Kulturë
Kadri Tarelli: Një emër i gdhendur në vepra
E diele, 05.09.2021, 11:46 AM
Hytbi Tarelli në studio
NJË EMËR i GDHENDUR NË VEPRA!
Hytbi Tarelli. Mjeshtër i penelit dhe daltës
Thuhet saktë, se artisti kur vdes, fillon të lindë. Vdes si
e përkohshme jeta biologjike, lind si e përhershme jeta mendore, vepra e
tij. Agim Shehu. (Poet).
Nga Kadri Tarelli
Në
ditët e nxehta të mes korriku 2021, një udhëtim krejtësisht i rastësishëm me Petrit
Elezin, drejtor në shkollën e Mesme të Bashkuar “Jusuf Hoti”, në Katund të Ri,
qendër e komunës me të njëjtin emër në afërsi të Durrësit. U nisëm për tjetër
punë, së bashku edhe me n/drejtorin Sokol Kelmendi, por ndaluam në shkollë,
pasi janë veprimet e fundit, kur ndahen dëftesat e përfundimit të vitit
shkollor.
Drejtori më ftoi të futemi brenda
mjediseve të shkollës, dhe po më tregonte disa stenda, ku ishte pasqyruar jeta
e shkollës në vite. Ishte një ide e bukur, e dobishme, e menduar gjatë dhe e
realizuar pak kohë më parë. E urova për punën e kryer. Unë vetë kam shërbyer
rreth njëzet vjet si mësues në atë shkollë dhe ndjesitë janë sikur jam përsëri
mes kolegësh të nderuar dhe nxënësish të talentuar, më shumë të dashuruar me
etjen për të mësuar.
Si mësues e drejtues i hershëm, e
vlerësoj jashtë mase këtë punë, që po e quaj “Kujtesë historike”, pasi ndihmon bindshëm
për të njohur veprimtarinë shkollore të viteve të shkuar. Është detyrë e përhershme
e shkollës dhe kolektivit të saj, që nxënësit të njohin vendlindjen, të
shkuarën dhe njerëzit që i kanë shërbyer arsimimit të brezave, ku nuk mungojnë
arritjet e sukseset. Nuk është mburrje të them, se nga kjo shkollë kanë dalë me
qindra nxënës që kanë ndjekur studimet e larta, sot kuadro me vlerë në jetën
letrare, artistike, ekonomike, mjekësore, ushtarake dhe shkencore, mes tyre
edhe tre Prof. Dr shkencash. Besoj nuk është pak, për një shkollë të vogël në
periferi të qyteti të Durrësit.
Në muret e korridoreve ndodheshin edhe
disa stenda, kryesisht për shkencat, gjuhën, letërsinë dhe historinë. Më
tërhoqi më shumë këndi i letërsisë, ku një foto i kushtohej Kongresit të
Manastirit, ngjarjes madhore të gjuhës dhe shkrimit shqip. Ishte një foto tepër
e njohur për mua. Një punim artistik i artistit Hytbi Tarelli, publikuar në
internet, njëkohësisht edhe në librin tim, “Hytbi Tarelli. Mjeshtër i penelit
dhe daltës”. (monografi).
Për ta shtyrë më tej bisedën dhe këtë
vizitë të rastësishme, e pyes Drejtor Petritin: - A e di kush është autor i
këtij punimi? – Jo! Nuk më ka shkuan në mend ta shikoj nënshkrimin. Thjesht më
pëlqen ta kundroj sa herë kaloj këtu, - dhe nxori syzet, të lexojë atë shkrim
të imët në fund të fotos. - Nënshkrim lexon “H. Tarelli”, besoj është vëllai
juaj!? - Më thotë disi i befasuar. – Po! - I them qetësisht, por i mbushur tej
mase me dashuri dhe krenari. Gjykoj se kam të drejtë të besoj në fjalët e krijuesit
durrsak Bashkim Kadiu, autor i disa librave kushtuar personaliteteve të jetës
qytetare durrsake, kur shkruan: “Jeta
nuk është ajo që u jetua, por ajo që kujtohet për ta treguar”.
Mundet që këtë ngjarje rastësore ta
kaloja në heshtje, duke i mbajtur ndjesitë vetëm për vete. Por pyes veten dhe të
tjerët: - Pse duhet të heshtim për artistët apo krijuesit e çdo fushe, kur
veprat e tyre janë bërë pronë e kulturës kombëtare? A janë ata pjesë e elitës së
kulturës shqiptare, që na nderojnë nëpër botë dhe ndihmojnë në edukimin
atdhetar të rinisë. A duhet t’i shprehim atyre një mirënjohje dhe admirim, qoftë
edhe duke i kujtuar emrin?
Të them të drejtën më erdhi mirë kur pashë
këtë punim të veçantë, si mjet ilustrimi i stendave për veprimtarinë letrare
dhe artistike në një shkollë. Mendoj dhe jam i bindur plotësisht, se është
privilegj i artistëve të përjetësojnë emrin, duke lënë gjurmë me veprat e tyre,
kur i shërbejnë kulturës sonë dhe aq më shumë kur ato bëhen pronë e publikut, nëpërmjet
letrave shqipe.
Ky punim ka mbi dhjetë vjet që është bërë
dhe autori Hytbi Tarelli, mërgimtar shqiptar në Kanada, ka katër vjet që nuk është
më mes nesh. Ka ndërruar jetë duke na lënë një sërë veprash në pikturë e
skulpturë, shumica me karakter shqiptar e atdhetar, siç vërehet edhe në këtë
foto ilustrimi (basorelief), kushtuar Kongresit të Manastirit. Një ngjarje e shënuar
në historinë tonë të trazuar, mund ta quaj nga më të rëndësishme të kulturës
shqiptare, dhe më pas edhe të mëvetësisë kombëtare, kur me “ferman” të
Sulltanit, gjuha jonë shqipe ndalohej të shkruhej, aq më pak të kishte edhe
alfabetin e saj. Të gjitha datat dhe ngjarjet kanë rëndësinë e tyre, por disa
janë gurrë të rëndë në themelet e kombit, siç është edhe Kongresi i Manastirit.
I kam besuar, ndërsa tani jam i bindur në
fjalët që artisti ynë Hytbi Tarelli, thoshte shpesh: “S' besoj se jam unë i vetmi që, duke qenë në dhe të huaj, më rrëmben
frymëzimi për t'ju kushtuar figurave kombëtare. Është një ndjenjë e çuditshme,
që mban ndezur zjarrin e atdhedashurisë”. Në këtë hulli mendimi në mendje
dhe në zemër, ai na la disa vepra pikture dhe skulpture, si trashëgim e
përgjithësim në art, të ngjarjeve të mëdha kombëtare, shumica po shërbejnë për
ilustrim të shkrimeve e studimeve, sidomos të atyre me karakter historik.
I urova drejtor Petritit suksese, me premtimin se shumë shpejt do të ketë në bibliotekën e shkollës disa libra kushtuar artistit Hytbi Tarelli.
Kadri Tarelli
Durrës. Mes korriku, 2021.