Kulturë
Anton Nikë Berisha: Rëndësia e letërsisë arbëreshe për ruajtjen dhe pasurimin e botës dhe e shpirtit arbëresh
E marte, 07.12.2021, 06:39 PM
RËNDËSIA E LETËRSISË ARBËRESHE PËR RUAJTJEN DHE PASURIMIN E BOTËS DHE E SHPIRTIT ARBËRESH
Nga
Anton Nikë Berisha
Gjuha arbëreshe dhe
të folurit arbërisht ka qenë dhe mbetet përbërësi më qenësor i gjallimit dhe i
ruajtjes së botës dhe shpirtit arbëresh nëpër kohë. Mirëpo, letërsia arbëreshe,
gojore dhe e shkruar, po ashtu pati një rëndësi të madhe dhe luajti një rol të
shumëfishtë për ruajtjen dhe pasurimin e kësaj bote. Themi kështu duke pasur
parasysh faktin se letërsia arbëreshe është shprehje e botës, e mendësisë dhe e
fatit të arbëreshëve; në të gjetën jehonë, po njëherit edhe përjetësim artistik
në një nivel të lartë, dukuri të shumta, që i përcollën ata në rrjedhë të
gjallimit për pesë shekuj, ç’prej kohës kur u shpërngulën nga atdheu dhe u
vendosën në Itali.
Rëndësia dhe roli i
jashtëzakonshëm i letërsisë arbëreshe u shprehën në forma e në rrafshe të
ndryshme dhe në mënyrë të pandërprerë. Kjo lidhet së pari me vetë gjuhën,
nëpërmjet së cilës u krijua kjo letërsi, komunikoi dhe bëri ndikim të
shumëfishtë. Në qenësinë e tyre, veprat letrare arbëreshe, siç ndodh edhe me
artin e fjalës në përgjithësi, janë struktura gjuhësore, mesazhe që shprehen nëpërmjet
një të foluri të veçantë brenda gjuhës përkatëse. Pra, gjuha e veprave letrare,
gojore ose të shkruara, është gjuhë poetike, të themi më qartë, të folur i
zgjedhur që mundëson dhe shkakton një shqiptim më të ndërliqshëm të botës e të
dukurive të saj dhe kushtëzon një komunikim të ngritur e më kompleks nga të
folurit e zakonshëm dhe si i tillë është në gjendje të bëjë një ndikim më të
madh estetik në marrësin, receptuesin. Teksti poetik si qëllim kryesor ka
informacionin poetik, kumtin poetik. Ai ndryshon nga çdo tekst tjetër pikërisht
për shumësinë dhe për pakufijshmërinë kuptimore që ka ose që mund të ketë. Këtë
gjë nuk e kushtëzojnë vetëm gjuha e zgjedhur, leksiku i pasur, leksemat me
nuanca e ngarkesa kuptimore të shumënduarshme, ngjyrime emocionale e
tingëlluese (muzikore), por para së gjithash marrëdhënia e ndërsjellë e fjalëve
dhe e kuptimeve të tyre të ndërlidhura e të varura mes veti si dhe me njësitë e
tjera më të mëdha ose më të vogla të tekstit, që brenda sistemit përkatës bëjnë
të veçantën po njëherit dhe tërësinë unike shprehëse poetike. Pra, siç do të
thoshte Lotmani, “Teksti artistik, për çka edhe kemi mundur të bindemi, mund
të trajtohet si mekanizëm që është i ndërtuar në mënyrë të veçantë dhe është në
gjendje të përmbajë në vete informatë jashtëzakonisht të lartë të koncentruar.”
Duke e parë në këtë
rrjedhë çështjen themi se letërsia arbëreshe luajti një rol të dyfishtë: me një
anë mundësoi mbijetimin e gjuhës arbëreshe si element qenësor dhe, më anë
tjetër, krijoi dhe pasuroi artistikisht botën dhe shpirtin arbëresh dhe
kushtëzoi mbijetimin e tyre nëpër rrjedhë të shekujve. Kështu, ndodhi ajo që
Karl Gustav Jung-u e theksonte me të drejtë:“[...] arti përfaqëson një
proces vetërregullimi shpirtëror në jetën e kombeve dhe të epokave të ndryshme.”
Edhe njohësi më i
zakonshëm i letërsisë gojore dhe i letërsisë së shkruar arbëreshe do të
theksojë se këto dy shtresa të atit të fjalës u cytën dhe u frymëzuan nga bota
arbëreshe, dhe në formën e artit të fjalës, të mesazhit poetik, iu kthyen po asaj
bote, po atyre njerëzve, duke mundësuar një përafrim dhe një njohje më të
gjithanshme të saj. Në këtë mënyrë, realiteti arbëresh, qoftë ai i kaluar,
historik, ose ai i përditshëm, u shqiptua nëpërmjet strukturës gjuhësore të
veçantë, nëpërmjet mesazhit poetik dhe si i tillë, si realitet i ri, që
ekziston e funksionon nëpërmjet shenjave, përkatësisht fjalëve - tekstit, u bë
përsëri pjesë e arbëreshëve. Së këndejmi, shndërrimi i jetës në tekst, siç do
të thoshte Lotmani, nuk është shpjegim, por inkuadrim i ndodhive në kujtesën
kolektive. Ky realitet i ri, i krijuar në veprat letrare, është një realitet
tjetër, i veçantë dhe më i pasur. Ai nuk është imitim i thjeshtë dhe i
drejtpërdrejtë i jetës dhe i botës arbëreshe, po një shqiptim i ndërliqshëm i
dukurive të saj, një realitet artistik i përftuar dhe i përshkuar nga uni e nga
ndjenjësimi individual-subjektiv i krijuesve.
Këtë realitet
shkrimtarët arbëreshë nuk e krijuan vetëm për kënaqësi vetjake, por para së
gjithash për të tjerët, për njerëzit e tyre, të cilët duke kënduar, recituar
ose lexuar veprat letrare, e njohën më mirë pikërisht vetveten, të kaluarën e
tyre dhe realitetin e përditshëm. Fakti se kjo njohje arrihet nëpërmjet artit
të fjalës, nënkupton njohje më të thellë dhe shumëfish më të rëndësishme. Për
këtë arsye krijuesit arbëreshë, qoftë ata të letërsisë gojore, qoftë ata të
letërsisë së shkruar, trajtuan çështje thelbësore, që lidheshin me gjallimin
shpirtëror dhe me ruajtjen e etnitetit e të mendësisë arbëreshe, të gjuhës e të
gjithë asaj që ishte qenësore dhe që ata e kishin trashëguar nga paraardhësit
dhe shprehte botën e tyre.
Brenda artit letrar
arbëresh letërsia gojore, me llojet e saj të ndryshme, pati një rëndësi
parësore. Nëpërmjet komunikimit gojor, pra nëpërmjet veprave të “shkruara në
mendje”, ajo bëri të mundur që të ruhej pasuria e madhe shpirtërore e
trashëguar, përkatësisht e marrë me vete nga atdheu, Shqipëria, nëpërmjet së
cilës (pasurisë shpirtërore) ata ia dolën t’i bëjnë ballë ndikimit dhe
asimilimit italian dhe shuarjes si etnitet. Qëndresa shekullore që bënë
arbëreshët përballë këtij asimilimi nuk ishte pasojë e vendeve të izoluara e të
braktisura, ku ata u vendosën, po shprehje dhe fryt pikërisht i pasurisë së
tyre shpirtërore e kulturore që kishin, që ruanin dhe që krijonin.
Për arbëreshët rol të
veçantë luajti sidomos poezia gojore, e cila me format e shumta të shtjellimit
dhe me sinkretizmin e saj (tekstin, këndimin, vallëzimin) jo vetëm transponoi e
shprehu disa nga tiparet dhe cilësitë kryesore të botës e të gjallimit arbëresh:
nderin e krenarinë, trimërinë e flijimin, fatkeqësinë e pësimin, pastaj ngjarje
e dukuri të lashta, që në vetëdijen e tyre kishin marrë përmasa gojëdhënore e
mitike, siç ndodhi me Motin e Madh e me kryetrimin, Gjergjin e Kastriotëve,
Skanderbeun, por me gjerësinë e komunikimit dhe të ndikimit u bë pjesë e
pandashme e gjallimit nëpër kohë. Në këtë poezi bota arbëreshe u shpreh
nëpërmjet një strukture gjuhësore poetike të ngritur dhe kuptimisht të pasur
dhe pikërisht si e tillë bëri ndikim të ndjeshëm estetik dhe kushtëzoi
pasurimin e vijueshëm shpirtëror arbëresh. Pra, poezia gojore pati për botën
arbëreshe një rëndësi të shumëfishtë dhe të përhershme për arsye se, siç vente
në dukje me plot të drejtë De Dada, “[...] kultivimi i së bukurës është kërkesa
më e lartë e çdo vepre arti...Edukimi i shpirtit me të bukurën është një punë e
lodhshme dhe e gjatë sa edhe vetë jeta” dhe se poezia, pra kënga,
“zbulon dhe paraqet me qartësinë më të madhe dhe në mënyrë më të gjithanshme
kuptimin dhe rendin e sendeve, ajo qëndron mbi artet e tjera reprezentative [1]”.
