E enjte, 29.07.2021, 09:28 AM (GMT+1)

Mendime

Sami Islami: Si u bë alpet shqiptare Bjeshkë të Nemuna

E merkure, 11.11.2020, 08:50 PM


SI U BËNË ALPET SHQIPTARE BJESHKË TË NEMUNA

Nga Sami Islami

Fjala ALPE nënkupton male të larta apo bjeshkë. Këso malesh të larta kemi në Evropën Qendrore, që përfshijnë territore të Francës, Italisë, Zvicrës, Lihtenshtajnit dhe Austrisë. Këto bjeshkë ose vargmale njihen si Alpet e Evropës Qendrore.

Pokësi bjeshkësh kemi edhe në trojet tona, të cilat ne i quajmë ALPET SHQIPTARE dhe shtrihen në pjesën Veriore të Shqipërisë, pjesën Perëndimore të Kosovës dhe një pjesë, që shtrihet edhe në Mal të Zi. Po ta kemi para syshë hartografinë dhe dokumente të tjera deri para luftës së fundit që ndodhi në Kosovë, ky oronim (emër mali) quhej BJESHKËT E NEMUNA! Si u bë që këto male shqiptare me gjithë ato bukuri natyrore dhe pasuri minerale të quhen me këtë emër të shëmtuar BJESHKËT E NEMUNA?

Sipas shpjegimit që gjejmë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botuar në Tiranë 1985, del se ky emërtim erdhi për shkak të relievit tepër të thyer dhe klimës së ashpër që kanë këto male. Për këto arsye malësorët paskan qenë “të detyruar” t’i quajnë këto bjeshkë me nofkën “të nemuna”! Dhe, gjithnjë, sipas këtij burimi, del se edhe emërtimi serb “Prokletie” qenka përkthim i fjalës shqipe “ BJESHKËT E NEMUNA!”

Përkitazi me “mallkimin”, sipas të njëjtit burim, gjendet edhe një shpjegim tjetër i mbështetur në një legjendë. Legjenda thotë se emërtimi paska ardhë nga “mallkimi” i një nëne shqiptare që në ikje nga tmerret e luftës nëpër këto male, nuk paska gjetur kurkund ujë për t’u dhënjë fëmijëve të saj. Nga etja e madhe fëmijët paskan vdekur. Dhe nga mërzia ajo i paska “nemur” këto male!

Një studiues me emrin Sulejman Ahmeti, i cili është edhe bashkautor i Fjalorit të Plavës e Gucisë thotë ndryshe. Ai pohon me bindje se emri “Prokletije” është emërtim serb i përkthyer pastaj në shqip. Të njëjtin mendim e ka edhe akademiku Luan Starova se “Bjeshkët e Nemuna”, është përkthimi shqip i termit serb “Prokletije. Mirë shumë! Po ajo çka mungon këtu është se as njëri, e as tjetri nga këta dy studiues, që e mbrojnë tezën se oronimi (emër mali) BJESHKËT E NEMUNA vjen nga “Prokletije”, nuk japin shpjegime se si mbeti ky oronim? Pse serbët i “mallkuan” këto male? Dhe prej kur daton ky emërtim?

Ky emërtim “Prokletije” (Bjeshkët e Nemuna), sipas të dhënave të disponueshme historike, mbeti prej kohës së Luftës së Parë Botërore, pra prej vitit 1915, kur pas kapitullimit të ushtrisë serbe nga forcat gjermane dhe autriake, ato synuan të arratiseshin nëpër Shqipëri, për të shkuar në Korfuz. Qeveria shqiptare e lejon ushtrinë serbe të kalonte nëpër territorin e saj me kusht që ushtria të mos bënte asnjë dëm në truallin shqiptar. Mirëpo posa ushtria serbe shkel në territorin shqiptar ajo nistë bëjë masakra mbi shqiptarët. Dimri ishte shumë i ashtpër dhe rrugët malore tepër të vështira për marshim. Kur e shohin shqiptarët se ç’po bëhej ata organizohen dhe nisin të luftojnë kundër ushtrisë serbe. Ushtria serbe e gjendur ngusht në njerën anë nga të ftohtit dhe terrenit të panjohur dhe shumë të vështirë për tërheqje, në anën tjetër nga të shtënat e malësorve, nga skutat që vetëm malësorët i dinin, dërmohet shumë. Me mijëra ushtarë serbë vdesin rrugës nga të ftohtit dhe nga uria , por edhe nga plumbat e luftëtarëve shqiptarëve. Sipas disa të dhënave thuhet se gjatë tërheqjes nëpër Alpet Shqiptare dhe nëpër territorin shqiptar në përgjithësi kishin vdekur me mijra ushtarë. Pas disa ditë marshimi ushtria serbe arrinë në Durrës me humbje katastrofale! Thuhet  se 2/3 e ushtrisë serbe kishin mbetur të vrarë apo ishin ngrirë rrugës. Në Durrës, rreth 5000 ushtarë të tjerë të plagosur vdesin dhe varrosen në det. Pjesa tjetër u ngarkua në anije dhe mori drejtimin e Korfuzit, ku edhe e kishin cakun. Nga kjo kohë kanë mbetur disa vargje në kujtesën e popullit serb të cilat thonë: “Kush s’e di se ç’janë vuajtjet e rënda, le ta kalojë Shipërinë në këmbë!” (Ko ne znade shta su muke teshke, neka pregje Albaniau peshke).

Nga kjo eksperincë e hidhur serbët i “mallkuan” bjeshkët tona duke i quajtur “Prokletije”, që në shqip domethënë “Bjeshkët e Nemuna”. Ky emërtim serb për Alpet Shqiptare mbeti edhe pas Luftës së Dytë Botërore si në Shqipëri, poashtu edhe në Kosovë. Mjafton të shikohen hartat gjeografike të botuara deri para luftës së fundit në Kosovë dhe do të duket prezenca e emrit serb në original ose i përkthyer gjithandej. Edhe në krijimet artisike Alpet tona të bukura na dalin “të nemura” ose “të mallkuara”. Më kujtohet që në vitin 1968 u xhirua një film me titull “Uka i Bjeshkëve të Nemuna” (Vuk sa Prokletija) në rolet kryesore Luba Tadić dhe Abdurrahman Shala dhe filmi tjetër me titull “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna” me rolin kryesor Faruk Begollin, ku duket sheshit se as vetë neve shqiptarëve nuk po na bënte përshtypje ky”mallkim” që po e artikulonim me gojën tonë!

Se serbët i “mallkuan” malet tona, fundja, nuk është për t’u habitur, sepse e dimë të gjithë gjatë gjithë historisë se çfarë ka bërë politika dhe ushtria serbe mbi shqiptarët dhe çfarë mendon edhe sot kjo politikë të bëjnë mbi ne. Por t’i quajmë ne edhe më tutje Alpet tona “të nemuna”, kjo nuk ka kuptim. Është koha e fundit që tash, pasi që jemi shtet në vete t’i përvjelim mëngët e të punojmë më shumë për vendin tonë. Një nga fushat që kërkon t’i jepet prioritet, mendoj, është që ta bëjmë toponomastikën tonë(emrat e vendeve) krejt shqiptare. Duke e bërë këtë çështje detyrë institucionale që, përveç emërtimit “Prokletije” (BJESHKËT E NEMUNA), të hiqen dhe të zëvendësohen me toponime shqipe edhe emërtimet të tjera serbe, si Novobërdë, Novosellë, Suharekë, Podujevë, Gllogovc, Obiliq, Istog, Kamenicë, Milloshevë, Llazarevë, Serbicë, Teneshdoll, Vranidoll etj. etj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora