E merkure, 11.12.2024, 09:59 AM (GMT)

Mendime

Isa Mulaj: MEF-i dhe ATK-ja Vazhdojnë Dezinformimin e Tatimpaguesve

E merkure, 19.11.2008, 08:55 AM


MEF-i dhe ATK-ja Vazhdojnë Dezinformimin e Tatimpaguesve

 

Nga Isa Mulaj

 

Si duket, Ministria e Ekonomisë dhe Financave (MEF) dhe dikasteri i saj për mbledhjen e të hyrave tatimore për buxhetin e shtetit – Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) nuk e kanë ndërmend të heqin dorë nga një informim i gabuar që janë duke e bërë nepër media për lexuesit, bizneset dhe qytetarët ose të gjithë tatimpaguesit e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Shumica jemi të njoftuar me ndryshimet në skemën tatimore që janë miratuar nga Qeveria në korrik të këtij viti (2008), e të cilat do të hyjnë në fuçi prej 1 janarit 2009. Më së shumti jemi njoftuar rreth rritjes së TVSH-së nga 15% në 16% që MEF-i dhe mediat vazhdimisht po e raportojnë se është rritje prej 1%. Për të mos e ngarkuar lexuesin me deklarimet e shumta dhe të njëjta zyrtare që nga koha kur Qeveria e miratoj rritjen e TVSH-së, po i referohemi vetëm njoftimit më të ri që z. Sakip Ymeri, zëvendës drejtor i ATK-së, e ka bërë në një intervistë dhënë gazetës Bota Sot të datës 16 nëntor 2008, faqe 8. Në editorialin e përgatitur nga gazetarët Besim Toska dhe Ismail Shabani, z. Ymeri në mes tjerash citohet të ketë deklaruar se ndryshimi esencial do të jetë tek norma e TVSH-së, e cila që nga 1 janari do jetë 16%, domëthënë nga 15% (sa është tani), kemi një rritje prej 1%. Nuk është hera e parë që Qeveria (MEF-i dhe ATK-ja) deklarojnë kështu. Vetëm ta përsërisim edhe një herë sa për t’iu bërë “bajat” lexuesve, se gjithmonë është fjala për rritje e TVSH-së. Ja argumenti i thjeshtë me matematikën e shkollës fillore se rritja e TVSH-së (edhe pse është e shprehur në përqindje) nga 15 në 16 ose për 1, është rritje prej 6,67%: 1/15 x 100 = 6,67.

 

Shembuj:

 

Nëse malli pa tatim kushton 100 euro dhe ju e bleni atë në shitore të rritur për normën e TVSH-së prej 15% ose me çmimin 115 euro, atëherë ju i paguani shitësit e ky ATK-së 15 euro në emër të TVSH-së. Prej 1 janarit 2009, për të njëjtin mall ju do të paguani: 100 euro çmimi fillestar+16% TVSH = 116 euro. Në vend të 15 eurove si TVSH sa keni paguar deri më tani, do të paguani 16 euro ose 1 euro më shumë, që do të thotë 6.67% më shumë.  

 

Nëse deri sot për një libër keni paguar 20 euro, plus 15% TVSH (ose 3 euro) = 23 euro, prej 1 janarit do të paguani: 20+16% TVSH (ose 3,20 euro) = 23,20 euro. Po që se krahasohet çmimi me TVSH i librit sot prej 23 euro me atë të vitit të ardhshëm 23.2 euro, atëherë rritja në çmimin e përgjithshëm do të jetë për 0.2 euro ose 20 cent. E shprehur në përqindje, kjo rritje në çmimin e përgjithshëm është: 0.2/23x100 = 0.87%, ose më pak se 1%. Kjo është rritja automatike në përqindje e çmimit të mallit posa të hyjë në fuçi rritja e normës së TVSH-së prej 15% në 16%. Dikush do të mendonte se kështu ka menduar edhe Qeveria, MEF-i, ATK-ja, mediat, bizneset dhe qytetarët. Ta përserisim edhe një herë: Qeveria ka miratuar rritjen e normës së TVSH-së, e jo ndonjë reformë të çmimeve. Qeverisë nuk i intereson lartësia e çmimit të mallit tuaj; asaj i intereson vetëm norma e TVSH-së në atë çmim, normë e cila do të rritet nga 15% në 16%. Po sa ishte kjo rritje kur zbatohet në shembullin e librit të përmendur më lartë? Në vend të 3 eurove si TVSH që ia paguani tani ATK-së, prej 1 janarit 2009 do t’i paguani 3,2 euro os 20 cent më shumë, e kjo i bie: 0,2/3x100 = 6.67%. Dallimi në mes të rritjes në TVSH prej 1% (bindje e gabuar e MEF-it dhe ATK-së) dhe 6.7% është vërtetë shumë i madh me ndikime të konsiderueshme në ekonomi dhe buxhetin e shtetin.

 

TVSH-ja është kontribuesi më i madh në strukturën e të hyrave buxhetore të shtetit. Supozojmë se ju si një biznes i madh do të investoni paisje dhe shitni produkte brenda gjashtë muajve në vlerë prej 400 milionë euro. Ende duke iu referuar deklarimeve të z. Ymeri në gazetën Bota Sot, Rregulloren e TVSH-së ai e cilëson si përparësi për investitorët në lëminë e prodhimit, të cilët kanë mundësi, që me një kërkesë në ATK duke prezentuar një plan të biznesit, një leje për zhvillimin e atij biznesi që të kërkojnë shtyerjen e pagesës së TVSH-së për gjashtë muaj. “Shumë biznese e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë, është ndoshta një lehtësim jo shumë i madh sepse ofron një shtyerje për gjashtë muaj, por krijon një periudhë kur bizneset mund të marrin frymë më lirisht dhe të zhvillojnë afarizmin e tyre, që të krijojnë të ardhura, pastaj TVSH-ja për ato paisje t’i paguhet buxhetit të Kosovës”, i kishte thënë z. Ymeri, numri dy i ATK-së, gazetës Bota Sot. Po supozojmë se të gjitha paisjet që investoni dhe produktet e prodhuara që i shitni, i nënshtrohen TVSH-së, sot në normën 15% e vitin e ardhshëm 16%. Pasi vlera e përgjithshme prej 400 milionë euro përbëhet nga shumë paisje dhe produkte që kanë çmime të ndryshme, po e marrim si një paisje dhe produkt të vetëm. Vlera e TVSH-së në normën prej 15% është: 15*400/100 = 60 milionë euro. Vitin e ardhshëm kjo vlerë e TVSH-së do të jetë: 16*400/100 = 64 milionë euro. Siç shihet, biznesi do të paguaj 4 milionë euro më shumë si rezultat i rritjes së normës së TVSH-së nga 15% në 16%. Në përqindje, biznesi do të paguaj më shumë, qoftë edhe pas gjashtë muajve, si vijon: 4/60*100 = 6.67%. Kaq më shumë do të paguaj biznesi, e kaq më shumë (6.7%) do t’i marr ATK-ja, e kurrsesi 1% më shumë.

 

Rritja e çmimit të përgjithshëm të mallit për 0.83% pas ngritjes së TVSH-së, mund ta detyroj biznesin t’i ngris çmimet (kjo varet shumë nga konkurrenca në treg) sepse ai (biznesi) do të paguaj 6.7% më shumë tatim për shtetin dhe këtë humbje të mjeteve afairste duhet kompenzuar me ngritjen e çmimeve (me çka ngarkohen konsumatorët) ose në forma tjera (rritjen e shitjes, zvoëglimin e shpenzimeve, etj). Alternativë tjetër për biznesin është që të kaloj pjesërisht ose tërësisht në sektorin informal që të bëhet më konkurrent. Kur jemi te sektori informal, detyrë e bizneseve është që të jenë në këtë sektor, ndërsa detyrë e ATK-së është që ato t’i ketë në sektorin formal ose të rregullt. Pjesëmarrja e sektorit informal në Kosovë është më e larta në Evropë. Mirëpo, duke e pasur parasysh “ekspertizën” e ATK-së, MEF-it, këshilltarët e tyre dhe disa punonjës vendas të kontraktuar dhe paguar nga USAID/Bearingpoint pa kurrfarë llogarie dhe përgjegjësie ndaj punës, atëherë mund të konstatohet se në Kosovë ka më shumë biznese të ndershme që paguajnë tatime, se sa që e meriton ATK-ja për t’ia paguar.

 

Problemin e ekspertizës dhe kapaciteteve të ATK-së e kishte theksuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në një raport të tij për Kosovën të përgaitur gjatë gjysmës së dytë të muajit prill 2008. Raporti i FMN-së që e kemi përmendur edhe më herët në një artikull me titullin Matematika ekonomike joracionale e OJQ-ve dhe e Qeverisë, i kishte dhënë disa vërejtje kritike ATK-së për efikasitet të pamjaftueshëm në shumë aspekte. Për të gjitha ato vërejtje rekomandimi ishte se përmirësimi duhet të filloj urgjentisht. Përndryshe, ndryshimet e propozuara dhe tani të miratuara në skemën tatimore, do të jenë fare pak të dobishme nëse efikasiteti i ATK-së nuk përmirësohet dukshëm, tërhoqi vërejtjen serioze raporti i FMN-së. Dhe çfarë përmirësimesh urgjente ndodhën prej asaj kohe e deri më sot kur kanë kaluar afër tetë muaj? ATK-ja e shtoj “efikasitetin” edhe në një drejtim tjetër – dezinformimin e tatimpaguesve rreth shumës së mjeteve që ata do ta paguajnë pas rritjes së normës së TVSH-së nga 15% në 16%.

 

Në përfundim, me të drejtë lind pyetja: Pse gjithë kjo bezdisje për një gabim teknik në llogaritje që ATK-ja vazhdimisht, me ose pa qëllim, ia shet mediave, bizneseve dhe popullsisë? Ka vetëm një përgjigje të thejshtë – TVSH-ja  është kontribuesi kryesor në strukturën e të hyrave buxhetore të Kosovës. Buxheti i shtetit, duke filluar nga mbledhja e mjeteve për mbushjen e tij, qeverisja e mirë apo e dobët, format e shfrytëzimit dhe shpenzimit të atyre mjeteve, deri diku identifikojnë edhe vet shtetin (stabil apo të brishtë).



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora