Kulturë
Fatmir Halimi: Ahmet Pllana - Jeta i takon atij që falë
E diele, 12.09.2021, 10:13 AM
VËSHTRIM RRETH LIBRIT ME
TREGIME, “JETA I TAKON ATIJ QË FALË” TË AUTORIT AHMET PLLANA
NGA
MA. SC. FATMIR HALIMI, PRISHTINË
Libri
me titull, “Jeta i takon atij që falë” i autorit Ahmet Pllana, ka 12 tregime,
të cilat janë mjaft interesante për t’u lexuar, si për nga përmbajtja e secilit
tregim, si përnga mbarështrimi, por edhe mesazhet edukative që japin. Autori
dëshmon qartë për një talent të rrallë të tij në të shkruarit e prozës me një
narracion fiktiv. Stili i veçantë i të shkruarit të prozës tregon se është një
krijim letrar me fjalë e shprehje të fuqishme që përmbajnë përplot art. Ky
libër me tregime është libri i parë i këtij lloji, pra i prozës nga autori
Ahmet Pllana, pas shtatë librave me poezi. Pllana ia ka dalë të shkruajë një
libër të mirë me tregime me përshkrimin e detajeve në mënyrë perfekte. Kjo
dëshmon për një krijim letrar që përpos anës përmbajtësore, ka më vete edhe
anën e mesazhit të qartë me të cilin e plotëson përmbajtjen dhe mbarështrimin e
prozës, përkatësisht librit me tregime.
Në
këtë libër me tregime që lë përshtypjen se kemi të bëjmë me një talent të
rrallë dhe një shkrimtar në të ardhmen, çdo fjali e prozës përshkruhet me
finesa arti. Mjafton të lexosh një fragment të librit dhe të kuptosh se ke të
bësh me një autor të angazhuar, por edhe shumë të talentuar, i cili mund të
krahasohet me një shkrimtar me përvojë të gjatë të krijimtarisë letrare. Pos kësaj,
libri tregon se tregimet janë të shkruara në këtë mënyrë, pra në mënyrë të
përsosur dhe të një niveli të lartë të të shkruarit. Gjashtë tregime të këtij
libri janë të botuara nëpër gazeta e revista letrare, kurse gjashtë tregime
tjera botohen për herë të parë në këtë libër. Ky libër mund të ndahet në dy
pjesë, për nga ana e karakterit të temave. E para, ka tregime të dashurisë dhe
e dyta ka tregime që tregojnë ngjarje të luftës së fundit që ndodhi në Kosovë
në vitet 1998 dhe 1999. Autori na bën të shpresojmë se libri i tij me tregime
“Jeta i takon atij që falë”, do të arrijë deri te lexuesit, të cilët do të
binden për talentin e tij të rrallë. Talentët e tillë nevojitet t’i përkrahim
moralisht dhe materialisht në botimin e librave, në mënyrë që t’u japim vullnet
për rrugëtim dhe suksese të mëtejshme në krijimtarinë letrare.