Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Frank Shkreli - Gjergj Fishta dhe komunizmi
E marte, 22.12.2020, 12:36 PM
Nga
Fritz RADOVANI
Kujtoj…Sot, mbas 30
vjetësh:
Dy
epoka...
Frank
Shkreli
“Gjergj
Fishta dhe komunizmi”…
At
Gjergj Fishta, françeskani, edukuesi, poeti, politikani, rilindësi, përkthyesi
dhe shkrimtari i Kombit Shqiptar ka lindur, më 23 Tetor, 1871 dhe ka vdekur në
moshën 69-vjeçare, më 30 Dhjetor, 1940. Ata që e admirojnë, e konsiderojnë
Fishtën si Poeti i Kombit dhe njëri prej shkrimtarëve shqiptarë më me influencë
i të gjitha kohërave.
Në
këtë përvjetor të lindjes dhe pothuaj 80-vjet pas vdekjes, detyrohem të pyes
veten, se pse Fishta edhe sot, 30-vjet pas shembjes së komunizmit, mbetet ende
i padëshiruar dhe i lënë pasdore nga politika zyrtare nga kultura, shkenca dhe
akademia – mbetet armik dhe reaksionar, ashtu siç konsiderohej nga komunizmi,
megjithëse ai nuk jetoi as nuk veproi asnjë ditë nën atë regjim. Duke lexuar
disa gazeta të hershme të komunitetit shqiptaro-amerikan ditë më parë, ndesha
në një shkrim të Profesorit Arshi Pipa, titulluar pikërisht, “Fishta dhe
Komunizmi”, botuar në gazetën “Shqiptari i Lirë”, organ i Komitetit “Shqipnia e
Lirë”, më 31 janar, 1961 në Nju Jork. Në atë artikull, Profesor Pipa e shpjegon
shumë mirë politikën komuniste ndaj At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij,
gjurmët e së cilës trashëgimi politike anti-kombëtare, fatkeqësisht, i shohim
edhe sot në fushën e letërsisë dhe në lëmin e kulturës shqiptare në
përgjithësi. Ishte një freski pjesëmarrja e Presidentit Ilir Meta në Kuvendin
Folklorik Kombëtar, organizuar ditët e fundit në Lezhë, në nder të kolosit të
letrave shqipe, At Gjergj Fishtës.
“Edhe
pse i përkushtuar ndaj një besimi, misioni i tij fisnik, që na la trashëgimi
dhe prej të cilës ne frymëzohemi edhe sot, ishte Shqiptaria, heroi dhe
misionari i kombit, që duhet të ndërmarrë impenjime shoqërore konkrete” është
shprehur Presidenti i Shqipërisë. Shpresojmë që fjalët e Z. Meta të jenë një
frymë e re e kohës, një hap “zyrtar” simbolik ky sado i vogël, drejt
rivendosjes së këtij burri të madh të Kombit në vendin që i takon në historinë
e Shqipërisë dhe të shqiptarëve – një vend që i është mohuar atij me pa të
drejtë.
Por
le t’i kthehemi artikullit të ndjerit Profesor Arshi Pipa, “Fishta dhe
Komunizmi”. Në artikullin e tij të gjatë mbi këtë çështje, Profesor Pipa, edhe
vetë ai një ndër autorët shqiptarë të ndaluar nga regjimi komunist dhe që ka
kaluar 10 vjet në burgjet dhe kampet e punës së detyruar – shkruan se dy tre vitet
e para të sundimit komunist, Fishta ende nuk konsiderohej si një subjekt
“tabu”. Por, megjithëkëtë shkruan ai, qysh në fillim, shihej se nga frynte era.
Nëpërmjet
“qarkoresh, këshillash, qortimesh e porosishë, mësuesve të gjuhës dhe
letërsisë”, u ishte dhënë urdhri që të vinin në dukje anën “reaksionare”, jo
vetëm të Gjergj Fishtës, por edhe të Faik Konicës. Kështu filloi
dalëngadalë të “përgatitej terreni”,
sipas Profesor Arshi Pipës, për eliminimin e Fishtës dhe të veprave të tij.
Arshi
Pipa shkruan nga përvoja personale, bazuar në ato që kishte parë e dëgjuar, mbi
përpjekjet fillestare të regjimit komunist për të eliminuar Fishtën nga
letërsia dhe historia e Shqipërisë, pasi ai thotë se n’ atë kohë, ishte vetë
mësues i letërsisë në “Institutin Femnuer të Tiranës” dhe pjesëmarrës në
mbledhjen e arsimtarëve të shkollave të mesme të Tiranës, mbledhje e thirrur
nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit të asaj kohe, Shemsi
Totozani. Kjo mbledhje që kishte një karakter krejtësisht politik, ka shkruar
Arshi Pipa, ishte thirrur me qëllim për t’u imponuar mësuesve dhe arsimtarëve
pikëpamjet marksiste leniniste të pedagogjisë sovjetike, sidomos për lëndët si
letërsia, filozofia dhe historia. Ishte kjo mbledhje, shton ai, ku u bë thirrje
haptas që Gjergj Fishta dhe Faik Konica të shpalleshin “reaksionarë” dhe të
hiqeshin nga mësimi në shkollat shqiptare. Në mbështetje të Totozanit doli
Qibrie Ciu, në atë kohë Drejtoreshë e “Institutit Femnuer”, kujton Profesor
Pipa, e cila “u vërsul ashpër kundër Fishtës, duke e quajtur atë; oportunist,
reaksionar me damkë e deri tradhtar.”
Është
interesant fakti se, sipas Profesor Pipës, kundër pikëpamjeve ekstreme të
Totozanit dhe shokëve të tij kundër Fishtës, doli Ministri i atëhershëm i
Kulturës, Sejfullah Malëshova. Sa ishte Malëshova në atë detyrë, thotë autori,
Fishta dhe Konica u kursyen, por shton se me rrëzimin e Malëshovës pak më vonë,
“Fishta u fshi nga defteri”.
Kjo
ndodhi, sipas Profesor Arshi Pipës, “Në një kohë kur Shqipëria po rrëshqiste
ndër krahët e Jugosllavisë, për t’u bërë republikë e shtatë e saj dhe udhëheqja
komuniste shqiptare nën diktatin e Beogradit nuk mund t’ia falte Gjergj Fishtës
shprehjet e tij kundër Jugosllavisë.” Si përfundim, thekson Pipa në artikullin
e tij, botuar në gazetën e Nju Jorkut, “Shqiptari i Lirë”, në vitin 1961, “Me
eliminimin e fraksionit nacionalist brenda partisë, të kryesuar nga Malëshova
dhe Dishnica dhe më vonë nga fraksioni autonomist Nako Spirua – të tre këta
kundërshtarë të politikës pro-jugosllave – triumfoi vija ekstremiste e çiftit
Hoxha-Xoxe, të cilët për arsyet e tyre personale dhe partizane ishin gati të
sakrifikonin interesat dhe vlerat kombëtare”, ka shkruar Arshi Pipa.
Ai
shton se “Fishta u sakrifikua pikërisht si përfaqësuesi i madhor i vlerave
kombëtare”.
Profesor
Pipa është shprehur, se ajo që e dallon patriotizmin e At Gjergj Fishtës nga të
tjerët është, “karakteri militant, luftarak, i patriotizmit” të tij. Të tjerët,
sipas Arshi Pipës, më shumë kanë mbrojtur, ndërsa Fishta ka mbrojtur dhe ka
sulmuar. “Ai ka sulmuar të gjithë ata, persona ose shtete të vogla, ose fuqi të
mëdha, të Lindjes e të Perëndimit, të Krishtit ose të Muhametit, që kanë synuar
robërimin, pushtimin, copëtimin e Shqipërisë. Ata që kanë cenuar tagrin e
popullit shqiptar, ata që kanë fyer dinjitetin dhe krenarinë kombëtare”, ka
shkruar Profesor Arshi Pipa për patriotizmin e Fishtës.
Sipas
tij, është e vërtetë se Fishta ishte më i ashpër me sllavët, por kjo duhet të
gjykohet bazuar në rrethanat nën të cilat ka jetuar dhe vepruar Fishta. “Fishta
nga një katund i Fushës së Shkodrës, u bë meshtar katolik dhe kishte ra në
dashuri me malet e Mbishkodrës. Kur të jenë peshuar mirë këto tre elemente”,
shkruan Pipa, “do të matet vlera shoqërore e veprës së Fishtës. “Lënda e
“Lahutës së Malëcis”, vepra madhore e Fishtës, është një himn i gjatë i jetës
së malësorëve të Veriut. Jeta e këtyre fiseve malësore, kufitare me sllavët”,
ka theksuar Profesor Pipa në artikullin e tij, “ka qenë një luftë e pandërprerë
për ruajtjen e tyre etnike nga presioni sllav. Përfundimi është një epikë
dramatike, një furi që shpërthen mbi armikun dhe armiku qëllon të jetë sllavi,
armik tradicional i malësorit të Veriut”, thotë Pipa.
Pipa
shkruan se komunizmi e ka paraqitur Fishtën si një fanatik fetar, si shovinist
të tërbuar antisllav që urren kombet e tjera, si reaksionar i tipit
kleriko-borgjez. Por a “Është Fishta shovinist, sepse mbron tokën shqiptare dhe
sulmon ata që e sulmojnë Shqipërinë?” pyet Pipa. Profesor Pipa e cilëson
interpretimin komunist të Fishtës si një qëndrim “arbitrar që nuk i qëndron
kritikës objektive” dhe thekson: “At Gjergj Fishta u rrëzua nga piedestali ku e
kishte vendosur populli shqiptar, në kohën kur regjimi komunist i Enver Hoxhës
varej nga jugosllavët” dhe ka vazhduar ashtu, bazuar në “logjikën
revolucionare”, sipas Profesorit.
-Fishta
i përkiste urdhrit françeskan, një pjesë e madhe të cilëve janë vrarë nga
regjimi enverist, një pjesë kanë vdekur nëpër burgjet komuniste të Shqipërisë,
shkruan Pipa.
Fishta,
si përfaqësuesi më i njohur i françeskanëve nuk mund të lihej pa prekur,
thekson ai.
-Sipas
tij, një arsye tjetër sepse At Gjergj Fishta dhe vepra e tij ishte ndaluar nga
regjimi komunist, kishte të bënte me “rendin ideologjik botëror” të asaj kohe.
“Binomi i famshëm i Fishtës ‘Atme e Fe”, ishte krejtësisht i papranueshëm për
komunistët”, ka arsyetuar Arshi Pipa.
-Dhe
arsyeja e tretë, sipas Profesor Pipës, ishte thjesht çështje inati. “Fishta nuk
e ka pasur veç me sllavët e jugut, kufitarë me Shqipërinë, por me vetë Rusinë”,
nënën e sllavëve të jugut.
Për
Fishtën, “shkjetë e Ballkanit” janë klyshtë e Rusisë”. Rusia atëherë dhe sot
mbronte interesat e sllavëve të Ballkanit në dëm të shqiptarëve, por për
komunistët shqiptarë, mjafton që Fishta e kishte futur Rusinë në një thes me
fuqitë e tjera “imperialiste” dhe kjo sipas Profesor Pipës, mjaftonte që
regjimi komunist i Enver Hoxhës ta fuste At Gjergj Fishtën dhe veprat e tij në
listën e zezë. Pipa kujton se në fakt, Fishta nuk ka kursyer as fuqitë e tjera
të mëdha të kohës, që vepronin kundër interesave të Kombit shqiptar, përfshirë
Italinë, të cilën e sulmon keq në “Anzat e Parnasit”. Ai e quan Evropën, “kurva
e motit”, shënon Pipa dhe shton se këto janë fakte historike që dihen
botërisht. Fliste mirë për Austrinë, se në atë kohë Vjena ka mbështetur
Shqipërinë, shton Arshi Pipa.
Kjo
është një përmbledhje e shkurtër e artikullit të shkruar nga Profesor Arshi
Pipa në gazetën shqiptaro-amerikane “Shqiptari i Lirë”, organ i Komitetit
Shqipëria e Lirë, me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së Poetit Kombëtar. Ishte
një shkrim retrospektiv mbi fatin e keq të Fishtës nën regjimin komunist të
Shqipërisë, ndërsa autori e përfundon artikullin me pyetjen: “A do të mbetet
Fishta përgjithmonë armiku numër një?” Ai shprehet optimist duke thënë: “Jo
përgjithmonë”. Ai shpreson një ndryshim zyrtar ndaj At Gjergj Fishtës dhe
veprës së tij, që sipas Arshi Pipës, do të ndodhë kur “komunizmi të ndërroj
qime”.
Profesor
Arshi Pipa do të habitej shumë po të jetonte sot se, megjithëse komunizmi në
Shqipëri mund të ketë “ndërruar qime” me shembjen e Murit të Berlinit, Fishta
mbetet ende, me shumë autorë të tjerë shqiptarë të ndaluar nga komunizmi, i pa
pranuar zyrtarisht.
Ndonëse
shumë gjëra mund të kenë ndryshuar në Atdheun e të parëve tonë në periudhën
“post-komuniste”, pothuaj asgjë nuk ka ndryshuar në lidhje me Fishtën.
Natyrisht, se veprat e tij botohen dhe lexohen, por At Gjergj Fishta,
zyrtarisht, edhe sot 30-vjet post-komunizëm – “mbetet i zhdukur nga pasuria
kulturore” dhe nga historia e Kombit Shqiptar.
Udhëheqja
shqiptare komuniste nuk mund t’ia falte Fishtës shprehjet kundër sllavëve të
jugut dhe Rusisë.
Po
çfarë mund të themi për neo-jugosllavët e Tiranës sot?!
A
vazhdojnë të besojnë ata në “logjikën revolucionare”, në mënyrën se si
trajtohet sot zyrtarisht At Gjergj Fishta në Shqipëri?
“Ujku
qimen e ndërron, por vesin jo”, thotë populli!
Fishta
ishte i neverituri i stalinizmit shqiptar. Zyrtarisht, At Gjergj Fishta mbetet
ende “reaksionar” dhe “armik i popullit”.
Deri
kur?..
STOP
URREJTJES! Bëjuni mjet i paqes dhe i pajtimit!
24 Tetor 2020.
Shenim F.Radovani: Botohet pa asnjë ndryshim nga origjinali.
Falnderojmë Autorin!
Melbourne, 28 Nandor 2020.