Kulturë
Jusuf Buxhovi: Demonstratat e 27 Nëntorit 1968 në Prishtinë
E shtune, 27.11.2021, 07:42 PM
Përkujtesë historike:
DEMONSTRATAT E 27
NËNTORIT 1968 NË PRISHTINË
Nga
Jusuf Buxhovi
Shtetndërtimi
i Kosovës, i mbështetur mbi formulën e barazisë në federatën e atëhershme
jugosllave, që praktikisht do të thoshte çlirim nga zgjedha serbe, fillon me
demonstratat e nëntorit të vitit 1968, të nisura në Prizren më 5 nëntor dhe të
vazhduara në disa qytete, për t'u kurorëzuar me ato në Prishtinë, më 27 nëntor.
Këto demonstrata, ku për herë të parë doli në pah kërkesa për Republikën e
Kosovës e që për dëshmorë të parë patën të riun Murat Mehmeti, ua hapën rrugën
ndryshimeve të mëdha që u pasqyruan me themelimin e Universitetit të Kosovës në
Prishtinë në vitin 1970 si dhe institucioneve të tjera kombëtare, prej nga u
ngrit brezi i një inteligjencie arsimore, kulturore dhe politike që mori
përsipër proceset e mëtutjeshme të avancimit të pozitës kushtetuese të Kosovës
në federatën jugosllave, që do të sanksionohen me ndryshimet kushtetuese të
vitit 1974.
Ideatorët
dhe organizatorët e këtyre demonstratave do të mbesin në histori si shtysë e
një procesi ndër më të rëndësishmit, që vuri në lëvizje ndryshimet historike me
anën e kërkesave legale, jashtë konvencave ideologjike-revolucionare të viteve
të pesëdhjeta dhe të gjashtëdhjeta mbi konceptin e një iredetizmi ideologjik.
Ato vazhduan në vitin 1981, në vitin 1989, 1997, 1999 për t'u kurorëzuar me shpalljen
e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.