Kulturë
Prend Buzhala: Shkrimi si shenjë e identitetit të një kombi
E marte, 30.03.2021, 09:32 PM
SHKRIMI SI SHENJË E IDENTITETIT TË NJË KOMBI DHE PAMJA VIZUALE
Nga
Prend BUZHALA
Shkrimi
është shenjë e identitetit të një kombi, posi gjuha e folur dhe e shkruar. Që
nga shkrimi në rrasat argjile të sumerëve (katër mijë vjet para Krishtit), e
deri te fleta elektronike e shkrimit në Epokën digjitale, qëllimi kryesor ishte
"paraqitja grafike e mendimit" (sipas Aleksandar Stpiçeviq:
"Historia e librit", "Rilindja", Prishtinë, 1988). Frederik
Goudy, tipograf, artist e dizajner amerikkan, thotë se "Nga të gjitha
arritjet e mendjes njerëzore, lindja e alfabetit është më e rëndësishmja".
1.
Edhe
të parët tanë (po e nisim nga ilirët), kanë qenë njerëz të shkrimit. Gaius
Plinius Secundus është i njohur si Plini Plaku (23-79 e.r.). Ai ishte një
natyralist i shquar romak, i cili në vitin 77 (pas Krishtit) botoi serinë
madhështore prej 37 vëllimesh për historinë natyrore, të titulluar “Naturalis
Historiae” (Historia e Natyrës). Plini Plak, në vëllimin VII, shkruan : “Ilirët
(arbrit) kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyre e morën nga
ilirët”. Ndërsa Në vëllimin VI të këtij libri, ai shkruan: latinisht: “Ex quo
aparet æternum litterarum usum. In Latium eas attulerunt Pelasgi.” Shqip
(përkthim): “Nga kjo rezulton një përdorim i vazhdueshëm i shkronjave të
alfabetit (gjuhës së shkruar). Në Lazio (Lacium) ata që i sollën, ishin Pellazgët
(shkronjat e alfabetit)”. Në veprën e tij gjenden shumë të dhëna gjeografike
dhe ekonomike mbi Ilirinë dhe të dhëna të përgjithshme mbi shoqërinë ilire.
2.
Prej
se mbahet mend historia jonë, që nga kohët ilirike e parailirike, ky polem
(etnik) i ka dhënë shumë botës. Le ta kujtojmë Ilirinë, e cila i dha botës
romake e asaj helenike. Kulti rilindas i lashtësisë dhe i figurave të shquara
të lashtësisë, ishte edhe objekt i trajtimeve të Samiut. Ai shkruan:
"Me
Pyrron’ e më Aleksandrinë mburenë grekërit e i quajnë grekër. Maqedonasitë, që
me trimërit të tyre muarrë gjithë botënë në pakë kohë, nuk’ i suallë nonjë të
mirë Shqipërisë, po grekëritë, q’ishinë armikët e tyre, u ranë pas e i
rrethuanë, edhe këta fituanë nga gjaku, që derdhë ata. Se maqedonasitë përndanë
nëpër gjithë vëndet, që muarrë, gjuhën’ e qytetërinë e grekët e jo të tyrenë,
q’ish shqipja. E shum’ e botësë edhe sot maqedonasitë i zënë për grekër.
Vërtetë, të mos ishinë maqedonasitë, gjuha e greqet e qytetëri’ e tyre do të
mos kishin marrë dot kurrë këtë bujë, që ka sot, edhe mbase do të kish humbur’
e t’ish haruarë fare; se shkoll’ e Aleksandrisë edhe të dituritë, q’arrinë
n’Egjyptë në kohët të Ptolemenjet, e bënë gjuhën’ e qytetërin’ e greqet të
përndahetë e të dëgjohetë me gjith’ anët të dheut... Ptolemenjtë, q’ishin fjeshtë shqiptarë nga
Çamëria, e gjithë maqedonasitë lanë gjuhën’ e tyre, shqipenë, më nj’anë të
haruarë e të paditurë e vunë përpara greqishtenë, gjuhën’ e Dhimosthenit, që ka
folurë aqë kuntrë maqedonaset." Para Samiut, De Rada u përpoq të fuste
alfabetin pellazgo-etrusk në gjuhën shqipe, sepse nga ky shkrim alfabeti grek
ishte i kopjuar. Te një varg veprash, punimesh e krijimesh letrare, ai ngriti
kultin pellasgjik (Divinazioni Pelasghe” (Hyjnitë Pellazge), “Antichita della Nazione
Albanese” (Lashtësia e Kombit Shqiptar),
studimi “Pelasghi ed Elleni” ( Pellazgët dhe helenët). Pellazgët, të
parët tanë, sipas studimeve të De Radës, ishin shpikës të shkrimit. Por ja që
edhe pellazgët e etruskët ua dhanë grekëve alfabetin, autorët, veprat...
E
vetë?
Për
vete nuk ndalën asgjë!?
Po
romakëve?
Fituan
të tjerët, as ilirët, e as shqiptarët më vonë, nuk fituan gjë!
3.
Kongresi
i Manastirit mbahet më 1908. Ky Kongres, me shkronjat latine, hodhi poshtë ato
arabe e cirilike-greke, i ktheu shqiptarët me fytyrë kah Evropa. Ishte ajo
traditë që erdhi nga Iliria e Shën Jeronimit, nga Arbëria e Barletit, nga
trojet etnike të pushtuara të kohëve të Buzukut, Budit, Bogdanit a Bardhit, apo
nga Kuvendi i Arbrit etj.
Faktet
e Kongresit (dëshmitë e të huajve), dëshmojnë për europerëndimorizmin shqiptar
me anë të alfabetit dhe për antishqiptarizmin e tërbuar të Perandorisë otomane
që po na paraqitet shpesh si "shpëtimtare" dhe "e
kulturuar". Zonja Fineas Kenedi, një misionare amerikane në Korçë, e pranishme
aty si vëzhguese, shkruante për poetin Gjergj Fishta: “Kumtesa më e mirë u
mbajt nga një prift katolik, nga Shkodra, fjalët e të cilit bënë që dëgjuesve
t’u rridhnin lot; një hoxhë u prek aq shumë, saqë rendi ta përqafonte para
gjithë të pranishmëve”. Më 1911, Hoxhson, përfaqësuesi i Shoqërisë Biblike të
Kostandinopojës, raportonte: “Të gjitha shkollat shqipe janë mbyllur pa pikë
mëshire, kurse përpjekjet ngulmuese për ndalimin e gjuhës dhe zhdukjen e
letërsisë shqipe nuk kanë reshtur kurrë. Gjendja e rëndë politike mund të marrë
flakë nga çasti në çast. Tashmë shqiptarizmi kishte shpërthyer dhe nuk do
ndalej më!”
4.
Nuk
është e habitshme, prandaj, përse shoqëria njerëzore e gjen vetveten te
alfabeti, te dëshmia e shkruar. Mbi të gjitha qëndron alfabeti, sepse në të
qëndron mençuria më e thellë; por vetëm ai mund ta kuptojë atë, i cili di
vërtet se si ta bashkojë atë" (Emanuel Geibel, peot dhe dramaturg
gjerman).
Sado
që Epoka Dixhitale e "mposhti" librin fizik, tipografik,
gutenbergian, megjithatë, SHKRIMI MBETET. Mbetet Fleta digjitale me
trashëgimitë e përparshme historike.
Kush
prej nesh, qoftë fëmijë a po i rritur, nuk sheh brenda ditës një varg PAMJESH
VIZUALE, nga të cilat marrim aq shumë INFORMACIONE. A nuk është, kësisoj,
funksioni i kësaj bote vizuale (televizive, internetit, medieve të shkruara
etj), i po asaj rëndësie që ka GJUHA me komunikimin e saj verbal, fjalësor?
Pamja vizuale mund të përshkruhet, të shndërrohet në tekst të shkruar, apo të
verbalizohet me anë të fjalës së gjallë. E pra, BOTA VIZUALE ka shprehjen e saj
me anë të pamjeve, figurave. Realiteti i tillë vizual, flet, ligjëron,
komunikon... Ne ballafaqohemi me pamjen e tillë, dhe, në të vërtetë, na duhet
ta shqiptojmë ME ANË TË FJALËS atë dimensionin e TË PATHËNMES, apo, sikundër
thuhet, me PËRMASËN E HESHTUR të vizualitetit në figurë, në figurën vizuale. Së
këndejmi, nuk është thënë më kot, se gjuha nuk mund t'i shqiptojë të gjitha
mundësitë e potencialet e shprehjes vizuale...