E premte, 06.12.2024, 10:09 AM (GMT)

Mendime

Ali Podrimja: Duke lexuar dosjen “Shehu”

E shtune, 22.11.2008, 06:20 PM


Ali Podrimja
Duke lexuar dosjen “Shehu”

 

Nga Ali Podrimja

 

Moti rodi shqiptar kishte për t’u faruar të mos kishte qenë Zoti në anën tonë. Aq i mëshirshëm është treguar sa, në çdo pesëqind vjet, na ka dërguar nga një shpëtimtar. Xhaxhit Skënder ia ruajmë përmendoret, këtij tjetrit vetë Zoti ia rrënoi. Nuk i kishte pëlqyer pjella. Ne që kemi rrënuar perandori e perandori do të ishte turp që Ballkanin të mos e lidhim njëherë mirë për kërthizën tonë.

 

E pranoj se nuk kam lexuar aq shumë vepra që merren me absurdin njerëzor. Por mjafton që pata fat ta lexoj Dosjen “Shehu”, të bindem se deri ku mund të shkojë urrejtja brenda një populli dhe ç’mund të bëjë diktatura për të ruajtur karrigën dhe një grimë autoritet brenda një pëllëmbe dheu. Kërkoj falje nga Pjetër Arbnori, Zef Pllumbi, Pano Taçi, Visar Zhiti, Maksi Velo e mija të tjerëve që nuk i njoh, nëse ndonjëherë i kam lënduar ndjenjat e tyre njerëzore e patriotike pa e ditur se ç’kishte ndodhur tej Murit të Arbërit.

 

Duke lexuar Dosjen “Shehu”, kam ndjerë indinjatë se me çka qenka marrë “Nëna-Parti”. Paska kryer punën e fqinjve tanë, që ëndërrojnë sa më pak shqipe të shohin qiellit të Ballkanit. Aq larg kishte shkuar ajo sa trupat e dy të rinjve të mbuluar me çarçafë ëndrrash, i kishte ndarë përjetë. Absurditet i dorës së parë, lakmi t’i ketë edhe një Beket.

 

Disa muaj Byroja e PPSH ishte marrë intensivisht rreth një fejese: A duhet djali i Kryeministrit të pranojë dorën e një vajze të profesorit të Universitetit? Vërtet, shteti kur nuk ka ç’të bëjë, duhet ta thyejë kush heshtjen që të mos flejë askush. Ose me vrasjen e një njeriu (në kanadrin e diktaturës asgjë nuk peshon) dhe me zhdukjen e familjeve të panumërta, të forcojë radhët rreth Piramidës. Nëse nuk ekzistonte fajtori, ai duhet trilluar pa tjetër. Çfarë sarkazme: Nuk di a ka ndodhur diç e tillë edhe me shtetet e Lindjes.

 

Dosjen “Shehu” e lexova edhe si Njeriu që është dashur të vdesë patjetër. Dhe është me interes të madh. Dëshmon: 1) Absurditetin e shoqërisë shqiptare në kohën e monizmit, 2) Monstruoziteti i shkallës së lartë që na “prodhonte” një farë “lirie” plot art intrigash, insinuatash oborrtare dhe 3) Për të konvertuarit në socialistë është një sadisfaksion se në kohën e PPSH, “liri” paska pasur me kg. Por ky farë “pis” demosi nuk paska ditur të mbahet për vertikalen se gjithmonë na paska qenë i shtrirë. Na i paska numëruar yjet, atje poshtë. Teksti nevrik po të përkthehej në gjuhë të huaja, kam besim se çdo teatër i metropoleve do ta vinte në skenë. Nami nuk do të mungonte as për artin tonë të absurdit.

 

Ne, të viseve të çkombëtarizuara apo shkërdhatat, siç na quan rrugaqësia e trotuareve kombëtare, kemi të drejtë të revoltohemi më shumë se ata të qyteteve “antike”. Në tribunat e forumet e tyre Byroja PPSH paska vënë do fejesa e mbytur ca miza, që nuk na duket punë serioze e më së pakti kombëtare. Do të ishte nder për Byronë të ishte marrë më shumë me çështjen e Kosmetit (shqiptim i të shpërlarëve) e të “shkërdhatave”. Dinjiteti kombëtar me siguri nuk do të nëpërkëmbej kaq shumë nga shovinizmi i fqinjve. U përziva ndoshta pakëz në punë të brendshme. Por desha vetëm t’iu shkund buzëqeshjen e thartë “shokë”… Nuk kam dëshirë t’iu shoh të pluhurosur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora