Kulturë
Sabit Rrustemi: Metafora e syve (të padukshëm) të heshtjes
E marte, 07.12.2021, 05:56 PM
METAFORIKA E SYVE (TË PADUKSHËM) TË HESHTJES
(Pas
leximit dhe rileximit të përsiatjeve poetike të Anton Nikë Berishës, me
titullin “Sytë e heshtjes”. Botuar nga Argeta LMG, Tiranë, 2018)
Nga
Sabit Rrustemi
Gjurmëve
të një trinie letrare poetike
Ka mbi pesë dekada që
Anton Nikë Berisha letërsinë, përkatësisht krijimtarinë letrare, qoftë ajo
poezi, prozë apo kritikë letrare, me plot kuptimin e fjalës e ka jetë, punë të
përditshme, thuaja në cilëndo pjesë të ditës.
Në cilën do lloj të
letërsisë, ku ka lëvruar, ai ka shënuar prurje të reja, në studimet dhe
vlerësimet letrare, në prozë me romanet, qofshin për fëmijë a të rritur, në
poezi, ku shfaqet pak më rrallë e s’heq dorë asnjëherë prej saj, e të mos
flasim për letërsinë tonë gojore apo dhe përzgjedhjet letrare poetike
(antologjitë), një veçanti e punës së tij, që po ashtu ka shënuar suksese që
s’i shlyen koha.
Përsiatja poetike e
radhës që del nga “punëtoria” krijuese e këtij shkrimtari, SYTË E HESHTJES,
është pjesa e dytë e një projekti që mëton rrumbullakimin e një trinie letrare,
bukuria – heshtja – vetmia, e cila, e pranuam apo jo, në poezinë shqipe është
diçka e re, edhe si model letrar, edhe si shtjellim, madje dhe si formë, të
cilin unë s’di si ta quaj ndryshe pos, poezi eseistike.
Teorikët letrarë mund
të ma shohin mbase dhe për të madhe, por që në leximin e parë të këtyre veprave
poetike (“Prushi i bukurisë” dhe “Sytë e heshtjes”) nuk besoj se mund të
nxjerrin ndonjë përkufizim tjetër, edhe pse “eseistikja” rrallë a hiç na ka
ardhur në vargje. Në formë prozaike, po.
“Sytë e heshtjes”,
vijnë si cytje që nga titulli. Gjithçka mund të kemi dëgjuar për heshtjen, po,
për sytë e saj, as që kemi menduar deri te kjo vepër. Kushdo që ka folur për
të, apo është munduar t’ia gjejë një përkufizim, këta sy të padukshëm të saj,
as nuk i ka imagjinuar. Në këtë libër,
“Sytë …” janë dritaret e kësaj “ndërtese”, brenda së cilës zihet e
përzihet heshtja, vlon e brufullon po dhe ftohet, ngrihet e bie në pikën më të
thellë, ku asnjëherë nuk e prek fundin, sepse, ajo s’ka fund.
Është interesant se
kjo metaforë apo dhe ky togfjalësh, askund nuk gjendet në 33 njësitë e kësaj
tërësie letrare. Në të vërtetë, njëherë mund të ndeshësh fjalët, “sy”, “sytë e
ballit” dhe “sython” dhe… asgjë më shumë. Kjo “mungesë” e syve të heshtjes, jo
veç të intrigon por, edhe të shndërrohet në ankth, saqë ti i kërkon në çdo varg
dhe, prapë nuk i ke.
Kur kthehesh në
fillim, te “fjala paraprake”, aty në themelet e frymëzimit të kësaj vepre të
Anton Nikë Berishës, e sheh emrin dhe figurën e Shën Terezes – Nënës Tereze,
siç e quajmë ne dhe e gjithë bota dhe, tek aty, në portretin e saj, në gjithë
atë vepër madhore që ia la trashëgimi njerëzimit, në lutjet e saj, në gjithë
atë dashuri për Hyjin e për njeriun, cilido do qoftë ai, ti, qoftë si lexues
apo si kërkues e vlerësues, figurativisht i “sheh” dhe “sytë e heshtjes”, si
bëhen dritare shpirti, në secilin varg e secilën njësi të saj, përmes të cilëve
dritësohen dhe skutat më të errëta të heshtjes, thellësitë e pafundme dhe të
gjitha ato batica e zbatica, madje dhe stuhi e shkundje të themelta që i
shkakton heshtja për ta gjetur një qetësi njerëzore e një dashuri hyjnore,
burimi i pashtershëm i së cilës është në vetë Hyjin, në vetë Zotin, së cilit i
falemi e i lutemi për çdo gjë e për gjithçka, qoftë për shpëtim, qoftë edhe si
ngushëllim.
Simbolika
dhe thellësia e vetë heshtjes…
Nëse emri dhe vepra e
shenjtores sonë, Nënës Tereze, është kodi hyrës në këtë vepër, materiali poetik
i tridhjetetri njësive të saja, është labirinti nëpër të cilin shtrihet e
shprushet heshtja me tërë “qetësinë” e saj, po edhe me zhurmën tunduese në
pazëshmërinë që e mbështjell atë fund e krye.
Në secilën njësi
thuajse e kemi nga një mendim –përkufizim të heshtjes, që nuk ngjason me asnjë
përkufizim tjetër që e kemi dëgjuar a lexuar, nga emra elitarë të botës së
mendimit apo dhe vepra që kanë formësuar e pjekur njerëzimin dhe vetë botën.
