Mendime
Agron Tufa: Në kërkim të Gishtit të Madh
E diele, 23.11.2008, 01:02 AM
Në kërkim të Gishtit të Madh
Agron Tufa
Nga Agron Tufa
Formacioni i vetëdijes së njeriut tonë të sotëm është i papërcaktueshëm. Ne veçse mund të hamendësojmë në kërkim të një paraqitjeje sa më të përafërt, që shqiptari i sotëm, ai i moshës dyzetvjeçare e më poshtë, është i tillë e i këtillë, mund t’i afrohemi një arketipi që rreh të përafrojë me disa cilësi të përbashkëta, e megjithatë, si shumë i mjegullt, i paqartë e i patrajtë mund të na dalë konturi i tij.
Por unë si bashkëkohës dua ta kem një ide mbi njeriun e kohës sime, mbi njësinë individuale të kësaj shoqërie, mbi ëndrrën që bart ai me vete, mbi synimet, idealet, formimin, ashtnorin moral të tij se, përndryshe, kjo shoqëria jonë që rrahim të ndërtojmë, si shumë dhe bashkëpunim i këtyre individëve, do të na japë, nëse shprehemi figurativisht, cilësinë e miellit të magjes ku mbruhet dhe gatuhet buka, ushqimi ynë i kurmit dhe i shpirtit.
Dhe nëse mielli i magjes na del i prishur, atëherë dhe cilësia e bukës sonë të përditshme do të na dalë ushqim i keq, helmatisës, sikundër e thamë – për trupin dhe për shpirtin.
Por nëse tendosemi të tërë në një vigjilencë të përqendruar, nëse jemi të ndjeshëm dhe të vëmendshëm për të grumbulluar tërësinë dhe shumëllojshmërinë e detajeve që përbën portretin e shqiptarit bashkëkohor, me siguri do të kridhemi në meditime mbi natyrën, origjinën dhe shkaqet e prejardhjes që kushtëzuan fizionominë e bashkëkohësit tonë.
Do të gjykonim me një analitizëm pasionant se aksh detaj, aksh tipar, aksh pigment që ndikon në ashpërsinë e profilit të bashkëkohësit tonë vjen si rezultat i faktorëve racionalë me natyrë sociale, politiko-ideologjike, shpirtërore apo frymore.
Si rëndom, rrethi i faktorëve përcaktues në egërsinë e portretit do të kërkohet tek shkaqet objektive racionale të tyre, si, fjala vjen, vrazhdësia e tranzicionit të paqëndrueshëm postkomunist shqiptar, vetëdija e mbingarkuar e ekzistencës në zgrip, të qenët i përbuzur, i huaj, me një imazh të deklasuar jashtë atdheut dhe ndjesia e të qenit i tradhtuar, i rrezikuar nga varfëria ekstreme (pa punë, pa perspektivë zhvillimi, pa besim se “diç” do të ndryshojë në jetën e tij të asfiksuar) dhe jo rrallë, i dorëzuar në mëshirë të arbitraritetit shtetëror, i cili i ndëshkon herë pas here me papërgjegjshmërinë e tij, duke mos u garantuar as minimumin e mbrojtjes së ekzistencës fizike.
Duhen sqaruar megjithatë disa koordinata të bashkëkohësit tonë nën diell. Bota e tij, sigurisht, nuk zë fill nga fleta e bardhë - menjëherë pas rënies së komunizmit. Qenia e bashkëkohësit tonë, duam s’duam të abstragojmë, përfshij dhe autorin e këtij shkrimi, vijon nga një faqe e mëparshme e një shoqërie totalitare.
Dhe njerëzit që vijnë nga kodi gjenetik i asaj shoqërie, e trashëgojnë në gjak e plazmë (nënkupto në vetëdije) farën kontradiktore të shkatërrimit, të mëkuar me durimin pikë-pikë të kopshteve, shkollave, këngëve që u vinin në buzë, filmave, kulturës vizuale dhe mjedisit, formës së çfarëdollojshme të realitetit, të gjuhës dhe të autoritetit, në fund të fundit – ajrin e molepsur me robëri, gënjeshtër e propagandë, sulmin e çdo lloj strehe të privatësisë njerëzore – fondamentin e fondamenteve ku hedh shtat qenia e lirë individuale.
A mos po e zmadhoj pak si shumë e në mënyrë artificiale? Kam përshtypjen se ende jo. Dhe sado vetëkritikë të jemi, shtretërit e embrioneve tona fizike dhe shpirtërore nuk parashikonin dhe nuk njohën në fakt ajër tjetër. Po a kemi jetuar dhe si kemi jetuar? Kjo është një pyetje të cilës unë i përgjigjem kështu: sigurisht, kemi jetuar, apo më saktë, kemi gjalluar. Nga rasti në rast, nga intervali në interval, për hir të instinktit.
Pa një besim që do të mund ta lartonte njeriun mbi banalitetet e përditshme, pa një besim që do mund t’ia forconte paramodelit të bashkëkohësit tonë relacionet me botën, natyrën, dukuritë dhe personat, pa një utopi të zhveshur nga falsiteti dhe propaganda, pa një prirje të vetvetishme drejt Hyjit, të përkundërt me frikën dhe servilizmin ndaj gjysmëperëndive të Partisë, pa frikën e kastrimit shpirtëror e moral, në burgje e internime, pa frikën e edukimit dhe arsimimit me dije të rrejshme e konjukturale, pa llahtarë e rrezikut të shkatërrimit të statusit “politkorrekt” – e tillë ka qenë qenia jonë individuale e shoqërore. Një qenie e topitur, intervalore, që zvarrisej teksa gjëllonte vegjetueshëm nga rasti në rast, nga brezi në brez, gjersa gënjeshtra dhe mashtrimi formonin shtresa të trasha betoni dhe lidhjet tona me të vërtetën tëhuajësoheshin deri në atë pikë sa nuk ia kishim më idenë, çfarë është e vërtetë dhe çfarë e gënjeshtërt.
Poeti nobelist ruso-amerikan Josif Brodskij, në poezitë e pandërprera që ia adresonte nga Amerika bashkëshortes së tij - të vetmes dashuri që pati në jetë – ka një varg të tillë: “Për të harruar një jetë njeriu, duhet, si minimum, të kalojë edhe një jetë tjetër”. Nëse kapim thelbin analogjik të këtij vargu sentencial, atëherë të njëjtën gjë na duhet ta themi edhe për llojet e shoqërive. Që ta harrojmë komunizmin me tërë trashëgiminë tragjike që la pas, lypset të kalojnë dhe po aq vjet sa zgjati ai mbi këtë tokë.
Ne kërkojmë ta rindërtojmë njeriun, atë për të cilin shqetësohem unë sot: bashkëkohësin tonë. Por nuk jemi të një mendje. Nëse jemi të vendosur të zbatojmë parime, të biem në ujdi se pa parime të rrepta nuk shkripëzohet toka shterpe e mendjeve të thara në komunizëm, atëherë parimi duhet zbatuar pa ekuivoke, duke ia nënshtruar veten rreptësisht procedurës së shërimit.
Shplarja e truve kërkon njerëz largpamës, pa kompromise e lëshime, ndryshe, nëse parimi shkelet njëherë, ai nuk është më parim. Ne duhet të jemi të vëmendshëm të ndjekim modelet e formësimit të ndërgjegjeve tona intelektuale, të mos i varrosim ato kur dikush ka kurajon dhe logjikën ta shtrojë dhe ta thotë të vërtetën në tërë segmentin e saj, jo pjesërisht, duke fshehur pjesë të saj.
Por, ajme! Në diskurset tona publike (jo ato që na i përcaktojnë tullacët apo flokët e gjata me mend të shkurtra nëpër studio televizionesh), ne shohim vetëmse garderboat e larmishme të gënjeshtrës dhe të vërtetat tona lakuriqe stolisen e maskohen me rroba mashtrimtare, bëjnë paradë para nesh dhe zhduken.
Sot në epokën e postmodernit, të bumit tekniko-informativ, pluraliteti i këndvështrimit ka zhvilluar vetëm spekulimin me të vërtetën duke ia hequr asaj peshën tragjike; njerëzit simulakër (sikundër i ka përcaktuar Zhan Bodriari) bëjnë xhonglerizma duke e nxjerrë në shmang ithtësinë që bartin të vërtetat, të cilat nuk duhet të prekin askënd, asnjë konjukturë politike apo ekonomike, në mënyrë që të mos bëhet i mundur vetidentifikimi i aktorit, origjina dhe roli i tij në dy kohë në spektaklin, ballon dhe maskaradën e pandalshme të përditshmërisë sonë.