Me botën tematike, me
mënyrën e shtjellimit gjuhësor-shprehës “[...] si model i madh stili të
thjeshtë, të kulluar, të fuqishëm”, me shumësinë kuptimore që del nga
struktura e tekstit dhe e nëntekstit poetik, me funksionnimin sinkretik poezia
gojore arbëreshe ishte dhe është jo vetëm dëshmi e trashëgimisë së pasur
shpirtërore, por dhe e dashurisë ndaj njerëzve që e bënin këtë botë dhe ndaj
atdheut, nga ishin shpërngulur të Parët e tyre.
Për të dëshmuar rrafshin
e lartë shtjellues dhe shprehës poetik të poezisë gojore të arbëreshëve të
Italisë, për të cilën do të flitet në punimin përkatës kushtuar asaj, po sjell
vetëm dy pjesë nga këngët “Ligjërojnë di kunata” dhe “Mbeta mot mot më rrogë”,
ku është përdorur një sistem i ngritur dhe i pasur i të shprehurit poetik, janë
gërshetuar krahasime dhe metafora, të cilat, të njësuara e të ndërlidhura mes
veti, funksionalizohen mjeshtërisht në tekstin dhe në tërësinë kuptimore dhe
shprehëse artistike të krijimeve përkatëse.
Thoj
e para, Dhriza e Bardh:
-
Jam e mir më u se ti.
Kám
anaka t'arëtaz,
kural'
e margharitare
vëlus
e mundashëra
ndër
sënduqe, e kamarvet
kam
kriate çë më gjegjënjin,
gjith
çë m' i dha zot' im,
zoti
jim e zonja mëm.
-
Më e lum jam u se ti
(thonej
jetëra kunat,
bardha
bil je Misistratit).
Kam
prë sqep qiellin me ilëz,
keza
ime dielli,
kam
për coh detin,
imi
thron ë jeta e gjér,
tek
rri zgjuat e, si dua, fjë [2].
ose
Mbeta
mot mot më rrogë
prë
një qenjezë të leshmëndafshtë.
Porsa
bëra mot e monë,
u i
lipa qengjezënë,
mua
qenjenë s'm' e dhanë,
po
më dhanë zgledhësinë,
zgledhësinë
në trí-vo vasha:
njëzë
e bardhë e njëze e kuqe
njëzë
e zeshkë e hjeshëme.
Jes
t' e marr, jes të mos marr,
jes
t' e marr të bardhëzënë,
ishtë
zborë e mua më ftohën;
jes
t' e marr të kuqezënë,
isht
zjarr e mua më djeg;
jes
t' e marr të zeshkëzënë,
mua
më nxin zëmërënë.
Ndon
më ngrohën, ndon më ftohn,
u
të bardhëzënë m' e dua,
se
m' e gëzon zëmërënë[3]!
Pra, krijesa tekstore
të tilla, që ishin trashëguar ose krijoheshin, të një rrafshi të lartë shprehës
artistik, përcilleshin duke u kënduar prej një subjekti te tjetri, prej një
brezi në tjetrin ose vallëzoheshin me raste të ndryshme dhe në këtë mënyrë
bëheshin pjesë e pandashme e gjallimit të përditshëm dhe e pasurimit të vijueshëm
shpirtëror.
