Editorial
Mehmet Kraja: Mercenarizmi fetar në Kosovë
E hene, 15.11.2021, 08:55 PM
MBI MERCENARIZMIN FETAR NË KOSOVË
Një
Kosovë e pastabilizuar, me qeverisje të keqe dhe me institucione të
paqëndrueshme, me kriminalitet dhe korrupsion të frikshëm, me parti politike që
flirtojnë me fundamentalizmin fetar, një shtet me shtetasit e zhgënjyer dhe me
kriza të mëdha sociale dhe politike bëhet fare lehtë terren i përshtatshëm për
depërtimin e rrymave radikale fetare.
*
Si
lindi mercenarizmi fetar në Kosovë? Çfarë thuhej në tribunat fetare, pa praninë
e medies dhe pa oponencë mendimi? A është koha e ballafaqimit përfundimtar, në terrenin
e ideve, të Kosovës laike me Kosovën religjioze? Si kaloi feja islame në Kosovë
nga tradita në ideologji? A kishte lufta në Kosovë e viteve 1998-1999 ndonjë
element fetar? Si lidhet ekspansioni i fesë në Kosovë me rënien e sistemit të
vlerave dhe me krizën e identitetit, me krizën e “vetëdijes për përkatesi”?
*
(Nga libri “Identiteti kosovar”, vazhdim)
NGA
MEHMET KRAJA
Faktori
fetar shqiptar i Kosovës deri vonë nuk ka pranuar t’i diskutojë disa tema, deri
atëherë kur ka filluar të ndihet i sigurt se ka arritur një supremaci në raport
me botën intelektuale, e cila, e gjendur përpara trysnisë fetare të
gjithanshme, ka filluar të zmbrapset dhe të tërhiqet në një mospërfillje pak të
shtirë. Dero në këtë fazë, diskutimet fetare janë bërë larg syve të opinionit,
por gjithsesi pa përfshirjen e medies. Diskutimet janë mbajtur nëpër tribuna të
mbyllura, shpesh brenda xhamive, pa pjesëmarrjen e atyre që mund të mendojnë
ndryshe. Por edhe nëse këto diskutime janë mbajtur në vende publike, janë
frekuentuar nga numër i kufizuar intelektualësh, kryesisht të tillë, të cilët
në ambientin kulturor të Kosovës janë të njohur si mbështetës të fesë dhe të
Kosovës si shtet islamik. Në këto diskutime me oponencën polemizohet në
mungesë, polemizohet në atmosferën e euforisë fetare, pa u kushtuar vëmendje
argumenteve. Disa nga ligjëruesit në këto tribuna paguhen jashtëzakonisht mirë,
veçmas në Maqedoni dhe veçmas nëse vijnë nga provenienca intelektuale. Në dukje
të parë ata hapin tema të ndjeshme, siç janë raportet e islamit me botën
bashkëkohore, pastaj çështje të fesë dhe të globalizmit, apo raportet e fesë me
kombin, me shtetin, me historinë, me kulturën kombëtare etj. Mirëpo, shumica e
ligjëruesve që marrin pjesë në këto tribuna, para se t’ia nisin fjalës, bëjnë
një “dovë” të tipit “bismilahu-rrahmani-rrahim”, që vetvetiu diskutimin e fut
në kodet dhe fetishet tepër të kufizuara të religjionit. Më pastaj në ato
tribuna mund të fliten gjëra vërtet të rëndësishme, që duhet të jenë në
vëmendje të opinionit, siç është arsimimi fetar, marrëdhëniet e shtetit me fenë
etj., por të gjitha këto janë të intonuara në atë formë, që të jenë të
pranueshme vetëm për njërën palë dhe vetëm për ata që përbëjnë praninë më të
madhe. Problemi më i madh këtu është mercenarizmi. Nuk janë të paktë ata që
këto tribuna i keqpërdorin për përfitime materiale, madje duke i modifikuar
idetë e tyre sipas nivelit të auditorit dhe sipas interesave të “donatorëve”,
të cilët shpesh dinë të jenë me burime të dyshimta financiare.
