E hene, 04.11.2024, 01:33 PM (GMT)

Mendime

Xhemal Ahmeti: Festa e talibanëve si gropë e Islamit

E marte, 17.08.2021, 06:41 PM


Festa e talibanëve si gropë e Islamit

Nga Xhemal Ahmeti

MISIONET AMERIKANE – Joe Biden në qëndrimin e tij të djeshëm para «Shtëpisë së Bardhë» tha se asnjëherë nuk ka qenë mision i SHBA-ve që të bëj shtet në Afganistan. Intervenimi në Kuvajt kishte për mision mbrojtjen e tij nga Iraku. Intervenimi ushtarak në Irak – qoftë edhe si kamuflim – kishte për qëllim shkatërrimin e një regjimi që donte armë atomike dhe vazhdimisht kërcënonte partnerët e amerikanëve përreth. Intervenimi në Afganistan u bë për shkak se Al-Kaida përdorte vendin si bazë nga ku përgatiste operacionet terroriste botës. U çlirua Kuvajti nga forcat e Sadamit, ikën amerikanët. Rra Sadam Huseini në Irak, amerikanët qëndruan atje pro forma. Administrata Trump konstatoi se rreziku që Afganistani ende të përdoret si bazë sulmesh nuk është më i dhënë dhe hyri në dialog me talibanët. Pasoi tërheqja. U kthyen talibanët në pushtet pa hasur as në rezistencën minimale: as nga popullata e as nga ushtria dhe qeveria e rregullt, e cila iku me kohë nga vendi. Në të gjitha këto raste sjellja amerikane është në kuadër dhe në rregull me projektet e definuara zyrtarisht nga shteti si misione konkrete.

KOSOVA – Në Kosovë intervenimi – respektivisht lidershipi brenda NATO-s -u bë me detyrën e parandalimit të gjenocidit, etnocidit dhe dëbimit të kosovarëve me dhunë nga vendi i tyre. U larguan serbët, përfundoi misioni në kuadër të NATO-s. Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës administratat amerikane, jo vetëm se njohën, por edhe u bënë fabrika kryesore e njohjeve të shtetit të ri, duke garantuar gjithandej sovranitetin dhe subjektivitetin e saj para shteteve të shumta. Nga kjo fazë statusi i Kosovës, brenda dokumenteve amerikane, kaloi nga misioni në Projekt. Prandaj në dokumentet e saja të karakterit bi- e multilateral, Kosova është zyrtarisht vendi me vulën e «partnerit strategjik». Kosova nuk është mision [i cili për nga natyra është përherë provizor] por shtet, sovraniteti i të cilit qëndron në garancinë e përhershme amerikane. Ka mundësi që Kosova ta humb këtë status tek amerikanët? Jo, gjersa të jetë sistem i deleguar politik. Ky është haraçi i vendit që paguan për shkak të mospasjes 1. së fuqisë së vetë mbrojtëse dhe 2. për shkak se shumicat absolute të vendit janë të vullnetit [së paku deklarativ] për demokraci sekulare, liberale.

ANALOGJITË – Në fletoret serioze mondane ku bëhen analogji të problemeve nga perspektiva globale, askund nuk krahasohen Afganistani me Kosovën në raport me SHBA-të. Analogjia ndihet rëndë e fortë brenda pseudo-agorave shqiptare. E kjo ka të bëjë fare pak me sjelljen amerikane, respektivisht perëndimore a lindore ndaj Kosovës . Është reflektim i mentalitetit të një shoqërie që me frymë donë të jetë perëndimore e me sjellje është brenda zonave mentale që mbizotërojnë në Afganistan, Pakistan, Turqi e jo brenda domicilit gjeografik siç e duan – atë evropian.

Nuk duhen shumë analiza për të kuptuar se kush është burimi i kësaj sjelljeje; pse mediat ndihen më të prekura kur ndodh diçka në Turqi, Afganistan apo «Arabitë» më tepër se sa kur ndodh ndonjë dramë apo katastrofë ta zëmë në Kinë, Gjermani mbi të cilat raportohet me indiferencë dhe fare shkurt e për të listuarat lartë me ditë e muaj; zhvillohen debate, acarohen odat dhe xhamitë; pra përkatësia e ndier religjioze – e njëjtë me zonën në fjalë – e shumicës është ai që ushqen këtë mentalitet. Themi përkatësia religjioze e ndier dhe jo Religjioni, Islami ngase ky është poaq polivalent si gjitha fétë tjera, ideologjitë dhe sistemet e ndryshme filozofike. Talibanët nuk ushtrojnë po të njëjtin islam si në Arabinë Saudite, apo si ai në Turqi e gjetiu. Përveç kësaj askund më shumë se në Afganistan traditat vendore nuk luajnë rol më dominant se çdo ajet [masivisht i palexuar për shkak të analfabetizmit të lartë] kuranor.

