Mendime
Bardhyl Mahmuti: Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, propaganda serbe dhe aktakuzat kundër UÇK-së
E marte, 17.11.2020, 10:26 AM
I. LUFTA E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS, PROPAGANDA SERBE DHE AKTAKUZAT KUNDËR UÇK-SË
Nga
Bardhyl Mahmuti
Kushdo
që ka përcjellë zhvillimet e procesit të shpërbërjes së Federatës Jugosllave
dhe luftërave që ndodhën gjatë këtij procesi e di fare mirë se gjatë luftërave
dhe pas përfundimit të tyre u vranë civilë. Rreth këtij fakti ka një konsensus
të përgjithshëm. Divergjencat fillojnë kur kërkohet të dihet se kush i kreu
vrasjet e tyre. Pikërisht në funksion të fshehjes së përgjegjësisë së vet për
vrasjen e civilëve në Kosovë, gjatë gjithë luftës dhe pas përfundimit të saj,
Serbia zbatoi strategjinë e njollosjes së luftës së UÇK-së duke u përpjekur ta
bënte fajtore për krimet që i kishin kryer forcat serbe, dhe në këtë mënyrë të
fshihte gjurmët e gjenocidit në Kosovë.
Fillimisht
po përmend faktin se në funksion të strategjisë së prezantimit të shtrembëruar
të aspiratave çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, Sigurimi Shtetëror i
Serbisë përgatiti materialin e titulluar “Bela knjiga: Terorizam Albanskog
separatizma na Kosovo i Metohiji” (“Libri i bardhë: Terrorizmi i sepa¬ratistëve
shqiptarë në Kosovë dhe në Dukagjin), i publikuar në emër të Ministrisë së
Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, në Beograd, shtator 1998.
Ky
libër u botua i përkthyer edhe në gjuhën angleze dhe në gjuhën frënge, dhe kjo
ministri ua shpërndau falas institucioneve me peshë në marrëdhëniet
ndërkombëtare, institucioneve shtetërore të shteteve anëtare të OKB-së, mediave
ndërkombëtare, bibliotekave universitare dhe personaliteteve me peshë në fusha
të ndryshme intelektuale.
Variante
të plotësuara të këtij “Libri të bardhë” u ribotua nga regjimi i Milo¬sheviqit
në janar të vitit 1999 me titull:
“Zlo?in albanskih terorista” (Krimet e terroristëve shqiptar) dhe në mars të
vitit 2000 u botua varianti anglisht i titulluar “Terrorist acts of Albanian
terrorist groups in Kosovo and Metohija: documents and evidence 1 January 1998
- 10 June 1999” (Aktet terroriste të grupeve terroriste shqiptare në Kosovë dhe
Dukagjin).
Pas
përmbysjes së Sllobodan Millosheviqit nga pushteti, qeveria e re e Beogradit
vazhdoi me të njëjtën propagandë. Në nëntor të vitit 2001, u botua dhe u
shpërnda varianti i ri i propagandës së vjetër:
“Žrtve albanskog terorizma na Kosovu i Metohiji (Ubijena, oteta i
nestala lica, januar 1998 - novembar 2001” [Viktimat e terrorizmit shqiptar në
Kosovë dhe Dukagjin (personat e vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur, janar
1998-nëntor 2001)].
Sipas
pohimeve publike të funksionarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të
Serbisë, Vladimir Bozhoviq, “me qëllim të përgatitjes dhe të sigurimit të
dëshmive materiale kundër UÇK-së, ai ishte takuar disa herë me Prokuroren e
Përgjithshme të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, Carla Del
Ponten dhe me Clint Williamsonin, i cili ishte shef i Departa¬mentit të
drejtësisë dhe të drejtave të njeriut të UNMIK-ut në periudhën 2001-2002,
(Gjatë periudhës 1994-2001 Clint Williamson ka punuar si prokuror në Gjykatën
Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi) dhe u kishte dhënë këtë libër dhe
dosjet me mbi 27 mijë faqe”. [Gazeta Politika, Biljana Bakovi?, Za trgovinu
organima Beograd saznao pre devet godina, (Për tregtinë me organe Beogradi ka
qenë në dijeni para nëntë vitesh), 02.01.2011], dhe Biljana Radomiroviq, Obmane
Del Ponteove (Mashtrimet e Del Pontes).
Nën
ndikimin e këtyre dosjeve të sajuara nga Shërbimi Sekret i Jugosllavisë, Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Penale
Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ngriti aktakuza kundër Fatmir Limajt,
Haradin Balajt dhe Isak Musliu. (Tribunal Pénal International pour
l’ex-Yougoslavie, Affaire N° IT
-03-66-1).
Në
aktakuzën e parë të datës 24 janar 2003 (Tribunal Pénal International pour
l’ex-Yougoslavie, Affaire N° IT
-03-66-1, Acte d’acusation, 24 janvier 2003) dhe në aktakuzën e ndryshuar të
datës 7 mars 2003 (Tribunal Pénal International pour l’ex-Yougoslavie, Affaire
N° IT -03-66-1, Acte d’acusation
modifié, 7 mars 2003), kemi zbatimin e teknikës Copy/Past të “dëshmive” të
dorëzuara nga njerëzit e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Jugosllavisë dhe
të sajuara nga Shërbimi Sekret i Jugosllavisë.
Mirëpo,
në shtator të vitit 2003, regjimit të “ri” në Beograd botoi një variant të ri
të “librit të bardhë”, të ndryshuar në përputhje me ndryshimin e rrethanave në
skenën politike ndërkombëtare. Në një konferencë për shtyp të mbajtur në
Kuvendin e Serbisë, kryeministri i Serbisë, Zoran Zhivkoviq,
zëvendëskryeministri dhe shefi i të ashtuquajturës “Qendra Koordinuese për
Serbinë Jugore dhe Kosovë dhe Dukagjin...”, Nebojsha Çoviq, dhe shefi i
Shërbimit Sekret Serb, Misha Milliqeviq prezantuan librin e titulluar “Albanski
terorizam i organizovani kriminal na Kosovo i Metohiji” (Terrorizmi shqiptar
dhe krimi i organizuar në Kosovë dhe Dukagjin).
Në
këtë konferencë për gazetarët kryeministri serb deklaroi se “qëllimi i
publikimit të këtij libri është t’u ndihmohet atyre që duhet të veprojnë kundër
kriminalitetit të organizuar, para se gjithash UNMIK-ut dhe KFOR-it (...).
Është përfolur se gjoja nuk ka prova të mjaftueshme për të ndërmarrë veprime të
tilla, se u mungojnë faktet konkrete e kështu me radhë. Libri “Terrorizmi
Shqiptar dhe Kriminaliteti i Organizuar në Kosovë dhe Dukagjin” ofron mjaft
sqarime dhe fakte për krimet e kryera në Kosovë dhe Dukagjin, të cilat mund të
jenë mjaft interesante edhe për punën e Gjykatës në Hagë”.
(http://www.srpskadijaspora.info/vest.asp?id=4093, më 7 dhjetor 2003)
Me
qëllim që të ndikohet te institucionet ndërkombëtare të drejtësisë dhe të
sigurohet mbështetja ndërkombëtare në luftë kundër “terrorizmit shqiptar”, në
këtë material të ri propagandues serb, Ushtria Çlirimtare e Kosovës përshkruhet
si “organizatë terroriste që përdorin dhunën kundër popullsisë civile serbe,
shqiptare dhe pjesëtarëve të grupeve të tjera etnike që jetojnë në krahinë si
dhe kundër policisë e Ushtrisë Jugosllave (…) Krahas aksioneve terroriste në
nivelin lokal, ata vendosin lidhje me grupet terroriste islamike që veprojnë në
planin global dhe financohen në mënyrë të ngjashme si grupet e tjera
terroriste, duke siguruar mjetet financiare me dhunë ose nga trafiqet me
drogë.” Sipas po të njëjtës propagandë “Përveç tregtisë me lëndë narkotike,
mafia shqiptare vuri nën kontrollin e saj edhe prosti¬tucionin ndërkombëtar,
tregtinë ilegale të armëve, të cigareve dhe të mallrave të tjera me akcizë, të
automobilave të vjedhur, trafikimin me njerëz dhe shitjen e organeve njerëzore
(…)” (Qeveria e Serbisë, “Libri i bardhë- Terrorizmi shqiptar dhe krimi i
organizuar..”, botimi 2003, f 23).
Efekti
i kësaj propagande te Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Penale Ndërkombëtare
për ish-Jugosllavinë ishte i menjëhershëm dhe në dy drejtime:
1.
Carla Del Ponte urdhëroi zhvillimin e hetimeve lidhur me dyshimet për “trafikim
të organeve njerëzore nga ana e UÇK-së” dhe kërkoi nga “UNMIK-u, nga
autoritetet lokale të Kosovës dhe të Shqipërisë të shoqërohen nga shërbimet e
policisë serbe” për të ndriçuar këto pretendime. Kërkesa e Carla Del Pontes që
UNMIK-u, autoritetet lokale të Kosovës dhe të Shqipërisë të mbështeten në
shërbimet policore serbe është kërkesë për të arsyetuar, tërthorazi,
mbështetjen e vet te këto burime;
2.
Më 6 nëntor 2003 ajo ndryshoi aktakuzën për herë të dytë dhe e përshtati me
variantin e ri të propagandës së Qeverisë së Serbisë.
Për
t’u përshtatur me librin propagandistik serb “Terrorizmi shqiptar dhe krimi i
organizuar në Kosovë dhe Dukagjin”, ku rreth 100 herë UÇK-ja cilësohet si
“organizatë kriminale”, në variantin e tretë të aktakuzës (Tribunal Pénal
International pour l’ex-Yougoslavie, Affaire N°
IT -03-66-1, Deuxième acte d’acusation modifié, 6 novembre 2003) Carla
Del Pontes, me dhjetëra herë e cilëson UÇK-ja si “Ndërmarrje e Përbashkët
Kriminale” që gjoja ka kryer sulme të përgjithshme dhe sistematike të drejtuara
kundër popullsisë civile serbe dhe shqiptarëve që dyshoheshin si
bashkëpunëtorë” dhe kinse “kundër tyre ka zbatuar tortura, trajtime mizore,
vrasje...” (Varianti i tretë i aktakuzës së lartpërmendur i datës 6 nëntor
2003, pikat 6-13 dhe 19-27).
Në
të njëjtën frymë si ajo që mbizotëronte në aktakuzën kundër Fatmir Limajt dhe
bashkëluftëtarëve të tij dhe e mbështetur në sajesat e materiale të dorëzuara
nga përfaqësuesit e Serbisë, më 4 mars 2005,
Carla Del Ponte ngriti aktakuzë kundër Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt
dhe Idriz Balajt (Tribunal Pénal International pour l’ex-Yougoslavie, Affaire
N° IT-04-84bis-PT, 4 mars 2005).
Që
në variantin e parë të kësaj aktakuzë dhe në katër variantet e modifikuara të
aktakuzës, Carla Del Ponte zbaton teknikën e njëjtë Copy/Past të “dëshmive” të
sajuara nga Shërbimi Sekret Serb dhe të cilësimeve të UÇK-së si “Ndërmarrje e
Përbashkët Kriminale”.
Të
dy proceset gjyqësore kundër komandantëve dhe luftëtarëve të lartpërmendur të
UÇK-së përfunduan me pafajësinë e plotë të të pandehurve. Megjithatë, proceset
gjyqësore të motivuara politikisht dhe të mbështetura në “provat” serbe
shkaktuan vuajtje të mëdha individuale dhe familjare për njerëzit që
padrejtësisht kaluan vite të tëra në burgje dhe procese gjyqësore.
Ndërkaq,
pas hetimeve të hollësishme disavjeçare dhe në pamundësi të gjenin qoftë edhe
një provë të vetme që do të mbështeste shpifjet
për gjoja “trafikimin e organeve njerëzore nga UÇK-ja”, Carla Del Ponte,
urdhëroi ndërprerjen e hetimeve. Pesë vjet më vonë, Carla Del Ponte i kthehet
kësaj çështjeje dhe në librin autobiografik ajo deklaron:
“Këto
lloj historish të burgosurish, të vrarë nga trafikantët e organeve, rikthehen
mjaft shpesh në zonat e konflikteve, por shumë rrallë ka prova konkrete për t’i
argumentuar këto tregime, të cilat përfundojnë si legjenda të thjeshta”. [Carla
Del Pontes, botimi në gjuhën frënge, “La traque, les criminels de guerre et
moi” (Përndjekja: Unë dhe kriminelët e luftës”), f.470].
(VIJON)