Kulturë
Shefqet Dibrani: Sintagma e xhelozisë në një krijim lirik
E diele, 05.12.2021, 02:41 PM
SINTAGMA E XHELOZISË NË NJË KRIJIM LIRIK
Qëndresë Shala, “PRITJA
JOTE JAM“, poezi, botoi Shtëpia Botuese “BEQIR MUSLIU”, Gjilan 2014. faqe 80.
ISBN 978-9951-594-55-4
Nga
Shefqet Dibrani
Poezia e Qëndresë
Shalës, e përmbledhur tek libri “PRITJA JOTE JAM” sjell segmente lirike në
kërkim të formës, edhe asaj poetike, përkatësisht të metodave shprehëse me të
cilat ndërtohet poezia, “veçanërisht ajo shquhet për kultivimin e lirikave
origjinale”, ka theksuar poeti dhe kritiku letrar Ramadan Musliu.
Librat e parë mbeten
shprehja më e sinqertë e krijimit poetik, ata kanë thjeshtësi dhe çiltërsi
poetike. Librat vijues, kryesisht janë shprehje të avancuara, më të përsosura,
dhe nivel të sforcuar, por s’kan brishtësinë që e ndeshim në librat e parë, të
cilët janë më të dashur për autorët, prandaj mendohet se poeteshat (por edhe
poetët), të vërtetë janë në librat e parë, ashtu siç mbetet në kujtimet e
secilit dashuria ose puthja e parë. Të tjerat janë përvoja të krijimit poetik!
Përmbledhja “PRITJA
JOTE JAM” e Qëndresë Shalës, mund të karakterizohet si qasje për
sentencën lirike dhe për lirikën e dashurisë, poezi këto të cilat janë shkruar
pa sforcime të mëdha por kanë në vete metaforë përjetuese: “Ti më shkruan
rrallë/ mungesa ime të lë pa fjalë”, (faqe 7); “pikëllimi i mungesës/
edhe gurin thermon”, (faqe 9); “i dashur harresat nuk i dua/ pres të
çlodhem mes buzëve tua...”, (faqe 13), etj.
Kjo poezi ka mendim
të thjeshtë dhe shprehje të çiltërt që përhapin në etër sekuenca lirike, e
lirika të dashurisë që i përkasin moshës së saj, dhe kohës së saj. Si të themi,
tërë poezia duket kërkim për poezi, gjithsesi një univers udhëtimi
transdimensional dhe i vazhdueshëm. Këto shprehje qesin në pah anën shpirtërore
me preokupime të gjithanshme, pa i harruar sentencat dhe nuancat e lirikës
erotike, me shpresën për të ardhme edhe më të mirë, për fjalë të sinqerta nga
gjenerata në kërkim, si perceptim i kundruar në dritën e perspektivës dhe të
ngadhënjimit.
VETËM KUR MË KE PRANË
Të kam ikur nga
mendja
Udhëve diku më ke
harruar
Asnjë fjalë në letër
Asnjë pëshpërimë në
eter
E më thoje i yti jam
Mos më kujto
Vetëm kur më ke pranë
Faqe 19.
PRITJA JOTE JAM
Jam aty
Ku ti symbyllas më
gjenë
I dashur mos u vono
Nata më lodhi
Përmes ëndrrash
Dita tek buzët t’ua
s’më çelë
E unë
Mallë të kam
Pritja jote jam
Faqe 17.
Sille kah ta sillesh
edhe poezia është një ëndërr e cila shprehet përmes ndjenjës dhe përjetimit të
dukurive që ajo i percepton, edhe në aspektin pozherativ, kur flet për
harresën, braktisjen, tradhtinë të cilave nuk u bënë qasje aq negative, por i
percepton si dukuri nën optikën e një xhelozie, sa naive po aq personale e që
ngërthen një fenomen specifik në tërë konceptin krijues, kurse dukuritë që
vrojtohen vetëm nën prizmin e xhelozisë dihet se përfundimin kanë dëshpërues:
unë
xhelozja e pakorrigjueshme
kur
po të shoh me të tjera
në
tjetër botë po bie
Poezia: PO RREZON NË
MUA, faqe 6.
Ky element i dyshimit
a shikimit të gabimeve nën prizmin e xhelozisë herë vjen i sforcuar e herë me
naivitet të theksuar, madje sa herë e fajson vetën pse “jam xheloz dhe në
sytë e mi/ pse nuk të shohin vetëm ty”, por me prirje të një koncepti në të
cilin poetesha procesin e mashtrimit dhe atë të dyshimit sikur i percepton në
mesazhin origjinal, ku do të shprehet:
Nëse
jam drita jote
mos
prit më
mbyte
xhelozinë time
me
tënden dashuri
Poezia: MBYTE
XHELOZINË TIME, faqe 63.
Në këtë rast, nëse “xhelozia”
është fajtore për dyshimet, atëherë duhet të dalë mesazhi për të mos gjykuar
kur jemi të nxitur a ndikuar nga veset e këqija, sepse edhe gjykimi si gjykim,
por edhe përfundimi do të jetë i shtrembët dhe me konotacione negative.
E theksova këtë
element i cili më duket se është mjaftë indikativ pasi e hap perspektivë
vrojtimi me sugjerime pozitive. Si të themi këtu kemi të bëjmë me një lloj
prozitiviteti, pasi nuk niset nga qëllimi i keq. Edhe brenda librit, fenomeni i
xhelozisë, veçmas në dashuri është shndërruar në simbolikë, ndoshta pikërisht
përmes këtij prizmi mund të zbërthehen e interpretohen edhe dukuri të tjera që
kanë të bëjnë me dyshimin, tradhtinë, vetminë, harresën e gjer në braktisje e
fundme të cilat në mënyrë të metaforove sjellin një botë më vete: “I dashur/
hajt ta zgjasim ditën/ edhe pak”, (faqe 18); “Nesër nisem për të saten
herë/ në repartin e riparimit të asaj pjese që/ harron nganjëherë për të të
kujtuar”, (faqe 36); “Ai zog mali/ le të dehet prej ngazëllimi”, (faqe
45); “Afromi buzët/ ta shuaj këtë etje/ mëngjesin e së nesërmes/ ta falë me
buzqeshje”, (faqe 51); “edhe në lajmin që shpirtin therrë/ me buzëqesh
përherë// buzqeshja jote/ është krejt pranverë”, (faqe 70), sepse “vetëm
ti/ në zemrën time/ banor i vetëm je”, (faqe 75), etj.
Poetesha Qëndresë
Shala, këto dukuri i ka vënë në një thjerrëz tjetër ku përmes shprehjes
idilotrike ajo jep shembullin e mirë për të falur, (pasi sipas poezisë së
saj?!), gjërat që gjykohen kur jemi të dehur nga frika dhe xhelozia sjellin
përfundime jo aq të sakta, prandaj si vese janë të dëmshme dhe negative të
cilave nuk duhet besuar edhe aq?!...
Ky fenomen duket më
shumë si thirrje poetike për të mos i parë gjërat nënë thjerrëzën e xhelozisë,
smirës dhe inatit, pasi përfundimet janë të gabueshme d.m.th. Qëndresë Shala,
pa ndonjë paragjykim është shprehur me modesti letrare e cila është vlerë që do
të duhej të shndërrohej në synim krijues, për t’i dhënë pastaj poezisë frymëzim
më të përsosur, mendim më të sforcuar, qoftë në planin poetik ose si koncept
filozofik, vlerë kjo e dallueshme tek poezitë: “Pritja jote jam”; “Vetëm kur
më ke pranë”; “Ka ditë”; “Mbrëmë të pashë ëndërr”; “Mos mendo që nuk të shoh”;
“A jam te ti”; “Po shkoj”; “Këtë natë”; “Do të gjej”; “Shtegut”; “Dhuratë
zemre”; “Më pyesin”; “Këtë mbrëmje”; “Të kërkojë në timën zemër”; “Mbyte
xhelozinë time”; “Po të kisha afër”; “Buzëqesh”; “Këtij zogu n’fluturim”; “Në
këtë mbrëmje”; “Do të kthehem”, dhe ndonjë tjetër që nuk arritëm për ta
theksuar.
Natyrisht, poezia e
këtij vëllimi është kërkim i shprehjes poetike, përpjekje për artikulim poetik
që ndikohet nga proceset e ndryshme, qofshin ato të ndijimeve apo të faktorëve
sociokulturor që e rrethojnë. Nëpër shumë poezi gjejmë nuanca poetike të
latuara mirë, për çka mendojmë se autorja (në këtë plan) e ka artikuluar
mënyrën shprehëse, me shenja në kërkim të teknikave e metodave për kuptim real
ose aty këtu edhe për fjalorin specifik: erëmon, përpushë, aromshëm,
brafulloj, kaçubë për gëmushë, rrugëtuar për udhëtuar etj.
Të shpresojmë se
rreth lirikave është thënë mjaftë, prandaj e pash më të udhës të trajtoj disa
kostalacione konceptesh, për të parë se si autorja përmes poezisë ka arritur
t’i përshkruaj fenomenet që i theksuam më lart të cilat shtyhen e nxiten qoftë
nga fobia, qoftë nga dyshimi, dhe me kalimin e kohës shndërrohen xhelozi që
pastaj përfundojnë në ves me shenja të “zeza” e ku gjithçka dyshohet...
ndërsa në këto raste, trazimet shpirtërore nuk stimulojnë mendimin e mbar, por
kryesisht reflektojnë të kundërtën e saj.
Në këtë plan, poezia
e Qëndresë Shalës ka një botëkuptim pozitiv: “Nuk je aq i keq sa të
më harrosh/ diku tjetër puthje të kërkosh// Sa herë ta përsërisë/ Edhe
n`shkofsha nga kjo botë/ Një jetë tjetër për ty nis”, (faqe 31). Këtë
fenomen e ka vërejtur edhe poeti e kritiku Nexhat Rexha i cili mendon se “pritja
karakterizon ankthin e dridhjeve në momentet e shkrirjeve nëpër të gjitha fijet
e flokut të të dashuruarve”, ku “çastet trazuese kërkojnë amshimin e
rrezeve të jetës, gjithnjë në kërkim të kësaj pritjeje si lajtmotiv në mes
dashurisë dhe xhelozisë”. Me një fjalë poezia e Qëndresë Shalës,
“konsiston në vargun e shkurtër, me një narracioni të lehtë poetik. Ajo
krijon poezi për brezin që i përket për të sfiduar në përditshmërinë tonë
triviale”, ka thënë për këtë poezi Hasan Bunjaku.
Në këto rrethana, ne
mendojmë se nuk është faktor vendimtar për vetëdijesim vetëm fenomeni i
dashurisë, as durimet e gjata (si tematikë) për puthjet emocionale, të
cilat duken si kurorëzim, si materializim i një koncepti figurativ. Në këtë
rast më shumë duket si përshkrim i saktë i realitetit të gjithëmbarshëm ku
fenomeni i durimit dhe shpresës se “do të bëhet mirë?!”, ka ndikuar
dukshëm edhe tek elementi poetik që bëhet fjalë, për besimin në dikë, për
përgjegjësinë e fjalës së dhënë, për fjalën dhe premtimin e papeshuar “nëpër
vargjet e saj” ashtu siç është shprehur edhe Adem Salihu, i cili mendon se “ajo
ka shprehur bukur ndjenjën e saj përmes lirikave dhe krahasimeve të ndryshme”,
të cilat i trajton karakteret duke i perceptuar nën prizmin e një dashurie,
madje aty këtu duket se ka kallje, dalldisje dhe miklime të shumta në njërën
anë, kurse në anën tjetër duke i pasqyruar edhe të kundërtat e këtyre proceseve
që ilustrohen me pritjen, me dyshimin, me xhelozinë ajo ka arritur me sukses të
bëhet mëkuese e shëruese, pasi veset i miklon me shpresën dhe ngadhënjimin.
Nëse poezitë i shohim
nga ky prizëm, duket sikur elementet e dyshimit, dështimit dhe ngecjes kanë për
bazë zhvillimet sociopolitike, sociokulturore të një shoqërie si tërsi
etnokulturore, ndërsa elementi figurativ që ndeshët në poezinë e këtij libri
janë sforcime që trajtohen si fenomen poliedrik, tamam ashtu siç është jeta me
dallgët që të përplasin gjithandej. Këtë mendim figurativ, na e s’forcon më
shumë poezia “MË PYESIN”, në të cilën ajo shprehet:
Më
pyesin miq
dhe
të tjerë kureshtarë
ku
e ke atë të dashur
si
nuk ta kemi parë...
Poezia: MË PYESIN,
faqe 50.
Nga kjo poezi mund të
besohet për dashuri të papërcaktuar dhe disa dyshime të tjera poetike që i
paska ngritur autorja, për vuajtje e pritje të gjata, por jo për kompliksiteti
lirik që të krijon përshtypjen e trillimit erotik. Por, poetesha figurativisht
më shumë e prezanton realitetin përjetues me të gjitha kompleksitet e saj. Qëndresë
Shala, duke i parë këto fenomene dhe zhvillime nën prizmin e lirikës dhe
erotikës poetike e ka krijuar mozaikun letrar si peizazh natyror mbi të cilin
gërshetohen bukuritë e shumta të cilat kundrohen fenomenet natyrore, një lloj
diskursi idilik, diçka në mes përjetimit emocional dhe sentencave artistike.
E gjithë poezia e
kësaj përmbledhjeje është një imagjinatë e kundruar mbi obsesionin idilik, një
lloj idiolatrie që ka krijuar harmoni mjaftë të mirë dhe mënyrë të realizuar në
vargun poetik.