Por
nuk është ky problemi i vërtetë fetar i Kosovës. Problemi qëndron në “ndërtimin
e dy botëve të ndara”, të cilat nuk komunikojnë mjaftueshëm me njëra-tjetrën,
ose disi fshihen nga njëra-tjetra, sepse duket sikur asnjëra palë nuk është e
interesuar të ballafaqohet me tjetrën, duke krijuar kështu një “paqe të
rrejshme”, ose duke pritur që kalimi i kohës vetvetiu t’i nxjerrë në udhë të
mbarë disa gjëra. Apo është edhe diçka tjetër: Kosova laike e konsideron të
panevojshëm dhe të simplifikuar një ballafaqim të mundshëm me Kosovën religjioze,
pikërisht tani, madje as dje, as pardje, as nesër, sepse ky vend ka pasur,
vazhdon të ketë dhe do të ketë probleme më urgjente se ç’janë problemet e fesë.
Më anë tjetër, Kosova religjioze, pjesa fanatike e saj, sheh zhvillime dhe
tendenca që shkojnë në favor të saj, qoftë në planin lokal, qoftë në atë global
dhe tani për tani duket sikur është e interesuar të qëndrojë në pritje, për t’u
ballafaquar një ditë me tërë forcën me pjesën laike të Kosovës. Këto dy botë të
ndara hë për hë bashkëjetojnë në Kosovë, pa një komunikim të ndërvetshëm, pa
një ballafaqim jokonfliktual, të civilizuar. Në të vërtetë duhet ta pranojmë se
në krahun religjioz të Kosovës gjithnjë ka funksionuar dhe vazhdon të
funksionojë një rrymë e moderuar, e cili aktualisht shfaqet si amortizator i
shkëlqyer i radikalizmit fetar, pse jo edhe i fundamentalizmit ekstrem. Ky krah
i moderuar përfshin pjesën më të madhe të Bashkësisë së Fesë Islame të Kosovës,
strukturat e saj udhëheqëse dhe numrin më të madh të imamëve nëpër xhamitë e
shumta, por edhe shtresën më të qëndrueshme të besimtarëve.
Besimtarët
tradicionalë të Kosovës, pavarësisht se në shumë pika kanë qenë konservativë,
me kohë kanë adaptuar praktika fetare liberale, të ngjashme me ato që janë
aplikuar në Turqinë pas periudhës së Ataturkut. Më anë tjetër, Jugosllavia
socialiste për një kohë relativisht të gjatë e kishte parim themelor të jetës
fetare ndarjen e fesë nga shteti. Kosovarët besimtarë edhe nga ajo praktikë
mësuan se përmes xhamisë dhe namazit se ishte e rrezikshme të përziheshin në
punët e shtetit dhe se ceremonitë fetare nuk u referoheshin punëve shoqërore,
por vetëm atyre shpirtërore: mëkatit, sevapit, moralit, amshimit, xhenetit,
xhehenemit etj. Natyrisht, kjo nuk i pengoi që një numër hoxhallarësh në
Kosovë, të tillë që fillimisht morën arsimim të qëndrueshëm kombëtar, në
periudha të caktuara të zhvillonin me xhematin edhe aktivitet politik, në radhë
të parë patriotik. Disa syresh madje u gjenden në konflikt të drejtpërdrejtë me
pushtetin, u survejuan, u burgosën dhe u dënuan me shumë vite burg. Por kishte
edhe nga krahu tjetër, hoxhallarë spiunë dhe provokatorë, të cilët u bënë krah
i pushtetit dhe e ndihmuan atë në aplikimin e masave represive dhe
shkombëtarizuese.
Pse
po e theksojmë, pra, këtë realitet fetar në Kosovë? Për ta bërë të qartë se
praktikat e institucioneve fetare, por edhe të besimtarëve, shkonin në drejtim
të një diversiteti të natyrshëm brenda një tërësie megjithatë kompakte dhe
homogjene. Ndoshta çarjet e para në radhët e besimtarëve dhe prijësve fetarë ndodhën
pikërisht atëherë, kur tubimet fetare dhe ceremonitë e këtilla u pa se mund të
shfrytëzoheshin edhe për punë politike. Çfarë ndodhi pastaj? Në fund të viteve
’60 dhe përgjatë viteve ’70 në institucionet fetare të Kosovës u kultivua
patriotizmi shqiptar, herë racional herë folklorik, i tillë çfarë ishte edhe
gjetiu, si bie fjala në kishën serbe. Në vitet e mëpastajme, përgjatë viteve
’80, institucionet fetare, nga njëra anë u gjenden nën trysninë e pushtetit për
të aplikuar procesin e diferencimit, ndërsa në anën tjetër, nën trysninë e
nacionalistëve shqiptarë, për t’iu kundërvënë pushtetit dhe politikave të tij.
Fundi i viteve ’80 dhe vitet ’90 janë të njohura si periudhë e homogjenizimit
të madh të popullsisë së Kosovës. Institucionet fetare dhe praktikat e fesë u
futën edhe në këtë pështjellim, për të dalë në fillim të shekullit XXI si
institucione me një lloj biografie politike kombëtare. Si e këtillë, feja
islame vetvetiu u bë disi e pëlqyeshme dhe në këtë periudhë nuk paraqiti ndonjë
pengesë për emancipimin kombëtar dhe për realizimin e projekteve madhore
politike. Liderët fetarë të Kosovës, myslimanë dhe katolikë, ishin pjesë e
proceseve më të rëndësishme nëpër të cilat po kalonte Kosova.
Por
pikërisht këtu lindi një problem, i cili më vonë do të ketë reperkusione të
tjera: feja, veçmas feja islame, e cila gjithnjë ishte konsideruar
konservative, por po ashtu e padëmshme për aspiratat politike të komunitetit,
përnjëherësh u gjend e hapur ndaj frekuencave politike të brendshme dhe të
jashtme. Është e vërtetë se politikën në institucionet e fesë islame në Kosovë
e futi patriotizmi shqiptar dhe euforia e tij gjithëpërfshirëse. Por tani që
Kosova u bë, që realiteti në Kosovë kërkonte qasje tjetër politike, çfarë do të
bënte feja dhe institucionet e saj me inercinë e fituar politike? Së pari, do
të braktisë patriotizmin, në burimet e të cilit ishte ushqyer deri atëherë dhe,
natyrisht, do të ndjekë zhvillimet globale, të cilat ndryshuan shpejt dhe që
deri atëherë feja islame në Kosovë nuk i kishte ndjekur. Pra, shtrohet nevoja
për një ridimensionim të fesë në Kosovë dhe ky bëhet në kushtet e një
pështjellimi të madh politik, në të cilin u fut Kosova pas vitit 1999. Kosova
shqiptare ishte një mit, ishte një shenjtëri. Sapo u prek ky mit dhe kjo
shenjtëri, gjithandej u shfaq një krizë e jashtëzakonshme e identitetit, në të
cilën u përfshi edhe feja, në këtë rast feja islame.
Po
në këtë kohë, brenda vetë komunitetit fetar mysliman të Kosovës u shfaqen
diversitete ideore dhe ideologjike. Në të vërtetë, në strukturat organizative
dhe në masën e besimtarëve u diferencuan qartë dy rryma, njëra tradicionale,
siç e thamë, stabile, me fenë islame si traditë e respektueshme dhe përbërës i
konstalacionit shpirtëror të besimtarëve; ndërsa tjetra rrymë fanatike,
fundamentaliste, vehabiste, me përfshirje besimtarësh të moshave të reja, që
fenë nuk e quan më traditë të respektueshme dhe as përbërës shpirtëror, por
përkushtim ideologjik dhe angazhim funksional politik. Në Kosovë u bë ndarja e
qartë e këtyre kontingjenteve të besimtarëve dhe, ndonëse shërbesat fetare i
kryejnë në të njëjtin vend, armiqësia dhe refuzimi reciprok nuk duket se do të
tejkalohen shpejt. Militantizmi fanatik, që e karakterizon numrin relativisht
të vogël të vehabistëve të rinj, ndonëse ka një shfaqje të jashtme tepër
agresive, duket se ende nuk ka gjetur terren të përshtatshëm dhe të mjaftueshëm
në Kosovë, e cila, në pikëpamje fetare ende balancon mirë me një traditë tashmë
të shtresuar dhe stabile të tolerancës ekumenike.
Në
të vërtetë, paraqitja e vehabizmit në Kosovë nuk ka asnjë lidhje me ndonjë
traditë fundamentaliste, sepse fenë islame në Kosovë në radhë të parë e
“reformoi”, nacionalizmi shqiptar, shumë vjet përpara se të shfaqeshin format e
para të krizave të identitetit në mesin e islamistëve ballkanas. Ose, thënë më
mirë, e përshtati me rrethanat kosovare, me rrethanat shqiptare. Gjithashtu,
ndonjë lidhje ndërmjet luftës së UÇK-së dhe vehabizmit nuk u gjend, edhe
përkundër përpjekjeve të pareshtura të Serbisë që luftës në Kosovë t’i japë edhe
karakter fetar, karakter të konfliktit të civilizimeve etj. Ndryshe nga lufta
në Bosnjë, lufta në Kosovë, as në fillimet as në zhvillimet e saj, nuk e pat
asnjë të vetmin element fetar, sepse në këtë luftë përballeshin dy identitete
tashmë të konsoliduara, të qëndrueshme, për interesa të pastra kombëtare:
identiteti shqiptar dhe ai serb. Në Bosnjë identiteti boshnjak ishte i
pakonsoliduar, ishte identitet gjysmë fetar, gjysmë kombëtar dhe prandaj ai
krijoi hapësirë për infiltrimin e rrymimeve fetare. Shqiptarët e Kosovës që e
bënë luftën nuk kishin asnjë dilemë të këtillë. Madje një numër syresh, për
shkak të ndikimit nga ideologjia marksiste-leniniste e Enver Hoxhës mund të
ishin ateistë, por në asnjë rrethanë nuk mund të ishin fundamentalistë
islamikë. Masivizimi i UÇK-së mund të ketë çuar në radhët e luftëtarëve edhe
besimtarë të zakonshëm, por as të tillët, kurrë, nuk e deklaruan, dhe besoj as
e kanë pasur në mendje, se e bënë luftën për qëllime fetare. Për shqiptarët
Kosova nuk ishte fe, ishte vetëm komb. Lufta nuk bëhej për liri fetare, bëhej
për liri kombëtare . Për serbët lufta në Kosovë ishte komb dhe fe përzier, për
shqiptarët nuk ishte e tillë në asnjë rrethanë.
Atëherë,
si u krijua, pra, hapësira që në Kosovë të gjejë vend radikalizmi fetar mysliman?
Si ndodhi që feja në këtë periudhë, pas vitit 1999 e prapa, të gjejë hapësirë
më të madhe, shtrirje, përkrahje, në një mënyrë të bëhet objekt diskutimi,
madje në disa raste pjesë e identitetit të kosovarit, nëse jo tamam pjesë e
identitetit, një preokupim i tij gjithsesi? Realisht, pas luftës, pas vendosjes
nën protektorat ndërkombëtar, madje së voni edhe pas pavarësisë, Kosovës i
hapej perspektivë tjetër, perspektivë evropiane, perëndimore, atë që e kishte
ëndërruar prej kohësh dhe jo perspektivë islamike, orientale. Në Kosovë zbarkoi
NATO-ja me një ushtri të jashtëzakonshme perëndimore; zbarkoi UNMIK-u me një
përbërje heterogjene kombëtare dhe civilizuese, por gjithsesi elitare në raport
me vendet prej nga vinin; zbarkoi Bashkimi Europian që mbahej fort pas
“shtyllës” ekonomike, sikundër edhe OSBE-ja që u mor me marrëdhëniet ndërmjet
komuniteteve. Pra, marrë në përgjithësi, ishte një konstalacion europerëndimor,
i cili në pikëpamje fetare dhe civilizuese duhej ta çlironte Kosovën nga
brengat eventuale, madje duhej t’i ndihte të hiqte paragjykimet e vjetra
recidiviste, t’i ndihte të hiqte damkosjet eventuale të propagandës serbe.
Mirënjohja ndaj Perëndimit ishte e thellë dhe, sipas logjikës së gjërave, nëse
deri atëherë në Kosovë kishte pasur “skepticizëm evropian” ose “skepticizëm
perëndimor”, madje edhe “skepticizëm fetar”, tani gjërat ishin kristalisht të
pastra: Perëndimi i krishterë kishte ndërhyrë në Kosovë në mbrojtje të popullit
të saj me shumicë myslimane, në mbrojtje të shqiptarëve të përbuzur dhe,
pavarësisht se ajo quhej ndërhyrje humanitare, ajo ishte ndërhyrje e pastër
politike.
Si
ndodhi, pra, që pikërisht në këtë kohë dhe në këto rrethana Kosova u desh të
përballej me një rritje të islamizmit, madje edhe të një radikalizmi fetar
mysliman, që nuk ishte parë ndonjëherë tjetër në këtë vend? Nuk është për të
besuar se Kosova tani kishte arsye të bëhej më religjioze, pra, që shpëtimin
nga zhbërja përfundimtare ta lidhte me proveniencën qiellore dhe falënderimin
ndaj Zotit ta manifestonte me shtimin e besimit. Jo, nuk ishte kështu.
Kosovarët, përkundrazi, u treguan shumë pragmatikë: ngarendën dhe u kthyen në
shtëpitë e tyre, shumica me entuziazëm patriotik, por disa edhe me pasionin e
grabitjes së pronës së të tjerëve, e disa edhe me domosdonë e mbrojtjes së saj.
Kosovarët, në të vërtetë, as pas vitit 1999 dhe as më vonë nuk u bënë më
besimtarë nga ç’kishin qenë më parë, dhe as islamistë jo që jo, e aq më pak
fundamentalistë. Por, megjithatë, diçka ndryshoi në qenien e tyre, jo te të
gjithë, por te një numri syresh gjithsesi: disa ndryshuan praktikën e ushtrimit
të fesë, të dytët kërkuan kompensim për krizën e identitetit, kurse disa të
tjerë te besimi fetar kërkuan strehë shpirtërore nga pësimet e mëdha të luftës.
Numri i këtyre të fundit gjithsesi është i vogël, madje me kalimin e kohës të
tillët adaptohen në një besim fetar krejt të veçantë, i cili është shumë i
përshpirtshëm dhe jashtëzakonisht human.
*
Praktikat
e ushtrimit të besimit fetar në Kosovë për një kohë të gjatë kanë mbetur të
pandryshuara: namazi, njësoj si vetë besimi, ka qenë çështje krejtësisht
individuale. Të reklamohesh se je besimtar, se shkon në xhami, se falë pesë
vaktet nuk ka qenë praktikë e mëhershme, ndoshta edhe për shkak se në periudhën
e komunizmit, pavarësisht se feja nuk ka qenë e ndaluar në ish-Jugosllavi, nuk
quheshin të preferuar të pushtetit dhe të partisë ata që fenë e praktikonin në
mënyrë aktive. Së këndejmi ndoshta ka mbetur edhe njëlloj fshehtësie, ose
mënjanimi nga shfaqjet publike të atyre që ushtrojnë praktikat e besimit fetar.
Më anë tjetër, struktura e besimtarëve myslimanë në Kosovë tradicionalisht ka
mbetur e pandryshuar dhe ajo përbëhej kryesisht nga njerëzit e moshuar, në
zonat rurale nga pleq që nuk bënin më për punët e fushës, ndërsa në zonat
urbane nga shtresa e zejtarëve, gjithnjë të moshuar dhe gjithnjë pa arsimim
themelor, e aq më pak të avancuar. Burrat me shkollim superior që shkonin në
xhami ishin të paktë, ndërsa intelektualët një raritet i vërtetë. Përveç kësaj,
në dukjen e jashtme besimtarët dhe ata që ushtronin praktikat fetare nuk
dalloheshin nga të tjerët, pra nuk kishin ndonjë shenjë të veçantë. Në
periudhën e hershme, pas Luftës së Dytë Botërore, bashkë me luftën kundër
analfabetizmit, ishte bërë luftë edhe kundër ferexhesë, kështu që në periudhën
e emancipimit të shpejtë të kosovarëve vështirë që gjeje ndonjë grua me
ferexhe. Por veshja tradicionale e “mbulimit” të grave ishte ruajtur, një
mbulim që nuk nënkuptonte mbulimin e fytyrës, vetëm mbulimin e trupit dhe
shaminë e kokës. Kjo nuk quhej veshje fetare. Ajo tashmë ishte kthyer në një
veshje tradicionale për gratë që kishin braktisur veshjen folklorike, ndonëse
pas valës së emancipimit që përfshiu Kosovën e viteve ’70-‘80 edhe numri i tyre
kishte rënë ndjeshëm. Nga vitet ’80 filluan të shfaqeshin edhe burrat me fesin
e haxhillëkut, së pari në Maqedoni dhe më pastaj edhe në Kosovë. Në të vërtetë,
shkuarja në haxhillëk ishte një praktikë e hershme në Kosovë (më 1971 haxhinjtë
sollën linë e madhe nga Meka), por identifikimi publik i atyre që bëheshin të
tillë nuk ishte një praktikë e hershme.
Në
fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90 rënia e komunizmit do të sjellë
me vete edhe rënien e një sistemi vlerash, çfarëdo që kishte qenë ai dhe sado i
deformuar që mund të kishte qenë. Edhe në çështje të fesë u krijua njëlloj
kaosi, sepse lëvizjet politike patën refleksion të drejtpërdrejtë edhe në
konstalacionin fetar individual dhe kolektiv. Keqësimi i gjendjes materiale të
popullsisë së Kosovës, por jo vetëm kjo, do të sjellë si rrjedhojë lindjen e
“patriotizmit mercenar”, pra të një patriotizmi të tillë që konvertohet pa
vështirësi në përfitim material. Homogjenizmi i popullsisë mbi bazën e idesë
kombëtare krijoi një ambient të përshtatshëm për lindjen e deformimeve të
mëdha, që ndonjëherë shkuan deri në çorodi morale. I kësaj kohe është edhe
“mercenarizmi fetar”, i cili u shfaq në fillim si pasojë e varfërisë dhe të
rrënimit të të gjitha skemave sociale, ndërsa më vonë edhe si mënyrë për
përfitime, por edhe për zgjerimin e rrethit të besimtarëve, respektivisht të
praktikuesve të fesë. Bashkësitë fetare, për shkak të lehtësive që kishin
kundruall pushtetit dhe policisë serbe, për një kohë të shkurtër u bënë
donatorët dhe mbajtësit kryesorë të varfanjakëve të shumtë anë e kënd Kosovës.
Shoqatës humanitare “Nëna Terezë”, e cila kishte status legal dhe gëzonte
mbështetjen e kishës katolike dhe të një numri të konsiderueshëm aktivistësh
laikë, shumë shpejt iu bashkëngjitën të tjera shoqata, disa syresh me tingëllim
turko-mysliman, të cilat nuk e kishin emrin kumbues siç kishte “Nëna Terezë”,
por që bënin një punë të heshtur humanitare gjithandej Kosovës. Po atëherë
filloi të përflitej se disa nga këto shoqata, bashkë me aktivitetin humanitar,
zhvillonin edhe aktivitet fetar herë legal, herë gjysmë legal, ose fare të
fshehtë dhe që konsistonte në tërheqjen dhe futjen e nevojtarëve në skemat e
tyre të praktikuesve të fesë, kundrejt një pagese simbolike. Burimi i
financimit të këtyre shoqatave nuk ishte shumë i qartë, por atëbotë të gjithë
konsideronin se situata sociale ishte më emergjente se sa përkujdesja për këtë
anë të çështjes.
Pas
luftës së vitit 1999 situata me mercenarizmin fetar në Kosovë përnjëherësh
bëhet dramatike: shoqata të shumta humanitare me parashenjë fetare ia mësyjnë
Kosovës nga të gjitha anët, nga Lindja dhe Perëndimi. Nevojat e popullsisë
ishin të mëdha, por njëkohësisht edhe mundësitë për t’i manipuluar nevojtarët
ishin të pakufishme. Pak nga pak, me kalimin e situatës emergjente, nga skena
tërhiqen nevojtarët e vërtetë dhe tani mbesin përfituesit e të gjitha llojeve,
të cilët me njërën dorë ofrojnë benificione të ndryshme, kryesisht para, ndërsa
me dorën tjetër regjistrojnë përfituesit në shoqata që nuk kuptohet se çfarë
janë. Është gabim të mendohet se veprime të këtilla në Kosovën e pasluftës kanë
bërë vetëm shoqatat vehabiste, islamiste, ose vetëm të tilla që vinin nga
Arabia Saudite, Kuvajti, Katari etj. Nuk ishin më të pakta as shoqatat e
sekteve perëndimore, të krishtera, katolike, evangjeliste, baptiste etj., të
cilat krijuan rrethet e tyre të mercenarëve dhe të simpatizantëve, duke u
mbështetur kryesisht në para, në donacione.
Sikundër
që është e njohur, këto shoqata dhe fondacione duket sikur nuk e kanë parësor
besimin, respektivisht shtimin e numrit të atyre që rrugën e Zotit e gjejnë
përmes mënyrës së tyre të ushtrimit të fesë, por më shumë te një dukje e
jashtme, te një shfaqje publike, me një fjalë te një marketing fetar, i cili në
rastin e disa shoqatave islamike manifestohet përmes shamisë së kokës te vajzat
dhe gratë dhe mjekrave të gjata dhe veshjeve jotipike për djemtë dhe burrat.
Burimet e financimit dhe mercenarizmi janë problemet kryesore të kësaj pamjeje
fundamentaliste, e cila nga Maqedonia ka filluar të zgjerohet dukshëm edhe në
Kosovë. Burimet e financimit kryesisht janë të jashtme dhe sot vështirë
kontrollohen në një sistem botëror të qarkullimit të parasë, por ajo që brengos
më së shumti është gatishmëria e kosovarëve për t’i përvetësuar këto praktika
fetare, kundrejt një pagese konkrete ose kundrejt një statusi më të mirë
ekonomik. Duket se edhe në këto rrethana të reja çuditërisht u ngjall prirja e
vjetër shqiptare që identitetin fetar ta shesin ose ta blejnë për dy aspra.
Por
a është vetëm e jashtme prania më e madhe e ikonografisë fetare në Kosovë, e
numrit të atyre që praktikojnë fenë, e frekuentuesve të tempujve fetarë, pra,
përgjithësisht të atyre që quhen besimtarë të rinj? A është e shoqëruar kjo
jashtësi me një lëvizje të brendshme, ta quajmë shpirtërore, me një ndryshim
esencial në konstalacionin mental të njeriut të Kosovës, i cili, sipas asaj që
shihet nga jashtë, tani beson në Zot më shumë se ç’ka besuar ndonjëherë më
parë? Një përgjigje e saktë në këtë pyetje është e vështirë, sepse nuk mund të
bëhet një ndarje e prerë dhe një identifikim i qartë se kush e praktikon fenë
si nevojë shpirtërore, pra kush është religjioz në të gjithë përbërësit e tij
mendor dhe shpirtëror, apo kush e ushtron fenë me të tjera motive, përfshirë
edhe mercenarizmin. Por, pavarësisht nga dilemat e këtilla, shtimi i numrit të
besimtarëve në Kosovë pas vitit 1999 është evident dhe kjo nuk mund të
shpjegohet me asnjë parametër tjetër, përveç se me “krizën e identitetit”. Pra,
Kosova gjatë këtyre viteve ka përjetuar, ndër të tjera, edhe krizën e vetëdijes
për përkatësi. Pas luftës, njerëzit në Kosovë duket se kanë ndjerë
paqëndrueshmëri identitare, kanë ndjerë mungesë plotënie identitare dhe, me
kohë, sikur kanë filluar të kërkojnë kompensim për mungesën.
Por
çfarë në të vërtetë iu mungon shqiptarëve të Kosovës, që tani duhet t’i kthehen
fesë, çfarë duan të kompensojnë me këtë? Pse tani duhet të ndihen sikur iu
mungon diçka, sikur kërkojnë diçka që nuk do ta gjejnë në pragmatizmin jetësor,
por e kërkojnë në misticizëm? Cilat janë ato dilema që i mundojnë? Pse një
numër më i madh kosovarësh tani kërkojnë strehë te Zoti më shumë se ç’e kanë
bërë ndonjëherë më parë? Cilat janë problemet e tyre, e bëjnë këtë për shkak të
pamundësisë gnoseologjike për të dhënë përgjigje në pyetjet e gjithmonshme për
jetën dhe vdekjen, për amshimin, për universin, apo kanë të pazgjidhura shumë
çështje pragmatike, krejtësisht tokësore, të cilat i kanë aq të ngatërruara, sa
nuk kanë shpresë se mund t’i zgjidhin ndryshe, përveç se me besimin në Zot...?
Përsëri
nuk mund të gjejmë një përgjigje plotësisht të saktë, por duket se lufta e
fundit ka ndryshuar shumëçka në jetën e njerëzve në Kosovë. Ka ndryshuar, ndër
të tjera, edhe filozofinë e jetës, nëse e kanë pasur një të tillë; ka ndryshuar
perceptimin e tyre për moralin, i cili nuk është më statik; ka ndryshuar
perceptimin e tyre për jetën tokësore dhe jetën e amshueshme; madje edhe për
kombin, për shtetin, për lirinë, për të gjitha. Idealet, të cilat dikur i
jepnin kuptim jetës, i bënin njerëzit të shpresonin dhe të ëndërronin, tani nuk
kanë ndonjë domethënie, ose përbëjnë zhgënjimin më të madh dhe më të rëndë.
Kosova e ka pasur kohën e ëndrrave të mëdha, të cilat tashmë janë zhbërë.
Njerëzit kanë shpresuar se me lirinë do t’i zgjidhin të gjitha problemet
jetësore, por ajo liri nuk u dha asgjë në krahasim me atë që kishin ëndërruar.
Kosova, për të cilën u flijuan djem dhe vajza të mrekullueshme, tani është një
emër vendi pa shumë vlerë. Kosovën nuk e do më njeri. Ajo është një gënjeshtër
e madhe. Gënjeshtër e madhe është edhe liria, gënjeshtër e madhe është edhe
kombi, gënjeshtër e madhe është edhe atdheu, shteti, edhe pavarësia. Vetëm një
kuptim ka mbetur i paprekur, e ajo është providenca qiellore. Çdo gjë tjetër ka
humbur vlerë...
Se
feja në këtë rast është pjesë e krizës, pjesë e krizës së moralit, pjesë e
krizës së identitetit dhe jo rrugë e daljes prej saj, e dëshmon edhe një fakt
tjetër: Kosova kurrë nuk ka pasur kaq besimtarë, nuk ka pasur kurrë më shumë
njerëz që agjërojnë, nuk ka pasur kurrë më shumë njerëz që falin pesë vaktet,
nuk ka pasur kurrë më shumë njerëz që shkojnë në xhami, nuk ka pasur kurrë më
shumë vajza dhe gra të reja të mbuluara, nuk ka pasur kurrë më shumë burra dhe
djem të rinj me veshje jotipike; por njëkohësisht nuk ka pasur kurrë më shumë
amoralitet dhe kaq mungesë vlerash njerëzore, kaq shumë prirje kriminale dhe
kaq shumë shfytyrim njerëzor, kaq shumë erozion të brendshëm dhe kaq shumë
degradim kolektiv dhe individual. Nuk ka pasur kurrë kaq shumë krim, drogë,
prostitucion, trafikim, gënjeshtra, hajni, korrupsion, imoralitet, hipokrizi,
gjë që, sipas një logjike elementare, bie në kundërshtim të thellë me frymën e
përshpirtshme që kultivon secila fe dhe secili besim fetar. Nëse feja nuk është
një katalizator i moralit kolektiv dhe individual, atëherë për çfarë shërben
ajo? Kjo kundërshti e brendshme, e cila jeton në qenien e kosovarit që një kohë
të gjatë, e bën atë të vështirë për një definicion sociologjik, por një prè
fare të lehtë për deformime të llojllojshme. Vetëm një identitet i qëndrueshëm
mund ta ndalë këtë erozion pothuajse shkatërrues.
Një
brengë më vete përbën fakti se lëvizjet fetare në Kosovë, qofshin islamiste
qofshin të krishtera, janë klandestine dhe funksionojnë jashtë rregullave
institucionale dhe larg syve të opinionit të gjerë. Ato shprehen me rivalitet
njëra kundrejt tjetrës, po aq sa rivalitetin e shprehin kundrejt institucioneve
të shtetit, të cilin e shohin të lehtë për ta manipuluar, meqë bëhet fjalë për
një shtet të ri dhe të paqëndrueshëm. Derisa Kosova të mos stabilizohet në të
gjitha pikëpamjet, grupet religjioze do të përpiqen të krijojnë hapësirë sa më
të gjerë dhe status sa më të favorshëm për veten e tyre, në shoqërinë kosovare
dhe në shtetin ri të Kosovës, duke përdorur dhe duke i shfrytëzuar të gjitha
rrugët, legale ose ilegale. Një Kosovë e pastabilizuar, me qeverisje të keqe
dhe me institucione të paqëndrueshme; një shtet me shtetasit e zhgënjyer dhe me
kriza të mëdha sociale; njësoj sikundër edhe një identitet i paqëndrueshëm
komunitar dhe individual; të gjitha këto përbëjnë terren të përshtatshëm për
depërtimin e rrymave radikale fetare, përfshirë këtu edhe fundamentalizmin si
manifestim jashtësor i një konfuzioni brenda qenies shpirtërore të kosovarit,
tashmë i traumatizuar nga shumësia e gjërave të mbetura në gjysmë të rrugës.