Kerko: Resmi Osmani
Resmi Osmani: Vath Koreshi - Ulku dhe Uilli
E merkure, 30.09.2020, 08:18 PM
Këndveshtrime për romanin “Ulku dhe Uilli” të shkrimtarit Vath Koreshi
Sprovë
Nga
Prof. dr. Resmi Osmani
Shkrimtari
Vath Kotreshi (1937-2006), nga kritket dhe studjuesit e tij është vleresuar si nje nga autoret më të shquar në
brezin e dytë të viteve 60-të, që erdhën pas Agollit e Kadaresë. Tregimtar,
novelist, romancier, skenarist, drejtues institucionesh, ministër e deputet, ai
la gjurmë të pashlyeshme në letrat shqipe por edhe si veprimtar shoqëror.
Pas
viteve 90-të, i çliruar nga dogmat doktrinare të metodës së realizmit
socialist, ndryshe nga disa të tjerë që s’u përshtatën dot dhe heshtën e u
tërhoqën, ai vijoi krijimtarinë, por tashmë me atë liri që i lejon krijuesit të
shpalosë artin dhe filozofinë e bindjeve të tij për jetën në tërë
kompleksitetin e saj.
Koreshi,
ne romanet por edhe ne novelat e mirënjohura : Haxhiu i Frakullës, Dasma e
Sakos, Konomeja etj. ka patur prirje që të veshë me filozofinë e vet zhbirimet
e psiqikës njerëzore, raportet e ndërlikuara të personazheve, me botën,
natyrën, mjedisin dhe njeri-tjetrin. Ata, në ndjekje të realizimit të prirjëve
të tyre, kalojnë në peripeci të shumllojta, vuajnë tmerrësisht dhe
dramatikisht, kthjellohen, shpresojnë e ndërgjegjesohen në kërkim të dashurisë,
lumturisë identitetit dhe dinjitetit, që
janë vlera universal mbarënjerzore. Të përfshirë në vorbullën e impulseve të brendshme, në raport me dukuri
shpesh tejnjerëzore, thuajse divine, rrokullisen tatëpjetënë greminat e errëta
shpirtërore, apo ngjiten drejt dritës dhe amshimit, të mundur por jo të thyer.
Romani
“Ulku dhe uilli”-Ujku dhe Ylli, u publikua më 1996, nga Onufri, dhe u ribotua në vitin 2000 nga “Gjon Buzuku,
Prishtinë. Është mbase nje nga krijimet
më të mira të shkrimtarit. Edhe pse me 130 faqe, ai është një lëndë e ngjeshur,
ku çdo fjalë e fjali ka peshën kuptimore dhe bukurinë stilistike si në
tingëllimin poetik, ku çdo fjalë ka kuptim dhe mendim që, e bën leximin
detyrimisht të vemendshëm.
Romani
sjell,nga mugëtira mesjetare arbërore, në vitet e para të pushtimit turk dramën
shpirtërore të njeriut arbëror, temën universale të së mirës dhe të keqes, ose
siç thuhet:edhe ëngjëlli edhe djalli, janë brenda te i gjalli, në kontekstin
religjoz e filozofik. Në trajtimin e kësaj teme, romani sjell një sërë risish,
që e bejnë atë të veçantë, postmodern dhe të pangjashëm me krijime të tjera
romanore të atyre viteve që u publikua.
Vetë titulli “Ulku dhe uilli”, si emra të shqipes arkaike, është metafora e
njeriut të Arbërisë Mesjetare. Ujku: egërsia, shtazëria, e keqja,djallëzorja,
barbarja, e skëterrshmja e parë në kuptim universal, brenda njeriut si individ,
jetës shoqërore dhe rrethanave e zhvillimeve historike. Ylli; e kundërta e së
keqes: e mira, njerëzorja, e ndritshmja, hyjnorja, prirja për rilindje
shpirtërore.
Një
luftë e pandërprerë midis antipodeve të jetës , të mirës dhe të keqes, si dy të
kundërta që janë pjesë e qënies njerëzore që në zanafillë të lindjes se tij ,
si instikte, pjesë e unit që shfaqen me kundërvënie sipas rrethanave, herë triumfon njera e herë
tjetra, duke shkaktuar drama të thella shpirtërore.
Ulku
dhe Uilli, është roman ekzistencial, për
një komunitet, në malësitë e veriut, në gjashtë fshatra të vendosura në tri
pllaja malesh, të rrethuar nga Bojrogu(turku) dhe të izoluar nga qendrat e
besimit, në zgrip të rrokullisjes dhe tjetërsimit identitar,tharmëtimit të
traditës, besimit në zot, dokeve e zakoneve të mira, por që simbolikisht
përfaqëson Arbërorët në rrezik tjetërsimi dhe asimilimi nga pushtuesi turk.
Edhe pse autori nuk e shfaq që në fillim lidhjen shkak-pasojë, vetë zhvillimi i
ngjarjeve dhe sjellja e personazheve e ka zanafillën në rrethimin e gjatë nga
Bojrogu (turku) dhe shkëputja e krahinës nga qendra e besimit,(shkaku) që çon
në dobësimin e doktrinës së krishterë dhe moralit kristian,(pasoja). Kishat
digjen apo rrënohen dhe në vend të tyre lartësohen hovshëm drejt qiellit
minaret e xhamive. Shthurja morale,fryma dhe egërsia e ulkut, moleps edhe
klerikun, monshinjur Bdekun që jepet pas fëlligështisë, me gratë moral prishura
e që më pas shkon e vihet në shërbim të Bojrogut pushtues (turkut).Këto vese
tundojnë edhe të virtytshmin,famullitarin tjetër, vëllanë binjak të Bdekut,
monshinjur Agushtinin. Ai kupton se kanë dalë nga rruga e Zotit, njerëzit kanë
filluar të mos shkojnë në kishë, dhe ai e konsideron këtë mallkim dhe tmerr!
Kur vesi rrezikon të fitojë mbi virtytin, ai e lë famullinë dhe mbyllet në
manastir që të pastrojë shpirtin nga tundimet. Zvetënimi moral, që ze një pjesë
të mirë të romanit, dhe që ka pasoja tragjike, moleps edhe të tjerë, si persona
tipikë janë dhënë Vrana,Luçia dhe
Dominika.
Ajo
që dua të ve në dukje në këtë këndvështrim, janë risitë që romancieri Vath Koreshi, sjell në këtë
vepër, të cilat janë vrejtur kalimthi ose nuk janë trajtuar nga studjuesit dhe
kritikët e romanit.
1.Ajo
që bie në sy më së pari është gjuha. Gegërishtja mesjetare, (jo si ajo e
Buzukut), por me fjalë e frazeologji të dialektit të vjetër geg, në përputhje
me kohën dhe krahinën ku zhvillohen ngjarjet.E ka përdorur e shkruar
mjeshtërisht, në shumë kapituj, ndërsa ne kapituj të tjerë sipas rastit, gjuha
standard normative ose të kombinuara me paragrafë të veçantë. Të dy këto
qëndrojnë bri njera-tjetrës si dy gjymtyrë të të njëjtit trup gjuhësor, në
harmoni dhe si plotësuese të njëra-tjetrës, si dy krahë që i japin fluturim
shqiponjës së gjuhës shqipe. Kësisoj lexuesi sheh të materializuar si një risi,
nismën per të shkruar shqipen ndërdialektore të bukur dhe elegante, të aftë të
shprehë shumësinë dhe thellësinë e mendimit dhe filozofisë autoriale. Në roman
gjen me mbushullim, fjalë të veçanta, apo fjalformime të qëlluara,si:rrezikzi,
ngucakeqe, bardhkaltërem, gazdritë, qerthullane, gjapagja, buzag, të
përqiellta, të përtokta, epaburrë, humbaq, ngjesharan ,fjalpathëni, keqoti,
humbaq,zapazani, etj. por duhet vënë në dukje se i dhënë pas kësaj prirjeje,
shpesh e në shumë raste, autori përdor fjalë të rralla që lexuesi nuk i gjen në
fjalorin e shqipes dhe e ve në vështirësi, detyrohet ta imagjinojë kuptimin e
tyre, dhe këto s’janë të pakta.
