Kulturë
Resmi Osmani: Ulkonja
E enjte, 02.12.2021, 08:09 PM
ULKONJA
Tregim nga Resmi Osmani
Pas
dy dit shirash, doli ditë e bukur, por e freskët, duket që filloi dimëri. Isha
duke ecur ne shëtitoren e parkut të liqenit. Degjova që dikush më thirri emrin.
U ndala. Biri i një shoku tim të vjetër,
Nazimi. U bë viti pa e takuar. U
përshëndetëm dhe pyetjet e zakonshme për shëndetin në kohë pandemie.Tha që
gëzohej që më pa dhe që isha mirë dhe u nis të vijonte shëtitjen, por unë e
ndala. Desha të dija për njerëzit e tij të afërt që unë i njihja dhe ua mbaja
mend emrat. Disa nuk jetonin më, të tjerët ishin plakur. U ndam. Çuditërisht,
ky takim, më solli në kujtesë si të kishte ndodhur dje, një ndodhi në vite të
largëta. Që ja rrëfeva Nazimit, për gjyshen e tij.
Ato
vite ne jetonim në fshat. Një nga ditët,ishte ditë bajrami, nëna më mori për
dore dhe më tha se do shkonim për urimin e bajramit te Zonja Kimete. Ata ishin
kosovarë, ne nga Çamëria, të dy familje jabanxhinjsh dhe bëheshim me
njeri-tjetrin. Shtëpia ishte përdhese, por e madhe e me shumë dhoma. Na priti
dhe na gostiti me nga një filxhan “tomël” (qumësht) se për kafe në ato vite nuk
bëhej fjalë. Per mua u gjend dhe nje copë fli, që e hëngra me kënaqësi. Të dyja
biseduan gjatë. Qanin hallet. Nëna i drejtohej zonja Kimete, kurse ajo nënës
motër Haxhire. Zonja Kimete ishte shtatlartë, e veshur me dimite, kokën mbuluar
me lahuri të bardhë. Fytyrëgjerë,hundë shqiponjë, pa rrudha, por të ngurtë e të
ngrysur, me ca sy të mëdhenj, të rreptë e të pikëlluar.Grua kapedane, mua më
ngjante më shumë si burrë: e ashpër në sjellje dhe autoritare! Kishte hequr
halle. Në fshat i quanin shtëpi ballistësh. Burri dhe djali i madh ishin
nacionalistë, që ahere u thoshin ballista.Burri arriti të arratisej në Itali,
djalin ja pushkatuan pa gjyq. Kishte dhe katër djem të rritur dhe një vajzë, me
dy fëmijë,edhe ajo me burrë të pushkatuar, që jetonte me të .
Zonja
Kimete ishte vejushe me burrin gjall. Ahere unë s’kuptoja nga këto gjëra.
U
ngritëm për të ikur. Ajo na përcolli deri te lesa që shërbente si portë.Kur
ishim duke u ndarë, u faneps si ta kishte pjellë dheu i plotfuqishmi, që
bridhte fshatrave, veshur si gjysmë ushtarak dhe me një çantë të varur në sup.
Mbaj mend që në xhepin e vogël të setrës kishte një tufë me lapsa. Qëndroi
pranë nesh i kapardisur.
- E moj zonja Kimete, ku i ke djemtë se kam për
t’u thënë ca fjalë.- me hakërrim e qëndrim prej mujshari- Atyre klyshëve të tu.
- Djeltë e nanës, i kam dërgu në shkollë-qe
përgjigja.
-
Dashke t’i bësh dhaskenj- (unë se dija se ç’ishin dhaskenjtë)-harroje, veç kur
të shohin veshin pa pasqyrë!
-Të
bahen të ditun,- i tha ajo- se kur të kthehet me kambë përpjet komunizmi, të
paditurit s’kanë me ju dasht kujt.
I
plotfuqishmi u tërbua:
-
Mbylle gojën moj buçe plakë, si guxon e thua të tilla fjalë?
-
Bushtër mbase ashtë jot amë, që ka pjellë ksi këlysh qeni, unë jam ulkonjë ,
dhe kam lind ujqër!
-
Ah kështu qënka puna, ke për të ma paguar dhe ke për të parë se çdo t’u punoj!
-
Pushka top- ,i tha zonja kimete- ani, ulkonja nuk tutet kah zagarët! Pjellë e
keqe, hiqmu sysh!
I
plotfuqishmi u largua si qen i rrahur.
Që
ta kuptoja më mirë , përsa ngjau, pyeta nënën. Ajo më ledhatoi flokët. Je I
vogël, - më tha- kur të rritesh do ti kuptosh të gjitha.
Nga
ajo ditë, vet me vete, për mua, zonja kimete ishte Ulkonja, nëna e ujqërve. Të
tillë e solla ndërmend edhe pas ngjarjeve të viteve 90-të.Por ajo si më tha i
nipi, nuk e arriti atë ditë që e kishte profetizuar.
Tiranë, më 30, 11, 2021