Faleminderit
Kastriot Dervishi: Kosova të nderojë Dom Shtjefën Kurtin dhe jo adhuruesit e vrasësve të tij
E merkure, 14.07.2021, 05:59 PM
Kosova të nderojë Dom Shtjefën Kurtin dhe jo adhuruesit e vrasësve të tij
Nga
Kastriot Dervishi
Libri
më i fundit i Rexhep Qosjes, i cili “vlerëson” si “figurë të madhe” të
Shqipërisë një prej terroristët më të spikatur që ka parë vendi, si Enver
Hoxha, tregon më së miri se edhe Kosova ka nevojë të kultivojë e zhvillojë një
kujtesë të vazhdueshme mbi dëmet e enverizmit si rrymë antishtetërore dhe
antikombëtare. Përveç një përmendoreje për gjithë martirët shqiptarë të Kosovës
të vrarë apo burgosur nga regjimi i E.Hoxhës, në qendër të Prishtinës një i
veçantë i duhet kushtuar posaçërisht Dom Shtjefën Kurti (1898-1971), i
persekutuar si nga regjimi pushtues serb dhe ai komunist në Shqipëri.
Pas
përkujtesës që shkroi së bashku me dy kolegë të tij për çështjen e shqiptarëve
në Jugosllavi, e cila iu dërgua Lidhjes së Kombeve, Dom Shtjefni, i persekutuar
nga serbët erdhi në Shqipëri dhe në vitin 1930 mori shtetësinë shqiptare. Në
vitet 1938-1946 ishte famullitar në Tiranë dhe më 1963-1967 në rrethet e
Durrësit dhe Krujës. Më 1967-1970 punoi punëtor në kooperativë. Ai u dënua në
vitet 1946 dhe 1971, herën e fundit me vdekje. Vuajti 17 vjet, 9 muaj, 23 ditë
burgim. Duhet kjo përmendore në Prishtinë për të luftuar enverizmin atje, sepse
ky regjim në thelb kultivoi dhe praktikoi antikosovarizmin në Shqipëri. Dom
Shtjefni u pushkatua në Tiranë më 29.9.1971.
Në
përmendoren e Dom Shtjefnit, duhen shkruar këto fjalë: “Një klerik i
përkushtuar i çështjes kombëtare, i cili u detyrua të largohej nga Kosova nga
keqtrajtimi i pushtuesve serbë. Vuajti shumë nga regjimi antikombëtar i Enver
Hoxhës i cili e dënoi dy herë, derisa e pushkatoi dhe trupin ia përdori për
eksperiment mjekësor”.
Kësisoj,
Kosova duhet të nderojë martirët dhe jo adhuruesit e kriminelëve.