Mendime
Gjokë Dabaj: Ku janë miliardierët në këtë kohë të vështirë?
E diele, 08.08.2021, 05:50 PM
KU JANË MILIARDERËT DHE MILIONERËT NË KËTO KOHË TË VËSHTIRA PËR NJERËZIMIN?
Nga
Gjokë Dabaj
Zjarret e mbuluan
dhe e përvëluan planetin Tokë, në këtë vit të mbushur me privacione. U dogjën
pyjet e Kalifornisë! U dogjën pyjet e Siberisë! U dogj Afrika! U dogj Amerika
Jugore! U dogj Italia! U dogj Turqia! U dogj Greqia!...
U përpoqën
njerëzit t’i fiknin a të paktën t’i ndalnin këta zjarre: Me rrozga, me degë
shkurresh, me shkopinj, me kova uji, me pompa dore, me kamionë-cisterna, me
helikopterë. Me ata pak helikopterë!
Bota u dogj e u
përcëllua, aq sa thonë se pyjet s’kanë për ta marrë veten për dhjetëra vjet!
Shqetësimi
gjithnjerëzor është tepër drithërues. Të gjithë organizmat, shoqërorë edhe
shtetërorë, janë në alarm: Ç’po bëhet dhe ç’mund të bëhet?!. Kjo po shihet edhe
nga koha që i kushtohet kësaj katasatrofe në mediat e shkruara dhe në
televizionet.
Por për
miliarderët dhe për milionerët nuk po thuhet asgjë. Janë apo s’janë pjesë e
njerëzimit miliarderët dhe milionerët?! Sa edhe si u shqetësua kjo pjesë e
njerëzimit për këtë lloj fatkeqësie që po na ndodh?!
Për shembull, a
nuk mund të dilte një miliarder dhe të jepte paratë për njëmijë helikopterë dhe
të pajiseshin zjarrfikësit me aq helikopterë?! Po them njëmijë, por njëqind
miliarderë dhe dyqind milionerë të planetit tonë do të mund të bënin shumë më
tepër. Do të mund të bënin aq sa, ndoshta, zjarret të mos mund të digjnin as
200 hektarë pyje.
* *
*
Ndodhën edhe
përmbytje të mëdha, rrënimtare e të rrëzikshme. Po marr si shembull vetëm ato
të Gjermanisë. Ç’kanë bërë miliarderët dhe milionerët e Gjermanisë, por edhe
ata të krejt botës, për të mos ndodhur kataklizma të tilla?! Pse, s’pati
Gjermania kanalizime të mjaftueshëm, të atillë që ujërat, sado të shumtë e të
furishëm të binin nga qielli, të mos mund të hynin nëpër lagje e nëpër banesa?!
Miliarderët dhe
milionerët e Gjermanisë, a nuk i kanë aq pará, sa të realizojë Gjermania një
irrigacion plotësisht të efektshëm në çfarëdo inondate?! Them Gjermania, por
kjo duhej të vlente pë krejt botën. Askund nuk duhet ta rrëzikojnë përmbytjet
jetën e njerëzvet!
Në Itali, në Indi,
në Kinë, në Australi! Kudo ku bie shi, pse nuk investojnë miliarderët dhe
milionerët, në mënyrë që ujërat të mos përbëjnë rrëzik për jetën e fëmijëvet ?!
Ta zëmë se nuk
qenë të përgatitur për t’i parandaluar rrënimet nga përmbytjet. Po tani, pse
nuk dëgjuam që, një miliarder a milioner ta ketë vënë në dispozicon të
rehabilitimit, ta zëmë, gjysmën e pasurisë së vet. Nuk po them krejt pasurinë,
por gjysmën dhe përsëri të mbetet milioner.
* *
*
Tërmetet nuk
parandalohen. Ata bien pa na pyetur. Por, për të rindërtuar atë që arrijnë të
shkatërrojnë tërmetet, angazhohen, të themi, të gjithë, në kuptimin më të plotë
të kësaj fjale. Ka donacione, ka kontribute vetjakë për të ndërtuar qoftë edhe
një shtëpi apo pesë shtëpi. Ndahen para nga buxhetet e shtetevet. Brenda
shtetit ku ndodh tërmeti, por u shkohet në ndihmë shtetevet të tjerë.
Për të gjitha këto
lexojmë nëpër gazeta dhe shohim në televizion. Por nuk kam dëgjuar, ndoshta
s’më ka rënë rasti, që një miliarder a një milioner, të ketë marrë përsipër
rindërtimin e një qyteti të rrënuar. “Unë jap kaq miliardë dollarë, euro,
rubla, jeni, dhe marrë përsipër t’u siguroj banim komod të gjithë banorëvet të
këtij qyteti që i ka goditur kjo fatkeqësi”. Dhe të mbetet i
paharrueshëm në historinë njerëzore emri i atij miliarderi apo milioneri! Dhe,
mu në qendër të atij qyteti të rindërtuar, të ngrihet monumenti i atij që s’i
kurseu paratë.
Pse s’ka sakrifica
të tilla nga kasta e miliarderëvet dhe milionerëvet?! Qoftë edhe me rrezikun e
falimentimit! Falimentove! Punë e madhe! Rimëkëmbesh përsëri! Ose, edhe sikur
të mos rimëkëmbesh, sakrifica jote në emër të humanizmit do të mbetet në
histori dhe ti do të vdesësh i lumtur! Gjithsesi, më i lumtur se kur t’ia lësh
paratë djalit apo nipit, mirënjohës ose edhe mosmirëjohës, siç ndodh në
shumicën e rastevet.
* *
*
Ra epidemia e
kovidit. Vdiqën miliona njerëz dhe rrëzikohen të vdesin edhe më shumë, midis të
cilëvet mund të ketë edhe nga kasta e miliarder-milionerëvet. Si nuk u dëgjua
askund zëri, qoftë edhe i njërit prej këtyre të gjithfuqishmëvet parazotërues: Shpenzimet
për prodhimin e vaksinavet do t’i përballoj unë dhe vaksina do t’u injektohet
falas të gjithë banorëvet të botës! Banorëvet të botës ose banorëvet të
një kontinenti.
* *
*
Kapitali i
miliarder-milionerëvet është vënë me pjesëmarrjen e miliona njerëzve. Atëherë,
pse miliarder-milioneri të mos ua kthejë njerëzvet atë kapital, duke u dëshmuar
i vetëdijshëm për detyrimet që i ka njerëzimit?! Sepse, nëse nuk do të kish
popull, kush do t’i blinte këpucët që prodhon ai?! Nëse nuk do të kish popull,
kush do ta pinte koka-kolën që prodhon ai?! Kush do t’i blinte veturat që
prodhon industria e tij e automobilëvet?!
Po e them edhe
njëherë: Unë mund të mos jem i informuar sa duhet... Por ngul këmbë që një
pjesë e madhe e njerëzvet si unë do të donin të dinin: Cili është roli human i
miliarderëvet dhe milionerëvet në shoqërinë tonë të sotme?! Ç’gjë të mirë,
konkrete dhe falas, i sjellin ata njerëzimit?! Jo me karitase! Jo me bamirësira
hipokrite! As me justifikimin: Ne i paguajmë shtetit tatimet!.. Por me
kontribute madhorë dhe konkretë, që të shpallen nëpër media dhe të thuhet: Ja
për çfarë i hyjnë në punë njerëzimit miliarderët dhe milionerët! Përndryshe,
ç’na duhen?!