Editorial
Xhemal Ahmeti: Stabilizatorët e korrupsionit si normalitet
E diele, 03.01.2021, 06:21 PM
STABILIZATORËT E KORRUPSIONIT SI NORMALITET
Nga
Xhemal Ahmeti
Gazetari
dhe kritiku austriak Moses Saphir [1855] besonte se shumica e gazetarëve dhe
kritikëve të jenë si Kakadutë*: kur atyre u jep të hanë tërheqin kthetrat e kur
u jep të pinë mbyllin njerin sy [nga kënaqësia]. Kjo fjali është e shekullit
19. Pasi kjo formë e ushqimit reciprok politikë-media lulëzon gjithandej edhe dy
shekuj më vonë, lirisht mund ta shpallim thënien si universale dhe
transtemporale.
Papagajmbajtësi
është i detyruar në këtë ritual korruptimi jo vetëm për shkak të tradhtisë që
mund t'ia bëjë zogu i tij,duke përsëritur kontratat e tij me nëntokën, por edhe
për shkak të akustikës subversive e veshëgërvishtëse që shkakton një Kakadu i
urritur kur në horizont nuk e sheh ndonjë insekt, farë apo copë bananeje.
Gjersa
njeriu i korruptuar nuk është i detyruar ta mbajë një Kakadu dhe mund ta dëbojë
ose po qe kriminel ta helmojë atë, të korruptuarit shoqërive demokratike nuk
mund ta bëjnë të njejtën [situata ndryshon tek Putini dhe dostat e tij]: t'i
përzënë apo përheshtin gazetarët dhe kritikët. E kanë vetëm një mundësi: t'i
ushqejnë** ata dhe t’i improvizojnë si miq ose si zagarë që u asistojnë në
gjah! Tjetër mundësi s'kanë.
Këta,
në këtë status ekzistence ç'bëjnë? Bëjnë atë që shkruan Nietzsche tek «La gaya scienza» [1882]: «Sapo shfaqet
korrupsioni pushtetin e merr një larmi bestytnish dhe i gjithë besimi i një
populli është i paaftë përballë tyre (...)». Po ia hoqëm kodet religjioze
[Nietzsche ishte bir prifti] konstatimit dhe përkthejmë atë brenda temës sonë,
fjalia duket kështu: Për të maskuar sa më efektshëm veprimtarinë e tyre faktike
të korruptuarit kanë nevojë për rrëfime «postfaktike», të llojit që spostojnë
vëmendjen e masave nga njëri tek tjetri shpat. Tri shembuj ilustrativ: 1.
Ndërmarrjet shqiptare cofin nga mungesa e asistencës së shtetit në kohë
pandemie dhe ekonomia e vendit gjendet para kolapsit, mediat prodhojnë yjet e
bëmirësisë për botën tjetër 2. Institucionet e arsimit janë për toke, mediat
ulurinë që tu jepen viza analfabetëve funksionalë që ta përdhosin Europën dhe
3. Vrasjet makabre ndodhin në mënyrë serike, mediat garojnë se cila prej tyre
do ta botojë postimin e ndonjë mediokri kërcënues të estradës, shou-portaleve
parapolitike apo cila prej tyre do t'i
vitrinizojë cicat paraplasëse të ndonjë mediokreje që veten redukton në dy
ballona prej silikoni.
Kjo
industri e irritimit dhe mashtrimit të mentaliteteve ndodh aq «normale» dhe si
në vaj saqë shumëkush mund të mendoj se është një strategji e «kapitalizmit, i
cili nëpërmjet iluminizmit të rrejshëm skllavëron masat» [huazuam këtu gjuhën
iluminopate të Shkollës së Frankfurtit]. Nuk është ashtu. Dhe kjo është e
frikëshmja. Nuk është strategji [ngase kërkon projekte që mediat shqiptare
s'dinë t’i sajojnë], por ndodh me automatizëm. Është bërë habitusi normal i çdo
medie dhe institucioni të vendit: asistimi i korrupsionit [(i)material] si mjeti
më adekuat i mbijetimit.
Si
njëri që një pjesë modeste të jetës e ka kaluar edhe redaksive e gazetave
shqiptare megjithatë mund ta paralajmëroj një dritë në fund të tunelit: plotë
nga mediabërësit janë të vetëdijshëm për statusin që kanë dhe veprimtarinë që
bëjnë. Prandaj edhe ndoshta duken kaq arrogantë kur moralizojnë agorat. [2021/3
*[lloj
papagai me frizurën tufë dhe kthetërmajtë]
**
Kur flasin për korrupsionin nuk e reduktojë atë në pare, valutë por e mendoj
gjithmonë më gjërë.
____________
PËLQIMET E TË
POSHTËRUARIT
Absolutisht
nuk e kuptoj vetënënçmimin e një të rrituri.
Më dhimben. Ndoshta për këtë arsye më shumë tundi trutë se të shtrrngojë
dhëmbët. Bëjuni një vizitë profileve të politikanëve do të kuptoni për çka e
kam fjalën. Mijëra like dhe qindra komente, asnjë reagim nga snobi - deputeti i
popullit apo gjeneruesi i kapitalit nëpërmjet reagimeve të turmave.
Politikani
ekziston në sajë të anëtarësisë, ithtarëve dhe mbështetësve të tij. Këtu s'ka
asgjë për të kritikuar. Pa turma s'ka parti. Njeriu për ta fshehur veten nga
turpërimi i shpeshtë ka shpikur kolektivin: partinë, organizatën, grupin e të
ngjajshme. Edhe në demokracitë e plebisciteve publike gjatë votimit shiheshin
vetëm gishta e jo fytyra. Facebooku e jep sërish këtë mundësi: klik-un, like-n
dhe askush nuk hap listën që të shohë se sa budallenj ia pëlqejnë postimin
mediokër këtij apo atij politikani. Çka nuk kuptoj janë komentet ndër këto
postime: «je gjeni«, «ty t'ka bë Zoti kryeministër», «oh sa e mrrekullueshme,
sa i bukur që je» e të llojit. Dhe politikani nazelartë as që ka kohë t’ua
kthejë me një like, për tu bërë me dije se e di që ekzistojnë, se e ka
regjistruar përuljen e tij prej zvarraniku që ia bën «amin» edhe në postime
idiotësh. Pse e nënçmoni veten kaq ultë kur nateditë thoni se shumica e
politikanëve janë të korruptuar dhe të padenjë për t’u përfaqësuar? Vetëm se
fekaliave personale u vjen era ndryshe nga ato të tjerëve? Dakord që njeriu
komenton se nuk pajtohet me diçka apo se mbështet diçka por kur e sheh se zombi
apo administratori i tij nuk të përfill pse bëhesh bakterie e dinjitetit tënd?