Burimi informativ na përcjellë një traumë origjinale, e cila në vend që të përkthjellojë, vetëmse errëson gjithçka. Në këtë spektakël të zhurmshëm fshihen identitetet, punët e ra; dikushët janë aktorë pa biografi, janë askushët e kudogjendshëm, ide shëtitëse spekulative, por problemet tona vetëmse akumulohen dhe mbeten stok në rrugë, në familje, në institucione publike e shtetërore.
Shpesh herë kam parë se si apeli moral për përgjegjshmëri shoqërore sulmohet vrazhdë, tallet, si drejtpërdrejtë në shtyp, ashtu dhe nëpër rrethe e qarqe të caktuara që u ngjajnë më fort sekteve, duke instaluar një imazh dashakeq, atë të diskreditimit dhe demonizmit publik në distancë.
Dhe tashmë dihet, se tek ne është nxënë në mënyrë virtuoze teknologjia e manipulimit të imazhit, pasi formimit të cekët të bashkëkohësit tonë aq i duhet: jo thellimi, jo analitika, jo qartësia dhe gjykimi i shëndoshë racional, por opinioni i kafesë, thashathemi i telefonit, dyndalla e gërr-mërreve dhe lloqeve të forumeve –një mizëri e patësosur fjalamanie pa asnjë bazë, pa asnjë njohje, pa asnjë sinqeritet.
Thejsht sepse tek ne dita-ditës po zhvillohet një anë e prapë dhe e sëmurë, e trashëguar si në komunizëm me fletërrufe e letra anonime, me idenë se askush në botë nuk mund të ketë mendjen e vet, të cilën e ka ushqyer nëpërmjet njohjes dhe studimit të mprehtë të faktorëve, natyrës së gjërave dhe thellimit vertikal në dije, e jo horizontal nëpër sipërfqën e lëmuar e të rrejshme të lloqeve.
Në këso kushtesh dialogu bëhet i vështirë, torturues dhe i pamundur. Gjithmonë të pret gratis jo mirëkuptimi, jo qetësia për të sheshuar e shestuar problemin që ngrihet, por Paragjykimi: atë e kemi gratis!
Qenia jonë kërkon mirëkuptim: jemi bashkëkohës të shekullit XXI. Kemi gati dy dhjetëvjeçarë që kemi dalë nga një prej diktaturave më gjakatare të njerëzimit: pa liri mendimi, shprehjeje, arti dhe besimi. Pa të drejta dijeje.
Dhe me sa duket e paskemi tepër të vështirë të orientohemi, ta gjejmë rrugën e shtëpisë sonë, paqen e përbashkët sociale e shpirtërore. Sepse nuk na lënë idolet e djeshme që na i kanë ngulitur qyshkur me durim në trutë tona të njomë dhe me po kaq durim absurd nuk po duam as sot të ndahemi prej tyre.
Tjetërsia e mendimit, për fat të keq, nuk i nënshtrohet dialogut, përfitimit të përbashkët e të dyanshëm në gjetjen e një fushe neutrale ku duhet të gjendet e vërteta. Përkundrazi, mendësia tipike komuniste ngre krye në kundërvënien e njohur: më shau simbolin, ai është armik! Të menduarit me pole kategoriale ku njëri pol është i destinuar t’i kundërvihet deri në likuidim logjikës së tjetrit, na çon pashmangshëm drejt botëvështrimit dhe konceptimit monist të dukurive dhe gjësendeve.
Franc Kafka ka një sentencë të vyeshme: “Mosdurimi është kryemëkati më i madh. Prej tij zënë fill të gjitha mëkatet e tjera”. Ne nuk mund të durojmë dikë që artikulon të vërtetat e tij, dhe pa ia nënshtruar asnjë arsyetimi, e kryqëzojmë, e bëjmë qepaze, e quajmë “fashist”, “nazist”, “provincial” – një karikator i tërë papagajsh.
Të habit uniteti dhe solidariteti në kryqëzimin e tjetrit, por asnjëherë nuk kam parë vetëpërmbajtje, asnjëherë nuk kam parë, thjesht për kurreshtinë njerëzore të ngrihet pyetja më elementare: “Pse”? Si duket ndërgjegja jonë shoqërore (që vjen si jeh i diktaturës) e ka të pamundur t’i presë të artikulohen“sepsetë”.
Nga shumë pikëpamje kjo situatë ka arsyet e saj dhe psikologjikisht është e shpjegueshme në një farë mase. Sepse askush nuk don të dyshojë në origjinën dhe saktësinë e të vërtetës që i ka bërë vend në ndërgjegje. Filozofi i lashtë helen Parmenidi thotë se “Përplasja është babai i të gjitha sendeve”.
Sikurisht filozofi ka pasë me këtë parasysh, jo përplasjen e kungujve, por të mendjeve. Është e trishtueshme kjo sindroma jonë: ne nuk dimë të dëgjojmë, kemi harruar të dëgjojmë. E një ndër cilësitë më të vyera të një bashkëbiseduesi është arti i të dëgjuarit, i cili mundëson përgjigjet thelbësore. Por ne i presim drutë shkurt: “e ke shumë gabim, po ia fut kot!”.
Nuk e lëmë tjetrin të flasë, të shtjellojë argumentin. Nuk e lëmë as të na përgjigjet, sepse nuk e dëgjojmë dhe me përgjigjet tona të vrazhda ia presim vetë mundësinë vetes të marrim përgjigje. Kësisoj vetë goja jonë, vetë zëri ynë shndërrohet në armikun tonë më të madh.
Bëjmë dhe prodhojmë më shumë zhurmë dhe dihet: zhurma është antimendim. Ne nuk e lëmë të zbulohet mendimin: e sulmojmë ende pa qitur krye. Jemi aq të zellshëm sa të sajojmë (në marrëveshje të shpejtë me njëri-tjetrin) dhjetëra teori konspiracioni, ta sulmojmë tjetrin me një metagjuhë midis zhargonit të rrugës dhe halabakëve, pa e marrë vesh aspak se me kë biseduam dhe për çfarë.
Por unë nuk di të gjendet sot ndonjë shoqëri tjetër në Euroazi apo Euroamerikë që të ketë aq dëshpërueshëm nevojë të dialogojë, të bisedojë e merret vesh, t’i rrahë çështjet e saj për t’u paraprirë fenomeneve të rrezikshme të ngritjes dhe risjelljes së recidiveve, mendësive dhe moralit të djeshëm fatalist në përditshmërinë tonë. Më përpara ne shprazim jo karikatorë mendimesh, por fjalësh të pamenduara.
Kështu dhe komunikimi del jashtë tempit, ritmit, logjikës dhe edukatës, pavarësisht se jemi shoqëria më problematike e Europës, pavarësisht se atë mundësi bashkëbisedimi vetë po e shkatërrojmë.
Megjithatë na duhet dhe e kemi të pashmangshëm diskursin, të paktën për hir të problemeve të shumta e të përbashkëta që kemi si pjesë e përbashkët e bashkëjetesës publike në këtë shoqëri që synon të ndahet nga e keqja dhe të shtrojë rrugën e aspiratave të veta.
Çeshtjet tona të mëdha janë në udhëkryq, të pazgjidhura. Atëherë çfarë kërkojmë? Çfarë kërkon bashkëkohësi im të gjejë në këtë mënyrë? Kontradiksionet e veta me mospërputhjen, ndërprerjen dhe falsifikimin që i është bërë qenies së tij historike?
Mospërputhjes së kohës me kohën, brezit me brezat, mentalitetit me mentalitete, traditës me traditë, ideologjisë me ideologji, besimit me besimet fetare apo dijes së manipuluar me dijet dhe vizionet e së ardhmes? Si e realizojmë ne këtë kërkim, njohjen dhe provën se po i shtrojmë me kthjelltësi problemet? Është vërtet e hidhur situata agresive, obskurante dhe aspak e edukuar e sulmit masiv, sapo një ide të hidhet, sapo një model të ofrohet.
Sepse ndjeshmëria e kundërvënies reagon saora verbërisht dhe alibitë plasin me fantazitë më të çmendura: i përket këtij apo atij klani politik; je i rekrutuar, këlysh i iksit apo ypsylonit, zyrtar i zellshëm i partisë; “nuk e fsheh dot veten se dhe ti je antikomunist” (a thua se të jesh antikomunist nuk është vlerë, por turp!).
Atëherë çfarë kërkojmë dhe si i kërkojmë të vërtetat tona? Sigurisht, asgjë pa kuptuar, duke paragjykuar e duke u munduar të mbysim zërin e tjetrit, me gjithëfarë lloj mjetesh, retorikash e lumej fyerjesh, nisur nga dashuria e dhimbsuria e pashembullt për “korifejtë” që i shërbyen diktaturës me zell besnik, duke shkaktuar një hiroshimë të tërë në shpirtrat e njomë të fëmijëve (tani të rritur të indoktrinuar).
Jam munduar t’i kuptoj, por nuk ia kam dalë dot arsyes pse, për shembull, më kanë sulmuar në lidhje me kundërshtimin e tezave të Agollit e të tjerëve mbi nevojën e rishikimit dhe rishkrimit të letërsisë shqipe (debat të shtruar shumë vite më parë se të dilnin slloganet e qeverisë së sotme). Pse? Sepse unë jetoj me të, frymëmarr me të; jeta ime, për mirë a për keq, është e lidhur me mijëra fije si krijues, si studiues, si përkthyes e si pedagog; është kopshti im të cilit i shërbej, duke i kushtuar 14 vjet studime në tre universitete; është gjëja që di të bëj më mirë në këtë jetë dhe për këtë jam i sinqertë, e di ku dhemb.
Mirëpo në këtë vend, punëtori, inxhinjeri, biznesmeni, ndërtuesi, emigranti, pensionisti e sidomos politikani, gjithnjë e më fort duan të na bindin se më parë se zanati i tyre i vërtetë, talenti i tyre shkëlqen në letërsi, në arte e shkencë! Çafërë të bësh? Dikush thotë se z. Tufa mund të jetë ndonjë kontigjent që ka ardhë në fakultet me shoqatën e të persekutuarve.
E pra, ka patur plot mundësi të tilla (ima atë ka qenë në burg politik), por kurrë nuk e kam kërkuar atë lloj mëshire! Por tjetërkund është shqetësimi. Në këtë vend nuk mund të guxosh të prekësh mitet e komunizmit, “lisat” e tij, edhe kur këta gjyshër ia këputin broçkullave fatale që synojnë të na kthejnë në situatat e tyre nostalgjike të viteve shtatëdhjetë.
Normalisht, teknologjia e makinës propagandistike emrat e shkrimtarëve socrealistë i ka mitizuar nëpër shkolla e forma edukimi. Dhe dihet, në fillim punohet për ngritjen e mitit, mandej miti punon vetë. Mjerisht edhe në rastet kur ai është i rremë!
Atëherë rishmi pyes, si mund t’i këqyrim dhe shestojmë problemet tona të mëdha që kërkojnë zgjidhje, jashtë dinakërisë së çdo oreksi politik, ideologjik e konjuktural, por vetëm me kthjelltësinë shkencore, të pandikuar nga asnjë mllef i kuq apo blu?
A thua vallë asnjë bashkëkohës i ynë nuk qenka i interesuar që fëmija i tij të bëjë shkencë në shkollë a universitet e jo të gëlltisë sapunin për djathë? Si mund ta quash vlerë e të krenohesh me socrealizmin dhe a mendojnë këta prindër se në ç‘gjuhë do tu flasin bijtë e me bashkëmoshatarët e tyre europianë?
Uroj që bashkëkohësi ynë që vjen si vijim i faqes së komunizmit, ta mbajë nostalgjinë për vete dhe të mësohet të besojë, t’u besojë garantuesve të përkushtuar që, secili, me formimin, dijet dhe dashurinë për të, do t’i shërbejnë ashtu si prifti Tempullit.
Sepse Dija ka vetëm një rrugë transmetimi dhe marrjeje: me dashuri! Por nuk mund të përcillet me dashuri gënjeshtra dhe faslsiteti, frymëzimet konjukturale që nuk i adresohen më asnjë kohe. Nuk edukohen ndjenjat estetike ndër vepra që janë “lulja e marres”.
Flas për Letërsinë dhe thelbi i problemit mund të ilustrojë nevojën e një rishikimi të thellë të çdo fushe në dijet tona humanitare ku është ulur për turp manipulimi dhe gënjeshtra, qofshin këto fusha të mendimit, të gjuhësisë, historisë apo estetikës.
Nuk e di se si do të ndjeheshin kundërshtarët e mi, po t’u sillja veprat e korifenjve të socrealizmit si plagjiatura, imitime dhe si modele të importuara të letërsisë më të keqe sovjete. Le të mos besojnë, por për fat për këtë fenomen ka shkruar dhe Ismail Kadareja.
Unë kam patur mundësinë t’i vërtetoj duke i krahasuar. Sidoqoftë këto lloj romanesh, poemash e poezish, ka kohë që janë harruar dhe s’merret më kush me ta, as në ish-BRSS, por është e çuditshme pse mbrohen me kaq zell solidar ndër ne?!
