Mendime
Sonila Meço: “Kamarier, një birrë të lutem, të pi se harroj Bregoviçin…”
E enjte, 12.08.2021, 05:48 PM
“Kamarier, një birrë të lutem, të pi se harroj Bregoviçin…”
Nga
Sonila Meço
Të
zgjohesh dhe të nisësh ditën, procesi më elementar në jetën e njeriut, këto
kohë është shndërruar në përpjekje e sfidë.
Sepse
në ato dekika mes zgjimit dhe nisjes secili i jepet leçitjes së ngjarjeve
rrotull e larg, ritual i pashmangshëm qyshse rrjetet sociale na lidhën nyje pas
tyre.
Çfarë
i ndodh trurit tonë në ato çaste është ftesë e pakthyeshme për ankth e panik:
Zjarret
turrfullojnë, përpijnë natyrë e gjë të gjallë deri afër shtëpisë tënde dhe ti
je vetëm, pa shtet, veç nën mëshirë Zoti e fqinjësh me mjete; Delta të vjen nga
çdo anë me një çorientim ulëritës, bota mbyllet, vaksinat duhen bërë, por delta
plus-i i sfidon dhe një Zot e di edhe sa herë do çpohemi të kuptojmë; lëvizja e
lirë kushtëzohet në dhjetra forma në çdo cep të botës, por dhemb ca më tepër në
vendin ku më shumë se gjysma e popullsisë jeton jashtë e shpirti do vuajë në
çdo familje për mungesën e një të afërmi të shtrenjtë.
Mandej
nis e të ngatërrohet meraku për shëndetin me një dalldi ballkanase, që lëshon
vetëm avuj urrejtjeje për tëndin, shqiptarin tjetër. Do këndojë Bregoviçi në
Korçë, si rastësisht fill pas marrëveshjes trepolare mes Shqipërisë, Serbisë e
Maqedonisë dhe mohuar nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnia, për një Ballkan të
Hapur.
Dhe
mbetesh si tutkun, të përfshihesh në debat a të kalosh në lajmin tjetër ku të
kall datën raporti i OKB-së për ngrohjen globale e ndryshimet klimaterike që
afruan me një dekadë apokalipsin.
Edhe
të duash të shqetësohesh për çfarë e kërcënon përditshmërinë e të shtrenjtët e
tu, pa shkuar botës së madhe, nuk të lenë kërcënimet e ofshamat e kujt duhet të
bëjë shtetin e të na afrojë me Europën pasi i dhe votën, kundra atyre që i
prishin terezinë e raporteve me autoritaristët e Ballkanit lumëmadh.
Dhe
ndërsa bëhesh gati të çohesh nga krevati
e të hysh vrik në dush se djersët e një vape zhuritëse bashkuar me ato të
ankthit prej batërdisë informative të kanë këputur pa ia nisur halleve të
vërteta me fëmijët, faturat, prindërit e kreditë, kujtohesh se është vetëm
gusht, muaj pushimi, se shtatori është veç dy javë larg.
Se
gjithë kjo zallamahi me zjarre, pandemi, Bregoviçëra e Vuçiçëra, me ambasadorë
e konspiracione, me kërcënime e borxhe, me ushtarë të bindur e betuar qeverie lëshuar me dhëmbët e
skërmitur ndaj kujtdo që bën opozitë edhe përtej asaj zyrtare (ende e nemitur
pas zgjedhjeve), me opozitë në dilema të mëdha mes liderit historik e partnerit
strategjik, ndërsa Shqipëria falimenton…
Pra
gjithë kjo zallamahi që sapo të mbushi dekikat nga shtrati në banjo është vetëm
preludi në kohë pushimesh i një shtatori që askush nuk do ta mendojë, të paktën
edhe për dy javë, se përndryshe çmendet.
Tani
merrni frymë thellë, shuheni sistemin për pak çaste dhe lëreni trurin të
ftohet…po ia dolët edhe për 10 sekonda është hap i madh drejt shëndetit mendor,
ama kur të rinisni mos hapni rrjetin…aty ka gjobavënës që majmen me leximin
tuaj, përbuzës patologjikë, që nuk kanë me ç’merren dhe koha që iu jepni u fal
grimca jete, “patriotë” të paguar, “kondrapedalë” të paguar që ju t’i lexoni e
t’ju zërë ankthi deri në atë pikë sa të dorëzoheni, të pranoni se jeni të
pamundur, të sfiduar, të nënshtruar…ose t’ju fusin çdo orë në një “hall” të ri,
që i kaluari të harrohet ndërsa të plotfuqishmit forcojnë pushtetet e pasurohen
prej hutimit e ankthit masiv.
Dhe
e gjitha kjo nga krevati për në banjo, pa nisur dita, në atë mrokllën ku
ngjyejmë çapat e jetës sonë me gjellën që gatuajnë mjeshtrat e PR-it. Ky është
kërcënimi më i egër se zjarret, pandemia, Ballkani i Hapur, bota e mbyllur,
ngrohja globale, korrupsioni e borxhet, pra kërcënimi më i madh është marrja
peng e vëmendjes dhe ndërgjegjes shoqërore nga marketingu i disave.
“Kamarier,
një birrë të lutem, të pi sa të harroj Bregoviçin…”
https://www.facebook.com/sonilamecoA