Edhe veprat e
letërsisë së shkruar arbëreshe patën një rëndësi dhe një rol të madh në
ruajtjen dhe pasurimin e botës arbëreshe. Në rrafshin tematik dhe motivor, në
disa elemente të qenësishme, veprat letrare të shkruara u ndërlidhën me veprat
e letërsisë gojore, sidomos me poezinë, gjë që ndodhi edhe në rrafshin e
shtjellimit të strukturës tekstore e të sistemit shprehës si dhe të komunikimit
e të ndikimit në marrësin. Mirëpo, shkrimtarët arbëreshë me veprat e shkruara e
ngritën dhe e pasuruan traditën letrare paraprake në shumë aspekte e përbërës,
qoftë si mënyrë perceptimi e shqiptimi, qoftë si strukturë gjuhësore shprehëse
poetike.
Ndërlidhja e fortë e
shkrimtarëve arbëreshë me botën që i përkitnin dhe me traditën letrare gojore,
ndodhi për dy arsye. E para: ata e njihnin mirëfilli këtë botë dhe veprat e
tyre i shkruanin para së gjithash për arbëreshët si receptuesit kryesorë të
krijesave të tyre letrare dhe e dyta: tradita letrare gojore arbëreshe ishte e
pasur si art i fjalës, si sistem shprehës artistik. Për këtë arsye, poetët
arbëreshë i krijonin shpesh veprat e tyre të shkruara mbi bazën e poezisë
gojore, në mënyrë që ato të gjenin një pranim, një receptim sa më të
gjithanshëm e më vijimor dhe të bënin ndikim sa më të madh në marrësin. Kështu,
disa prej tyre, si E. Bazile, Z. Skiro, G. Dara (i Riu) veprat e veta të
shkruara i shpallën të traditës gojore, pra të burimit gojor.
Ndërlidhjet dhe
përkimet në disa pikë e rrafshe të veprave të letërsisë së shkruar dhe të
letërsisë gojore arbëreshe dëshmohen edhe nga një dukuri tjetër e rëndësishme:
pjesë të veprave të shkruara të poetëve arbëreshë si të De Radës, Zef Serembes,
Françesk Santorit, Zef Skiroit, Jul Varibobës etj. u mësuan përmendësh nga
arbëreshë dhe vazhduan të gjallojnë e të komunikojnë edhe nëpërmjet procesit të
gojshmërisë, cilësi tipike e veprave letrare gojore. Në këtë mënyrë veprat
letrare të shkruara, me anën e artit të tyre të madh, përmes mënyrës së
komunikimit të dyfishtë, të shkruar e gojor, bënë ndikim të madh në ruajtjen
dhe pasurimin e botës dhe të shpirtit arbëresh[4].
Qëllimi i
shkrimtarëve arbëreshë ishte që përmes veprave të tyre të shkruara, me një anë
të ndikonin në zhvillimin e shijes për artin, për të bukurën, pra që ato të
bënin një ndikim sa më të ndjeshëm estetik dhe të kushtëzonin e të ndihmonin në
këtë mënyrë pasurimin shpirtëror dhe, në anën tjetër, nëpërmjet trajtimit
poetik të dukurive të ndryshme të nxitnin e të forconin vetëdijen për
përkatësinë e tyre etnike, dashurinë ndaj trashëgimisë shpirtërore, ndaj botës
së tyre e ndaj atdheut të të Parëve, që tek arbëreshet mori një përmasë mitike.
Një përcaktim i tillë
shprehet që në veprën e Lekë Matrangës, Dottrina Christiana - E
mbsuame e krështerë, botuar më 1592 në Romë, që është një përkthim i veprës
së jezuitit spanjol Ledesma. Me këtë katekizëm Matranga dëshironte t’u vinte në
ndihmë arbëreshëve të Pianës, po dhe të Siçilisë, të Kalabrisë e të ngulimeve
të tjera arbëreshe të Italisë, që të mësonin besimin e fesë në gjuhën e tyre.
Kjo përpjekje për
ruajtjen e botës arbëreshe mori një përmasë më të ndjeshme në shekullin XVIII-
të me veprimtarinë e priftërinjve arbëreshë të ritit bizantin: Nikollë
Brankatit, Nikollë Filjes e Nikollë Ketës, të cilët bënë përkthime të tjera në
arbërisht të literaturës liturgjike, po dhe vetë shkruan poezi me përmbajtje
fetare dhe, duke i kopjuar, si dorëshkrime, i shpërndanin nëpër qendra të
ndryshme arbëreshe, sidomos në kishat arbëreshe, ku ato bëheshin të njohura dhe
komunikonin me një rreth më të gjerë lexuesish ose dëgjuesish.
Rëndësia e letërsisë
së shkruar arbëreshe u bë më e gjithanshme në shekullin nëntëmbëdhjetë me
veprat e Jeronim De Radës, Françesk Anton Santorit, Gavril Darës së Ri, Zef
Serembes, Zef Skiroit e të tjerëve. Ajo mbërriti një rrafsh të lartë poetik
dhe, para së gjithash, si art luajti një rol të shumëfishtë në ruajtjen e botës
dhe në formimin e shpirtit arbëresh. Këta krijues, por edhe pasardhësit e tyre,
pra poetë bashkëkohorë, vijuan të përftojnë vepra vlerash të rëndësishme, duke
trajtuar çështje nga më të ndryshmet, që lidheshin, qoftë me të kaluarën e
largët e të afërt arbëreshe, qoftë me kohën kur ata jetonin dhe krijonin.
Shkrimtarët arbëreshë iu kthyen të kaluarës për arsye se, siç thuhet me të
drejtë, ajo është pjesë e pandashme e jetës së përditshme; në secilën kohë e
vend njeriu ngacmohet dhe është nën ndikimin e vijueshëm të së kaluarës,
përkatësisht të vetëdijes historike të popullit e të kulturës që i përket. Së
këndejmi, Thomas Elioti me të drejtë thoshte se e kaluara e përcakton në mënyrë
të ndjeshme të tashmen, ndërsa Gadamer-i vinte në dukje se “Tradita nuk
është vetëm një përmbledhje mendimesh e gjykimesh të njëpasnjëshme, po një e
treta organike e potenciale, që aktualizohen e riaktualizohen në mënyrë të
domosdoshme në çdo gjykim të ri”.
Duke trajtuar
periudhat më qenësore të së kaluarës, në të vërtetë poetët arbëreshë synonin
zgjimin e ndërgjegjes së njerëzve të tyre për të përditshmen, për çastin e
gjallimit konkret, po edhe për të ardhmen. Kjo gjë përmbushej në mënyrë të veçantë
duke trajtuar e përjetësuar artistikisht sidomos Motin e Madh dhe Skanderbeun,
që shenjëzonin kohën e “asaj lumturie”. Veprohej në këtë mënyrë nga
fakti se duke shqiptuar të kaluarën, ngjarjet, personat, luftërat dhe flijimet
që bënë shqiptarët për ruajtjen e lirisë e të pavarësisë, po dhe legjenda e
mite, që i përkitnin botës etnike, shkrimtarët arbëreshë zërit të kohës së tyre
në të cilën jetonin, ua shtonin shumësinë e zërave e të përvojave të kohëve
paraprake të botës e të paraardhësve të tyre, të ngjarjeve e të ndodhive në të
kaluarën, që e kishin cilësuar botën gjithëshqiptare. Kjo shprehet në mënyra të
ndryshme në veprat e De Radës, Skiroit, por edhe të poetëve bashkëkohorë si
Vorea Ujko, Lluka Perrone, Zef Del Gaudio-s e të ndonjë tjetri. Pra, pikërisht
nëpërmjet poezisë – këngës ata shprehen qëndresën e njerëzve të tyre në kushte
të vështira, duke krijuar kështu realitetin përkatës shpirtëror, si formë e
qenësishme e qëndresës dhe e mbijetimit: Shekujt kanë kaluar / nën qiej të
flakët / kanë kaluar shekuj / nën akullin e voresë /e ti i barabartë /si
një tokë që pret. /Ke gjetur këngët /përtej jetës së ditëve /ke gjetur malet
/ku shkëlqei lumërua /ke gjetur vallet /ku ndrit trimëria /dhe vazhdon /tue
mbyllur në sy /ëndrra të mëdha (Këngë arbëreshe VIII)[5].
Nëpërmjet trajtimit
të atdheut të të Parëve, të trimërisë, të nderit, të besës, pastaj të
personaliteteve të rëndësishme nga e kaluara, poetët gjakonin që t’i
vetëdijësonin arbëreshët për të ruajtur edhe më tej gjuhën, doket e zakonet e
trashëguara nga të Parët, mendësinë, kulturën dhe artin e tyre. Kështu kujtimi
i atdheut bëhet nëpërmjet formave të ndryshme, edhe nëpërmjet valleve e
këngëve, si del në këtë pjesë të poezisë “Vallet këndojnë Arbrinë” të Lluka
Perrones: Sëmenatë shkepti dielli /e gjërat duken më t’shkëlqyera. / Vallet
me t’bukura kopile /dualltin e këndojnë Arbrinë./Dhe mua hidhërimi /sot s’më
tërbon[6]...
Mirëpo, nëpërmjet
veprave të tyre, krijuesit edhe i kritikonin njerëzit e tyre për pakujdesin që
tregonin ndaj botës arbëreshe, për pasyçeltësinë e për zotimin e tyre jo të
duhur për ta ruajtur atë botë; theksonin “vetëdijen e fjetur”, ose siç
thoshte Dhimitër Kamarda, “të pafatën gjindje arbëreshe”, të keqen si
dhe tragjikën që arbërorët dhe arbëreshët ia sollën vetit jo një herë dhe jo
vetëm në një kohë.
Kështu, Zef Skiroi,
duke trajtuar të tashmen dhe të kaluarën arbëreshe e shqiptare, u drejtohej dhe
i kritikonte arbëreshët e kohës së tij për mosveprim e për vetëdije të ulët
etnike, duke u treguar rrezikun që u kanosej. Për këtë arsye rrëfimi poetik
bëhet herë-herë i drejtpërdrejtë dhe merr ngjyrim të këshillës e të porosisë,
siç ngjet në këngën e fundit Agullími të veprës së tij Te dheu i huaj,
ku poeti kërkon që prindërit arbëreshë t’i edukojnë e t’i vetëdijesojnë fëmijët
për botën e tyre, duke ua përcjellë, në formë amaneti, domosdonë e ruajtjes së
asaj bote; të njëjtën gjë duhet të bënin edhe fëmijët e tyre dhe fëmijët e
fëmijëve të tyre.
Po
të mbahij Arbëreshë
e
te ruani gluhën tënë
me
kujdes e me të dashur,
si
një gjë të shêjtëruame,
si
më t’mirën ngá të dhênat
e
t’yn’ Zoti;e ashtu edhe veset
çë
na lanë ata të parët[7].
Kjo kërkesë
mbështetet në faktin se shumë katunde arbëreshe ishin asimiluar e shuar dhe
s’kishte mbetur asnjë gjurmë e tyre. Ngulimeve të tjera u kanosej i njëjti
rrezik. Kjo del sheshazi në poezinë e Vorea Ujkos Unë kam shkuar, ku
autori jep tablo të pazakonshme të katundit të mbetur thuaja pa njerëz, me
shtëpitë pa emër e me rrugë të heshtura. Poeti shkon në katund se të
ngarkoja trishtimin, në një gjendje kur koha (meqë katundi ngjan në diçka
të vdekur) ka mbetur pa të nesërmen, gjë që shenjëzon se katundi ka mbetur pa
njerëz, pa të rinj[8].
Duke qenë të
vetëdijshëm për këtë gjendje, intelektualët arbëreshë, pra dhe shkrimtarët,
nëpërmjet veprave të tyre, gjakuan, si përmendem edhe më parë, vetëdijësimin e
arbëreshëve për ruajtjen e botës e të shpirtit të tyre etnik, të gjuhës e të
trashëgimisë së tyre, si thuhet poetikisht, për ruajtjen e rrënjëve. Kështu, në
një poezi të poetit Zef Skiro Di Maxho-s, Laerti i përcjell të birit, Odiseut,
qenësoren e gjallimit e të veprimit, siç vepruan e duhet të veprojnë përherë
edhe arbëreshët.
Kërko
t’i vizatosh tët bir
profilin
e tokës sate
që
ta mbajë ngulur në kujtesë
e
ta dashurojë. Bëj që të kuptojë
se
u përket shpirtrave fisnikë
ruajtja
e rrënjëve të veta[9].
Nevoja e ruajtjes së
botës arbëreshe shprehet dhe në poezitë e përshpirtshme, ku poetët kërkojnë
ndihmë prej Hyjit. Kjo ndonjëherë del fare konkrete, siç ndodh kur poeti, Zef
Skiroi, i drejtohet Shën Mërisë Virgjër, që e emërton Mburojë e Shqipërisë
- t’i ruajë ata, t’ua ruajë fenë dhe botën e tyre, pastaj gjuhën arbëreshe, me
të cilën ata do t’i luten Zotit, ashtu si bënë të Parët e tyre dhe kryetrimi
Skanderbeg.
ti,
çë ruajte gjyshrat tanë
të
mos zbirjën shêjten besë,
te
ku ndodhen edhe janë,
Arbëreshvet
kíj kujdes.
Sot
edhe, si kurdoherë,
një
dëshír ka zëmbra e jonë;
Arbëreshë
e të Krështerë,
të
qëndrojëm për gjithmonë;
Sa
t’i falemi t’in’ Zoti
po
me gluhën çë na dha;
po
si falej Kastrioti
e
gjëría ngá zbresjëm na[10]
Kjo mënyrë e
shqiptimit letrar artistik pati një rëndësi të madhe e luajti një rol të
pazakontë për botën arbëreshe dhe për mbijetimin e saj.
Natyrisht punën që
bëri dhe rolin që luajti arti letrar arbëresh e ndihmuan dhe e plotësuan edhe format
dhe veprimet e tjera të shumta që arbëreshët bënë gjatë gjallimit nëpër kohë,
sidomos doke e zakone të ndryshme të traditës, riti fetar bizantin[11], pastaj shoqatat, revistat, publikimet, po edhe
format e tilla siç ishin kongreset e gjuhës arbëreshe të organizuar nga De Rada
në bashkëpunim me arbëreshë të tjerë.
_________
1- Jeronim De Rada, Parime të estetikës. Në
Jeronim De Rada, Vepra letrare 3. “Naim Frashëri”, Tiranë 1987, f. 276.
2-Anton Nikë
Berisha, Antologji e poezisë gojore arbëreshe. Antologia della poesia orale
arbëreshe. Transkriptimin e teksteve Françesko Altimari, Përktheu dhe rishikoi
përkthimet Vinçenco Belmonte. Rubbettino, Soveria Mannelli, Catanzaro, 1998, f.
226.
3- Anton Nikë
Berisha, Antologji e poezisë gojore arbëreshe, vep. e përm., f. 80. Shih më
gje-rësisht për këtë në punimin Mbi poezinë gojore të arbëreshëve të Italisë.
4- Shih për këtë
dukuri më gjerësisht në punimin për veprën e J. Varibobës Gjella e Shën Mërís
Virgjër.
5- Vorea Ujko,
Gërmime në dhimbje. Zgjodhi, shtjelloi dhe shkroi parathënien Anton Nikë
Berisha. Editrice “il Coscile”, Kozencë 1998, f. 129.
6- Lluka Perrone,
Ujëvarë lotngrirë. Zgjodhi, shtjelloi dhe shkroi parathënien Anton Nikë
Berisha. Radhonjtë: Shkrimtarë arbëreshë 1, Kozencë 1999, f. 35.
7- Giuseppe
Schirò, Opere IV. Te dheu i huaj (ed. del 1940). A cura di Matteo Mandalà.
Rubbettino. Soveria Mannelli, (Catanzaro, Italia) 1997, Kënga IX, v. 180 – 185,
f. 358.
8- Shih punimin Mbi disa qenësi të poezisë së
Vorea Ujkos.
9- Giuseppe Schirò Di Maggio, Dove antico
dollore. Dhembje e ngrirë. Scelta, note e introduzione di Anton Nikë Berisha.
Quaderni di Biblos, Palermo 1998, f. 19.
10- Giuseppe Schirò, Canti Sacri delle colonie
albanesi di Sicilia, Napoli 1907, f. 74 - 75.
11- Duke folur për
rëndësinë që pati riti greko-bizantin për arbëreshët, Françesko Altimari
thekson ndër të tjera: “Është e njohur që në të kaluarën, duke filluar nga koha
e vendosjeve të para në Itali (shek. XV – XVI), gjuha arbëreshe dhe riti fetar
greko – bizantin paraqitnin dy instrumente themelore të vetidentifikimit dhe
tiparet e veçanta të identitetit vetjak etnik për të gjitha komunitetet
arbëreshe.” Shih, Francesco Altimari, Studi sulla letteratura albanese della
“Rilindja”. Quaderni di Zjarri, n. 11, Grottaferrata 1984, f. 84.