Mendime
Eshref Ymeri: Marrëveshje tradhtare!
E premte, 06.08.2021, 07:06 PM
Dy fjalë pas një marrëveshjeje tradhtare
Reagim
ndaj marrëveshjes “Ballkani i hapur” të datës 29 korrik 2021, firmosur në Shkup
nga Vuçiçi, Rama dhe Zajevi
Nga
Eshref Ymeri
Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje poshtëruese për
mbarë kombin shqiptar, Edvin Rama vërtetoi në praktikë se e konsideron veten
zot të plotfuqishëm në Tiranë, se ai mund të bëjë çfarë të dojë dhe si të dojë
me fatet e popullit shqiptar, pa pyetur kënd dhe pa u konsultuar me askënd, se
është i bindur se ndodhet në krye të një partie-lepitkë të tij, siç është
partia socialiste, të cilën e shkel me këmbë sa herë t’i teket dhe kur t’i
teket, se ka të bëjë me një delepopull, për të cilin ka krijuar bindjen e
patundur se e ka shndërruar në popull-jeniçer, në popull-mercenar në bregun e
pazarit të shitblerjes së votës, në një popull-mumje, të cilin, si në kohën e
kryetradhtarit dhe të kryegjakatarit Enver Hoxha, sa më shumë ta shtypësh dhe
ta varfërosh, aq më shumë të do, se vuajtjet dhe varfëria i janë bërë pjesë e
pandarë e konstitucionit të tij shpirtëror dhe pa vuajtje nuk jeton dot, një
dukuri paradoksale kjo, që të kujton formimin psikologjik të popullit rus, për
të cilin Dostojevski shkruan:
“Mendoj se kërkesa më kryesore, më rrënjësore e shpirtit
të popullit rus, është kërkesa për vuajtje, për një vuajtje të përhershme dhe
të pashuar, kudo dhe në çdo gjë. Me këtë etje për vuajtje, ai, me sa duket,
është infektuar që kur bota është zënë. Rrjedha e vuajtjeve përshkon gjithë
historinë e tij, jo vetëm nga fatkeqësitë dhe gjëmat e jashtme, por ngaqë ajo
zien përbrenda vetë zemrës së popullit. Në vetëdijen e popullit rus, madje në
çaste lumturie, gjendet patjetër një grimë vuajtjeje, ndryshe lumturia e tij
për të nuk është e plotë. Asnjëherë, madje edhe në minutat më solemne të
historisë së tij, ai nuk merr një pamje plot krenari dhe ngazëllim, por vetëm
një pamje mallëngjyese deri në përvuajtje. Ai trishtohet dhe falënderimin e vet
ia përcjell mëshirës së Hyjnisë. Në vuajtje populli rus sikur gjen kënaqësi”.
Në qëndrimin e Edvin Ramës ndaj Republikës së Dardanisë,
nuk ka asgjë për t’u habitur. Kjo për arsye se Edvin Rama ndjek me shumë
fanatizëm piketat e politikës së kryekriminelit, kryetradhtarit dhe
kryebanditit me damkë të kombit shqiptar Enver Hoxha në qëndrimin ndaj
serbosllavizmit gjakatar. Kryetradhtari Enver Hoxha, pas luftës, si
kryefrikacak i lindur që ishte dhe me komplekse të tmerrshmne inferioriteti,
nuk kishte besim absolutisht në energjitë krijuese dhe përgjithësisht në
aftësitë e popullit shqiptar për zhvillimin e vendit, në frymën atdhetare për
mbrojtjen e tij. Prandaj ai kërkonte me shumë ngulm shndërrimin e Shqipërisë në
republikë të shtatë të Jugosllavisë, me pasojë kolonizimin e saj nga
serbosllavizmi. Ashtu si edhe Emver Hoxha, i cili në mbledhjen e Byrosë
Politike të 15 dhjetorit 1947 pati deklaruar publikisht “…Duhet ta
fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin de fakto të
Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.),
se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i
pavarur dhe aq më pak të ndërtojë socializmin, pa u
bashkuar me Jugosllavinë…”, edhe Edvin Rama, si nxënës i zellshëm i
kryetradhtarit Enver Hoxha, kërkon ta futë Shqipërinë nën çadrën e
serbosllavizmit, si koloni të tij në Gadishullin e Ilirisë. Veprën e vet
kryetradhtare kundër Republikës së Dardanisë, Edvin Rama e filloi me vendosjen
e trarit të tradhtisë në hyrje të tunelit të Kalimashit, duke i detyruar
vëllezërit tanë dardanë të vinë jo në Shqipërinë e Kastriotit, por të
përfundojnë në kthetrat e oligarkisë së Edvin Ramës.
Meqenëse inteligjencia shqiptare, sidomos inteligjencia
universitare, është e vdekur dhe e pakallur, çka vërtetohet pa asnjë mëdyshje
me heshtjen e saj idioteske para kryetradhtisë së Edvin Ramës, të këtij njeriu
frikacak, të cilin e bluajnë komplekset e inferioritetit, le të shpresojmë që
portalet e pavarura, me brumosje nacionaliste, do t’ia çjerrin maskën këtij
pasardhësi kaq të zellshëm të kryetradhtarit Enver Hoxha, sepse misioni i tij
është në sinkroni të plotë me taktikën dhe me strategjinë e kahershme të
grekosllavizmit për shpërbërjen tërësore të kombit shqiptar me armët e vuajtjes
dhe të varfërisë.
05
gusht 2021