Kerko: Resmi Osmani
Resmi Osmani: Tregimet e Anadollit
E diele, 31.01.2021, 04:49 PM
Tregimet e Anadollit
Nga
Resmi Osmani
1.Lotët e
kaut
Ata ishin katër vëllezër dhe
nëna.I martuar ishte vetëm vëllai i madh. Kur u shkëmbyen popullatat, ajo që u
quajt Andallai, të trembur nga bastisjet, djegiet dhe vrasjet e andartëve,që
shfaqeshin si fantazma me thikë ndër dhëmbë,nga tmerri dhe flakët që qarkonin
errësirën e netëve, dhe të yshtur nga hoxhallarët dhe turkoshakët, paniku ,
zallahia e berihai, iu ngrit mëndja të shkonin në Turqi.Ikë të ikim! Atje,
thoshin hoxhallarët,do të gjenin jetën e vërtetë, xhenetin mbi
dhe!Ishalla,amin!
E po, edhe ne me shokët! I
dhanë karar të iknin.Vetëm nëna plakë, e përlotur, nuk deshi të braktiste
vatrën e saj, varrin e të shoqit dhe të të parëve, po në fund iu bind vullnetit
të djemve. Pasi shitën gjithë çmund të
shitej,dhe paketuan në dengje gjithë ato që mund të merreshin me vete, udhëtuan
nga Kosturi për në Selanik. Atje i priste vapori turk. Çanë detin
dhe zbritën në Izmir. Mandej,
pasi u morën në dorzim nga autoritetet e emigracionit, si të ishin ngarkesë plaçkash, i rrasën në
një kamp dhe të nesërmen në tren. Pas një udhëtimi të lodhshëm, në rrafshnaltën
anatoliane, që dukej aspak mikpritëse, ngjante me gjysmëshkretëtirë, mbrritën
në Juzgat, në Anadollin Qëndror. Qytet I vogël, në këmbë të kodrave të
zhveshura, me shtëpi të ulta, ku lartoheshin minaret e xhamive. Aty i ngarkuan
në karroca dhe i plasën në një fshat që quhej Çembertash, në shtëpinë e rrënuar , më parë ishte banuar nga
grekër,(por që vendësit e kishin plaçkitur), që edhe ata kishin shkuar në
Greqi, në fshatrat e boshatisur nga shqiptarët.
Në atë fshat, jabanxhinjtë,
kështu quheshin nga vendësit, do të kalonin vitet e provës: po të silleshin
mirë, të mësonin gjuhën e vendit dhe besonin në islam, autoritetet do t’ua
jepnin shtetësinë dhe të drejtën të zgjidhnin një qytet ku do të donin të
jetonin, përndryshe, do të kalbeshin pa nam e nishan në atë humbëtirë. Ky ishte
xheneti: dimër i acartë e me dëborë, behar i thatë e përvëlues….. Dhe varfëri.
Ishte premtuar xheneti, gjetën xhehnemin!
Vitin e parë, me atë pak
kapital që kishin sjellë, dhe ndihmën
neqeze të shtetit, me kursim e shtrëngesë, bënë si bënë. Por më tej pas
shterrjes së burimeve, duhej punuar. Ishin të rinj, në lule të moshës, por ku
të punonin? I madhi i vëllezërve, u
punësua në një gurore alabastri në afërsi të Juzgatit, dy të tjerët në një kumi
ku sipërmarrësi vendës priste tulla e tjegulla. I vogli, Ibrahimi,që kishte
hyrë në të njëzetat, u pajtua hysmeqar te agai i fshatit.
Shemshedin Agai i
Çembertashit, ishte një burrec me trup të shpërpjestuar, këmbëshkurtër, nga
mesi e lart më i gjatë, kryeshinik, festekuq dhe me çallmë jeshile, me mjekër
të plotë e të lyer me këna, veshur me xhybe mavi, ngjeshur me brez, shallvare
dhe çisme të rënda ushtarake.E vështroi gjatë Ibrahimin nga plasat e syve
të pulitur e të hequr prej turkmeni, aq
sa djali u ndje në zor. Hysmeqari i pëlqeu: bardhosh, shathedhur, truplidhur,
fytyrëhijshëm,i fuqishëm.
Ibrahimi priste më këmbë.
-Çfarë di të bësh, more
evlat?Të kujdesesh për gjënë e gjallë,të lërosh me qe në ara, të mbrehësh në
qerre e të ngasësh qetë, të shalosh kalin e shaëls.Hë?
Djali pohoi me një të
përulur të kokës.
-Kur të pyes unë të më
thuash :”Si urdhëron” se unë jam agai I Timbertashit.More vesh! Mirë.Po të
pajtoj me kaull për një muaj prove.Do te kesh dhjetë lira edhe një vakt bukë.
Po e pate hallall bukën, do të mbaj, në mos, ikë nga ke ardhur. Si fillim do
shërbesh në konakët.Se çfarë do të bësh do t’i thotë qehajai.
Shemshedin agai, kishte tri
gra, sikush në konakun e saj, një oborr me lurekë , me vërsa të ndryshme, të
veshur me dollomara,po ligjin e bënte gruaja e parë, Zybeide hanëmi. Oborri
ishte i madh. Ngjitur me konakët ishte edhe kuzhina, ku gatuante akçesha kurdja
Fatime, e vrejtur, që si qeshte buza kurrë. Ishte në zi për të shoqin që, kishte luftuar e rënë
shehit krah Mustafa Qemal pashait në luftën e Çanak Kalasë. Prapa avllisë me
mur qerpiçi, ishin ahuret e gjësë së gjallë: qeve, kuajve, gomarëve dhe deleve
të zeza të racës karakul, që i mbanin për gëzofin e zi kaçurel të qingjave që
shiteshin shtrenjt.
Punë? Sa të duash. E niste
qëmenatë dhe e mbyllte ditën në të ngrysur. Fshinte dhe pastronte oborrin, çante
drute, ngarkonte bucelat në gomar dhe I mbushte te pusi i fshatit me ujë për
akçeshën Fatime, nxirte nga vatha dhe grazhdet berrat dhe bagëtinë, pastronte
ahuret nga plehu, kashaiste dhe grazhdonte kalin e shaëls, Karajelin e zi, i
racës së pastër arabe që i ndriste qimja nga shëndeti. Kur Shemshedin agai
shkonte në qytet apo miqësi, i shalonte kalin, i vinte mëgojëzën, shtrëngonte
qenglat dhe i jepte një dorë të zot që të hipte mbi të. Mbrëmanet, vathonte
delet që i sillte bariu i fshatit,grazhdonte qetë, i vinte tagjinë kalit, u
shtinte bar mushkës dhe gomarit. Mbrëmanet, kur binte muzgu, shkonte në shtëpi
dhe bënte banjë e ndërrohej që të hiqte errën e urinës dhe bajgave të ahurit.
Drekën e hante me hysmeqarët
e tjerë.Perherë çorbë bollgur gruri përvëluar me dhjamë dele dhe një copë bukë
bajate.Përherë ajo, aq sa ju neverit e vështiros, sa më von se vuri më në gojë.
E kështu përditë deri sa ra
shiu i parë i vjeshtyës.Vranësira, bubullimat dhe shkrepëtimat, nuk zbrazën veç
një shi të hollë e të pakët, që në Anadoll thonë lag të mençur e budallenj.
Pritej të zbuste dhenë e arave. Shemshedin aganë e Tembertashit e zuri dalldia.
Duheshin punuar arat dhe mbjellë gruri.Gruri I fortë, qelqor, për bollgur e
çorbë dhe gruri i butë për bukë e trahana. Berihai. Ibrahimi dhe hysmeqari
tjetër, Jusufi, mbrehën pëndët e qeve në qerre, morën plugjet e hekurt dhe
branat dhe u nisën për të lëruar. Kurdja Fatime u vuri me vete një çyrek ,
djathë dhe paguret me dhallë.
Jusufi hiqte udhën, ibrahimi
i shkonte pas. U desh ndoca kohë të shkonin nëpër udhën me gropa e të arrinin
te arat. Stërnishtet me hamullat e pakalbura të asaj vere, gjëndeshin në krye
të stepës së thatë që zgjatej tutje sa të zinte syri.Në të gjëmbaçët, kokoçelët
dhe pelini kishin gjetur shtëpinë e tyre.Në ajër, ndjehej ashku i tokës së
lagur dhe hidhësira e pelinit. U vunë zgjedhat qeve,lidhën plugjet e hekurt dhe
u përgatitën për të filluar lërimin. U ndanë në dy ngastra. Ibrahimi, në një dorë dorakun e plugut,
në tjetrën hostenin, u grahu qeve dhe peshoi mbi plugun të hapte brazdën e
parë. Por toka ishte ende e thatë maja e plorit kërcente dhe dilte nga
brazda.Qetë me zi tërhiqnin.Kur doli në fund pa qe ne vend të brazdës së
lëruar, ishte shënuar një vijë, diku e punuar diku e gërvishur. Provoi
përsëdyti e përsëtreti, po e njëjta. Kështu po i ndodhte edhe Jusufit. Ai i
çmbrehu qetë, i afroi te qerrja dhe u hodhi nga një krah sanë. Të njëjtën bëri
dhe Ibrahimi. Teksa qetë përtypnin sanën, të dy argatët u ulën në shtizën e
qerres dhe pinë nga një gllënjkë dhallë. Për të ngrënë ishte çosa heret.
-Toka është ende e thatë dhe
plugu nuk e çan dot.Kot ti vrasim qetë- tha Jusufi.
-Çudi toka këto tuajat.Të
kuqërremta, të thata të ngjeshura. Ato
dherat tona, andej nga vij unë janë
ndryshe: të zeza, të shkrifta e të lyrshme, plugu apo plori i parmëndës
i çan si bukëvale dhe plisi kthehet e thërrmohet.Ta ka ënda kur i lëron, papo
seç kanë edhe një grahmë që të ngop kraharorin. Ibrahimi u përmallua dhe seç ju
mblodh një kotkë në fyt.Mbase tani, ato ara i lëronte ndonjë grek i anadollit.
-Këto tonat,janë si janë,
grurin e bëjnë të mirë, e me ‘to e mbajmë shpirtin.Po ku ta gjesh, edhe të
tilla do t’i bënim kabull,se kur plehron
për vit shkrifen, por tokat, sa të ha
syri, janë të Shemshedin Agait, të kryeplakut e dy- tre të tjerëve. Ne s’kemi
veç krahëve për të shitur dhe shpirtit që do të na e marrë Allahu që na e ka
dhënë.
Jusufi, mesoburrë, kishte
veshur një mallotë të çngjyrosur dhe shallvare të arnuara, në këmbë opinga
lëkurë lope. Kokën dhe veshët të pështjellë me një shami të pistë. Kishte qejf
për muhabet.
-Eh, mor arkadash, Allahu me
të madh të tij që i qofshim falë, e gëzofshim mëshirën e tij, si ka ndarë
gjërat drejt. Ja llafi vjen, Shemshedin agai ka tri gra, oborrin me një bylyk evlatësh, me gjithë të
mirat e dynjasë. Thonë se ka një sënduk me flori, verdhushka safi alltën. I ka
fituar me tregëtinë e grurit kohën e luftës. Dhe është aq neqez, sa kur zgjidh
kuletën e na jep pagesën e muajit, i dridhet dora sikur i nxjerr nga shpirti.
Edhe unë i falem e i lutem të njëjtit Allah,por mua më ka lënë varfanjak, në
kasolle e të pamartuar.E me se ta mbaj gruan? Pa plëng e pa shtëpi, hysmeqar
derë më derë. Allah mëshirona!
Atë punën e grave Jusufi e
kishte gozhdë.
-Agai po plaket, e s’ua bën
dot hysmetin. I madh nepsi, i pakët takati! E kupton? Dhe qeshi e u kukuris me
shakanë e tij.E ke vënë re nusen e tretë, Esma hanëmin, gjithë ajo bukuri, në
lule të moshës, se si të sheh ty me ca sy të dëshiruar dhe psherëtin sa herë të
has? Pandeh se nuk e kam vënë re? Jo mor mik, s’i shpëton gjë Jusufit.
Ibrahimi s’i ktheu
përgjigje, bëri sikur nuk kuptoi. Jusufi mbushi çibukun, i dha zjarr eshkës me
uror dhe filloi të tymoste i menduar.
Prapa qerreve, u dëgjua
troku i patkonjve mbi truall dhe shkrofëtima e kalit. Ishte Shemshedin agai që,
kishte çatisur aty për të parë punën e argatëve. Të dy brofën më këmbë, Jusufi
e mbajti kalin për mëgojze dhe e ndihmoi kalorësin të zbriste nga shala.
Agai, kur në vend të
brazdave të hapura dhe tokës së lëruar pa ato zhgarravina e gërvishje, si
gjurmë breshke në rrugën me pluhur, turfulloi dhe u shkreh mbi ta.
- Dembela!Pse i keni
çmbrehur pëndët, u kam dërguar për punë e jo për llogje!
- Shemshedin aga, të paçim
sa malet e Allahu ta shtoftë ymryn!Toka është akoma e thatë,shiu s’e ka
zbutur.Plori del nga brazda dhe qetë se heqin dot-guxoi e i tha Jusufi.
Agai turfulloi dhe tundi
kamzhikun në erë që vërshëlleu si gjarpër. Jusufi u mblodh një grusht.Agai e
kishte dorën të rëndë.
-Kujt ja thoni këto? Mua, që
jam i rrahur me vaj e me uthull! Pa të shohim. Jabanxhi,vëri qetë nën zgjedhë.
Ibrahimi bëri si thanë. U grahu qeve dhe i futi në brazdë.
Qetë s’donin të hiqnin plugun , qëndruan si të shtangur. Ibrahimi shpoi me
hosten kaun e brazdës dhe peshoi me këmbë mbi plug. Qetë u nisën, plori hyri
thellë, plisat u rrokullisën.Shemshedin agai shkonte pas duke sharë e
shfryrë.”E shihni si lërohet, mor bukëshkalë!” Pa bërë as njëzet hapa, qetë
qëndruan në vend.Shpimi i thumbit të hostenit dhe grahja me zë të fortë e
ibrahimit ”Haj shegan, haj shahin” nuk bënë punë. Atëherë agai, i dha një të
shtyrë Ibrahimit, e mori vetë dorakun e plugut dhe e goditi me kamzhik kaun e
brazdës duke klithur me zërin e tij të hollë. “Ajs mor hairsëz, që u çaftë
ujku!” Qetë lëvizën, ngadalë, por brazda po hapej. Dalngadal po i afroheshin
fundit të arës. Qetë qëndruan.Ishin djersitur dhe nga trupi u dilte avull.
Shemshedin agai u sokëlliu dhe e shpoi me sa fuqi pati me bodecin e hostenit
kaun e brazdës. Nga vendi i shpuar rrodhi një tizgë gjaku.Kaut iu morën këmbët,
si mbeti më fuqi dhe u përgjunj e u rrëzua. Agai ju sul me kamzhik duke sharë e
sokëllirë. Ibrahimit ju bë zemra baltë. I doli kaut përpara që t’i hiqte
kularin e zgjedhës. Kau u bërlyk, ngriti kokën dhe e pa Ibrahimin drejt në sy.
Ibrahimi u shtang. Ishin si sy njeriu, që e ka gjetur një gjëmë, lutës për
mëshirë, vuajtës, që përjetonin dhimbje, të lbyrur e mjegulluar nga cipa e
lotëve, pastaj nga cepi i syve rrodhën dy pika lot. Kau po lotonte nga dhimbja.
Ishte e para herë që shihte një ka që qante.Kishte dëgjuar që vetëm kuajt
qajnë.Iu dhimbs kau si të ishte një sivëllai i tij. E kaploi një zemërim që e
rebeloi shpirtin e tij, gjykimi ju çart e sytë iu errën. Nuk e mbajti dot
veten. Ju turr agait dhe e shau shqip:
-Kafshë, i pashpirt, xhahil,
shpirtzi, je ti që duhesh mbrehur në zgjedhë –në vrull e sipër, i rrëmbeu
hostenin nga dora dhe u mat t’i binte, por dora i mbeti e ngritur lart kur pa
aganë të bërë një grusht,dyllë të verdhë, me sy lemerisur, të mrolur e të
frikësuar, që I dridhej mjekra. E mbështeti hostenin në gju dhe e theu më dysh
dhe e flaku tutje, por sytë e egërsuar s’ia ndante shemshedin agait. Atbotë
hyri në mes Jusufi dhe I dha një të shtyrë Ibrahimit për ta larguar. Agai e
mblodhi veten dhe u trimërua.
- Dur! Jabanxhi arnaut!Mos
të iku gjë fiqiri? Si guxon të ngresh dorë kundër atij që të mban me bukë, që e
paç haram! Mos do që të thërres xhandarët e të të kalb në hapsanë! E përse? Për
një ka ngordhalaq, që është imi, e që po të dua
i vë hanxharin dhe lëkurën ja bëj opinga! - Shau e shau sa zbrazi mllefin, me ato të
shara që turqishtja e anadollit ishte aq
e begatë.- Shporru e hiqmu sysh mor zorrëtharë, se për atë allah që
është një do bëj ndonjë hata dhe mos guxo të më dalish më përpara, se mjerë ti!
Ibrahimi nuk foli më.E
kuptoi që e kishte tepruar, por Ishte e kotë. Një njeri që nuk do kafshët nuk
do as njerëzit.I ktheu krahët dhe mori udhën e stepës batalle duke çarë nëpër
gjëmbaçët për tu kthyer në shtëpi. Agai e munxosi me duar, siç bwjnë grate
shtrigane dhe e përzuri me fjalët:”Vafsh prapa diellit e mos t’i pafsha sytë“
Mjerë ne ku kemi ardhur, e
në ç’dorë kemi rënë -mërmëriti ai- na
premtuan xhenetin dhe gjetëm xhehnemin me ca djaj mjekërkuq si Shemshedin agai.
Izmir,Turqi, 1991- Tiranë,janar 2021.