2.
Në aspektin kompozicional, në arkitekturën e ngrehinës së romanit. Romani,
megjithse 130 faqe, është i ndarë në gjashtë libra. Është një ndarje
funksionale,në dukje fragmentare, por që s’është e tillë. Ato qëndrojnë si
plotëni në strukturë, janë tërësisht funksionale për të shprehur pikpamjet dhe
filozofinë e autorit, për ngjarjen që trajton dhe idetë që do t’i trasmetojë
lexuesit:që sipas studjueses Floresha Dado,mund të përmblidhen:
-
Libri i pare; konflikti midis moralit fetar dhe mëkatit njerëzor, është problem
i fesë apo qënies njerëzore?
-Libri
i dytë;dëshirat që ziejnë brenda njeriut, e që duan të dalin mbi të, mbeten
forcë potenciale edhe pse shpesh të heshtura;
-Libri
i tretë, vuajtjet shpirtërore të njeriut të braktisur, kërkimi I identitetit,
që çon në komplekse të cilat mund të bëhen shpërthyese.
-Libri
i katërt, kufiri midis imoralitetit që mund të quhet normalitet, dhe vyrtytit,
-Libri
i pestë, fataliteti në jetën e njeriut, të cilin ai nuk e kundërshton dhe
ndjehet si qënie e pafuqishme ,tragjike;
-Libri
i gjashtë, filozofia e rilindjes
shpirtërore, e ngjitjes së vështirë, por e nevojshme për vazhdimin e jetës.
Gjetje
jo e zakonshme është ndarja e kapitujve. Të gjashtë librat ngërthejnë 81
kapituj! Madhësia e kapitujve varion nga ai me një fjali, i pari i lbrit të
katërt dhe të tjerë me gjysmë faqe apo disa faqe, në varësi të asaj qe rrëfehet
në ‘ta. Shkurtësia e kapitujve ka imponuar shkrimin e prozës së ngjeshur,
sintetike, pa asnjë fjalë të tepërt që, me pak fjalë, por të gjetura e të
qëmtuara me kujdes, flet shumë. Ky copëzim i prozës në kaq shumë kapituj,përveç
përfshirjes së shumësisë së episodeve, besoj se është shprehi e fituar nga
përvoja e tij si skenarist, ku ngjarjet, imazhet, shfaqen dhe largohen shpejt
sin në një film, duke i dhënë lëvizje dhe dinamikë të brendshme rrëfimit .
3.
Rrëfimi në tre teknika. Rrëfimin e nis në vetë të parë Lazër Pali nga famullia
e Mërturit me fjalinë”Këtë që kam nis me shkrue, o ju që ju bekoftë Zoti, ma ka
thanë një nga Apripa e Epërme, një vendas nga ajo krahinë matanë malit të
Karmeljas….” Në librat dhe kapitujt vijues, ngjarjet rrëfehen në vetë të parë,
të dytë e të tretë. Dialogët janë të pakët, vetrrëfimi nga personazhet më së
shumti i përngjason monologut të brendshëm, të menduar, ndijimeve shqisore dhe amullisë shpirtërore
të krijuar nga pazakonshmëria e ngjarjeve dhe veprimeve. Aq mjeshtërisht
rrëfehet sa ndërhyrjet rrëfimore të autorit dallohen me vështirësi, kryesisht
nga gjuha normative. Të tri mënyrat harmonizohen në një njësi stilistike që i
jep bukuri dhe mendim romanit dhe individualitetit të personazheve.
4.
Proza e romanit, ne varësi nga ngjarjet, koha dhe hapsira ku zhvillohen, nuk
është e njësuar, u përket disa metodave krijuese: realizmit të mirfilltë,
natyralizmit, surrealizmit dhe realizmit magjik, por ato si në një mozaik,
plotësojnë njera-tjetrën dhe japin efekte befasuese, shpesh poetike, në
përshkrimin e ngjarjeve dhe mjedisit. Tablo të pastra natyraliste janë ato ku
personazhi Vrana, rrëmben Domenikën dhe në një kasolle stani në një pllajë
mali, të zhveshur, mbi një truall të përbaltur e përdhunon atë me gjithë
egërsinë epshore. Pamje sureale janë ato të shfaqies në qiell të figurës së
shën Marisë dhe mbushjes së pllajës me mizërinë e njerëzve në proçesion
etj.Realizmit magjik i takojnë pamjet panoramike, ndrrimit magjik të dit-netëve dhe tablove që paraqesin urbisin-qytetin etj.
Shkrimtari, ka përdorur dhe gjetur figura, metafora dhe simbole të ndërfutura
në tekst, në fraza me bukuri e gjuhë poetike që lexuesit i mbeten në mëndje për
kohë të gjatë. Vetë personazhet janë simbole që fshehin kode dhe trasmetojnë
mesazhe. Mjafton për ilustrim vajtimi tronditës me logori i zonjës Hura në Adi
Khan, të Bojrogut.Ai vajtim i pandërprerë, rrënqethës, për orë e orë të tëra,
nuk është vajtim për fatin e saj, por vajtim për gjëmën dhe fatin e Arbërisë.
5.
Ndikimi biblik e ungjillor. Për subjektin që trajton, shthurjen morale
bjerrjen dhe shmangien nga besimi kristian dhe rruga e tënzoti, shkrimtari, që
e njeh përmbajtjen e ungjijve dhe veprat e apostujve, përdor shfaqien e
mrekullive. Ai i quan ato, si shfaqie të shëmbëlltyrave me të cilat fryma
hyjnore zbret te besimtarët për t’i kthyer në besim. Mrekullitë, me frymëzim
hyjnor, i pati kryer Jezusi para turmave dhe besimtarëve, këtë dhunti ua kaloi
si frymë të shënjtë edhe të dymbëdhjetë apostujve, si mënyrë për të rrëfyer
fuqinë e Atit dhe Shpirtit të Shenjtë.Në roman mrekullitë u shfaqen besimtarëve
që ka filluar tu trandet besimi dhe që të shohin brenda vetes. Në kishën e
Shndusë, natën e proçesionit, vajzës së verbër, trembëdhjetë vjeçe, Julias, i
vjen drita e syve, teksa në murin e kishës shfaqet ikona e Shën Marisë me
Jezusin fëmijë në krah. Shfaqia e saj shkakton ngazëllim, përdëllim e
devocion,të gjithë i falen, luten dhe bien përmbys, dhe Domenika që, sapo ka
mëkatuar i lutet:”Zonjë, ndriçoma rrugën se nuk di çfarë bëj!”- mërmëriti dhe qe penduar në çast. Tjetër mrekulli është
që, nga djegia e kishës së Shndusë, ikona e shën Marisë(Zonjës së Lumnueme) nuk
u dogj, dhe më pas, në librin e gjashtë, shfaqia e saj në një shpellë të
shndrruar në kishë,të ndriçuar me qirinj, apo figura e Zonjës së Shënjtë që i
shikon nga lartësia e reve. Mrekulli
këto, për t’i bindur mëkatarët e besimtarët shpresëhumbur, se Zoti nuk i ka
harruar apo braktisur dhe se ata, duhet të kthehen në besim. Është e drejta e
lexuesit, t’i pranojë ose jo këto mrekulli,por ato janë pjesë e realitetit
mesjetar, dhe jo vetëm. Edhe në ditët tona, besohet në mrekullitë çudibërëse të
shënjtorëve dhe objekteve të kultit. Mjafton për këtë pelegrinazhi në kishën e
Shnandoit të Laçit,në malin e Tomorrit,
apo në vakëfe dhe vende të tjera të quajtura “Të mira”.
6.Psikanaliza
dhe ndikimi i frojdizmit. Autori, në trajtimin e temës, në luftën midis të mirës dhe të keqes që, përbën edhe
leitmotivin e veprës, ka aplikuar psikanalizën frojdjane dhe zhbirimin analitik të imtësishëm psiqik të personazheve kryesorë:monshinjur
Agushtinit dhe monshinjur Bdekut, mullisit Vrana, Domenikës, Luçies dhe zonjës
Hura. Më e shprehur dhe e materializuar teoria frojdiste aplikohet në
personazhin e Vranas. Në qënien e këtij personazhi, libido(instikti seksual i
kënaqësisë) del më i fuqishëm se uni dhe superuni. Pasioni i fuqishëm, i
papërmbajtur, e shtyn atë në veprime të pakontrolluara, për plotsimin e
dëshirës seksuale, deri në egërsi, rrëmbim e përdhunim dhe akte të tjera, për
zotrimin e femrës së dëshiruar,apo akte shkatërruese që nga cmira dhe urrejtja,
në kërkim të identitetit të vet dhe zotrimit të femrës, arrin në asgjësimin e
Frederikut, burrit të Domenikës gjatë djegies së shtëpisë. Djeg kishën e
Shnandusë dhe shkatrron mullirin, vret mushkën dhe çi del përpara.
Egërsia,çoroditja, tërbimi dhe çmenduria janë pasojë e pa aftësisë për të
vetkontrolluar dëshirat me vetpërmbajtjen, instiktin seksual, që del më i
fuqishëm se uni dhe superuni. Edhe te personazhi i Domenikës, me gjithë
vuajtjet kundërshtuese, herë – herë, në çaste kthjellimi, ngjallet dhe nxjerr
krye, kënaqësia e nxitur nga instikti seksual, por te ajo, uni dhe super uni, e
frenojnë, por sido qoftë ajo,thuajse e çmendur, e shkatrruar trupërisht e
shpirtërisht, përfundon me vetasgjësim.
Si
një antitezë të së keqes dhe triumfit të
së mirës, autori na e jep me
monshinjur Agushtinin, i cili arrin vetpërmbajtjen dhe mposhtjen e nxitjeve
instiktive nëpërmjet moralit kristian, besimit në Zot, mbylljes në manastir dhe
më pas si prijës i grigjës së
besimtarëve për rilindjen e besimit, në kërkim të ikonës së shën Marisë , së
bashku me zonjën Hura, asaj gruaje që ka devocionin e një shënjtoreje që s’qe
lodhur kurrë së dashuri dhe së adhuruari.
Ata të dy ecin bashkë. Qenë lodhur e rraskapitur së kërkuari, por që
kurrë nuk u qe errësuar shpirti. Metafora e rrugës së përpjetë në kërkim të
dritës së besimit është e lodhshme, por
ata ecin, ngjiten, me besimin se do të mbërrijnë. E mira do ta mundë të keqen,
drita do të triumfojë mbi errësirën.
Romani
mbyllet me fjalët:
Çohemi
tani dhe ecim!
Është
nga ata romane, që pas leximit të parë, duhet rilexuar. Edhe pse, trajton ngjarje të periudhës mesjetare,
dukuritë, veset dhe vyrtytet janë universale, të gjithkohshme, pjesë e
shoqërisë njerëzore. Ato i flasin edhe
të sotmes, ku veset, fëlligështia, përdhunimet seksuale, pedofilia, vrasjet për
xhelozi etj janë dukuri të jetës sonë shoqërore.
Tiranë, shtator 2020.