E vërteta është (sipas meje) se Letërsia shqipe (ashtu si çdo sferë e dijeve humanitare) ka pësuar një shembje tektonike të rëndë në mes, mespërmes shekullit XX; një shkundullimë që e ndërpret logjikën e natyrës dhe natyrshmërinë e gjërave.
Ne flasim shpesh për traumat që pëson një njeri nga fëmijëria dhe mblidhen kapicë psikoanalistë e psikiatër ta ndreqin këtë qenie fatkeqe e të çartallosur. Ne flasim e diskutojmë hollësisht për shtypje instinktesh e trauma përjetimesh dashurore, privime e përjetime fatale të dhunës së prindërve.
Ndërsa shtiremi indiferentë kur nuk marrim parasysh çka ka ndoshur me një psikikë të tërë nacionale, me strukturën etnogjenetike të rracës, me degjenerimin dhe zvetënimin e arketipit tonë kolektiv përgjatë 50 vjetësh stalinizëm! Ajo çka ka ngjarë me letërsinë shqipe (si organizëm dikur i gjallë, organik e origjinal) nuk mund të reduktohet në një shtypje të thjeshtë instinktesh apo traumë fëmijërie (edhe pse nuk më pëlqen shumë kenvështrimi psikanalitik).
Ajo çka ka ngjarë me kulturën tonë në tërësi është një shkundullimë (tërmet) dhe gjendje lëngate në koma. Nga ky tërmet janë devijuar përbrenda saj strukturat përbërëse, janë prishur kanalet dhe lidhja logjike mes kohërave e trashëgimive. Brenda për brenda saj ka hedhur shtat një mish i huaj, në terren jonatyror – realizmi socialist.
Shpesh e mbrojmë krijimin e kësaj letërsie gjoja me besimin naiv në idealet humane të komunistëve. Kurse unë them: jo! Kjo letërsi është shkruar me paramendim e zell, që të jetë konform doktrinës partiake, që të shërbejë levë ndihmëse dhe psikologjia zanafillore 50 vjeçare e këtij tradite të shkrimit i ka rrënjët jo në naivizmin romantik, utopik apo human, porse në kurvërimin e pandërprerë të burrave tanë që lanë njolla turpi në historinë e letërsisë shqipe.
Kjo nuk e fsheh tendencën që kanë patur ata për të qenë “diç“ në “fugën e madhe të mortit” që hidhte valle egërsisht mbi gjithçka të arritur me mund, dheimbë e sakrificë ç‘rej Buzukut.
Rrënjët e këtij shkrimi të çojnë në gatishmërinë e njohur shqiptare për të qenë mercenarëë, prandaj dhe propozoj që këtë lloj letërsie ta quajmë jo “letërsi e realizmit socialit”, porse letërsi e “perversionit mercenar”, të pashoqe në historinë e njerëzimit. Një letërsi e cila sot i ka humbur lexuesit e saj, si një divorc i pandreqshëm më.
Sigurisht, pamja nuk reduktohet e tëra. Se ka patur vepra që kanë kaluar në zgrip midis “Shkyllës dhe Haribdës” dhe se këto pak vlera duhen studiuar me profesionalizëm dhe është detyrë të mbrohen, duke ia nënshtruar analizës. Dhe lavdi Zotit që kanë mbetur ato pak dëshmi të mendjekthjelltësisë dhe guximit intelektual, sa për të dëshmuar së në tërë Kënetën e socrealizmit, mbijetuan capak rrjedha uji të pastër.
E përdora letërsinë për të parë nga afër qasjen që mund t’i bëjmë trashëgimisë së rëndë të komunizmit shqiptar në letërsi e arte edhe pse në pa liri, edhe pse të zhveshur nga Zoti dhe besimi, edh pse të shkruara në një trysni të përhershme. Por nuk mund të sulmohet nevoja e rishikimit me dyndjet e vullnetarëve: mos prekni! Mos guxoni! Lereni se ashtu është më mirë, se ndjehemi mirë me turpin tonë!
Si fillim le të mësohemi të bëjmë pyetjet elementare “si” dhe “pse”.
Përndryshe, bashkëkohësi ynë nuk merret vesh se çfarë kërkon, ani pse ai e di mirë se “diçka” duhet kërkuar. Dhe ne, në vend që të vihemi në kërkim të të vërtetave tona të përbashkëta, rrezikojmë të përfundojmë duke kërkuar gishtin e madh.