Kerko: Resmi Osmani
Resmi Osmani: Lamtumirë Lord Bajron!
E diele, 01.11.2020, 12:09 PM
LAMTUMIRË LORD BAJRON!
TREGIM NGA RESMI
OSMANI
1
Në
gjidetin e limanit të Argostolit të
ujdhesës joniane të Qefalonisë që, në atë kohë ishte protektorat anglez,
më 28 dhjetor 1823, pak dit pas kremtimit të kërshëndellave, kishte hapur velat
gjemia e hidriotit Andon Kryeziu, që do
të shpinte në Mesolongj ndihmat dhe lordin anglez Bajron me gardën e tij
suliote.
Dita
ishte e kthiellët, dielli dimërak i ngritur në lindje, ndrinte sa të lbyrte
sytë, por ngrohte pak , deti llapste me një blu të thellë,stolisur nga laryshia
e rrezeve diellore dhe nga dantella e bardhë e shkumës së valëve që
llapashiteshin dhe shuheshin me psherëtimë në breg.
Lord
Bajroni, në shoqërinë e guvernatorit, sir Malkolm Blejkut, qëndronte më këmbë
në bankinë.Era që vinte nga veriu,i shpaloste kindat e pelerinës dhe i trazonte
kaçurrelat e bukur te flokeve. E mrekullonte bukuria e këtij deti jugor
që,skish të krahasuar me ftohtësine dhe grinë e shpëlarë të Detit të Veriut.
Pamja, psherëtima e valëve, ciatja e pulëbardhave, horizonti i kaltër,
gjelbërimi i ullinjve brigjeve,qyteti i vogël me shtëpi të bardha dhe pullazet
e kuqërremta, i ngjallnin në shpirt
lirizëm dhe ngazëllim,një dritësim të brendshëm që, do ta hidhte në vargje me
bukuri verbuese dhe tingëllim hyjnor si një ode për lirinë dhe dashurinë.
Ndërkaq,
kujdesej që në anije të ngarkoheshin pajisjet për udhë, pa harruar asgjë, por
veçanërisht, arkat me armë, barut dhe plumba, për luftëtarët e qytetit
kryengritës.
Në
të dy krahët dhe pas tij, ishte rreshtuar garda suljote dhe prijësit e saj,
kapedanët Xhavella e Fotomara dhe dyzet trima nga ata që, si thonë
shqiptarët”Të marrin gjak ne vetull!” Sir Blejkut i mbetën sytë te suljotët.
Veshur me kostumet e tyre kombëtare, fustanellat e bardha, jelekët e qëndisur,
këpucët me xhufka të kuqe.Fytyra të rrahura nga era e të rreshkura nga dielli,
ballin të lartë, që ua bënte edhe më të lartë floku i rruar,flokët e gjata të
lidhura pas koke, ose të derdhura mbi supe, mustaqet e mëdha e të përderedhura.
Në brez të ngjeshura armët dhe shpatat, që ata e kishin merak të ishin të
stolisura. Të heshtur e hijerëndë.Fjalëpak e punë shumë. U përngjanin
malësorëve skocezë, dukeshin si të dalë nga tbllotë ekzotike të Delakruasë apo
Davidit.
-Milord,
ç’të shtyu të formosh gardën tënde me këta shqiptarë që e quajnë veten suliotë,
kur ti po u vete në ndihmë luftëtarëve grekë?
-
Sepse ftesën për në Mesollongj ma bëri një suliot, Marko Boçari, që ra
heroikisht më 23 të gushtit, të këtij moti, një ditë më pas nga dërgimi i
letrës me ftesën. E dhimbshme, apo jo? Suliotët janë trima e të besës.Të mëkuar
me to që me qumshtin e mëmës.Lindin e rriten si luftëtarë, me dashurinë për
lirinë. Ata kanë mbrojtur me heroizëm atë shkëmbin e tyre të lindjes që, i
thonë Sul, kanë pranuar syrgjynin,për të qënë të lirë, në vend të nënshtrimit
dhe skllavërisë së turkut. I dua, se
janë trima, të bindur, kurajozë, që i durojnë si askush vuajtjet e luftës, por
edhe për fatkeqëitë e tyre. E tillë është raca shqiptare, që mu dha rasti ta
njoh së afërmi në udhëtimin e pare më 1809.
Kur
ngarkesat u dërguan në anije,Lord Bajroni u la lamtumirën sir Malkolmit dhe
parisë vendëse dhe hipi në varkën që e dërgoi në anije. Aty e priti dhe uroj mirseardhjen kapedan
Kryeziu, një ujk i vjetër deti. Ai dhe ekuipazhi u habit kur lord Bajroni puthi me nderim si
të ishte e gjallë, parvazin e drunjtë të fajkës së anijes. Kur pa habi dhe
pyetje te heshtur në sytë e tyre, ai u tha:
-Kjo
anije është Argoja jonë. Ne jemi argonautë. Argonautët e kohëve të reja. Nuk
shkojmë në Kolkidë për bashkën e artë, por në Mesollongj, në kërkim të lirisë,
duke e paguar dhe shënjtëruar atë qoftë edhe me jetët tona!
Velat
u frynë, era ishte e mbarë dhe anija pasi doli në det të hapur mori drejtimin
nga jugu që do ta çonte në gjirin e Patrës. Shkiste lehtë, duke lënë pas një
vazhdë të shkumëzuar.
Lord
Bajroni doli në bash, hodhi duart në parmakë dhe vështrimin e treti larg.
Kapedan
Fotomara dhe Xhavella ju gjendën
përanash. Kur u vunë në shërbim të lord Bajronit, ai u rroku duart dhe u
tha:
-
Me besa besë, shqiptarisht! Ju jeni kapedanët e mij dhe unë jam lordi juaj.
Besa
u lidh. Që atë ditë ata e ndjenin veten bashkëluftëtarë e pjesë të pandarë e lordit anglez.
Dhe
ja ku ishin. Xhavella nisi ta kundrojë me admirim: Shtat pak më I gjatë se mesatar,
hollak si fidan që, e bënte të dukej edhe më shtathedhur nga sa ish. Atij ju
kujtua se ç’i kish thënë djaloshit të ri, vite me pare Ali pashai, kur e kish
pritur në sarajet e Tepelenës:”Duket qe je nga derë e fisme, se i ke duart të
bardha e të vogla, flokët kaçurrela dhe veshët të vegjël”. I kishte thënë
pashai udhëtarit anglez. Kapedan Fotomara po admironte pamjen e tij, një bukuri
gati femërore: hunda e drejtë, nazike, sytë
të butë si të pëllumbit, goja e vogël, buzë të plota të kuqe e mishtake,
mjekra e rrumbullt, qafa e gjatë, e tëra kjo në kornizën e fkokëve kaçurrela.
Çudi, mendoj kapedani suljot, sesi, zoti ja jep të gjitha një njeriu të vetëm:
hijeshinë e pamjes(se për burrin nuk mund të thuhet i bukur!) shtatin e hedhur
prej atleti, mençurinë si prej filozofi, bukurinë e fjalës e të ligjërimit,
trimërinë dhe guximin, dashurinë për larine ,urrejtjen për shtypësit e popujve
dhe tiranët, zemrën bujare dhe talentin e poetit që i këndonte lirisë,
burrërisë e trimërisë. Kish dëgjuar se në vendin e tij, kish kamje e gjë që të
rronte pa gajle e ne salltanet, por kish lënë pallatin dhe rehatin dhe kish
zgjedhur rrugën e luftës për liri.
2
Lundrimi
zgjati disa dit. Lajmi i ardhjes së Lord Bajronit, kishte fluturuar për në
Mesollongj, me krahët e erës, më shpejt se anija e Kryeziut. Ishte 5 janar
1824. Atë kishte dalë për ta pritur gjithë qyteti.Nga skela deri në qëndër të
qytetit, para sheshit të kishës, rreshtimi i qytetarëve të gjithë moshave , gra
e burra, fëmijë, të rinj e të reja, me buqeta lulesh, trëndafila, luleshëmitri,
degë të blerta dafine dhe flamurë me kryq, brohorisnin me sa zë kishin dhe i
uronin mirseardhjen në qytetin e lirë të Mesollongjit.
