Mendime
Sevdail Hyseni: Një varr për Vandën!
E diele, 15.11.2020, 11:14 AM
Rrëfim
i pazakontë
Një
varr për Vandën!
Nga
Sevdail Hyseni
Vanda,
një qenushe simpatike, ndërroi jetë në verën e këtij viti. Pronari i saj Haqif
Haziri, “mbreti” i pjekurinave, siç e quajnë drejtuesin e Kompanisë “Victoria”,
në Zvicër, kafshën shtëpiake, e varrosi sikur të ishte pjesëtare e familjes.
Mjeku veterinar zviceran mbeti pa mend, me këtë gjest të shqiptarit nga Malësia
e Bujanocit, i cili për dallim nga të tjerët, nuk e la qenushen për ta hedhur
në grumbullin e ngordhjeve, por e mori dhe e varrosi në një vend të veçantë,
duke i ngritur me bashkëshorten e tij,
madje edhe një statujë.
-
Kjo qenushe me emrin Vanda, ka bashkëjetuar me ne 14 vjet, tani që ka ndërruar
jetë, do ta marr në shtëpi, do ta varrosi në një vend të veçantë, sepse e
meriton të ketë një varr e një statujë, si një kujtim për të mos e harruar sa
të kem jetë, i tha Haqa, veterinarit të hutuar.
Veterinari
zviceran i mallëngjyer e pohoi se nuk i kishte ndodhur diçka e tillë, për aq sa
punon në këtë institucion, ngase njerëzit që i sjellin kafshët e ngordhura
shtëpiake, nuk i kthejnë prapa në shtëpi!
Por,
Haqa nuk është si të tjerët! Ai, është një burrë tipik malësor me tradita të
pasura bujarie e fisnikërie. Babai i Haqës, Nezir Sula i Pribocit, një mjeshtër
i përpunimit të drurit, ia mbolli dashurinë të birit, për kafshët shtëpiake, sidomos
për kalin dhe qenin, miqtë tradicionalë të njeriut.
Haqa,
me këtë edukatë u burrërua në Zvicër, duke ruajtur dhe zbatuar në praktikë
traditën e të parëve të tij, sidomos ndjeshmërinë ndaj kafshëve shtëpiake. Ai,
nuk e kishte vetëm qenushen Vanda, por edhe Timin. Dy qenushët e Haqës, ishin
shembull në Lagjen ku jeton në Zvicër, për kujdesin dhe dashurinë që tregon ky
njeri shqiptar për botën shtazore.
E
tani kur nuk është më Vanda, qenushi tjetër Timi, ndihet i pikëlluar, i vetmuar
dhe i mërzitur. Ai, nuk mund të flas për të treguar mërzinë e vetminë tij për humbjen e shokut të jetës, por me
instikt, reflekton një dhembshuri, që ta këput shpirtin.
Haqa
e merr Timin e del për shëtitje, ashtu siç dilte dikur me të dy qenushët. Sa
herë që kthehet në shtëpi pas shëtitjeve, Timi e kthen kokën prapa sikur i
mungon diçka dhe lëshon një ulërimë të dhembshme e shumë rrënqethëse.
Personazhi
i rrëfimit tonë, Haqif Haziri, është një njeri i mirë, jo vetëm ndaj kafshëve
shtëpiake, por edhe ndaj miqve dhe shokëve, si në punë e si në veprimtari
atdhetare dhe humanitare. Ai, nuk di as vetë sa para ka dhënë për nevojtarët.
të pastrehët, të sëmurët, jetimët e njerëzit e kulturës. Vetëm ata e dinë se sa
është dora e gjatë dhe gjepi i thellë i Haqës, për këso veprimtarish njerëzore
e humanitare.
Në
një takim, që zhvilluam, në qendër të Bujanocit, në pjesën e trashëgimisë
kulturore të shtruar me kalldrëm e me lokale të vjetra pastiçerie, Haqa na
rrëfen për miqtë e tij njerëzorë e shtazorë. Derisa pinim kafe në shoqëri me
mikun tonë miqësor, afër nesh kalon një tufë qensh, prej tyre kishte të tillë
të sakatosur, të gjymtuar, të zgjebosur e si mos më keq. I shikonte Haqa e na
tregonte se sa këto krijesa vuajnë nga pasojat, që ua shkaktojnë njerëzit, ata
lëre që nuk përkujdesen për ta, por edhe ua shtojnë dhembjet fizike dhe
shpirtërore e më pas edhe vrasin, duke mos respektuar ligjin që mbron kafshët,
nëse si i tillë ekziston te shqiptarët e kësaj province.
Në
bisedë e sipër tha edhe diçka, që na bëri të zhytemi në mendime. Ai, tha, mes
tjerash, se i ka dy parime në jetë: nëse i vdes gruaja, nuk do të martohet
kurrë dhe po qe se i humbë qentë, nuk do të marrë të tjerë për shtazë
shtëpiake!
Kemi
parë filma, që u janë kushtuar qenve dhe kemi dëgjuar rrëfime të tjera, që u
janë thurur këtyre kafshëve të adhuruara shtëpiake, por rrëfimet e Haqif
Hazirit, për Vandën, nuk na hiqen dot nga mendja. Themi me vete: Do të ishim më
ndryshe, sikur të ketë më shumë njerëz të tillë siç është Haqif Haziri, por,
mjerisht, njerëzit e tillë janë të paktë në krahasim me ata, që nuk sillen si
miq, shokë e dashamirë, apo jo?!