E merkure, 13.11.2024, 03:12 AM (GMT)

Mendime

Natasha Lako: Nobeli i Kadaresë? Kokalari e konsideronte projektues të diktaturës

E diele, 23.11.2008, 07:20 PM


Kadare
Nga Admirina Peçi


Natasha Lako, shkrimtarja dëshmitare e humbjes së çmimit Nobel nga Ismail Kadare në 1994, në një intervistë të gjatë për “Gazeta Shqiptare” hedh poshtë pretendimet e ish-ambasadorit Kokalari se nuk ka ndikuar tek Akademia Suedeze. “Ai është një mjeran, i mbështetur nga shumë të tjerë”, - thotë Lako. Vetë Natasha ka jetuar në Stokholm në atë periudhë, dhe ka qenë dëshmitare e letrave që njerëz të ndryshëm, “të frustruar” sipas saj nga ish-ambasadori, i kanë dërguar Akademisë Suedeze. Ajo ka folur në telefon dhe me ish-presidentin Sali Berisha, por nuk tregon detaje se çfarë i ka thënë kryeministri i sotëm për rastin konkret.

Zonja Lako, në vitin 1994, në kohën kur përflitej ky sulm ndaj shkrimtarit Ismail Kadare, duke e kundërshtuar nominimin e tij për Nobel nga vetë ambasadori Kokalari, ju ishit në Stokholm, madje jetonit në ambientet e ambasadës shqiptare atje. Si është e vërteta e kësaj ngjarjeje sipas jush?


Të gjithë historitë mjerane, duket sikur i mbulon pluhuri. Edhe qëndrimi i ish-ambasadorit shqiptar në Suedi, të cilit nuk më pëlqen t’ia zë në gojë emrin, sepse nuk ka ndonjë pikë rëndësie për kulturën shqiptare, do të ishte harruar, sikur të mos kish të bënim me fenomenin e një grupi shqiptarësh herë të organizuar e herë të çorientuar, të cilët gjithmonë mbeten kundër vetvetes. Ky është shqetësimi kryesor dhe një rast që ne vazhdojmë ta shohim çdo ditë. Pikërisht për këtë ia vlen që ta rikujtojmë, dhe ta kuadrojmë në historinë e kulturës shqiptare edhe një nga çastet e qëndrimeve të këtij ambasadori kundër Kadaresë, të cilat kanë qenë intensive, këmbëngulëse, aq sa të krijohet përshtypja se ajo ishte një nga detyrat e tij kryesore. Pra e them se nuk është nevoja që një ambasador, i cili e quan veten të përkëdhelur nga pushteti, të dërgojë një letër direkt. Ai shfrytëzon autoritetin e postit të tij, dhe të emrit të shtetit të tij për të vënë në lëvizje mjeranë të tjerë. Përfundimi është se Akademisë Suedeze nën iniciativën e tij, një grup shqiptarësh i kanë dërguar letra kundër Kadaresë. Kjo është një fushatë e gjatë kundër shkrimtarit, e cila vazhdon që nga koha kur shqiptarët dhe Shqipëria po pritej për të parën herë me shumë dashamirësi në familjen evropiane.


Si e mësuat ju faktin se ky ambasador po bënte çmos që Kadare të mos e merrte çmimin “Nobel”?


Dua të them se gjatë asaj kohe, unë isha anëtare nderi e shoqatës së shkrimtarëve suedezë. Rrallëherë ndodhesha edhe në takime direkte të ambasadorit shqiptar me diplomatë të huaj. Në takimet e mia direkt me këtë lloj ambasadori, i cili kudo në çdo takim e prezantonte Kadarenë si një projektues të diktaturës, ndoshta në shumë raste e kam thyer edhe protokollin dhe si shkrimtare kam folur për të vërtetën. Në kohën e përqendrimit të fushatës më intensive kundër Kadaresë, u mobilizuan një grup mjeranësh të frustruar. Mbaj mend një grua që ishte militante e LDK-së, e cila besonte në mënyrë të verbër të gjithë direktivat e ambasadorit, ndoshta sepse tek ai shihte shtetin shqiptar. I quaj mjeranë, sepse i shpjegoj qëndrimet e tyre dhe i kuptoj. Ishin të frustruar dhe kishin bërë çmos të merrnin azilin politik. Ishin të lodhur dhe prapë figura e Kadaresë së madh, po i ndihmonte për të shfryrë mllefet e tyre. Kaq e madhe ishte figura e tij, sa t’i ndihmonte dhe këta mjeranë. Po aq i frustruar, mesa duket, si kushëri me familjen e Enver Hoxhës me ndërrim mbiemrash, vendosjes dhe zhvendosjesh, kishte jetuar edhe ky antagonist i Kadaresë.


Më keni thënë se ju “patët edhe pasoja” për shkak se mbronit Kadarenë. Mund të përmendni ndonjë rast konkret?


Rast konkret është ky. Unë jetoja brenda ambasadës. Të gjitha letrat e mia shkonin fillimisht te ky person dhe telefoni ishte linjë paralele me zyrën e tij. Të gjitha pyetjet, intervistat, telefonatat që më bënin mua shkrimtarë e gazetarë të ndryshëm, duhet të kalonin në zyrën e tij, i cili filloi të ushqente dhe e zbriti mllefin edhe karshi meje, pse unë në të gjitha takimet e bisedat e mia flisja pro Kadaresë. Unë jam blasfemuar në këtë periudhë. Nuk është ndonjë gjë e re kjo.


Sipas jush, pse kjo radhë shqiptarësh nuk e pranonin Kadarenë?


Shqiptarët vinin nga një periudhë totalitare. Iu dukej sikur duhet të zhvendosnin një emër, për të vendosur një tjetër në letërsi. Kadare në Suedi ishte shumë i njohur, kishte më shumë se 7 romane të përkthyer e të botuar në gjuhën e atij vendi. Ishte shumë i njohur, po aq i njohur në botë, sa edhe Nënë Tereza. Shqiptarët vinin nga një regjim totalitar. Ata nuk mund të pranonin dy ose më shumë figura të fushave të ndryshme që mund të bashkëjetojnë me njëra-tjetrën. Ata kërkojnë të përqendrojnë figurat në një person të vetëm. Kështu edhe sot vazhdojnë goditjet ndaj Migjenit, madje edhe ndaj Skënderbeut.


A mendoni se vërtet Akademia Suedeze është ndikuar nga këto fushata, për të mos i dhënë Nobelin shkrimtarit Ismail Kadare?


Suedezët e respektojnë çdo lloj informacioni deri në një farë mase, sigurisht. Veçanërisht kur shprehen nga një grup i konsiderueshëm njerëzish. Ky informacion, sipas grupeve të interesave mund të përdoret në mënyra të ndryshme. Do jetë naive të mendosh se një ambasador, i dërgon letër një akademie direkt. Ai nuk e ka bërë vetë këtë. Por rezultati i fushatës që buronte nga Shqipëria, u ndje deri në gazetën më të madhe të vendit, “Dages Nyheter”. Në këtë gazetë, ditën e shpalljes së çmimit “Nobel” u botua kryeartikulli për Kadarenë si kandidat kryesor për çmimin “Nobel” të atij viti. Dhe po në këtë kryeartikull, flitej gjithashtu për bashkëpunimin e tij si njeriu më i afërt i Enver Hoxhës. Kam marrë vetë personalisht në telefon kryeredaktorin e gazetës dhe kam folur gjatë me të. Mbetesha si të thuash, dëshmitarja e vetme dhe e vetmuar e kontributit të Kadaresë në fjalën dhe pjesën tepër të mundimshme të lirisë shqiptare.
Ambasadorit të paktën, i takonte t’i dërgonte një letër gazetës. Atë që po bëja unë, duhet ta bënte ai, nëse ishte vërtet pro atdheut të tij dhe në shërbim të tij. Pyeteni këtë ambasador “a ka bërë ndonjë letër tjetër kundër popullit të tij dhe shtetit të tij?”


Ju thatë se ambasadori Kokalari fliste hapur në takime diplomatike kundër Kadaresë. Çfarë thoshte ai konkretisht në këto takime?


Sa herë përmendej Shqipëria, Kadareja ishte gjithnjë pikë referimi në bisedat mes diplomatëve dhe personaliteteve të huaja. Dhe ky ambasador në pritje të ndryshme kur e merrte fjalën, gjithnjë do të fliste kundër Kadaresë, jo vetëm si shkrimtar por si personalitet shoqëror. Ishte e çuditshme se si e bënte projektues të politikës. E ngatërronte mesa duket, me ditët e lëvizjeve studentore, kur të rinjtë demonstronin me fotografinë e Kadaresë. Ose ishte xheloz ndaj tij. Se kishte ndenjur i mbyllur brenda katër mureve dhe si bashkëqytetar i Kadaresë ndihej i frustruar për këtë gjë. Ai harronte se ishte diplomant. Ai mund të kishte mendimin e tij personal, por në detyrën e diplomatit duhet të thuash, e para atë që ekziston dhe sigurisht duhet të jesh i rezervuar për gjykime personale. Me pak fjalë, për të thënë më të mirën nuk ishte profesionist, por një amator. E uroj atje ku është, që t’i jenë hapur sytë.


Si reagoi kryeredaktori i kësaj gazete në Stokholm, pas telefonatës suaj?


E kam marrë kryeredaktorin rreth orës 11 të paradites, para se të shpallej çmimi. Ai më tha se ishte një nga admiruesit e Kadaresë. Por gazeta nuk është se do të kishte ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë, edhe pse dihet se influenca e medias ishte indirekte.


Si e mësuat fillimisht faktin se në Akademinë Suedeze dërgoheshin letra kundër shkrimtarit?