Ishte
pamje e paparë ndonjëherë, pritja dhe nderimi që i bëhej mysafirit të shquar.
Kapedanët Fotomara e Xhavella, hapnin udhën dhe lord Bajroni i ndjeshëm, i
gjendur para kësaj pritjeje, të pamenduar, i mallëngjyer por edhe i ngazëllyer
,i buzëqeshur, i mbuluar nga tufat e
luleve dhe degëve të dafinës, përshëndeste me dorë. Ja dha lulet kapedan
Xhavellës dhe nga krahët e një nëne të re, mori në krahë një fëmijë që mbante
në duar një pëllumb dhe e ngriti lart. Djali i bukur si një ëngjëll, e lëshoi
pëllumbin që fluturoi mbi qytet.
Në
sheshin para kishës njerëzia ishin mizëri. Por ata u habitën, e u zhgënjyen kur
në vënd të një kreshniku luftëtar, mustaqemadh, flokëgjatë, të armatosur gjer
në dhëmbë, u shfaq një djalosh i hajthëm, pamjebukur, që sytë, nën qerpikët e
gjatë i rrëzëllenin dritë dhe, pamja e qeshur i zbukuronte fytyrën. Vajzat e
pëlqyen shumë. Nënat do ta donin për dhëndërr, burrat si shok lufte.
Aty
lordin e pritën dhe i uruan mirseardhjen prefekti Metaksa, paria e qytetit dhe shënjtëria e tij
peshkopi, imzot Athanasi. Kambanat e kishave dridhnin ajrin, ushtonin si për
festë. Qyteti festonte mbritjen e mikut fisnik.
Lord
Bajroni, i zënë ngusht nga kjo pritje, e kuptoi se hallku, gra e burra, të
vegjël e të medhenj, prisnin që ai diç tu thoshte ,që të ngjallte guxim e
shpresë dhe besim, në fitoren e luftës për liri.
Ngriti
dorën. Përnjëherë zotëroi heshtja dhe ai foli në greqisht:
-Ku
është vëllai i Leonidhës së sotëm?
E
nisi fjalën me nderimin e kujtimit dhe lavdisë së Marko Boçarit, heroit të
Mesollongjit që, e krahasoi me heroin legjendar të termopileve.
Kur
dëgjoi pyetjen,Kosta Boçari, vëllai i Markos, që kishte zënë vendin e të
vëllait në krye të luftëtarëve suliotë, ngau përpara dhe qëndroi duke e nderuar
me dorë në zemër. Bajroni i tha:
-O
luftëtar trim i sulit, krenohu dhe lumturohu! Ti je vëllai i një heroi që u
flijua për liri, e që nuk do të fshihet kurrë nga trashëgimi i shekujve në
përjetësi.
E
vuri Kostën në krah të djathtë të tij, pastaj iu drejtua masës së gjindjes:
-Helenë!
Ju po shihni midis jush një anglez, që nuk ka pushuar asnjëherë së studjuari
Greqinë e lashtë e së menduari për të renë, një anglez që ju ka dashur e ju do
me shpirt, dhe që ka uruar tërmonë për lirinë, për të cilën ju sot po luftoni e
bëni kaq përpjekje heroike. Jam mirënjohës për ndjenjat që po më dëshmoni në
këtë pritje. Nga personi im ,nuk do të mbeteni të zhgënjyer.Pas pak kohe, ju do
të më shihni në mes të luftëtarëve, për të fituar apo për të vdekur me ju!
3
Lord
Bajroni, mori dijeni, që përveç Kosta Boçarit, të vëllait të heroit, në qytet
jetonte dhe e motra Marua. Kur familja e Markos, u dërgua nga vetë ai, në
Ankona të Italisë, Marua nuk pranoi të shkonte. Qëndroi që të kujdesej për të
vëllanë. Tashmë ajo përjetonte dhimbjen e humbjes, një dhimbje krenare dhe
priste miqtë e vonuar për kryeshëndoshë.
Zakoni
e donte që ti shkohej e të ngushëllohej
në shtëpi. Të ndahej me të dhimbja t’i rrëfehej se ajo s’ishte vetëm,por edhe
të ngjallej shpresa në fitore, se jeta e heroit ishte gurthemeli në altarin e
lirisë. Lord Bajroni, para se të shkonte te motra Maro, pyeti prefektin
Metaksa, në se ishte mirë që t’i gjendej me një ndihmë në të holla.
”Jo
i tha ai, ajo do ta ndjente veten të prozvalur, ndër shqiptarë, gjaku nuk
paguhet me flori, gjaku lahet me gjak.”
Dhoma
që zbardhte nga gëlqerja, në muret e së cilës luhatej flaka e qirinjve, ishte e
ngrohur mirë nga zjarri që bramullinte në vatrën e oxhakut. Në krah të djathtë,
në një kamare, një kandile i bënte dritë ikonës së Shën Marisë me të birin në
pëqi.
Marua
i priti më këmbë u uroi mirëseardhjen e i ftoi miqtë të ulen në divane, teksa
vetë u ul në krye të vendit kundruall tyre.
Lord
Bajronit i mbetën sytë. Kishte para vetes një zonjë që i përngjante një statuje
mermeri, si të dalë nga tragjeditë e Sofokliut, me tipare të skalitura, të
hijshme, paksa të ngurtësuara nga koha dhe hidhërimet, me ca rrudhëza të
mezidukshme në cepat e buzëve, me shikim krenar. Ishte e veshur e tëra me të
zeza. I zi dhe shalli hedhur mbi supe, nga thekët e tij dukej se pikonte
hidhërim. Ishin këto gra,-mendoi ai këto
nëna, shqiponja suljote, që lindnin dhe rrisnin të tillë trima.
Lord
Bajroni theu heshtjen. U mundua t’i zgjidhte fjalët, sepse foli greqisht. I
shprehu hidhërimin për ikjen nga jeta të Kapedan Markos, humbjen e tij e kishte
qarë gjithë Suli, Greqia dhe Evropa mbarë dhe se ajo motra e tij ,familja dhe
luftëtarët e lirisë duhet të krenoheshin dhe kthenin në forcë dhimbjen e
vdekjes, të përkrahësit e luftëtarit më të fuqishëm të revolucionit grek. Se
gjaku i tij dhe luftëtarëve të tjerë, vadiste dhe rriste pemën e lirisë aq të
dëshiruar që, nuk do vonohej të fitohej dhe të jepte fryte……
U
shërbyen raki dhe kafe pa sheqer.
Marua
hodhi sytë nga Kosta. Ajo do të fliste shqip. Kosta do t’ia përkthente mikut.
- Më kanë thënë se vini nga një vënd i largët ,
e nga derë e fisme që, të luftoni bashkë me ne. Kësisoj nderoni veten po edhe
vëndin tuaj. U falnderoj për ardhjen në
shtëpinë time, që është edhe e Markos dhe për fjalët që thatë për të ndjerin
tim vëlla.
Heshti
dhe priti që Kosta të përkthente mikut fjalët e saj, pastaj vijoi:
-
Siç mund ta dini, ne jemi fis luftëtarësh dhe jeta na ka mësuar me vdekje të kësaj natyre, kur burrat
vdesin jo në shtrat nga pleqëria, por në zjarrin e luftës. Që nga çasti që kemi
njohur botën, nuk kemi dëgjuar të flitet për tjetër gjë, nga baballarët dhe
vëllezërit tanë, veçse për luftëra dhe vdekje. Fëmijët i rrisim si luftëtarë.
Jemi mësuar të bëjmë durim. Nga kjo shtëpi e prita dhe e përcolla tim vëlla, i
lidha buzën, i mbylla sytë, e savanosëm
me duart tona, i bëm tërë nderimet dhe e vajtuam me ligje sipas zakonit të
vendit tonë, pastaj ja dorzuam kurmin tokës dhe shpirtin qiellit. Kështu qe e
thënë.
Pas
këtyre fjalëve çdo tjetër do të ishte e tepërt.Kjo ,Lord Bajronit I solli ndër
mend dhe përfytyrim Zalongun, gratë që
fluturonin në greminë me fëmijët në krahët e tyre.
Më
mirë të vdekura sesa skllave e në robëri.
Këto
ishin suliotet.
4
Kishte
kaluar një muaj nga mbritja në Mesollongj.
Lord
Bajroni pajtoi një shtëpi me qira. E bukur, ndërtuar me gur të bardhë të
skalitur, e bollshme, me dy kate, bodrum e papafingo, me ballkon në katin e
dytë. Shtabin e tij të luftës e vendosi në kat të dytë, në kat të parë garda
suliote. Bodrumi ishte i mjaftueshëm për depozitimin e armëve, barutit dhe
plumbave. Shtëpia gëlonte si zgjua bletësh nga hyrje-daljet e shumta dhe
vizitorët, armatolët e sipërmarrësit.
Në
qytet përditë mbërrinin vullnetarë: nga Morea, Kreta, Dodekanezi, gjermanë,
venecianë ,lombardë, flamandë. Të gatshëm për luftë. Ndër ta edhe një officer
anglez nga regjimenti i “Gjuetarëve të Uellsit”. Me suliotët si bërthamë dhe të
ardhurit, vendosi të krijonte një regjiment. Për stërvitjen dhe përgatitjen e
tyre për betejat e ardhshme, kujdeseshin kapedanët suljotë dhe togeri uellsian
Xhon Klark.
Bashkë
me Mavrokordatosin, qw ato dit’ erdhi në qytet, planifikuan sulmin për fortesën
e Lepantit në gjirin e Korinthit. Atë qytet ku flotat evropiane kishin
ngadhënjyer mbi flotën osmane në vitin e largët 1571.
Në
ndërkohë pati ngjarje: qeveria greke me ne krye arvanitin Kundurioti, vendosi
që lord Bajroni të shpallej qytetar grek, ti jepej atij shpata e luftëtarit dhe
qyteti I Mesolongjit, ta regjistronte qytetar nderi në librin e vet.
Prefekti
Metaksa vendosi të përgatitej një ceremony solemne.
Ishte
java e parë e shkurtit. Lord Bajroni, i veshur me kostum kombëtar dhe i
shoqëruar nga garda suliote, u drejtua për në kishën e shën Spiridonit,
mbrojtësit të qytetit. Kisha fekste nga drita e qirinjve të shandanëve dhe
llampadarëve, teksa reja e tymit të temjanit aromatizonte atmosferën. Kisha
ishte mbushur, sa si thonë, s’kishe ku të hidhje mollën. Kori i fëmijëve këndonte
psalme ku më së shumti dëgjohej “Qirje eleison”. Kryepeshkopi, me petrahil të
qëndisur, me kryqin e artë varur mbi gjoks, mjerkrën krejt të thinjur, por
çuditërisht me çere të freskët, bëri madhërisht kryqin , e bekoi dhe i zgjati
shpatën dhe diplomën e qytetarisë. Lord Bajroni, mori diplomën por refuzoi
shpatën. Ai gjykoi se nuk ishte ky vendi. Shpatën duhej ta merrte mbi varrin e
heroit Marko Boçari, ndaj të cilit disi ishte i detyruar edhe për ardhjen në
Mesolongj.
-Hirësia
juaj, dëshiroj që shpatën ta marr mbi
varrin e heroit, kapedan Marko Boçarit.
Aty
për aty, proçesioni i tërë, me gjithë gjindjen, në heshtje, dolën nga kisha dhe
u drejtuan në varreza, për te varri i Marko Boçarit. Mbi qivurin, ngritur me
mermer të çmuar,kryepeshkopi vendosi shpatën.
Lord
Bajroni, i emocionuar, me një ngazëllim të shënjtë mistik, që i zgjoi në zemër
e shpirt ndjenja trimërore të frymëzuara nga jeta e heroit suljot që, prehej në
atë varr të shënjtëruar,duke i zgjedhur fjalët me kujdes, mbajti këtë fjalë në
gjuhën greke:
-
Qytetarë të Mesollongjit,hirësia juaj kryepeshkop, shkëlqesi pefekt
Metaksa.Mirënjohje pafund për nderimin që më bëhet.
Cili
është ai që prehet në amshim nën këtë mermer?
Cili
zë madhështor del nga ky varr?
Ç’është
ky varr nga ku del klithma dhe flaka e lirisë?
-Ç’po
them?
A
nuk është ky varri i Marko Boçarit, i vdekur para disa muajsh, që me një grusht
trima, u vërsul mbi aradhet eshumta të armiqve të llahtarshëm dhe shpëtoi
qytetin?
Pyes
veten: si guxoj unë ti afrohem këtij vendi të shenjtë ku prehet ai në amshim,
unë që nuk kam as vyrtytet as heroizmin e tij?
Megjithatë,
duke prekur këtë varr e duke marrë këtë shpatë, shpresoj se kjo shenjtëri do të
mbushë zemrën time me trimëri e patriotizëm.
Pastaj
u afrua nderoj i përkulur dhe puthi varrin dhe vetiu u shkreh në lot. Mori
shpatën para duarve dhe e puthi.
I
tërë populli I pranishëm brohoriti një zëri”Rroftë lordi Bajron”
E
mbylli fjalimin me një fjali e cila i thoshte të gjitha:
-Helenë,
shpresoj të jetoj me ju, të luftoj e ta mund armikun me ju, e po të jetë
nevoja, të vdes me ju!
Përsëri
brohoritje:”Rroftë lord bajroni!”
5
Përgatitjet për sulmin mbi Lepant po shkonin mirë por
ngadalë. Lord Bajroni kishte ngut e padurim për një fitore. Përditë ndiqte me shumë kujdes përgatitjet. Nga
Lepanti u kthye një zbulues që kishin derguar. Ai i dha togerit Xhon klark
skicën me vendosjen e artilierisë ,muret e kështjellës dhe llogoret e ledhet
mbrojtëse. Kurse lord bajronin e vuri në dijeni se midis regjimentit të
shqiptarëve myslymanë dhe regjimentit të aziatikëve(turqve ) kishte
grindje që arrinin deri në gjakderdhje.
Ai kishte takuar oficerin shqiptar, i cili i premtoi se në rast sulmi, ata nuk do
të bënin qëndresë, do të dorzoheshin, por me kusht: të mos u prekej jeta dhe
t’u paguheshin rrogat e prapambetura. Ky ishte
lajm i mirë.
Kishte
hyrë gjysma e dytë e marsit.Pranvera frymëngrohtë kishte ardhur me çeljen e
lulebajameve, ditët më të gjata dhe qiell të kthiellët e të ndritur. Lord
Bajroni ishte ulur në tryezën e punës ku ishin një pirg me letra që duheshin
lexuar dhe kthyer përgjigje. Të parën hapi letrën që vinte nga miku i ngushtë
Hobhauz. Ndër të tjera ai i shkruante:
“Këtu, (në Angli) të gjithë ne miqtë e tu, e presim me ankth betejën
fitimtare të Lepantit. Kjo fushatë, me siguri është është më e lavdishmja që
një njeri mund të ndërmarrë. Ne ju kemi më shumë zili për atë që po bëni tani,
sesa për të gjitha dafinat tuaja sado të bukura që ato të jenë…..”
Ah,
Hobhauz i dashur sa më mungon shoqëria dhe fjala jote” psherëtiu ai. E vuri
letrën mënjanë që t’i kthente përgjigje dhe vijoi të shfletojë letrat e tjera.
Në
ditët që erdhën, filloi të mos e ndjejë veten mirë, iu shfaqën ethe. Në fillim
ai si dha rëndësi, por gjëndja shëndetësore iu rëndua. Kishte ethe , balli i
digjej, e thyenin djersët. Më nëntë
prill i ra epilepsi. E shtrinë në shtrat. Mjekët e vizituan. Vunë re:
temperature ishte e lartë, rrahjet e zemrës të shtuara dhe tensioni I gjakut I
lartë. Ishte sëmurur nga tifua. I vunë kompresa me uthull dhe ujë të ftohtë dhe
për të ulur tensionin e lartë të gjakut i morën gjak. Ai u qetësua por ishte i
pafuqishëm dhe nuk mund të ngrihej. Dukej se po ia hidhte. Pas një jave I morën
sërish gjak, por nga kjo s’pati dobi.
Ishte
në jerm dhe fliste përçart.
Për
të kujdeseshin dy infermiere nga spitali I qytetit dhe dy kapedanët suliotë që
i rrinin mbi kokë dit’ e natë.Trupi i tij I hajthëm dhe i drobitur nuk i bëri
dot ballë së keqes. At athanasi i bëri kungimin dhe vajimin e fundi. Pas etheve
sfilitëse, u shua më 19 prill të 1824-ës.
E
hidhur kjo vdekje, e këtij burri , e këtij poeti luftëtar,qytetar i botës, që
aq shumë e donte jetën dhe lirinë.
Tupin
e pajetë e savanosën dhe e shtrinë dyshekët mbi
bangon e mermertë. Me duart e kryqëzuara mbi gjoks dhe sytë e mbyllur
përgjithmonë dukej sikur flinte. Kapedanët Xhavella e Fotomara bënë roje mbi
trupin e tij. Më vonë ata thanë se s’kishin parë një të vdekur aq të bukur. Në
cepat e buzëve kishte ngrirë buzëqeshja. “U buzëqesh ëngjëjve”- tha Xhavella, -
se edhe vetë ai ishte një ëngjëll” dhe
s’ju mbajtën lotët. Qau që të lehtësonte dhimbjen. Iku në përjetësi ai që ishte
sivëllai i tyre. Ata në luftë për ta mbrojtur do të jepnin edhe jetën, por nga
kjo e keqe nuk mundën ta mbrojnë.
E
kishin bërë me besa-besë, ai ishte i tyrja dhe ata të tijët.
-Lamtumirë
, vëllai ynë lord Bajron, të qoftë i lehtë dheu që do të mbulojë. Qoftë me ty
mëshira e Zotit. Prehu në paqe. Betohemi mbi trupin tënd se amanetin që na le,
luftën për liri dhe çlirim, do t’a shpiem deri në fund, qoftë edhe me jetët
tona.
Epilog.
Qeveria
revolucionare greke, e kryesuar nga arbëreshi hidriot Gjergj Kundurioti,për
vdekjen e lord Bajrionit shpalli zinë dhe ceremoninë kombëtare. Ranë perzishëm
kambanat, hë tërë kishat u falën mesha. E tërë popullsia në shenjë pikëllimi,
vazhdoi të vishej me të zeza për 20 dit. U bënë 36 të shtëna artilierie, aq sa
vjeç ishte lordi Bajron. Iu dërgua një letër e ngrohtë ngushëllimi vajzës së
tij Adës.Ajo u shpall bijë e adoptuar e Greqisë, ndërsa lord Bajronin, qeveria
e shpalli baba dhe mirënjohës të kombit.
Arkmorti
i lord Bajronit u dërgua në Angli dhe u varros në kishën Santa Meri Magdalene
të Nottinghampshire, pranë varrit të nënës së tij.
Monumenti
i tij dhe Marko Boçarit ngrihen madhështorë në parkun e heronjve të
Mesollongjit. Një basorelief me pamjen e tij është vendosur edhe në murin e
kalasë së Tepelenës.
Fund
Mesollongj 2004- Tiranë, më 30 të vjeshtës së dytë, moti
2020.