Kulturë
Meti Rexhepi: Shkallmimi
E marte, 03.05.2022, 08:05 PM
SHKALLMIMI
(Prozë
e shkurtë)
Nga
Meti Rexhepi
Nuk
e dija si më sollën këmbët këtu, kundruall kishës dhe korit të shtruar
ortodoks? Insertet e ëndrrës ishin lidhur, kishin dendësuar unitetin tejpërtej fiziologjisë e
psikologjisë. Ishte diçka që i përjashtonte dukuritë dhe ligjet e psikikes
njerëzore... Zhgjëndrra dhe ëndrra, ëndrra e zhgjëndrra, ku kishte lënë mangësi
njëra e përmbushte tjetra. Pa ndonjë vijë ndarëse kisha hyrë në ëndrrën e
zhgjëndrrës... Më pushtonin klithmat, dënesje, gjëma të djeshme, drithërima të
pritshme, derivate ngjarjesh të djegshme, të pashuara në të sotmen...
Në
dimrin e kësaj hapësire nuk kishte borë, ndërsa unë cullak dhe i ngujuar, pa
mundur ta qetësoja pallën, që e kishte shigjetuar një shikim-vashe në morinë e
vashave... Pozita e forcuar e pallës pikërisht në aktin e shënjestrës për
prerje!... I thosha dytëshorit:
-
Kjo farë mynxyre do të jetë shënjestra më cinike për ta goditur.!
-
Gjithsesi!
-
Mbase pasojat e dhimbjes tënde janë të meritueshme!
-
Por, natyra ka epërsitë e veta të fshehta të patejkalueshme...
Pastaj
i thosha:
-
Le t`ia lëmë vendimet natyrës...
-
Pra, do t`ia lësh në dorë krejtësisht instinktit?
-
Po.
-
Si ashtu? Atëherë të paska rrjedhur vetëdija?!
-
Aiii ç`më filozofoje ti?
-
Pse jo? Gjej veshjet e arsyes dhe mbuloje cullakun e mendimit tënd të shkalluar!
Kjo
ëndërr e zhgjëndrrës së paskajshme më mbante pezull në orbitën e saj dhe, do të
doja të fluturoja, të fluturoja matanë këtij ferri ndjeka-keq!
***
Më
ishin mbështjellë me fije të dhimbjes mendja dhe zemra. Dhimbja ime ia
tëhollonte fijet mendjes, aq sa gati këputnin lidhjet me zemrën. Pleksjet e
dhimbjes gjeneronin të mbështjella në gjene. Gjenet e atit tim vijuan të qesin
filiza, bisqe të reja me përmbajtje lëndore të pandryshuar.
- Asgjë s`ka ndryshuar ati im i dashur!
-
Nuk duhej të shqetësoja ende ty atje në amshim... Më fal!
Me
të njëjtat fije të perit avullues gjilpëra m`i qepte gjithçka qepet për trupin
tim. Qepja kurrë njëherë nuk e përmbylli
përmasën time të gjatësisë e të gjerësisë! Gërshërët dhe gjilpëra për qepjen e
trupit tim, kurdoherë ishin në duart e vullneteve të huaja. U ngushtua së
tepërmi qepja e dhimbjes time, aq sa pas çdo shtrirje gjymtyrësh, që me hedhjen
e hapit paksa më të gjatë, veshja më shqepej tej përtej shalëve!
-
Pikërisht kjo lloj (sh)qepje shkaktoi cullakun tënd - shfaqi një diskurs
sipërfaqësor dytëshori.
Ai
diskurs nuk mund të ishte i pa përtrollitur, meqë e njëjta dhimbje e përshkonte
brendësinë e shtrirjes tij; porse shumëfish më të gjerë në ndërdyme. Duke
pandehur se tashmë më shihte të qepur tërësisht, heshti në rropatjet e mia të
vijueshme. Mendoja se veshja me lëkurën e evolucionit të Darwin-it ishte veshje
origjinale. Përse? Ngaqë lëkura ime i kishte të hapura deriçkat e poreve për
hyrje-dalje të ajrit të shndërruar në karbon-dyoksid, kishin pushuar qortimet
për lajthitjet e veshjes... Sfurqeve
prej druri dhe metali u kishte dalë para mali. Medoemos do të lypja
mbulesë, meqë brekët prej barishtesh m`i fërfëllinte fërfëlliza. Më gjuante me
shigjeta të acarta herë veriu, herë veri-lindja. Dramës sime lakuriqe i hidhnin
shikime të rrëshqitshme. Tashmë lakuriqësinë e mbështillja me barishte të
thurura, por shqetësimi i turpit ia zinte fytyrën me duar dytëshorit.
-
Më vjen turp! - thoshte ai.
-
S`ka pse të vijë turp - i thosha.
-
Kjo është të jesh sikurse të gjithë të tjerët kur zhvishen për t`u larë. Një
gjendje normale e njeriut, ore dytëshor!
-
Por njeriu vishet dhe bëhet njeri...
-Ata
të veshurit e shpifin të vërtetën e trupit të tyre, vizatimet e vijave,
simetrinë dhe asimetrinë... - këmbëngulja unë.
-
Çfarë thua korubja ime?! Nuk ndodhemi në bashkësinë e parë primitive!
-
Po, por dhimbja ime është legjitime...
I
rendisja dëshmi, si duket, të shkalluara?!...
-
Mu këta të veshur me shpifje më lanë kësisoj cullak dhe për tallje, ndaj
rebelohen pa ndalur gjymtyrët e trupit tim.
- Le t`iu them se: ka diçka tek unë që nuk
përkulet...
Dytëshori i molisur dhe i mërzitur, pëshpëriti
dhimbshëm:
-
Zhveshja e deritashme e dëftoi shkallmimin tënd të thellë, të thellë aq sa nuk
i preket dot fundi!...