca të poezisë, përveç që kundërshtonin, poeti e ka vrojtuar suksesshëm
realitetin e kohës i cili përcaktohej saktë. Prirja gjykuese e bëri atë pjesë
tëtërësisë krijuese që premtonte: "E kaluara/ më sot s`do të jetë/ as e
nesërmja/ si sot e dje“, poezia KOHA VDES NË VETVETE, faqe 100.
St. Gallen, 10 prill 2022.