Mendime
Ali Caka: 28 vjet më parë
E merkure, 19.11.2008, 08:44 AM
28 vjet më parë
Nga Ali Caka
Skoci, viti 1980. Aberdinit, qytetit në verilindje të Skocisë, të quajtur edhe “Qyteti i Argjendtë” për shkak të ndërtesave të tija të ndërtuara nga graniti i bardhë, mëngjesi i kishte zbardhur me afishet e Zonjës së Hekurt. Afishet ishin vënë nga atdhetarët skocezë të cilëve u pengonte shfrytëzimi nga Londra. Zonja e Hekurt ishte paraqitur në afishe me dhëmbët e drakullës që pikonin gjak. 1980-ta ishte viti i gjetjeve të rezervave të mëdha të naftës në Detin e Veriut.
Dhe në gazetën ditore londineze, po të atij viti, ajo lavdërohej si zonjë shtëpie e cila përveç detyrimeve shtetërore të shtetit mbretëri, i cili ishte edhe temë e barsoletës së mbretit Faruk të Egjiptit i cili ishte pyetur nga një gazetar 28 vjet më parë për mendimin e tij lidhur me të ardhmen e mbretërve të botës, dhe në pyetjen e gazetarit se sa mbretër do të mbeteshin në botë, mbreti Faruk i Egjiptit kishte thënë se në botë do të mbesin pesë mbretër, dhe kur gazetari kureshtar kishte kërkuar emrat e mbretërve, mbreti Faruk i Egjiptit i kishte thënë “...do të mbesin katër mbretërit e letrave të bixhozit dhe mbretëresha e Anglisë...”, Zonja e Hekurt bënte me mjaft sukses edhe detyrën e amvisës, duke e blerë vet mishin për burrin e saj dhe duke i zier gjella të shijshme atij.
E sot pas 28 vjetësh, Zonja e Hekurt që ishte shpallur e ligë nga atdhetarët skocezë, e bashkëshorte e devotshme nga gazeta londineze, nuk përmendet. Por Mbretëresha jeton.
E unë mallkoj Flora Dosen për atë që i bën Mbretëreshës Teutë duke ia vënë Skamandrin në shtrat. Dhe ia marr inat.
Dhe miku im argjendar më tregon barsoletën e zonjës plakë që ajo ia kishte treguar në argjendari: “...bashkëshorti e kishte rrahur bashkëshorten për “gjellën e shijshme” që bashkëshortja ja kishte shërbyer. Dhe burri i kishte thënë gruas: Po ti moj ku e mësove këtë?...dhe i kishte dhënë dajak...”. Thonë se kjo ndodh vetëm në Ballkan. E Ballkani si duket gjithkund, edhe atje ku nuk ishte dashur të jetë.
E dëgjoj barsoletën dhe mendja më shkon tek qepësi i tirqve. Kur një fshatar kishte shkuar për të qepur një palë tirq, rrobaqepësi e pyet se çfarë i do, e fshatari i thotë i dua si të filanit. Kur rrobaqepësi i përfundon tirqit, e thërret fshatarin për t’i marrë. Fshatari i vesh por ndahet i pakënaqur duke i thënë rrobaqepësit se tirqit nuk ishin si të filanit. E rrobaqepësi i thotë janë të njëjtë por ti se ke ...... si filani për me të ra siç i rinë atij.
I lë tirqit, dhe më kujtohet tregimi i babit tim lidhur me lejlekët shtegtarë. “...një verë lejlekët e bën folenë mu aty ku e kishin bërë edhe të parët e tyre, u klloçitën dhe nxorën lejlekët e vegjël. Çdo ditë prindërit lejlekë shëtisnin kënetë më kënetë, dhe gjithë ditën në rrezik ia sillnin të vegjëlve ushqimin. Kur lejlekët e vegjël sqep verdhë u mbushën me pupla filluan të ankohen duke u thënë prindërve lejlekë se po i lënë vetëm tërë ditën e lum: “...Po na leni vetëm në majë të listit dhe fare nuk po çani kokën për ne...”. Prindërit lejlekë u thanë: “...Po ne për ju po ikim, se dikush duhet t’ua sjellë ushqimin. Bile edhe po rrezikojmë për këtë...”. Lejlekët e vegjël u bindën disi, por ankimin se lanë: “...Mirë, mirë, por s’paku folenë na ndërroni, nuk po e shihni se sa e pistë është bërë...”. E prindërit lejlekë u thanë: “...Foleja ka të bëjë me traditën, nuk mund ta ndërtojmë një të re. Kur të vini ju verën tjetër mund ta ndërtoni një të re...”. Ankesa e lejlekëve të vegjël ishte e pandërprerë, dhe prindërit lejlekë u thanë: “...Mirë, mirë, do ta prishim traditën, dhe do të ndërtojmë një fole të re, por ju a do të merrni me veti .... e njëjtë?...”
E unë them nuk mjafton të ndërrohet foleja për të hequr pisllëkun. Dhe nuk të mjafton të jesh në foto me dike e të bëhesh si ai apo ajo. Këtu nuk ndihmon as Kadare po edhe deshi. E nuk ndihmon as Flora Dosen po edhe rishkroi Iliren.
Nuk e di se a ishte karrigia e Indira Gandit në Oksford kur Margaret Thaçer u ul në njërën nga sallat e Oksfordit? Indira e kishte të lehtë, dhe edhe pa letrën Oxfordiane e bëri dëshirën realitet se kështu është atje ku ato vënë pikë në mes të ballit dhe trupin pështjellin me “sari”.