Mendime
Gjokë Dabaj: Paratë e të huajvet dhe morali i shqiptarëvet
E marte, 08.09.2020, 08:54 PM
PARATË E TË HUAJVET DHE MORALI I SHQIPTARËVET
Nga
Gjokë Dabaj
Po e nis këtë shkrim me një bisedë
midis meje dhe bashkëshortes sime, sot në mëngjes, duke pirë kafen tonë të
përditshme.
“Në
qoftë se Mali i Zi do të më ofronte, mua tivarasit, një pagesë prej 400 eurosh
në muaj për ta quajtur veten malazi, nuk e di si do të veproja,“ i
thashë gruas. “Unë kam nevojë edhe për 40 euro, jo më për 400 euro që t’i merrja
rregullisht duke ndenjur në shtëpi”.
“Ti qenke burrë i poshtër!” më tha gruaja. “Si, ore, do t’i pranoje paratë e një shteti
të huaj?! Spiun edhe tradhtar!”
Atëherë unë, duke qeshur, i thashë sime
shoqeje, që është nga Përmeti: “Pse, ti nuk do t’i pranoje 400 euro në muaj,
nëse do të t’i jepte Greku?!”
…Ne nuk jemi institucion shtetëror dhe
nuk e dimë saktësisht si qëndrojnë këto punë. Por shtetet tanë, edhe Republika
e Shqipërisë, edhe Republika e Kosovës, duhet të kenë informacione të plotë.
Thuhet që Greqia u paguan shumë
shtetasvet të Republikës së Shqipërisë nga 300 euro në muaj, me kusht që, nëpër
dokumente të jenë regjistruar si grekë. Le të jetë nga Tirana, le të jetë nga
Durrësi, le të jetë edhe nga Lezha, mjafton që të jetë deklaruar grek dhe i
merr paratë rregullisht. Por sidomos kur shtetasi shqiptar është nga Himara,
nga Gjirokastra, nga Përmeti a nga Korça, buxheti shtetëror i Greqisë nuk
kursehet.
E njëjta gjë ndodh, po thonë, edhe me
disa shtete islamikë. Ata po u japin pagesë mujore vajzavet dhe nusevet
shqiptare vetëm që ato të vishen me uniformë grashë dhe vajzash myslimane. Edhe
burrat e tyre po thuhet se marrin pagesë kur bashkëshortet e veta i veshin pas
rregullavet të fesë islame dhe kur shkojnë rregullisht në xhami.
Sërbia, në krahun tjetër, po u jep
“rroga” të rregullta të gjithë sërbëvet dhe malazezëvet që po pranojnë për të
jetuar në Republikën e Kosovës. Nëse nuk do t’i kishin rrogat e Beogradit,
sërbët e malazezët nuk do të qëndronin asnjë ditë në Kosovë. Kosova s’është
atdheu i tyre dhe edukimi i tyre nuk është i atillë që ata të mund të shkojnë
mirë me shqiptarët.
Nëse të tre këta informacione janë të
saktë, nëse vërtet shtetet, fqinjë ose jo fqinjë të Shqipërisë, veprojnë në
këtë mënyrë, ky do të ishte një motiv i mjaftueshëm për t’u revoltuar. Përse të
sillen kështu këta shtete kundër kombit tonë?! Ç’i shtyn këta shtete të na
joshin në këtë mënyrë, duke ua pakësuar popujvet të vet buxhetet?! Madje
shpeshherë duke i lënë shtetasit e vet në pikë të hallit?! Kjo është, në
kuptimin e plotë të fjalës, një poshtërsi! Është poshtërsi, e cila kamuflohet,
mbulohet, me gjoja humanizëm dhe me gjoja patriotizëm!
Po gazetat tona ç’bëjnë?! Përse nuk
investigojnë, pë t’i zbuluar të tilla veprimtari mirëfilli antishqiptare?!
Po qeveritë tona, ku i kanë sytë edhe
veshët?! Ku e kanë
vetëdijen kombëtare qeveritë tona?!
Secili njeri që
pranon të marrë një pagë nga të huajtë për çfarëdo veprimi antikombëtar, qoftë
edhe për një qëndrim “pasiv“, thjeshtë duke e regjistruar emrin e vet me
përkatësi të huaj kombëtare, duhet të shpallet spiun dhe tradhtar! Të shpallet
spiun dhe tradhtar, dhe të merrren masa ligjore ndaj tij! Të dënohet siç i
dënon gjithë bota spiunët dhe tradhtarët!
Ndërsa ndaj atyre
që janë vërtet grekë, që janë vërtet sërbë, bullgarë apo malazezë, shtetet tanë
përsëri duhet të kenë ligjet përkatës: “Zotëri (ose Zonjë), nëse nuk të mjaftojnë të
ardhurat që i siguron në shtetin tonë, shko në shtetin tënd të origjinës!”
Ky duhet të jetë qëndrimi i qeverivet
tona.
Në ndërkohë, nëse unë e kam gabim në
gjykimet e mi, hajde të diskutojmë! A u jep Sërbia para sërbëvet që jetojnë në
Kroaci?! Po bullgarëvet që jetojnë në Greqi, a u jep para Bullgaria?! A u jep
Greqia para grekëvet që jetojnë në Turqi?! A u jep Turqia para myslimanëvet që
jetojnë në Bullgari?! Po Gjermania a u jep para gjermanëvet që jetojnë në
Çeki?!
Dhe, nëse ndodh kështu edhe atje, cili
është qëndrimi i qeverivet ndaj të këtillë veprimesh subversivë?! Për shembull,
në qoftë se Franca do t’u paguante 400 (ose 4000) euro në muaj një numri
gjermanësh, ta zëmë një million gjermanëvet, thjeshtë për t’u deklaruar
francezë, si do të vepronte qeveria gjermane?!
Në bisedat tona familjare tema të
këtilla përbëjnë shqetësim të madh. Ku po shkon kombi ynë, i krimbur nga të
këtilla dukuri, kur krimbat na i prodhojnë e ushqejnë shtetet keqdashës dhe ne i
durojmë, siç i duron krimbat një lopë a një dele që është duke ngordhur?!
8 shtator 2020