Editorial
Arbën Xhaferi: Pasojat e Akraballëkut
E hene, 03.01.2022, 08:55 PM
Pasojat e Akraballëkut
Nga
Arbën Xhaferi, 2007
Skemat
politike shpesh depërtojnë lehtë në botëkuptimet e njerëzve, qofshin ata të
zakonshëm apo njohës të mirë të rrethanave, dhe vështirë çrrënjosen. Tanimë,
çdo analist që zhvillon teorinë për pasojat e konflikteve në Gadishullin Ilirik
niset nga premisa, tashmë e aksiomatizuar për ekzistencën e një aleance të
natyrshme mes Serbisë dhe Greqisë, si dhe ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë. Ata
që janë të prirur për patetikë nuk hezitojnë t'i shtojnë brengat e njerëzve,
duke pohuar se këto fërkime mund të shkaktojnë pasoja të pariparueshme për
strukturat veri-atlantike, meqë Turqia dhe Greqia qenkan anëtare të NATO-s.
Por, shikuar nga një kënd realist, i liruar nga skemat paragjykuese, ekziston
një aleancë paradoksale mes politikës greke, serbe dhe turke, që i ka rrënjët
më të thella sesa mendohet.
Politika
dhe propaganda serbe, dhe ajo greke në vazhdimësi, e përsërisin dhe e ndërtojnë
tezën për shqiptarët si element jo luajal, si mish i huaj në organizmin
evropian. Kjo teori mbështetet mbi premisën e përkatësisë fetare dhe mendësisë
totalitare, në kuadër të së cilës çdo gjë kundrohet nga këndi polarizues,
manikeik, bardhë dhe zi, ku shqiptarët paraqiten si element i huaj, si
myslimanë, që asesi nuk mund të jenë elementë integrativ në sistemin e vlerave
evropiane. Kjo propagandë, e përshkuar me imputime neveritëse është
intensifikuar deri në paroksizëm pas aktit terrorist të 11 shtatorit të vitit
2001. Sipas njohësve të rrethanave dhe të fenomeneve të tilla, por edhe sipas
pohimeve të liderëve të partive politike serbe apo greke ( bie fjala si V.
Shesheli) për këtë qëllim janë destinuar me miliona dollarë. Me këto para
financohen incidentet e llojeve të ndryshme, prononcime apo ngjarje që
vërtetojnë këtë pohim. Segmentet e caktuara të institucioneve greke apo serbe formojnë
opinionin, për gjoja të rrezikut që i kanoset qytetërimit perëndimor, nga
islamizmi fondamental në përgjithësi, dhe i shqiptarëve në veçanti. Nga ana
tjetër, segmente të caktuara të shoqërisë apo i shtetit turk, me, apo pa
vetëdije, japin argumente, ose thënë më mirë demonstrojnë tezën se shqiptarët
janë pjesë e pashkëputur e qytetërimit osman. Këto ditë, sipas lajmit që dha
kanali televiziv shqiptar "Top-Channel", në Librazhd, autoritetet
fetare të kësaj ane së bashku me segmente të caktuara turke kanë organizuar
synetimin kolektiv të më se 200 fëmijëve shqiptarë, sipas traditës turke.
Kamera e "Top-Channel-it" na ofroi pamje nga kjo ngjarje bizare, ku
fëmijët të veshur me rroba prej satenit të bardhë, me kapuça në trajtë të fesit
ku shkruhej "Mashallah", valëvitnin herë flamujt të shtetit turk, dhe
herë ato shqiptar. Natyrisht se askujt nuk duhet t'i pengojë aspekti fetar i
kësaj ngjarje beninje, por konotacionet politike dhe efektet që ato krijojnë në
opinionin e jashtëm dhe atë të brendshëm. Ç'është e vërteta, kjo ngjarje
politiko-fetare nuk është aksidentale, por tashmë e shndërruar në traditë. Kohë
më parë në muajin e Ramazanit, strukturat e tilla organizonin iftare kolektive
në sheshet e qyteteve, që dikur ishin të sunduar nga Perandoria Osmane. Këto
projekte që kontrabandohen përmes petkut fetar krijojnë një varg problemesh
brenda për brenda komunitetit shqiptar, por edhe në raportet shtetërore, apo
kombëtare të shqiptarëve me kontekstin evropian. Me këto organizime,
financuesit e këtyre manifestimeve, aspak religjioze, sikur dërgojnë mesazhin
për pretendimet kulturore-qytetëruese të shtetit modern turk në hapësirat e
dikurshme të Perandorisë Osmane. Këto manifestime dhe heshtja jonë krijojnë
pretekstin që edhe të tjerët, grekët, apo serbët të organizojnë pagëzimin e një
numri të ngjashëm të fëmijëve ortodoksë shqiptarë, që në duart e tyre do të
valëvitin flamurin grek, apo serb. Nëse do të ndodhte kjo, reagimi ynë do të
ishte i rreptë dhe i arsyeshëm, që do të hapte debatet publike që do të krijonin
pistat e kontradiktave të pariparueshme fetare, kombëtare dhe shoqërore në
përgjithësi.
Tashmë
në opinionin shqiptar është krijuar ideja fikse se grekët dhe serbët janë të
ligë, ndërkaq turqit janë të mirë. Nëse ky pohim do të ishte i saktë, atëherë shqiptarët
nuk do të ishin në këto telashe që nuk dihet sesi do të përfundojnë.
Ky
paragjykim, që është shtrirë në të gjitha hapësirat shqiptare, madje edhe te
pjesëtarët e të gjitha besimeve fetare, buron nga pohimi se sundimi osman dhe
islamizimi i shqiptarëve e ndërpreu procesin e asimilimit të tyre. Mirëpo, ky
pohim nënkupton se fjala asimilim ka vlerë parciale, ngaqë dedikohet vetëm për
rastet kur shqiptarët asimilohen nga sllavët, grekët apo italianët, dhe jo nga
turqit. Pra, në mënyrë të pavetëdijshme bëhet selektimi i asimilimit, duke e
ndarë atë në të mirë dhe në të ligë.
Shikuar
historikisht sebët dhe grekët kanë atakuar trupin tonë duke tentuar ti
shfarosin shqiptarët. Ndërkaq politika osmano-turke ka tentuar të zhdukë qenien
(shpirtin), identitetin kombëtar shqiptar. Të gjitha këto tentativa kanë qenë
antishqiptare pavarësisht nga format që janë zbatuar në periudha të dukshme.
Tashmë,
është bërë proverbial konstatimi i presidentit të dikurshëm të Turqisë z.
Demirel, i cili në takim me homologun e tij, me gjasë z. Mejdani, ka pohuar se
presidenti real i shqiptarëve qenka ai vetë, ngaqë në Turqi jetuakan pesë
milionë shqiptarë. Sipas kësaj logjike, në vazhdimësi imponohet bindja se paska
asimilime pozitive dhe negative. Të bëhesh turk qenka mirë, ndërkaq të bëhesh
grek, serb, apo italian qenka mëkat. Në vijë të këtij konstatimi duhet
analizuar fakti pse në Turqi, gjatë krizës kosovare, nga pesë milionë
shqiptarët nuk u krijua një lobi që do ta detyronte shtetin turk, në emër të
stabilitetit të brendshëm të angazhohet, madje edhe të implikohet më
konkretisht në krizën jugosllave duke u dalë zot shqiptarëve.
Të
gjithë shqiptarët, sidomos përfaqësuesit politik, pa marrë parasysh përkatësinë
fetare, sot e gjithë kohën e përdorin frazën "populli vëlla turk".
Kjo shprehje intime do ta arsyetonte veten nëse do të kishte efekte pozitive
për mirëqenien e shqiptarëve, por fatkeqësisht bie ndesh, jo vetëm me origjinën
e dy popujve, por edhe me realitetin e hidhur historik. Para disa kohësh pata
nderin ta takoja një këshilltar me ndikim në qeverinë turke dhe u përpoqa t'i
shpjegoja disa shqetësime të shqiptarëve lidhur me paragjykimet që kanë dëmtuar
vazhdimisht interesin tonë kombëtar. Pas një elaborimi të gjatë dhe të sinqertë
nga ana ime, ai sërish e përsëriti si vlerë paragjykimi që vinte ndesh me
realitetin. "Ne, juve, boshnjakët dhe kurdët nuk ju trajtojmë si arabët,
apo iranianët, por ju ndiejmë shumë të afërt me ne. Për ne, ju jeni akraba (
kushërinj)". Këtë konstatim ai e tha me një patetizëm mëshirëplotë. Me një
akrobacion retorik, i prirur nga bindja se të jesh turk është bekim hyjnor,
këshilltari qeveritar turk me ndikim e ricikloi pa dilema idenë se shqiptarët
janë pjesë e idiomës turke, se ata nuk janë popull (milet) si popujt e tjerë,
arabët, iranianët, grekët, serbët, bullgarët etj. Në mënyrë të pavetëdijshme,
sa elegante, aq edhe brutale, ai e suspendoi identitetin shqiptar, që me aq
sakrifica është mbrojtur gjatë furtunave historike.
Trajtimi
i shqiptarëve si akraba të turqve, dhe jo si milet, ka pasur pasoja
katastrofale për interesat e shqiptarëve gjatë sundimit osman, veçmas gjatë
shpërbërjes së kësaj perandorie. Tashmë është vërtetuar katërcipërisht se mos
trajtimi i shqiptarëve si popull lë pasoja të rënda, jo vetëm në fushën
politike, në kohën kur formoheshin shtetet ballkanike, por edhe në fushën
arsimore, kur autoritetet osmane ndalonin hapjen e shkollave shqipe duke
orientuar shqiptarët që të edukohen në shkollat greke, apo sllave.
Meqë
kohët e fundit bëri bujë kërkesa e kryeministrit shqiptar Berisha për rishikim
të historisë, e shoh të udhës ta përqendroj vëmendjen e analistëve, për pasojat
e marrëveshjeve, kryesisht turko-ruse ( sllave) për interesin e shqiptarëve,
apo të myslimanëve të asaj kohe. Pas një vargu humbjesh të betejave me rusët, Perandoria
Osmane ua jepte të drejtën për autonomi sllavëve që kishte një klauzolë të
veçantë që shpjegon shkakun e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqinë e sotme.
Kur iu dha autonomia serbëve, njëherësh u ndalua e drejta e myslimanëve që të
jetojnë në këtë shtettë krishterë. Kjo klauzolë shpjegon pastrimin gradual
etnik shqiptar nga zonat e pushtuara nga serbët, fillimisht nga pashallëku i
Beogradit, pastaj, me zgjerimin e territorit serb në jug nga rrethi i Nishit,
dhe përfundimisht nga Kosova dhe Maqedonia, natyrisht edhe të boshnjakëve nga
Bosnja, Sanxhaku etj. Këtë parim, prijësi legjendar i Turqisë moderne Kemal
Ataturku e shndërroi në parim obligues: në Turqi ka vetëm turq dhe jashtë
Turqisë nuk ka turq. Mirëpo, zhvillimet historike treguan se ky pohim nuk ishte
i saktë, por përkundrazi në Turqi paska shumë jo turq, si dhe jashtë Turqisë
shumë turq.
Shpërngulja
e shqiptarëve në Turqi, vështirësitë në krijimin e shtetit shqiptar dhe cungimi
i tij ishte pasojë e mohimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve.
Ideologët
turq të këtij klasifikimi ishin logjikisht dhe moralisht koherent. Duke na
trajtuar si arkaba të turqve, ata nuk shihnin asgjë të keqe nga shpërngulja
jonë në Turqi, meqë pas humbjes së luftërave në Rumeli për ta ishte e natyrshme
që popullin e vet ta tërhiqte në shtetin ku ata qeverisnin. Kulmi i këtij
parimi, që lejonte pastrimin etnik, u arrit në Marrëveshjen e Lozanës, kur
Turqia dhe Greqia u pajtuan që të këmbejnë popullatën greke nga Turqia
Perëndimore dhe popullatën turke apo myslimane, rrjedhimisht edhe të çamëve nga
Greqia në Turqi. Marrëveshje të këtilla Turqia bëri edhe me Jugosllavinë e
parë, por edhe me atë të Titos për shpërnguljen e shqiptarëve dhe boshnjakëve
nga trojet e tyre etnike. Pra, përfaqësuesit e "popullit vëlla turk" duke
na trajtuar si akraba u pajtuan, madje dhe hartuan projektin për spastrimin e
Rumelisë, të Gadishullit Ilirik nga popullata autoktone, të islamizuar nga vetë
ata. Kjo mendësi ndikoi në dobësimin politik, ekonomik, ushtarak dhe demografik
të popullit shqiptar, kështu që sot e kësaj dite i ndiejmë pasojat e këtyre
vlerësimeve të gabueshme.
Këto
paragjykime dhe botëkuptimet perandorake turke, meapo pa vetëdije, lënë pasoja
negative për interesin shqiptar, madje edhe në kontekstin aktual ku vendoset
përfundimisht fati i kombit shqiptar. Në Kosovë kontributin e vet për vendosjen
e paqes e jep edhe kontingjenti i ushtarëve turq. Shqiptarët ndiejnë obligimin
që të falënderohen për impenjimet e tyre për vendosjen e rendit dhe të
sigurisë, por e kanë të vështirë të kuptojnë përpjekjet e tyre për turqizim,
asimilim të popullatës myslimane sllavisht-folëse, apo shqip-folëse. Me këtë
politikë, ata mund të arrijnë vetëm një objektiv: zvogëlimin e përqindjes vetëm
të popullatës shqiptare, që në parim nuk do të ishte në favor të "popullit
vëlla turk".
Një
popull që nuk arrin t'i zbërthejë paragjykimet e veta, po ashtu nuk do të
arrijë t'i kuptojë gabimet dhe përsëritjen e tyre. Gabimet e tilla ndikojnë që
të mos përkufizohet qartë dhe përfundimisht identiteti kombëtar.