Mendime
Idriz Zeqiraj: Dy sfidat akute të Memlit dhe të Albinit
E enjte, 05.08.2021, 06:04 PM
DY SFIDAT AKUTE TË MEMLIT DHE TË ALBINIT
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Me fat partia, Memli! Rezultove i pranueshm për të gjithë. Pinjoll
i familjës akademikësh dhe artistësh, pritet të mos zhgënjehemi.
Por, që në nismë halli, sfida e madhe. Çfarë të bësh me një parti,
rrast të zhytur në krime e korrupsion, thënë shqip - hajni zyrtare?! Një
deputet i partisë së Merkelit, shokoi Bundestagun gjerman, kur tha se "në
Parlamentin shqiptar kanë zënë ulset 27 kriminelë!"
Përballja e parë e kryetar Memlit, t`i bllokojë në sallën e
Kuvendit, duke ua mbyllur karrierën e lartë partiake - Kryesinë. Një vendim i
mençur dhe fort i duhur. Por, garda e vjetër, përfshi edhe ata dhe ato, që duke
përfituar nga gjinia, ëndërrojnë pensionimin nga Parlamenti, nuk po pajtohen me
humbjen e forcës drejtuese në parti!
Partitë e koalicionuara në PAN, të lindura nga një mitër e
përgjakur e LPK-së, e sidomos nga LPK-ja puçiste e vitit 1998, e cila uzurpoi,
forcërisht, me ndihmën e Tiranës zyrtare social-komuniste dhe agjentëve të dy
shteteve armike të Kosovës, LPK-në e hershme, duke shkarkuar e pushtuar,
turpshëm e kriminalisht Kryesinë e vjetër të ligjshme, me gjithë fletushkën
"Zëri i Kosovës" dhe Fondin e gatshëm "Vendlindja thërret",
janë të pashpresë reformimi. Sepse krimet serike vrastare, janë plagë, që koha
jo vetëm nuk i harron, nuk i shëron, por, përkundrazi i pezmaton, deri në
kundërmim. Si të tilla, këto parti-banda, janë të paligjshme dhe duhet nxjerrë
nga politika.
Partia, si anëtarësi, nuk është njësh me udhëheqjen partiake. Por,
nëse bashkëjetesa vazhdon, infekton, deri në toksim, edhe anëtarësinë. Andaj,
nisma spastruese e Memlit, duhet të jetë rrënjësore. Dhe, kjo mund të
realizohet me një udhëheqje të pastër, pa duar të përgjakura dhe të përbaltura,
në krime dhe
hajni zyrtare.
PDK duhet ta harrojë përrallën e ADN-së së UÇK-së! Përkundër,
eprorët e saj kupolë, ata të cilët jo vetëm nuk e themeluan UÇK-në, nuk e
drejtuan ate, nuk luftuan, por, edhe e sabotuan luftën. Dhe, këtë e thonë
themeluesit faktik të UÇK-së së LPK-së. Për këtë ka dëshmi të pademantueshme,
të pakundërshtueshme.
Nëse Memli realizon suksesshëm spastrimin e partisë, në qendër dhe
bazë, tejkalon sfidën e parë bazike, atëherë, mund të bëjë emër, mund të jetë
vetja e tij, mund të konkurojë ballëhapur, për ta qeverisur edhe Kosovën.
Albini i shumë sfidave: E para, spastrimi i RTK
Albini me LVV të tij, nuk gjeti shtet të mirëfilltë. Përkundër,
gjeti anti-shtet. PAN-istët, të ngritur në pushtet, duke shkelur mbi kufoma,
për ta ruajtur sundimin, pushtetarët vazhduan krimin dhe hajninë zyrtare, duke
eliminuar me plumb kundërshtarët politikë. Albini, stoik, me aktivistët e tij
luftarakë të dhunshëm, në kërkim të ndryshimit, u përgjakën, u burgosën, madje,
edhe u vranë, njëri syrësh, Astrit Dehari, - kurban i Demarkacionit!
Albini e nismoi qeverisjen me shkarkimin e bordeve, si bazë
logjistike kriminale e korruptive të institucioneve. Dhe, mirë bëri. Reagimi i
opozitës ishte dhe vazhdon të jetë i ashpër me fjalë, por, i zbehtë në
argumente, qesharak në arsyetime! "Largon kuadrot e opozitës, i vënë të
pozitës, të vetët",- thonin e thonë ata! Pra, opozita kërkonte dhe kërkon
vazhdimin e "avazit të vjetër!" Për 20 vjetë kanë sunduar me krime,
hajni, nepotizëm, abuzime. Tani rezistojnë me kundërshti ndryshimin! Opozita
nuk zgjedhë fjalë as mjete. Nxinë çdo veprim të pozitës. Kalemxhinjtë i ka të
bollshëm!
Në radhë është spastrimi i RTK. Një sfidë që dallon nga të tjerat.
Sepse, çfarëdo seleksionimi nominativ, individual, do të ishte i mangët. Ke çka
heqë, por, nuk ke çfarë lënë. Gjithëfarë "ujemi" është përzier në
selinë e RTK, kinse "publike". Tamam, i shkon përshtat togëfjalëshi -
Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale -, por, pa vrasje. Abuzime e punësime me
tepri: "Lë të ndodhet Kola në punë", - thotë një urti, për ata që
sorollatën koti, me duar në xhepa. Nepotizmi strehon këdo, falë edhe
korruptimin. Rrjedhimisht, RTK është një katrahurë, që na kujton shprehjen:
"Bir Selmani i nënës-o, çfarë të qajë më parë!"
Ndoshta, vënia e kyçit RTK-së, do të ishte zgjidhja më e
pranueshme. Sepse, që këtej do të fillonte reforma e mirëfilltë përzgjedhëse
ligjore, me testim konkurrues të pahile. Përcaktimi i numrit të nevojshëm të
punonjësve, pa tepricë teknologjike, bazuar në numrin që kanë televizionet e
zëshme private, plus shtesa për minoritetet. Përndryshe, shkarkimet
individuale, veçsa hapin telashe e vonesa, që nuk prodhojnë zgjidhje reale.
Sipas drejtuesit sindikalist, Fadil Hoxha, tani RTK strehon e
punëson edhe të përjashtuarit nga Bordet tjera. Fundja, "lë të vazhdojë
kaosi dhe rroga të ecën!" Deri në këtë shkallë ka degraduar kjo medie
"publike"!
Brenda një dekade, RTK u pushtua dy herë:
Herën e parë nga banda policore e Millosheviçit, me tytat e
kallashëve.
Herën e dytë, nga banda lëpëkeiste të qeverisë së parë ilegale të
Hashimit, me tytat e revoleve!
Janë, pikërisht, "yryshnikët" e Hashimit, ata që
pushtuan RTK-në, tej 20 vjetë më parë, duke i përzënë, cinikisht e dhunshëm,
gazetarët profesionistë, për t`i zëvendësuar me "gazetarë" amatorë,
mediokër e hiçër!
Lidhur me flakjen nga puna të gazetarëve profesionistë, të
Radio-Televizionit të Prishtinës, të cilët, përtej një dekade, ishin përballur
me pushtuesin serbo-sllavë, ka shkruar dhe trajtuar gjerësisht, vite më parë,
duajeni i gazetarisë kosovare, Bajram (Gjergj) Kabashi, viktimë përjashtuese e
të dy bandave: të Millosheviçit dhe të Hashimit.
Të njëjtin veprim pushtues banditesk, Hashim Thaçi e ka bërë edhe
me Redaksinë e Kosovës, pranë Radio-Televizionit Shqiptar, në Tiranë, më 1998,
duke sjellur në atë Redaksi, ca rrospija e rrospihanë, përçarës e provokatorë
të neveritshëm, në rrethana lufte, të shqiptarëve të përbotshëm!
Pas një zënke telefonike kërcënuese, me ministrin e Informacionit
të Qeverisë të Bukoshit në Ekzil, Xhafer Shatrin, për ta dorëzuar Redaksinë
Informative për Kosovën, në Tiranë, dhe kundërshtisë dinjitoze të tij,
Hashimi porositi drenicarin e tij, për vrasjen e ministrit në fjalë. Dhe, pasoi
sulmi banditesk i banditëve të porositur të Hashim "komandantit"!
Në derën-hyrëse të banesës-ministri, në Gjenevë, banditët
atentatorë provuan të hynin, forcërisht. Në përleshje e sipër, plagosën
me armë rojën e brendshme të Ministrisë. Vetëm mungesa e tij në zyre, e shpëtoi
ministrin Xhafer Shatri, nga atentati i përgaditur. Pa fije turpi, Hashim
presidenti, e shpërbleu organizatorin bandit të atentatit me titullin më të
lartë - "Hero i Kosovës!" Ja, pra, ky ishte Presidenti monstër, i
zgjedhur, në mënyrë banditeske, nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa!
Fundazi, kjo është sfida akute, që i ka rënë për hise Albinit me
shokë, ta çlirojë mediumin publik, nga pushtuesit e dhunshëm, në Kosovën e
çliruar nga NATO-pakti dhe të pushtuar nga bandat e Drenicës, Dukagjinit,
Llapit.
Uroj, të bashkuar, do t`ia dalin!