Mendime
Stefano Marcelli: Bregoviç dhe filozofia e shqiptarëve
E diele, 15.08.2021, 06:52 PM
Bregoviç dhe filozofia e shqiptarëve
Nga
Stefano Marcelli
Në
historinë që rrethoi lajmin për praninë e Goran Bregoviç-it në Festivalin e
Përvitshëm të Birrës në Korçë, nuk është aq shumë ftesa drejtuar muzikantit
serb që ngjall habi te vëzhguesi i huaj, por reagimi i shumicës së opinionit
publik shqiptar ndaj indinjatës që vjen nga Kosova.
Reagime
të nxituara, sipërfaqësore, plotësisht indiferente ndaj tragjedisë dhe dhimbjes
së vëllezërve përtej kufirit, të cilët ende mbajnë zi për vdekjet dhe dhunën e
pësuar nga Millosheviçi dhe përkrahësit e tij të pamëshirshëm.
Kosovarët
po i cilësojnë “të papërpunuar” dhe “primitivë”, sepse ata ende e mbajnë mend
atë luftë të përgjakshme dhe dekadat e mëparshme të progromit dhe aparteidit.
Madje,
ata po cilësohen si të tepërt, sepse për shkak të protestave të tyre, tani ka
debat dhe kërkohet të hiqet dorë nga koncerti i autorit të një kënge aq
intensive dhe ndjellëse si ajo e “kalashnikov-it”.
Këta
shqiptarë, sa të ndjeshëm ndaj ritmeve të muzikës ballkanike, aq edhe
indiferentë ndaj dramave të njerëzimit, kanë përjetuar gjithashtu një tragjedi
të përgjakshme (atë të regjimit të Enver Hoxhës), por ata e bënë atë në shtëpi
të tyre, vetë, dhe për këtë arsye nuk kanë nevojë ta kenë me askënd, veçse me
veten e tyre.
Ata
nuk e dinë se çfarë është aparteidi, ndalimi i të folurit të gjuhës amë,
mbrojtja e identitetit kombëtar dhe akoma më pak ata dinë për përdhunimet
etnike, dëbimet, vrasjet masive…
Varre
me njerëz të zhdukur, po! Për këto ata janë në dijeni, sepse regjimi
diktatorial i Tiranës i pati mbushur me disidentë.
Por,
ata nuk i kërkojnë ato, se duan të shmangin sikletin e të bërit llogari me
historinë e tyre të gjakshme.
Shqiptarëve
u mungon empatia edhe në lidhje me tragjeditë e tyre.
Empatia
është aftësia për t’u identifikuar me gjendjen shpirtërore dhe mendimet e
njerëzve të tjerë.
Filozofi
gjerman Edmund Husserl ka zhvilluar një teori të vërtetë mbi empatinë, që
përfaqëson “mënyrën me të cilën subjekti përjeton ekzistencën e subjekteve të
tjerë dhe në të njëjtën kohë ka tendencën për kapërcimin e vizionit të botës së
tij subjektive për të arritur vizionin e botës objektive”.
“Empatia”,
shkruan nxënësja e tij Edith Stein (e vrarë në një kamp përqendrimi nazist)
“është akti paradoksal përmes të cilit realiteti i diçkaje tjetër, i asaj që ne
nuk jemi, ende nuk kemi jetuar ose nuk do të jetojmë, bëhet elementi i përvojës
më intime, domethënë ndjenja e përjetimit së bashku që prodhon zgjerim dhe
shtrirje drejt asaj që është përtej”.
Por,
gjëja më e rëndësishme u tha nga psikanalisti Heinz Kohut, sipas të cilit
nevoja për ndjeshmëri nuk është një mundësi, por një nevojë parësore, një
ushqim psikologjik, i krijuar nga frika e vetëpërjashtimit nga bota.
Kjo
për të gjithë, mbase, por jo për shqiptarët!
Ata
nuk kanë frikë nga vetëpërjashtimi dhe izolimi nga pjesa tjetër e botës, meqë e
kanë praktikuar për dekada të tëra.
Nëse
ata nuk e kuptojnë dhe refuzojnë dhimbjen e një populli që flet të njëjtën
gjuhë, nderojnë të njëjtin flamur dhe e shohin Shqipërinë si atdheun e tyre të
vërtetë, kë tjetër do të kuptojnë ndonjëherë shqiptarët?
Edhe
holokausti i hebrenjve, drama e palestinezëve, tragjedia e refugjatëve që ikin
nga luftërat dhe uria… janë vetëm trashëgimi të realiteteve të së kaluarës, të
papërshtatshme që nuk duhet të shqetësojnë jetën e përditshme dhe koncertet e
një populli gazmor dhe që nuk ka dëshirë të mendojë gjatë?
Në
psikologji ekziston një patologji e quajtur egotizëm, që është qëndrim
psikologjik i cili konsiston në vetadhurim dhe në kënaqësinë narcisiste të
vetvetes dhe të cilësive të vetes.
Prandaj
mund të themi që shqiptarët nuk janë empatikë dhe janë egotikë, domethënë të
mbyllur në vetvete.
Ashtu
si në ditët e regjimit, të tjerët janë vetëm një rrezik nga të cilët duhet të
mbrohen.
Tridhjetë
vjet më vonë, udhëtimi i anijes “Vlora” jashtë kufijve nuk u krye kurrë. Siç do
të kishte thënë Hussler, shqiptarët nuk i kaluan kufijtë e botës subjektive për
të zbuluar ekzistencën e të tjerëve dhe botës objektive.
Por
ja që kështu është, shqiptarët nuk lexojnë filozofët.
Stefano
Marcelli është gazetar në RAI, ekspert në gjeopolitikën e Ballkanit