Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Nuk vritet pafajësia, z. kryeministër!
E hene, 08.11.2021, 09:00 PM
NUK VRITET PAFAJËSIA, Z. KRYEMINISTËR!
Nga
Frank Shkreli
“Kërkimi i faljes
nga Serbia është kapaku që do t’i japë zgjidhjen përfundimtare njohjes nga
Serbia. Unë them që falja vjen në fund, nuk mund të vijë në fillim.” Kështu është shprehur, Kryeministri i
Shqipërisë, Z. Edi Rama në Beograd, kohët e fundit, gjatë një konferencë me
gazetarët pas takimit për të biseduar mbi të ashtuquajturën nismë, “Open
Balkan”, me presidentin serb Aleksandar Vuçiqin dhe Zv.Kryeministrin e
Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, kur është pyetur nëse Serbia duhej të
kërkonte falje për krimet kundër njerëzimit që ka bërë në Kosovë kundër
popullësisë civile shqiptare, të pafajshme, në atë truall.
Po cilat janë
“krimet kundër njerëzimit”, që janë bërë në Kosovë nga forcat terroriste të
Millosheviqit e për të cilat falja duhet të jetë e fundit, sipas Z.Rama. Sipas Statutit të Romës për Gjykatën
Ndërkombëtare Penale, Aritkull 7, i vitit 1998, “krim kundër njerëzimit”
përfshin aktet që janë pjesë e një sulmi të qëllimshëm, të gjithanëshëm dhe
sistematik të një shteti kundër një popullësie civile, krime pra, sipas
statutit në fjalë, siç janë: “vrasja, shfarosja, skllavërimi, dëbimi ose
transferimi me forcë i popullësisë, burgosja, torturat, format e rënda të
dhunës seksuale, persekutimi (i një grupi të identifikuar në baza politike, raciale,
kombëtare, etnike, kulturore ose fetare), zhdukja me detyrim e personave,
aparteidi dhe veprime të tjera çnjerëzore”.
Këto pra janë
krimet kundër njerëzimit për të cilat Kosova, me të drejtë, këmbëngulë që të
njihen dhe të identifikohen si të tilla, para se të mund të shkohet përpara në
bisedime të mëtejshme përfshir njohjen e ndërsjedhët. Nga ana e Beogradit
zyrtar, njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, antarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, siç është
Organizata e Kombeve të Bashkuara, e çeshtje të tjera që kanë të bëjnë me vet
ekzistencën e Kosovës, si shtet i pavarur e sovran e që Serbia, me ndihmën e
Rusisë, të Kinës dhe aleatëve të tyre, po e luftojnë Kosovën si shtet i pavarur
si dhe identitetin e saj megjithë krimet e kryera në Kosovë nga Serbia-- pa
pikën e turpit -- në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Prandaj, qeveria e
Kosovës, partitë opozitare dhe shumica e popullësisë së atij vendi, mendojnë se
të kërkuarit falje nga Serbia, duhet të jetë në “fillim” dhe jo në “fund”, siç pretendon
Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama. Por, në mendimin e shumë analistëve,
vendas dhe ndërkombëtarë, procesi i të kërkuarit falje nfga Serbia duhej të
kishte filluar shumë më heret. Siç është
shprehur para 2-3 ditësh në portalin e tij “facebook” edhe miku im, Profesori
Gëzim Alpion i Universitetit Birmingham në Angli, të kërkuarit falje nga Serbia
për krimet e saja në Kosovë dhe ish-Jugosllavi e sidomos për krimet në kurriz
të shqiptarëve, “është tejet e vonuar”.
“Falja nuk duhet
të vijë në fund. Në rastin e shtetit Serb, falja për krimet në Ballkan,
veçanërisht në kurriz të shqiptarëve, nuk është e përshpejtuar. Ajo është tejet
e vonuar. Shteti modern shqiptar nuk
është drejtuar nga “tradhtarë” por nga njerëz me formim dhe arsim të cunguar të
cilët hiqen si “vizionarë” sepse druhen të shihen si “nacionalistë”. Ligjërimi nacionalist në Shqipëri dhe Kosovë
do të vazhdojë të jetë i nivelit mjeran për aq kohë sa akademitë e shkencave në
Tiranë dhe Prishtinë vegjetojnë nën tutelën e amatorizmit “internacionalist”,
është shprehur Profesor Gëzim Alpion, sociolog i njohur dhe autor i librit të
fundit të suksesëshëm në tregun ndërkombëtar të librave, “Nenë Tereza:
Shënjëtëresha dhe Kombi i saj” -- Frank Shkreli: Nënë Tereza- Shenjtëresha dhe kombi i saj e
autorit Dr. Gëzim Alpion | Gazeta Telegraf
Por, pse të presim
më shumë! Të kërkuarit falje për krime kundër njerëzimit – sidomos kundër
shqiptarëve – brenda dhe jashtë kufijve artificial -- nuk është as nuk ka qenë
kurrë në gjenezën e të ashtuquajturve “liderë” të Ballkanit dhe as një
përparësi morale për klasën politike, sidomos, klasën politike shqiptare. Por, për një gjë jam i bindur se shqiptarët
kudo konsiderojnë më të rëndësishëm të kërkuarit falje Kosovës nga Serbia për
krimet barbare të numëruara me lartë, ndërsa janë më pak ose aspak të
shqetësuar nëse qumshti serb “bëhet kos” ose jo, duke pritur në kufirin
shqiptaro-shqiptar, siç u shpreh Z. Rama, ndërsa fliste për rëndësinë që ai i
kushton “Ballkanit të Hapur”, një nisëm kjo e përbashkët e Zotërinjve
Rama-Vuçiq.
Por të kërkuarit
falje për krime kundër njerëzimit nuk është vetëm problem i Serbisë dhe
Kosovës, por është një problem i madh edhe për Shqipërinë dhe për shqiptarët,
në përgjithësi. Muajin e kaluar në
Tiranë vdiq ish-prokurori xhelat i regjimit komunist, kriminelit Arianit Çela,
i cili, në shërbim të verbër të regjimit komunist të Enver Hoxhës, me urdhërat e
tij, ka vrarë qindëra, ndoshta edhe mijëra, njerëz të pafajshëm. Nga Frank Shkreli: Klubi i turpeve të përbashkëta | Gazeta
Telegraf -- Drejtësia e
regjimeve “post-komuniste” në Shqipëri, jo vetëm që nuk e dënoi as nuk ndëshkoi
krimet e komunizmit kundër njerëzimit, as gjyqtarët e as prokurorët e regjimit
komunist enverist. Përkundrazi, u zbulua
ditët e fundit, se krimineli-prokuror i regjimit komunist Arianit Çela-- vrasës
i përmasave gjenocidale kundër një popullësie të pafajshme -- siç janë 38
martirët e Kishës Katolike Shqiptare --
5-vjetori i lumnimit i të cilëve shënohet këto ditë – gjatë gjithë kësaj kohe
atij i janë akorduar më shumë të drejta dhe privilegje se sa viktimave të tija
të pafajshme të cilët ai i dënoi me vdekje – duke i dhënë atij një pension të
veçantë, rezervuar me ligjin shqiptar për individet me kontribute të mëdha ndaj
shoqërisë shqiptare. Kjo ndodhë vetëm në Shqipëri, e paguan viktima dhe jo
prokurori kriminal.!
Kryeministri Rama,
gjatë prezantimit të programit qeverisës, përmëndet “Ballkanin e Hapur”, dhe
faktin se nuk është dakort me Kryeministrin e Kosovës, Z. Albin Kurti sa i
përket kësaj çeshtjeje. Ndërkohë që në lidhje me këtë mosdakordësi midis tyre,
Z. Rama paralajmëroi se, “Shqipërisë nuk i jepen leksione”, sikur Kryeministri
Kurti me të cilin ka “mosdakordësi”, të përfaqësonte ndonjë shtet armik dhe jo
gjysmën e Kombit shqiptar.
Krimet e Serbisë
kundër njerëzimit në Kosovë dhe krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës në
Shqipëri me prokurorë si Arianit Çela, nuk janë “përralla me gogol”, Z.
Kryeministër Rama, por janë jetë njerzish të pafajshëm, për shoqërinë dhe për
familjet e tyre të cilat çdo ditë jetojnë me traumën e humbjes së familjarëve
të tyre të dashur. Shteti shqiptar dhe qeveria e Tiranës, nuk besoj të kenë
ndonjë efekt, as pozitiv as negativ, sa i përket mundësisë që Serbia t’u
kërkojë falje shqiptarëve të Kosovës për krimet e saja në atë vend. Por, nga
ana tjetër, është në dorën tuaj t’u kërkoni falje viktimave të tiranisë së
komunizmit shqiptar -- në emër të qeverisë që ju kryesoni dhe të shtetit
shqiptar -- dhe t’i kërkoni parlamentit, ku partia juaj ka shumicën, që
përfundimisht, pas tre dekadash, të miratohen ligjet e nevojshme për shpalljen
e pafajësisë për të gjithë viktimat e komunizmit në Shqipëri, të cilët
sakrifikuan jetën e tyre për lirinë e vet dhe të tjerëve.
Përuluni para
pafajësisë së viktimave të komunizmit dhe kërkoni falje, sepse ju jeni shteti sot.
Kjo është detyra juaj e parë ndaj shqiptarëve dhe jo justifikimi ose jo i
Serbisë se kur dhe ku – në fillim apo në fund – që ajo duhet t’i kërkoj falje
Kosovës për krimet kundr njerëzimit. Nëqoftse besoni se Serbia duhet t’i
kërkojë falje Kosovës por vetëm “në fund”, atëherë çfarë pret Shqipëria që nuk
u kërkon falje viktimave të komunizmit, tani dhe pa vonesë. Kur është “fillimi”
dhe kur është “fundi” për një veprim të tillë, Z. Kryeministër, për familjet e
prekura dhe për pasardhësit e tyre, që presin për 30-vjetë tani.
Z. Kryeministër,
shqiptarët anë e mbanë trojeve tona kërkojnë drejtësi për krimet kundër
antarëve të familjeve të tyre, qoftë për viktimat e regjimit fashisto-komunist
të Millosheviçit në Kosovë, qoftë për viktimat e regjimit komunist të Enver
Hoxhës në Shqipëri. Ata kërkojnë të vërtetën!
Megjithë
vështirsitë e mëdha gjatë historisë, Kombi shqiptar kurrë nuk humbi shpresën as
vullnetin për të mbijetuar, madje edhe përball krimeve kundër njerëzimit që ka
pësuar gjatë historisë nga të vetët dhe nga të huajt dhe kurrë nuk hoqën dorë
as nuk përngjeshtruan identitetin e tyre si shqiptarë as nuk hoqën dorë nga
historia e tyre disa mijëvjeçare – për hir të një internacionalizmi
ndërkombëtar të pa fe e të pa atdhe, që nuk i solli Kombit asgjë pozitive, por
vetëm dëme të papërshkrueshme, sidomos në njerëz duke zhdukur më të mirët e
kombit, gjatë 100-viteve të fundit – e të cilët luftuan duke dhënë jetën për
liri dhe demokraci të vërtetë.
Ndonëse sistemi i
sotshëm dhe ligjet e Shqipërisë i konsiderojnë viktimat e komunizmit në
Shqipëri gjithnjë si “fajtorë”, sipas ligjeve të komunizmit enverist, siç është
rasti i 38 Martirëve të Lumë shqiptarë, ata prapseprap ishin dhe mbeten,
“Martirë, pishtarë drite, që ndriçojnë në qiellin e njerëzimit”, jo vetëm për
Kombin të cilit ata, krenaraisht, i përkasin, por edhe si shembëll qendrese për
mbarë njerëzimin. Për pothuaj një
shekull tani, drita e tyre ndriçoi në errësirë, ndërkohë që errësira kurrë nuk
e mbposhti dritën e tyre, sot e asaj dite kur u sakrifikuan për fe e Atdhe.
Sot në çerek
shekullin e parë të shekullit 21, Kombi shqiptar nuk ka nevojë për apologjetë
të krimeve të komunizmit enverist në Shqipëri as të krimeve komunisto-fashiste
të Serbisë në Kosovë. Zoti Kryeministër
Rama, është në dorë tuaj që në këtë 5-vjetor të lumnimit të 38 Martirëve të
Kishës Katolike Shqiptare, familjeve të viktimave të pafajshme të regjimit të
Enver Hoxhës, në përgjithësi dhe pa dallim feje, ideologjie a krahine, t’u
kërkoni falje dhe me miratimin e ligjeve përkatëse në parlamentin shqiptar, të
vendoset drejtësia njëherë e përgjithmonë, për pafajësinë e tyre dhe që
njëkohësisht, të ndihmohen pasardhësit e atyre vikitmave që, më në fund, të
mësojnë të VËRTETËN për para-ardhësit e tyre, fati i të cilëve nuk dihet, 30-vjet
pas shembjes së Murit të Berlinit. Shkencëtarët politikë janë dakort se
kërkim-falja për krime kundër njerëzimit – sidomos në nivel politik të një
shteti/qeverie ose grupi njerzish – është një mjet tepër i rëndësishëm në
rishqyrtimin e historisë së një kombi por edhe për rëndësinë që kërkim-falja,
në vet-vete, ka edhe në proceset demokratike të një vendi. Me heshtjen e
vazhdueshme për 30-vjet tani, për krimet e komunizmit, shteti shqiptar – pa
asnjë përgjegjësi morale -- vazhdon të vrasë pafajësinë e këtyre viktimave të
komunizmit. Rezultati siç shihet, është Shqipëria e sotëme me liri dhe
demokraci të pjesëshme, dekada larg antarësimit në BE dhe në prak të zbrazjes
së trojeve shqiptare. Pse vazhdon të
vritet pafajësia, Z. Kryeministër!?