Mendimet –
përkufizimet e heshtjes, që i tjerr hollë dhe i sjell përmes kësaj vepre Anton
Nikë Berisha, sa janë biblike, po aq janë shpirtërore, sa janë hyjnore, po aq
janë tokësore (të prekshme), sa duken filozofike, më shumë flasin me gjuhën
poetike – figurative dhe kështu përmbushin, përmes shkathtësisë – zotësisë së
autorit, edhe pritjet e lexuesit, por edhe zbërthejnë nocionin “heshtje”, si
një nga provat apo ballafaqimet me të cilat në çdo hap ndeshet njerëzimi, qoftë
si kolektivitet, qoftë si individ:
Heshtja është ndriçimi hyjnor
që të mbështjellë me paanësinë
e vet
Heshtja është …
mbushullimë fjalësh që flasin
me gjuhën e shenjave
Heshtja është …
ngrohtësi e ujëvartë që e
mbroth shpirtin
të dallgëzuar nga e liga
Heshtja është paqja brenda nesh
…….. që duhet mbëltuar,
edhe në djepin e shtrëngatës së
egër
Heshtja është mbretëri më vete,
në çdo kohë e në çdo hapësirë
Këto përkufizime, sa
artistike, sa filozofike, besa dhe jetësore e shpirtërore, dëshmojnë në rend të
parë, fuqinë krijuese të autorit, përkushtimin dhe zotërimin e thellë të dijes
së fituar, qoftë nga librat e shenjtë, qoftë nga librat e dijetarëve botërorë
po, edhe nga ajo dije që është shtresuar e ruajtur brenda gjirit të popullit
tonë dhe e rendit emrin e Anton Nikë Berishës, tek ata emra elitarë që janë
përpjekur dhe i kanë shkrirë fuqitë e veta mendore për një përkufizim të
heshtjes si bie fjala: William Shekspir (Unë do
të thosha që është më mirë të jesh mbret i heshtjes tënde, se sa skllav i
fjalëve të tua), Konfuçi (Heshtja
është i vetmi mik që nuk të tradhton kurrë), Erasmusi i Roterdamit (Miqësia
e vërtetë vjen kur heshtja midis dy njerëzve duket diçka e këndshme), Miles
Davs (Heshtja është zhurma më e fortë, ndoshta më e fortë se zhurmat)
etj.
Megjithatë,
ndikimi qenësor tek autori ynë, mbeten ajo që thotë vetë Nëna Tereze, e cila e
shpreh, saktë dhe pa hezitim, në një nga mendimet më të veçantë:
Fryti i heshtjes është lutja
Fryti i lutjes është besimi
Fryti i besimit është dashuria
Fryti i dashurisë është
shërbimi
Fryti i shërbimit është paqja
Nisur nga kjo, kam përshtypjen se dhe Anton Nikë
Berisha, gjërat më të thella të artit, të pathënat e deritashme dhe krejt ato
“ushqime” poetike të pashijuara deri më tash, i kërkon dhe i gjen përmes kësaj
heshtjeje, së cilës i bën vend dhe e përdor sa herë ka nevojë.
Simbolika e vetë heshtjes në veprën eseistike “Sytë
e heshtjes” dëshmohet dhe në këto përkufizime poetike, të nxjerra thuaja si
“aforizma”, nga vetë njësitë ( pjesët ) e poemës:
Heshtja është etja për njohje
të vetvetes e të tjetrit
Heshtja është shkretëtira e
pafund,
puthja e buzëve kur i përthan
era
Heshtja është ushtimë e
pazëshme e dhimbjes
Heshtja është drithërimë e
beftë…
rrjetë e mynxyrtë, gjyq i
fundit i ndërgjegjes
Jo rastësisht autori zgjodhi të gjurmojë e të
përpushë nëpër shtresat dhe thellësitë e heshtjes dhe, jo rastësisht u
përcaktua ta rrumbullakësojë përsiatjen e tij në 33 njësi poetike. Me një
fjalë, simbolika e këtyre njësive, e vetë vargjeve s’ka të bëjë vetëm më
figurat që i përdorë, figura kryesisht të papërdorura më parë, por, edhe në
vetë numrin 33, numër ky që asociacion në shumëçka, qoftë nga sfera biblike,
njerëzore e shpirtërore madje dhe nga sfera e yjeve dhe vetë rruzullit nën të
cilin ndodhemi.
Nga Tridhjetetri njësitë poetike të poemës, nuk e
ke dhe as mund ta gjesh një përkufizim të vetëm poetik për heshtjen por, i
gjen, ose i fiton Tridhjetetri përkufizime poetike dhe kjo e bën poemën, jo
vetëm më të pasur por edhe më interesante, pavarësisht se heshtja nuk është një
fenomen i ri dhe nuk daton vetëm nga ditët e sotme, por që nga zanafilla e
njerëzimit e këndej.
Përmes kësaj tërësie poetike që e krijon Anton Nikë
Berisha me “Sytë e heshtjes”, vetëm sa na ngashënjen për t’u thelluar edhe më
tej drejt thellësive të paprekura të heshtjes, për të arritur atje ku, realisht
nuk preku ende askush, në pafundësinë e vetë heshtjes.
Gjilan, dhjetor 2021