Unë u vura në dijeni nga shkrimtarë suedezë për faktin që janë dërguar letra kundër Kadaresë. Dhe gjatë kësaj kohe kam kontaktuar direkt edhe me Presidentin e atëhershëm, Sali Berisha. Nuk e mbaj mend datën, por ka qenë e diel, rreth orës 10 të mëngjesit. Çuditërisht ai doli direkt në telefon, megjithëse unë mendoja se po merrja sekretaren e tij.


Çfarë i thatë ju Berishës?


Unë i shpreha shqetësimin tim, jo vetëm drejtpërdrejt për çështjen e Kadaresë, por edhe për dinjitetin e përfaqësuesve të shtetit shqiptar.


A u morën masa ndaj këtij diplomati, pas kësaj?


Nuk e di saktësisht, por në atë kohë kam dëgjuar se është thënë në parlament sikur ai ka dhënë dorëheqjen.


Më thatë se ju ishit nën survejim atë kohë në ambasadën tonë në Stokholm. Pse banonit pikërisht aty?


Për kuriozitet, unë banoja në një dhomë të kësaj ambasade, bashkë me familjen time. Atje kishte banuar dikur djali i ish- kryeministrit Mehmet Shehu, i cili ishte dënuar. Historia e kësaj ambasade ka shumë gjëra interesante. Ishte një godinë e grabitur nga shteti komunist një të persekutuari politik. Atij i kishin premtuar se do ta sillnin në Shqipëri dhe e kishin arrestuar në aeroport. Ky njeri tani ka ndërruar edhe emrin, pasi ka qenë i dënuar deri në vitet ‘90. Në fillim të viteve ’90, unë isha në Stokholm thjesht gruaja e sekretarit të tretë të ambasadës.


Nga ajo periudhë e deri më sot, emri i Kadaresë është lakuar shpesh si kandidat për atë çmim. Për Shqipërinë dhe shqiptarët do të ishte nder vlerësimi i shkrimtarit me këtë çmim. A ka vend në këtë rast për sulme personale?


Fabrikimet e shqiptarëve për çmimin “Nobel” e kanë tejkaluar masën sot, aq sa janë gati të propozojnë për atë çmim çdo grafoman. Kjo është shqetësuese, pikërisht ky treg i një grupi të vazhdueshëm mjeranësh. Pra se si shoqëria “underground” kërkon të influencojë mbi jetën e shqiptarëve. Ky “underground” synon që ndonjë ditë të ketë më të lehtë të ngrejë monumentin e ndonjë drejtori doganash ose të ndonjë firme ndërtuese, sa të një shkrimtari. Shqiptarët e kanë përmbysur vizionin e përjetshëm të botës. U japin përparësi vetëm çështjeve më utilitare. Kjo është tragjike.
Kam qenë në një rast tjetër në ambasadën gjermane. Promovoheshin poezitë e përkthyera në gjermanisht të Mimoza Ahmetit, dhe një nga fytyrat më të njohura të modës televizive nuk pushoi së uluri vlerat e Naim Frashërit. Këta njerëz kanë të drejtë të shfaqin mendimet e tyre, të botojnë edhe studime, sepse kanë një zë të veçantë pasurues në gjykim, por nuk kuptoj pse zgjedhin foletë e ambasadave qoftë të huaja, qoftë edhe shqiptare si në rastin e ish-ambasadorit të Shqipërisë në Stokholm, për të goditur kulturën dhe personalitetet shqiptare. Unë mendoj se media duhet të merret me shkaqet dhe arsyet se pse shoqëria shqiptare prodhon këta njerëz kundër vetes sonë. Unë kam bërë një kapitull të historisë së kinematografisë shqiptare, një botim ndërkombëtar ku kam analizuar në formë eseje ditaret e kësaj kinematografie. E prita librin me shumë ankth dhe lexova se çfarë kishin shkruar kritikët çekë, polakë e hungarezë, vende ish-socialiste për kinematografitë e tyre. Dhe u kënaqa që kisha bërë një analizë objektive ashtu sikurse dhe ata. Çfarë do të më kishte mbetur mua sikur të isha në rolin, të më falni që e them këtë, në rolin e atyre që vetëm pështyjnë mbi gjithçka që është arritur sado pak dhe sado modeste në kinematografinë shqiptare.
Por shoqëria ka edhe tipa destruktivë dhe iu pëlqen vetëm të shkatërrojnë. Kjo ndoshta është shenjë e një adoleshence të vazhdueshme… Fati i vetëm është që kjo gjendje njerëzore si sasi nuk do ta kalojë kurrë 51 për qindëshin. E theksoj edhe një herë, se duhet të jemi shumë krenarë që kemi të njohur botërisht personalitete të mëdha si Nënë Tereza dhe Ismail Kadare. Por shumë njerëz nuk e kuptojnë se si mund të renditen edhe shkrimtarë në këto maja njerëzore. Janë ata që goditen më lehtë. Kjo hyn përsëri në gjeninë e tyre. E them këtë, pasi jemi para ditëve të shenjta të Kongresit të Manastirit, të cilin e kanë bërë njerëzit e kulturës shqiptare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora