Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Ad Multos Annos, Don Pjetër Popaj
E marte, 01.12.2020, 08:55 PM
Nga historia e komunitetit shqiptaro-amerikan:
AD MULTOS ANNOS, DON
PJETËR POPAJ
Me
rastin e 35-Vjetorit të Meshës së Parë në Nju Jork
Nga
Frank Shkreli
Ishte Nëntori i
vitit 1985, kur Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Këshillit të Mirë”, me qendër
në Nju Jork, lajmëronte me një njoftim të posaçëm, komunitetin
shqiptaro-amerikan të asaj kohe për shugurimin e priftit të ri katolik
shqiptaro-amerikan, Don Pjetër Popaj, nga Kardinali i Nju Jorkut, John
O’Connor, në Katedralën e madhe të Shën Patrikut në Manhatan me 16 Nëntor,
1985. Në këtë ceremoni morën jesë qindra shqiptaro-amerikanë.
Komuniteti
shqiptar në Amerikë, pa dallim, ftohej gjithashtu të merrte pjesë me 24 Nëntor,
1985 edhe në ceremoninë fetare kur meshtari i ri dhe i pari prift katolik
shqiptaro-amerikan, Don Pjetër Popaj, do të kremtonte Meshën e parë në Kishën e
lartëpërmendur. Njoftohej gjithashtu
mbarë komuniteti, se përveç ceremonisë fetare për të shënuar atë ditë të
rëndësishme në jetën e Don Pjetrit, të
Kishës katolike shqiptare në Amerikë dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan në
përgjithësi – me këtë rast, do shtrohej edhe një darkë madhështore në Imperial Manor
-- njërin prej lokaleve më të njohura të shtetit fqinj, Nju Xhersi, një darkë
që u kryesua nga aktivisti i njohur për shumë dekada i komunitetit
shqiptaro-amerikan, Z. Tonin Mirakaj –një darkë që ende kujtohet si ndër më të
dalluarat e komunitetit, me një pjesëmarrje prej më shumë se 1000-bashkatdhetarëve,
përfaqësues të tri feve kryesore të shqiptarëve në Amerikë.
Ndër këta
pjesëmarrës kisha nderin të isha edhe unë i pranishëm në këtë ceremoni
historike – i ardhur enkas nga Washingtoni – për të festuar së bashku me shumë
shqiptarë të ardhur nga shumë vende të Amerikës, por edhe nga Evropa dhe
Kanadaja. Ishte një ditë që do të mbetet për një kohë të gjatë në kujtesën e
shumë shqiptaro-amerikanëve dhe kjo është pikërisht edhe arsyeja që sot po e
kujtojmë si një ngjarje, ndër më të dalluarat e komuntetit tonë këtu në Shtetet
e Bashkuara, për nga pjesëmarrja dhe për nga rëndësia historike e vet ngjarjes
– e që u përshëndet edhe nga i pari i shtetit të Nju Jork-ut, ish-governatori
Mario Cuomo, i cili kishte bërë një deklaratë të veçantë me këtë rast.
Në një shkrim të
ditëve të fundit për gazetën Illyria në Nju Jork, kryetari i asaj darke, 35 vjetë më parë, Z. Tonin Mirakaj kujton se
në darkën e cilësuar si “Darkë Gazmore” në “Imperial Manor”, në Paramus, Nju
Xhersi, me një pjesemarrje të më shumë se 1000-personave, që në mes tyre
dalloheshin, Mons. J.Dougherty, udhëheqës Episcopal i Bronxit, Mons. Simon
Filipaj, i ardhur enkas nga Ulqini, priftërinjt shqiptarë në Amerikë, Mons. Zef
Oroshi, Don Prenk Ndrevashaj, At Andrea Nargaj, Don Lazer Sheldia, Don Rrok
Mirdita e të tjerë klerikë amerikanë vendas. I ftuar nga Z. Mirakaj për të
marrë pjesë në darkën madhështore të shqiptarëve, ishte edhe Guvernatori i
atëhershëm i Shtetit të New York-ut, i ndjeri Mario Cuomo, por në pamundësi të
merrte pjesë, Krye-ekzekutivi i shtetit Nju Jork, pat lëshuar me atë rast, një
Deklaratë të posaçme duke thekësuar dhe duke përshëndetur Dom Pjetër Popaj si
të parin shqiptar, i shuguruar prift katolik në New York, për të cilin u shpreh
se, Don Pjetër Popaj “ka sjellur krenari dhe gëzim në radhët e komunitetit
katolik shqiptar në Nju Jork.” Këte
deklaratë e lexoi ndihmësi i Governatorit Cuomo për Marrëdhënie Etnike, z. John
Nikas.
Z. Tonin Mirakaj, Kryetari i Këshillit të Kishës “Zoja e Këshllit të Mirë”
dhe drejtuesi i darkës duke hapur ceremoninë e darkës dhe duke përshëndetur të
pranishmit në shqip dhe anglisht.
“Vlen të shënohet
se kjo darkë madhështore kaloi në një atmosferë jashtëzakonisht vëllazërore dhe
shoqërore”, do të shkruante Gjekë Gjonlekaj, në një kronikë për gazetën Dielli,
duke i akorduar meritat për suksesin e kësaj ngjarjeje me rëndësi për
komunitetin edhe sot e 35-vjetë më parë -- komisionit përgatitës të kryesuar
nga Don Rrok Mirdita më vonë i emëruar nga Vatikani si Kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit,
tani i ndjerë -- dhe Z. Tonin Mirakaj i cili jeton në Nju
Jork, gjithnjë aktiv në komunitet -- ndonëse, aktualisht, në pension.
Shugurimi i Don
Pjetër Popaj, 35-vjet më parë, ishte një ngjarje me rëndësi për të dhe për
familjen e tij, por ishte gjithashtu një rast krenarie për ta dhe për mbarë
komunitetin shqiptaro-amerikan, atëherë dhe sot, sidomos kur reflektojmë
sot, mbi veprimtarinë e këtij prifti të
dalluar shqiptar, jo vetëm në fushën fetare, por edhe si udhëheqës në fushën
kulturore dhe patriotike të komunitetit shqiptaro-amerikan. Nën drejtimin e Don
Pjetrit, famullitarit të Kishës “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, ai vet dhe
qendra, “Nëne Tereza” pranë kësaj kishe, i ka gjithmonë dyertë e hapura për të
gjithë komunitetin pa dallim feje a krahine.
Gjatë 35 viteve të kaluara, si udhëheqës i Kishës Katolike Shqiptare në
Nju Jork, Don Pjetri ka inkurajuar dialogun vëllazëror dhe bashkpunim me të
gjitha grupet e komunitetit, për të mirën edhe zhvillimit të vlerave të
përbashkëta morale e kombëtare të shqiptarëve, pa dallim feje e krahine,
përfshir edhe bashkpunimin dhe respektin për njëri tjetrin midis përfaqësuesve
të feve të tjera.
Dom Pjetri, është
një pasardhës i denjë, si famullitar në
Kishën Zoja e Shkodrës në New York — i Monsinjor Zef Oroshit dhe
ish-Arkipeshkvit Tiranë-Durrës, të ndjerit Rrok Mirdita — famulli kjo që siç
dihet tani --kishte mbrenda praninë e të Madhit Zot -- i cili gjatë një
periudhe kur dukej se katolicizmi shqiptar po zhdukej nga regjimi komunist
në Shqipëri – në të vërtetë, po mbillte një farë të re rritjeje e lulëzimi, që
është sot Kisha Katolike në Shqipërinë post-komuniste, me të gjitha
veprimtaritë e saja, në të mirë të besimtarëve dhe të Kombit shqiptar.
Këtu në Amerikë,
me veprimtarinë e tij të palodhëshme, Don Pjetër Popaj ka bërë të mundur
rrjeshtimin e denjë të kombit shqiptar në radhën e grupeve të kombeve te
tjera këtu në Amerikë, duke berë të mundur dhe duke orgnaizuar dhe inkurajuar
pjesemarrjen e komunitetit shqiptaro-amerikan në evenimente, parada e shfaqje
kulturore e muzikore që organizohen në New York — duke shpalosur kështu
pasurinë tonë kulturore, kombëtare e folklorike, para popullit amerikan dhe
para botës.
Me veprimtaritë e
Kishës “Zoja e Shkodrës”, ne New York dhe me jehonën e fjalës se tij, Dom
Pjetri ka nderuar gjithëkund dhe gjithëherë Kishën Katolike Shqiptare, por në
të njejtën kohë ai ka promovuar edhe virtytet dhe emrin e mirë të Kombit
shqiptar. Don Pjetri, për nga arritjet e tija në shumë fushë, me krenari,
rreshtohet në listën e gjatë te klerikëve katolikë shqiptarë të cilët në trojet
tona në Ballkanin Perëndimor dhe në diasporë, kanë qenë shtylla të rendësishme
të ajkës se patriotizmit dhe ndërtimit e zhvillimit të kulturës dhe gjuhës
shqipe. Dom Pjetri këte vazhdon ta bejë cdo ditë, — ndër të tjera
aktivitete— edhe me botimin e vazhdueshëm të revistës Jeta Katolike, si dhe me
organizim simpoziumesh, konferencash, e akademishë, në përkujtim të
personaliteteve me të dalluar të historisë kombëtare.
E falenderojmë të
Madhin Zot dhe “Zojën e Shkodres”, Zojën e Këshillit të Mirë, që veprimtaria
fetare e kombetare e Don Pjetrit dhe atyre që bashkpunojnë me të, të vazhdojë
të jetë ashtu si nëtë kaluarën, tani dhe gjithmonë, në dobi të përparimit
shpirtëror, kombëtar e kulturor të komunitetit shqiptar këtu në Amerikë
due më gjërë. Urojmë në këtë përvjetor
që ai të vazhdojë të jetë një trashëgimi e pavdekëshme e historisë sonë këtu në
Amerikë dhe një kujtim i martirëve të shumtë të klerit katolik shqiptar, të
cilët me dashuri të pamasë dhe me vendosmëri të patundur, ia kushtuan
jetën e veprën predikimit të Fjalës së të Madhit Zot, në rrethana shpesh shumë
të vështira, ndërkohë që ata i dedikuan dijen, pendën dhe jetën e
tyre, ngritjes së Kombit shqiptar.
Në rastin e
35-vjetorit të shugurimit tuaj si meshtar, e kemi gojën plot me falënderime (në
këtë ditë të Falënderimeve në Shtetet e Bashkuara) duke të uruar: Ad Multos
Annos i nderuar Don Pjetër, në shërbim të Kishës dhe të Kombit.
*Fotot e
bashkangjitura janë furnizuar nga Z. Tonin Mirakaj
Tavolina e nderit në darkën madhështore 35 vjetë më parë me rastin e
shusgrimit meshtra të Don Pjetër Popaj. Në këmbë nga e majta: Don Prënk
Ndrevashaj,Don Lazër Shëldia, Don Simon Filipaj, Prof. John Cardino, Don Mark
Sopi, patër Andrea Nargaj, Frank Shkreli, Kryetari i darkës, Tonin Mirakaj,
Diakoni Gjeto Bajraktari, Dodë Gega dhe Don rrok Mirdita –ulur nga e majt: Mons
Zef Oroshi, Motra Bernardina Gazivoda. Lina Popaj dhe Ndoc Popaj, prindërit e
Don Pjetrit, Don Pjetri dhe disa klerikë amerikanë.
Don Pjetër Popaj ulur midis babait Ndoc dhe nënës Lina Popaj gjatë darkës
me rastin e shugurimit të tij, 24 Nëntor, 1985. Si ]ç duket në fotografi të
asaj nate, Kryetari i darkës, Z. Tonin Mirakaj buçonte nga gëzimi me këtë rast.
Argëtimin e darkës e benë dy orkestra, njëra shqiptare dhe tjetra
amerikane, si edhe grupi i kercimtarëve “Rozafati”, i Kishës Katolike
Shqiptare, udhhequr nga Miljana Mirakaj, antarët e të cilës ishin të veshur me
kostume kombëtare dhe përformuan këngë dhe valle nga të gjitha trojet
shqiptare.