ISLAMI I VERSIONIT AFGANISTANAS – Në perëndim sot janë mijëra meshkuj të rinj afganë që kërkojnë azil me arsyetimin të jenë përdhunuar seksualisht. Janë të ashtuqujaturit ??? ???? «Baça bazi»-t [loja më fëmijë]. Të rinj që sipas traditës vendore u shërbejnë pleqve të katundit, «warlord»-ëve, sheikëve, imamëve dhe gjithë autoriteteve si objekte seksuale gjatë festave. Bëhet fjalë për të rinj të «pamjekër» të moshës 12 deri më 16 vjeçare.

Ky është vetëm njëri nga shembujt radikal, i bazuar në traditën afgane, por ka edhe qindra të tjerë që përbëjnë përditshmërinë e vendit e që jo se nuk i gjen në asnjë rresht kuranor por nuk janë as edhe në shkollat më anarkike të religjionit përkatës.

Të ardhurat kryesore të talibanëve dhe shoqërisë kanë burimin nga opiatet, narkotikët, drogat. 90% e të ardhurave të vendit gjenerohen nga tregtia me opiate dhe një pjesë e vogël nga minierat. Në rajon Afganët prijnë për nga përdorimi i drogave, që do të thotë se nuk toksikojnë vetëm botën, por më shumë veten.

PROTALIBANËT SHQIPTARE – Të mbështesësh talibanët për shkak të përkatësisë religjioze islame, donë të thotë se je dakord me tezën e Marksit që thotë se «feja është opium për popujt» dhe paralelisht të manifestosh një tip islami ku përdorimi i drogës, ushtrimi i dhunës seksuale ndaj të miturve [meshkuj e femra], pedofilia dalin të jenë veti të tij. Të gëzohesh me fitoren e talibanëve ngase qenkan të besimit islam implikon që islami ortodoks të jetë pikërisht ai i talibanëve. Një tip religjioni që në vepër nuk dallon nga mafitë më të egra të kësaj bote.

Natyrisht se shumica e përkrahësve rrjetit nuk e dinë as ku i bie Afganistani e lere më t’ua zësh për të madhe për diçka tjetër. Problemi është diku tjetër. Nga vjen kjo mendësi, e cila patjetër se burimin e ka nga njerëzit aktiv të shumicës myslimane në shoqëritë shqiptare? Analogjia aq e shpejtë e Kosovës me Afganistanit; festat virtuale për fitoren e talibanëve; ksenofobia ndaj amerikanëve dhe ksenofilia ndaj afganëve duhet të sensibilizoj nga njëra anë shtetin dhe nga ana tjetër Bashkësinë Islame.

ISLAMI I BIK-ut – Shteti do duhej të alarmohet në mbrojtje të rendit dhe Kushtetutës së tij. Një shtresë e qytetarëve të tij glorifikon një sistem politik ku shkelet gjithçka që qëndron në kushtetutën, liritë dhe parimet e tij. Një grup jo i vogël i qytetarëve të tij preferon mbylljen e grave, përdhunimin e tyre dhe të meshkujve minorë, ekzekutimin e atyre që mendojnë ndryshe dhe parasëgjithash ata mbështesin një sistem që ushqehet nga krimi brutal i përditshëm dhe tregtia me drogë. Dhe i droguar vetë njëkohësisht. Shteti duhet të kërkojë nga Bashkësia Islame që të prononcohet se ç’islami ka si doktrinë. Nëse e ka këtë talibanëve do hesht. Nëse preferon një islam jotalibanesk duhet t’ia tregoj xhematit të tij dhe veçanërisht ta vetëdijësojë atë se Kosova është shtet sekular dhe se në emër të myslimanëve nuk ka të drejtë të flasë askush përveç të deleguarve legjitim të këtij komuniteti. As atyre, as shtetit dhe askujt tjetër nuk i shërben një islam me fytyrën talibane, krimogjene. Ata janë të thirrur më së pari të mbrojnë autoritetin e religjionit të tyre, i cili nga xhemati i vetë barazohet me atë të formatit të organizatave terroriste politike të botës.

MEDIAT DHE RREZIQET – Mediat duhet ta mendojnë agjendën e tyre se pse nxehen aq shpejtë me Afganistanin e Turqinë e më shumë se një of nuk e lëshojnë as edhe kur vdesin mijëra amerikanë, gjermanë. Lufta për ekzistencë dakord, por mirëqenia ka për parakusht ekzistencën: nëse ik ky shtet siç është dhe triumfon mendësia talibane as mediat s’do ta kenë më këtë liri.

Nëse nesër kjo shumicë deklarative pro-amerikane zëvendësohet me një të formatit talibanesk, si në Afganistan, atëherë SHBA-të edhe po deshën nuk rrinë dot aty. Ata do të detyrohen të heqin dorë nga Projekti i tyre. Po ndodhi kjo 20 viteve që vijnë do të thotë: Mirupafshim Republikë e Kosovës. Dhe jo vetëm: shqiptarët do ta humbin shansin të bëhen faktor në Gadishull. Kjo është edhe arsyeja se pse serbët kaq me pompozitet i fryjnë analogjisë në fjalë, me plotë shqiptarë pas veti.

https://www.gazetaexpress.com/



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora