Kerko: a
Xhelal Zejneli: Johann Wolfgang von Goethe
E enjte, 27.08.2020, 08:47 PM
Goethe në vitin 1828, nga Joseph Karl Stieler
JOHAN VOLFGANG FON GËTE
Ari mund ta blejë zërin e turmës, por s’mund
të sigurojë as edhe një zemër të vetme (Gëte)
Nga Xhelal
Zejneli
Johan Volfgang fon Gëte (Jonann
Wolfgang von Goethe, Frankfurt-mbi-Majn, Perandoria e Shenjtë Romake,
28.08.1749 – Vaimar, Konfederata Gjermane, 22.03.1832) është poet, romancier,
dramaturg, administrues, dijetar, gjeolog, botanist, politikan dhe filozof
gjerman. Ishte bir i një babai të arsimuar. Nëna, bijë e kryetarit të atëhershëm
të Frankfurtit, e lindi kur ishte 18 vjeçe. Gëte kishte një motër e cila quhej
Kornelia. Shkruante tregime qysh si i vogël. Ndoqi orët e vallëzimit, të
kalërimit dhe të skermës (ndeshje me shpata). Dashurinë për teatrin e kukullave
e trashëgoi prej së ëmës. Në vitet 1765-1768 studioi drejtësinë në Lajpcig,
ndërsa në vitet 1770-1771, në Strasburg. Në vitet 1768-1770 tregoi interesim
për mistikën religjioze, për alkiminë, për astrologjinë dhe për filozofinë
okulte. Krahas drejtësisë mësoi edhe kiminë, anatominë dhe fizikën.
Gjatë jetës, Gëte ka qenë në lidhje dashurie me disa
femra. Si i ri, ka dashuruar vashën e quajtur Fridrih Brion (Friedrich
Brion), bijë e një pastori, prifti protestant. I pikëlluar, u nda prej saj.
Duke u bazuar në përvojën e vet, Gëte ka shkruar shumë për ndarjet e të
dashuruarve. Dëshpërimi në dashuri e ka frymëzuar Gëten për ta shkruar edhe “Faustin”.
Përpos për dashuritë e thyera, shkroi
edhe për shkencë dhe filozofi. Në vitin 1771 ishte avokat në Frankfurt. Po atë
vit botoi revistën “Götz von Berlichingen”. Në vitin 1774 u fejua me Elizabet
Sheneman (Elizabeth Schönemann, 1758-1817) të cilën në poezitë e veta do ta
quaj Lili. Ajo ishte inspirim i shumë poezive të tij. Tani nga qyteti i
lindjes largohet përgjithmonë.
Në vitet 1770-1771
në Strasburg shoqërohet me Johan Georg Herderin i cili kishte
fituar famë me shkrimet kritike. Nën ndikimin e tij, Gëte fillon të interesohet
për poetin antik grek Homerin (shek. VIII para K.), për poezinë
popullore, për Shekspirin dhe për të kaluarën kombëtare gjermane.
Përfshihet në lëvizjen Sturm und Drang. dhe boton revistën letrare “Götz von
Berlichingen”. Në vitin 1772, me të parë se me praninë e tij e prishte
harmoninë midis mikut të vet, avokatit dhe arkivistit gjerman Johan Kristian
Kestner (Johann Georg Christian Kestner, 1741-1800) dhe të fejuarës
së tij Sharlot Buf (Scharlotte Buff, 1753-1828), largohet nga lëvizja.
Si i ri, Gëte kishte rënë në dashuri me Sharlotën Buf, por ajo e kishte
refuzuar dhe ishte martuar me Kestnerin.
Ky episod, lajmi për
vetëvrasjen e një të njohuri të tij i quajtur Jerusalim dhe sugjerimi që të mos
shkonte më në shtëpinë e tregtarit Brentan, me gruan e të cilit i binte një
instrumenti muzikor, e motivuan për ta shkruar romanin “Vuajtjet e djaloshit
Verter” të botuar më 1774. Vepra i
solli famë botërore. Para këtij romani e kishte botuar tragjedinë “Götz von
Berlichingen” (Gëci i Berlihingenit, 1773) të shkruar
sipas shëmbëlltyrës së Shekspirit.
U bë letrar i
famshëm qysh në moshën 25-vjeçare. Nga nëntori i vitit 1775, pas suksesit të
romanit të tij të parë “Vuajtjet e djaloshit Verter”, Gëte sillej në
krahinën e Saksen-Vaimarit. Në vitin 1778, me ftesë të Dukës së Madh të
Saks-Vaimar-Ajsenah-ut (Saxe-Weimar-Eisenach), Karl August (1757-1828),
poeti tanimë i famshëm, Gëte, shkon në Vaimar ku do të kryejë një sërë punësh
politike. Në fillim u bë këshilltar kryesor i dukës. Së shpejti aty e sjell Herderin
dhe Shilerin. Vaimari bëhet strehë shpirtërore e rëndësishme e
Gjermanisë.
Aty njihet me Sharlot
fon Shtajn (Charlotte Albertine Ernestine Amalia von Stein, 1742-1827) së
cilës i kushtoi 1700 letra dhe një numër poezish. Në Vaimar punoi në vitet
1775-1786, d.m.th. plot njëmbëdhjetë vjet. Në vitin 1782, në saje të dukës së
kësaj krahine, Karl August, Gëte u bë pjesëtar i fisnikëve.
Si oficer i ushtrisë së Prusisë, Gëte mori pjesë në
betejën e Valmit. Në vitet e mëvonshme njohu Napoleonin dhe u dekorua me
Urdhrin e Legjionit të Nderit. Në vitin 1806, ndonëse i fejuar, Gëte u martua
me Kristiana Vulpius (Johanna Christiana Sophie Vulpius, 1765-1816). Ajo
ka qenë e martuar dhe ka pasur pesë fëmijë. Me këtë grua e cila vdiq në moshën
51-vjeçare, Gëte kishte një djalë, që quhej Karl.
Gëte ishte pjesëmarrës i hershëm i lëvizjes letrare Sturm
und Drang (Stuhi dhe Vrull). Gjatë dhjetë viteve të tij të para
në Vaimar, Gëte ishte anëtar i Këshillit shtetëror të dukës, ishte anëtar i
Komisionit për çështje të luftës dhe të qarkullimit rrugor, mbikëqyri rihapjen
e minierës së argjendit në Ilmenau, zbatoi një varg reformash administrative në
Universitetin e Jenës, dha ndihmesë në planifikimin e Parkut botanik të
Vaimarit dhe në rindërtimin e pallatit të dukës, që në vitin 1998 u përfshinë në listën e
thesarit botëror të UNESKO-s.
Gëte është një nga personalitetet kryesore të letërsisë
gjermane, të neoklasicizmit dhe të romantizmit
evropian. Ushtroi ndikim të madh mbi shumë shkrimtarë dhe mendimtarë të shek.
XIX. Dha ndihmesë të madhe në shkencë, në fizikë dhe në biologji. Si shkrimtar,
është cituar shpesh, ndërsa frazat e tij janë bërë pjesë e pandarë e gjuhës
gjermane. Me veprat e veta ndikoi që letërsia gjermane dhe evropiane, neoklasicizmin
ta zëvendësojnë me romantizmin. E shtriu ndikimin e vet në mbarë
Evropën.
Në shekullin XX, prej veprave të tij lindën shumë vepra
muzikore dhe pjesë dramaturgjike. Prej poezive të tij krijuan vepra muzikore
kompozitorë të mëdhenj, si: kompozitorët gjermanë Robert Shuman (Robert
Schumann, 1810-1856) dhe Johanes Brams (Johannes Brahms, 1833-1897) si
dhe kompozitorët austriakë Franc Shubert (Franz Schubert, 1797-1828), Hugo
Volf (Hugo Wolf, 1860-1903) dhe Johan Shtraus (Johann
Strauss,1825-1899).
Gëte mbështeti mendimin e shkrimtarëve të rinj të
atëhershëm se letërsia gjermane ka nevojë për ndryshime të caktuara. Konsideronte
se shumë poetë, në të shkruar të poezisë, janë tepër rigorozë. Kërkonte liri
dhe kreativitet më të madh në letërsi. I ndihmoi Herderit për të
mbledhur poezi popullore. Që të dy besonin se poezia vjen nga zemra dhe
ajo duhej të bazohej në ndjenjat dhe në përvojat e poetit dhe jo në idenë e
vjetruar sesi duhej të ishte një poezi e mirë.
Shënim: Sturm
und Drang është periudhë apo lëvizje letrare në Gjermani e viteve
1767-1785. Emrin e mori sipas dramës “Sturm und Drang” (Stuhi dhe
Vrull, 1776) të dramaturgut e romancierit gjerman Fridrih Maksimilian
Klinger (Friedrich Maximilian Klinger, Frankfurt-mbi-Majn, 1752 – Dorpat,
Rusi, 1831). Kjo lëvizje letrare ngrihet kundër klasicizmit, iluminizmit
dhe racionalizmit të tepërt. Kërkon më shumë ndjenja dhe botën e
imagjinatës. Arti është vepër e gjenive. Kjo kohë quhet edhe epokë
e gjenive. Në botën materiale të detyrimeve dhe të rendit ligjor, kjo
kategori e njerëzve e kishin vështirë të jetojnë të lirë. Për këtë arsye fati i
tyre pashmangshëm është tragjik. Heroi i romanit “Vuajtjet e djaloshit
Verter” të Gëtes ka fund tragjik. Pajtimi i tij me shoqërinë është i
pamundur.
Formë letrare kryesore e kësaj lëvizjeje letrare, krahas poezisë
lirike ishte edhe drama. Drama e shprehte më drejtpërsëdrejti konfliktin
e pazgjidhur midis gjeniut të pafrenueshëm dhe rendit botëror ekzistues. P. sh.
dramat “Die Räuber”(Cubat, 1782) dhe “Wilhelm Tell” (Vilhelm
Teli, 1804) të Fridrih Shilerit.
* * *
Punimi shkencor i
parë i Gëtes “Metamorfoza e bimëve” u botua pas kthimit të tij nga një
qëndrim në Itali në vitin 1788. Më 1791 ishte drejtor i teatrit në Vaimar,
ndërsa më 1794 lidhi miqësi me poetin gjerman, dramaturg, përkthyes, botues dhe
kryeredaktor reviste Fridrih Shiler (Friedrich Schiller, 1759-1805).
Shileri ishte mjek ushtarak dhe profesor në Universitetin e Jenës, një nga
përfaqësuesit më të mëdhenj të romantizmit gjerman. Përktheu në
gjermanisht Shekspirin (William Shakespeare, 1564-1616), dramaturgun
francez Zhan Rasin (Jean Racine, 1639-1699) etj. Gëteja i shfaqi dramat
e Shilerit si premierë deri në vdekjen e tij më 1805. Gjatë kësaj periudhe
botoi romanin “Vitet e arsimimit të Vilhelm Maisterit”, 1795-96)
dhe vargjet epike “Hermani dhe Dorotea”, 1797). Më 1808 botoi pjesën e
parë të tragjedisë “Fausti” me tematikën e së cilës ishte preokupuar mbi
30 vjet.
Konverzacionet e Gëtes
dhe veprimet e përbashkëta që ndërmori prej vitit 1790 e më pas me Shilerin,
me filozofin gjerman Johan Gotlib Fihte (Johann Gottlieb
Fichte, 1762-1814), me shkrimtarin e filozofin gjerman Johan
Gotfrid fon Herder (Johann Gottfried Herder, 1744-1803), me
natyralistin, gjeografin dhe eksploruesin gjerman, vëlla më i vogël i Vilhelm
fon Humboltit, Aleksandër fon Humbolt (Friedrich Wilhelm Heinrich
Alexander von Humboldt, 1769-1859), me filozofin gjerman, gjuhëtar, burrë
shteti, bashkëthemelues i Universitetit të Berlinit Vilhelm fon Humbolt (Wilhelm
von Humboldt, 1767-1835), me poetin gjerman, kritik letrar dhe përkthyes
i Shekspirit August fon Shlegel (August Wilhelm Schlegel, 1767-1845),
me poetin gjerman, kritik letrar, filozof, gjuhëtar, indolog, vëlla
i August Shlegelit, Fridrih fon Shlegel (Karl Wilhelm Friedrich
Schlegel, 1772-1829) - në vitet në vijim u quajtën klasicizëm i Vaimarit.
Filozofi dhe eseisti
gjerman Artur Shopenhauer (Arthur Schopenhauer,1788-1860) romanin “Vitet
e arsimimit të Vilhelm Maisterit” të Gëtes e konsideron si një prej katër
romaneve më të mira të shkruara ndonjëherë, bashkë me romanin “The Life and
Opinions of Tristram Shandy, Gentleman” (Jeta dhe mendimet e Tristram
Shendit, xhentëlmenit, 1-2, 1759, 3-4, 1760, 5-6, 1761, 7-8, 1765, 9, 1767)
të romancierit anglez Lorens Stërn (Laurence Sterne, 1713-1768), me
romanin epistolar “Julie ou La Nouvelle Héloïse” (Julia ose Heloiza e
re, 1761) të shkrimtarit e filozofit francez Zhan-Zhak Ruso
(Jean-Jacques Ruosseau, 1712-1778) dhe me romanin “Don Kishoti” (Pjesa
I, 1605 dhe Pjesa II 1615) të shkrimtarit spanjoll Miguel de Servantes (Migel
de Cervantes Saavedra, 1547-1616).
Eseisti dhe poeti
amerikan Raelf Uëldou Emërsën (Ralpf Woldo Emerson, 1803-1882), në
librin “Representative Men” (Personalitete të shquara, 1850)
e ka zgjedhur Gëten si njërin prej gjashtë njerëzve më të shquar, bashkë
me Platonin (427-347 para K.), me shkrimtarin, dijetarin, filozofin dhe
teologun suedez Emanuel Svedënborj (Emanuel Swedenborg, Stokholm, 1688 –
Londër, 1772), me prozatorin dhe filozofin francez Mishel dë Montenj (Michel
Eyquem de Montaigne, 1533-1592), me perandorin dhe prijësin ushtarak francez Napoleon
Bonapartën (Napoleone di Buonaparte, 1769-1821) dhe me Shekspirin (William
Shakespeare, 1564-1616).
Komentet dhe
observimet e Gëtes përbëjnë bazën e disa punimeve biografike. Më i njohur prej
tyre është “Gespräche mit Goethe in den letzten Jahren seines Lebens, 1823-1832”
(Biseda me Gëten, Lajpcig 1836) i poetit gjerman Johan Peter
Ekerman (Johann Peter Eckermann, 1792-1854).
* * *
Krijimtaria letrare e Gëtes i takon periudhës së
romantizmit dhe të neoklasicizmit. E
para vepër e Gëtes para se të kishte vajtur në Vaimar, tragjedia “Gëci i
Berlihingenit” (1773), njëherazi është ajo që i solli famë. Nëpërmjet një
teme nga Gjermania e shekullit XVI tërheq një paralele historike me konfliktet
politike ndërmjet qytetarisë dhe oborreve të kohës së tij. Me këtë dramë Gëte
doli në krye të grupit të poetëve të rinj.
Në romanin epistolar (në formë letrash) “Vuajtjet e
djaloshit Verter”(1774) që i dha famë botërore, kemi të bëjmë me një rrëfim
thellësisht personal. Verteri i ri dashurohet me pasion te një grua e martuar që
në fund të përfundojë me vetëvrasje. Lëndën e kësaj vepre Gëte e mori nga jeta
e vet. Heroi i veprës rrëfen me hollësi për gjendjen shpirtërore dhe për
vuajtjet që ia shkakton dashuria. Bëhet fjalë për pakënaqësinë pasive dhe
sentimentale të heroit të kohës, i cili është tejet emocional dhe i ndjeshëm.
Ai ik nga bota por nuk mund t’u ikë prangave që ia imponon shoqëria. Largohet
prej njerëzve dhe gjen strehim në natyrë.
Ky nuk është vetëm një roman epistolar dashurie, sipas
shembullit të Semjuel Riçërdsonit. Heroi rrëfen edhe për përjetimin e
jetës në përgjithësi, për entuziazmin dhe ankthet e botës psikike të tij. Jeta
për të cilën ëndërron Verteri është në kundërshti të plotë me realitetin që e
rrethon. Ai ndjen hidhërim për shkak të konvencioneve të prapambetura të
shoqërisë që e frenojnë zhvillimin e lirë të individit dhe të shpirtit
njerëzor. Është një prej romaneve më të rëndësishme të dashurisë në letërsinë
botërore. Madhështia e kësaj vepre qëndron në faktin se kemi të bëjmë me
rrëfimin melankolik, emocional dhe lirik të disponimeve shpirtërore më të
fshehta dhe të dhimbjeve shpirtërore më intime. Para kësaj vepre, për një gjë
të tillë nuk është ditur, ndërsa koha ka dëshmuar se edhe pas kësaj vepre, një
gjë e tillë nuk është dëgjuar.
Duke paraqitur një tragjedi dashurie, Gëte i ka pasqyruar
të gjitha problemet e mëdha të kohës së vet në luftën për zhvillimin e
personalitetit. Synimi i Verterit për zhvillimin e lirë të personalitetit, duke
qenë në kundërshti të dhimbshme me konvencionet shoqërore, do ta çojë të riun
drejt vdekjes. Ky roman aq shumë ka ndikuar te të rinjtë saqë periudhën e
popullaritetit të tij e kanë quajtur “ethet e Verterit”. Për
shkak të rritjes së numrit të vetëvrasjeve, në Itali dhe në Danimarkë libri
ishte ndaluar një kohë. Tema e kësaj proze lirike e shprehu ndjenjën jetësore
të shumë brezave në mbarë Evropën.
Shënim: Semjuel
Riçërdsoni (Samuel Richardson, 1689-1761) është prozator anglez, me arsimim
modest. Që në moshën 13-vjeçare fitonte para duke shkruar letra dashurie për të
dashuruarit. Është autor i romanit në shtatë vëllime “Clarissa: or, The
History of a Young Lady” (Klarisa ose rrëfim për zonjën e re, 1748-49).
Romanin nisi ta shkruajë në vitin 1744. Fati i Verterit të Gëtes është po ai i
Klarisës së Riçërdsonit. Ajo dy herë refuzon të martohet kundër
vullnetit të saj. Duke mos mundur ta përballojë situatën me të cilën është
ballafaquar, vdes.
*
* *
Në vitin 1786 Gëte e pa se detyra e këshilltarit nuk i
mundësonte kohë të duhur për të shkruar, ndaj shkoi në Itali ku qëndroi
18 muaj (1786-1788). Atje u bë drejtues i teatrit të dukës. Lexonte histori
arti dhe poetët e lashtësisë. Me t’u kthyer nga Italia shkoi në Vajmar. Pas një
kohe të shkurtër u rikthye në Apenine. Atje vendosi lidhje të ngushtë me
dramaturgun dhe poetin gjerman Fridrih Shiler (Friedrich Schiller,
1759-1805). Gjatë krijimit të veprave letrare ndihmonin njëri-tjetrin. Miqësia
midis tyre zgjati deri në vdekjen e Shilerit më 1805.
Që prej vitit 1794 iu përkushtua vetëm shkrimeve. Në këtë
periudhë lindi romani “Wilhelm Meisters Lehrjahre” (Vitet e arsimimit të
Vilhelm Maisterit, 1796). Një roman i këtillë në gjuhën gjermane
emërtohet si “buldungsroman” që ka kuptimin “roman arsimor”.
Heronj të veprave të tij të kësaj periudhe janë njerëzit e thjeshtë dhe jo
gjenitë, si më parë. Në këtë vepër pasqyron aventurat e një të riu të përshkuar
nga pasioni për teatrin. Romani jep pasqyrën reale të jetës shoqërore në
shekullin XVIII. Si hero, Vilhelm Maisteri është një variacion i posaçëm i
Verterit. Ky roman është njëherazi edhe realizim i një programi estetik.
Gëte shkruan thuktë, me një pasuri të madhe shprehjesh, por rrëfimi intensiv i
drejtpërdrejtë gjithnjë më tepër ngarkohet me didaktikë: i tërë
entuziazmi për teatër nuk është veçse lajthitje. Si model i romanit
zhvillimor, kjo vepër ndikoi dukshëm në zhvillimin e këtij zhanri në
letërsinë gjermane.
“Nga jeta ime: fakte dhe fiksion” është
pseudo-autobiografia e Gëtes në të cilën shkruan për qëndrimin e vet në Itali.
Më vonë shkroi veprën “Zgjedhje sipas ngjashmërisë”. Tani shkruante
edhe punime dhe shqyrtime shkencore për artin gjerman. Në këtë kohë e përfundoi
dramën “Egmontin” (1788). E shkroi në vargje dramën “Ifigjeninë në
Tauridë” (Iphigenie auf Tauris, 1787) dhe e filloi në vargje
dramën “Torkuato Taso” (Torquato Tasso, 1790). “Egmonti”
është dramë me temë historike nga revolucioni holandez. Këtu ende jeton patosi
i stilit i qytetarit protestues. Në “Ifigjenia në Tauridë” Gëte i
kthehet lashtësisë greke, përkatësisht renesancës italiane, për t’i paraqitur
në petkun klasik problemet e mëdha njerëzore, pozitën e njeriut të mbërthyer
midis pasioneve burimore dhe disiplinën shoqërore.
Në kapërcyell të fazës së vonshme të krijimtarisë vjen
romani “Die Wahlverwandtschaften” (Shpirtra të ngjashme, 1809).
Këtu jep pasqyrën shoqërore-psikologjike të problemeve erotike dhe martesore.
Është një tragjedi intime e thurur me motive simbolike. Në veprën “Zgjedhje
sipas ngjashmërisë” Gëte kërkon të hiqet dorë nga çdo gjë që është shqisore.
Madje edhe mëkati i bërë gjatë të menduarit shpie në katastrofë. Romani është
eksperiment, një përpjekje psiko-kimike.
Në vitin 1821 e shkroi vazhdimin e Vilhelm Maisterit
me titull “Wilhelm Meisters Wanderjahre” (Udhëtimet e Vilhelm Maisterit, 1821,
1829) me nëntitullin “Ata që heqin dorë”. Libri përbëhet
prej disa pjesëve të shkruara si tregime të veçanta. Në të flitet për raportin
midis heroit kryesor dhe shoqërisë. Pjesa kryesore e romanit i kushtohet
utopisë së edukimit që është përshkruar si Provincë pedagogjike. Ndonëse
flet për disiplinën dhe sintezën, për nga kompozicioni romani është tej mase i
lirë: pjesë të radhitura lirshëm, novela dhe tregime tanimë të botuara apo të
destinuara për përmbledhje të tjera, maksima dhe refleksione, si dhe ndonjë
poezi. Romani “Udhëtimet e Vilhelm
Maisterit” dhe “Fausiti” (II-1832) janë vazhdime dhe përfundime të
veprave më të hershme.
Një pjesë të madhe të jetës ia kushtoi krijimit të “Faustit”.
Versionin e parë të kësaj tragjedie e shkroi në rini. Tematika bazohet në
karakterin legjendar të njeriut me emrin Faust. Alkimisti i prirë nga interesat
vetjakë, ia shet shpirtin djallit. Gëte ia doli të kapërcejë hendekun midis
rrëfimit të vjetër dhe pikëpamjeve bashkëkohore të njeriut në kërkim të
kënaqësive. “Faustin” e shkroi në periudhën prej vdekjes së Shilerit
(1805) deri në vdekjen e vet (1832). Është dramë madhështore, me tematika e së
cilës është preokupuar mbi tridhjetë vjet. Pjesa e parë doli më 1808, ndërsa e
dyta - më 1832. Lënda e gojëdhënave mesjetare dhe të epokës së renesancës është
shkrirë me motivet bashkëkohore (tragjedia e Margaritës në dashuri), duke marrë
një shtrirje të gjerë historike. Fausti është personazhi simbolik më
markant i historisë së kulturës evropiane të kohës më të re. Në
aventurat e tij, në takimin me Mefiston, cinikun djallëzor është
pasqyruar madhështia dhe vuajtja e njeriut të shekullit të ri dhe synimi i tij
për ta njohur botën.
Në versionin burimor të “Faustit” Gëte bëri disa
ndryshime. Për të bërë ndryshime ndikoi edhe Shileri i cili i jepte
këshilla gjatë të shkruarit të tragjedisë. Pjesa e dytë e “Faustit”
është një rikapitulim madhështor i një numri të madh motivesh dhe modelesh
stili të letërsisë evropiane, që nga lashtësia deri në kohën moderne. Tani
kultura poetike virtuoze dhe simbolika e ndërlikuar, herë-herë hermetike, e
zëvendësojnë narracionin e drejtpërdrejtë të Gëtes së ri.
Shënim: Fausti
është personazhi kryesor i tragjedisë “Fausti” të Gëtes.
Është simbol i synimit të pandalshëm të njeriut për dituri dhe për
zbulimin e kuptimit të jetës, për kërkimin e fatit, sikundër është
zhvilluar dhe është manifestuar në epokën e renesancës, përkatësisht në fillim
të ngritjes së klasës borgjeze. Është i njohur betimi i Faustit para
mashtruesit të tij Mefistos*, në të cilin ia premton shpirtin
e vet në çastin kur të ndjehet fatlum: “A do të vijë ndonjëherë çasti që t’i
them atij: Ndalu! Atëherë me gjithë dëshirë do të bëhem preja jote, atëherë
lidhmë me pranga”.
Shënim: Mefistofeles (armik i dritës) është figurë e mitologjisë
hebraike-krishtere, qenie që nuk i beson të mirës, shpirt i keq, shpirt i
mohimit, shoqërues i Faustit. Fjala përdoret edhe si Mefisto; mefistofelike –
djallëzore, cinike, e neveritshme, inferrnale, satanike, demonike, sotonike.
*
* *
Në dhjetëvjeçarët e parë të qindvjeçarit XIX sytë e
Evropës së kulturuar ishin të drejtuar kah Vaimari i Gëtes, si përgjigje për
interesimin e gjallë të poetit për dëshmitë letrare të të gjithë popujve, për
“letërsinë botërore”. Kjo lidhje e ndërsjellë është një nga përmendoret e
përhershme të Gëtes. Veprat e Gëtes, sapo botoheshin ndikonin me të madhe në
letërsi dhe në art.
Stili klasicist i kësaj faze krijuese, ka edhe rëndësi
shoqërore historike. Një stil i tillë ka lindur nga bindja se kultura
estetike e ndërtuar me kujdes do ta kompensojë krejt atë që
realiteti politik i asaj kohe nuk ka mundur ta japë. Pra, përkushtimi i
Gëtes artit dhe dijes është shenjë e një rezignimi. Këtë e pranon
edhe ai kur në epigramet satirike “Xenien” (1796) të krijuara bashkë me Shilerin,
u sugjeron gjermanëve: Meqë nuk keni mundur të arrini unitet politik dhe
kombëtar, atëherë ju mbetet që njerëzoren ta
kultivoni në mendjet tuaja dhe në jetën tuaj praktike.
“Römische Elegien” (Elegji romake, 1795)
janë shembuj të poezisë erotike dhe refleksive të thurura me përjetimin intim
të lashtësisë klasike, nën diellin e jugut. Në këtë fazë Gëte shkroi epin
satirik nga mbretëria e kafshëve “Reineke Fuchs” (Dhelpra Reineke, 1794)
si dhe epin “Hermann und Dorothea” (Hermani dhe Dorotea, 1797) që
është një pasqyrim epik i jetës qytetare në periudhën e Revolucionit francez,
në petkun klasik. Me këtë vepër thekson rëndësinë e familjes, të punës së
përditshme dhe të paqes, si në “Elegjitë romake”.
Ciklin e poezive e përfshiu në përmbledhjen “West-östlicher Divan”
(Divani perëndimor-lindor, 1819). Këtu urtësia jetësore dhe
entuziazmi dashuror ndërthuren në vargjet lirike të zdritshme, të frymëzuara
nga poezia orientale. Prej vitit 1810 e deri në fund të jetës Gëte punon me
ndërprerje në shkrimet autobiografike. Prej tyre më të njohur janë ”Aus
meinem Leben. Dichtung und Wahrhait” (Nga jeta ime. Poezia dhe realiteti, 1811,
1812, 1814, 1833). Në to e paraqet jetën e vet deri në vajtjen në Vaimar
(Weimar), duke e përshkuar lëndën autentike me evokimin artistik të së
kaluarës.
Ndër tekstet e
pleqërisë mund të përmenden shkrimet me aforizma “Maksima dhe refleksione”
të botuara pas vdekjes. Aty e shohim thelbin e përvojës së madhe jetësore dhe
intelektuale të tij, gjë që mund të shihet edhe në “Biseda me Gëten” të
Ekermanit.
Zhvillimi shpirtëror i Gëtes më së miri vërehet në lirikë.
Poezia e tij e kësaj kohe është e një ritmi të lirë. Pas kësaj faze bëhet poet i
harmonisë. Natyra në këto poezi tregon rendin dhe harmoninë, shndërrohet në
poezi idesh. Të tilla janë “Kënga e natës e udhëtarit”, “Hyjnore”
dhe “Të kënduarit e shpirtrave mbi ujëra”. Nëpërmjet poezisë vë në dukje
veprimin e forcave natyrore, shumë më të forta se lloji njerëzor, ndaj arsyeja
nuk është në gjendje t’i përkufizojë.
Nga poezitë
religjioze të frymëzuara nga poeti gjerman Fridrih Gotlib Klopshtok (Friedrich
Gottlieb Klopstock, 1724-1803), nëpër poezitë anakreontike*
të frymëzuara nga tregimtari gjerman Kristof Martin Vilant (Christoph
Martin Wieland, 1733-1813) deri te ndikimi i Herderit burim i entuziazmit
poetik bëhet natyra në të cilën Gëte sheh personifikimin e lirisë
krijuese dhe të forcës themelore (“Mirëseardhja dhe ndarja”).
Shënim: Poezia
anakreontike e ka marrë emrin nga poeti antik grek Anakreonti (mesi i
shek. VI para K.) i cili trajtonte motive dashurie dhe vere.
* * *
Në “Biseda me Gëten” të Ekermanit Gëte
thotë se nuk e ka dashur iluminizmin, për arsye se vetë ai më
tepër ka qenë njeri i zemrës sesa i arsyes. Për Gëten romantikët
kanë qenë të huaj ngase në thelb ai ka qenë realist. Nga të
gjithë bashkëkohësit e vet më së shumti e ka çmuar poetin anglez të epokës së
romantizmit Xhorxh Gordon Bajronin (George Gordon Byron, 1788-1824). I
dukej sikur Bajroni më tepër i përket klasikes se romantizmit.
Gëte më së shumti e çmon poezinë dhe artin klasik, ndërsa në romantizëm sheh
diçka jo të shëndoshë, joorganike.
* * *
Gëte u bë spinozist: Zoti është në natyrë.
Në natyrë ka dy elemente: forca dhe materia.
Forca është Zoti. Prandaj duhet dashur tërë forcën natyrore. Më vonë, ky
koncept filozofik merr nuanca të tjera dhe Gëte si motiv poetik i merr
perënditë antike greke, si personifikim të forcave natyrore dhe rebelohet
kundër tyre. Motiv i poezisë “Prometeu”, e cila njëherazi është
patetike, plot luftë dhe entuziazëm.
Shënim: Baruh
dë Spinoza (Baruch de Spinoza, 1632-1677) është filozof holandez, me
prejardhje portugeze, i bashkësisë çifute.
Në këtë kohë Gëten e preokupojnë idetë e mendjeve të
mëdha apo të figurave mitologjike: historiani dhe politikani romak Cezari (Gaius
Iulius Caesar, 100-44 para K.), Fausti, Prometeu*, – simbole
të gjenive që e udhëheqin njerëzimin. Në këtë fazë (Sturm
und Drang) shfaqen ritmet, vargjet e lira, secili me numër tjetër rrokjesh,
saqë kanë mundur të shkruhen në prozë.
Shënim: Në
mitologjinë antike greke Prometeu ishte një prej titanëve. Sipas mitit,
vodhi nga qielli zjarr dhe i mësoi njerëzit sesi ta shfrytëzojnë atë, duke
rrënuar kësisoj besimin te forca e perëndive.
Në Vaimar pushon
rebelimi dhe shfaqet një Gëte i qetë, poet i harmonisë i cili në natyrë
sheh forcën amë të njerëzimit. Natyra tanimë nuk është e lemerishme, me plot
forca armiqësore, demonike, por është e endur me harmoni dhe rend, ndërsa
forcat hyjnore anojnë kah njeriu (“Këngë nate e udhëtarit”, “Të kënduarit e
shpirtrave mbi ujëra”).
Sa më ideore bëhet
poezia e Gëtes, aq më tepër sillet rreth idesë së humanes (“Hyjnore”).
Dëshira e madhe për Italinë shihet në veprën “Mignon” (Minjon). Pas
qëndrimit atje, poezia e tij bëhet shqisore aq sa edhe ideore. Gëte
qysh kur ishte në lëvizjen Sturm und Drang shkruante balada. U përsos
duke bërë garë me Shilerin, i cili gjithmonë niset nga ideja etike,
ndërsa Gëte ka koncepte më të lira.
Për Shilerin kantist*,
balada është ide për dramë, ndërsa te Gëteja spinozist
më parë vërehet veprimi i forcave natyrore të cilat janë më të forta se njeriu,
ndaj arsyeja nuk mund t’i sqarojë dhe t’i përkufizojë.
Shënim: Imanuel Kanti (Immanuel
Kant, 1724-1804) është përfaqësues i filozofisë klasike idealiste gjermane. Me
punimet e veta në epistemiologji, në metafizikë, në etikë dhe në estetikë
konsiderohet si një nga përfaqësuesit më me ndikim në historinë e filozofisë
perëndimore.
* * *
Përpos ndihmesës në letërsi, rëndësi ka edhe puna
shkencore e Gëtes. Në biologji është e njohur teoria e kushteve të
metamorfozës së bimëve. Zbuloi ashtin e mesëm të nofullës së njeriut. U
interesua për bujqësinë duke studiuar problemet e ujitjes. U mor me gjeologji,
me anatomi për arsye se ligjëronte në akademinë e artit figurativ, me morfologji
dhe optikë. Vepër e rëndësishme e tij në fushën e shkencës është “Teoria e
ngjyrave”.
* * *
Gëte ka qenë njeri i mendimit të lirë i cili
besonte se njeriu mund të jetë i krishterë në zemër, pa shkuar nëpër kisha
krishtere. Disa mësime religjioze i mohonte prerazi. Bënte dallim të qartë
midis Krishtit dhe parimeve të teologjisë krishtere. Kritikonte historinë e
kishës si një “rrëmujë lajthitjesh dhe dhune”. Qëndrimi i tij
ndaj fesë së krishterë dhe kishës mjaft ka ndryshuar dhe është interpretuar në
një përmasë akoma më të gjerë. Lidhur me krishterimin, Krishtin,
teologun, poetin dhe përkthyesin gjerman Martin Luterin (Martin Luther,
1483-1546) dhe reformat protestante sekretari i tij Ekerman
e ka portretizuar Gëten si një entuziast i cili e ka quajtur krishterimin “religjion
ultimat”. Në një rast e ka përshkruar veten si njeri që “nuk është
antikrishter, as jokrishter, por prerazi nuk është i krishterë”. Në “Epigramin
venecian 66”, Gëte e rendit simbolin e kryqit midis katër gjërave që më së
shumti nuk i pëlqejnë. Sipas filozofit dhe poetit gjerman Fridrih Niçe (Friedrich
Nietzsche, 1844-1900) Gëte ka poseduar “njëfarë forme të fatalizmit
pothuajse të hareshëm dhe konfidencial” i cili ka pasur “fe e cila vetëm
në totalitetin e çdo gjëje e shpëton veten dhe duket mirë dhe i arsyeshëm”.
I lindur në një familje luterane, feja e hershme e Gëtes ka
qenë e tronditur nga ngjarjet siç është tërmeti në Lisbonë në vitin 1755 si dhe
lufta shtatëvjeçare. Perspektiva shpirtërore e mëvonshme e tij përfshin
elemente të panteizmit nën ndikimin e fuqishëm të Spinozës,
të humanizmit dhe elementeve të ndryshme të ezoterizmit perëndimor
që shihet në mënyrë më piktoreske në pjesën e dytë të “Faustit”. Një vit
para vdekjes, në letrën Sjulpiz Buaserit, Gëte thotë se i duket sikur
gjatë tërë jetës ka synuar të bëhet një prej hipsistarianëve të një
sekti të lashtë hebraik-pagan të rajonit të Detit të Zi. Ata kanë
respektuar, si të afërt me Perëndinë, atë që e kanë njohur si më të mirë dhe
më të përkryer. Ai po ashtu ka pasur afinitet për hebrenjtë dhe në një rast
shkruan: “Energjia është baza e çdo gjëje. Çdo hebre, pavarësisht sa është i
parëndësishëm, merr pjesë në ndonjë synim të prerë dhe të drejtpërdrejtë që
shpie drejt qëllimit. Ata janë njerëzit më të amshueshëm në botë”.
* * *
Në politikë Gëte kishte pikëpamje
konservatore. Idetë e Gëtes lidhur me politikën bazoheshin në idetë e shekullit
XVIII. Gjatë Revolucionit francez (1789) ai konsideronte se entuziazmi i
studentëve dhe i profesorëve paraqet perversion të energjive të tyre.
Gëte mbeti skeptik për aftësinë e masave për të qeverisur. Po kështu,
ai nuk iu kundërvu Luftës së koalicionit të gjashtë (1813-1815) që e kanë bërë
shtetet gjermane kundër Napoleonit. Mbeti i rezervuar lidhur me përpjekjet
patriotike që pjesë të ndryshme të Gjermanisë të bashkohen në një komb.
Shkruante poezi fetare, poezi anakreontike, poezi të
frymëzuara nga natyra në të cilën Gëte shihte pasqyrën e lirisë krijuese. Një
poezi e tillë është “Mirëseardhja dhe ndarja”. Gëte ka qenë njeri i arsyes
dhe jo zemrës.
Prej Gëtes është kërkuar të shkruajë poezi që zgjojnë
ndjenja nacionaliste, por ai gjithmonë ka refuzuar. Në ditët e pleqërisë
qëndrimin e vet ia ka sqaruar Ekermanit.
“Si kam mundur të shkruaj poezi urrejtjeje kur nuk kam ndjerë urrejtje?
Dhe, të mbetet mes nesh, unë kurrë nuk i kam urryer francezët, ndonëse i jam
falënderuar Zotit kur na çliroi prej tyre. Si kam mundur unë, për të cilin të
vetmet gjëra të rëndësishme janë qytetërimi (kultura) dhe barbarizmi, të urrej
një komb që është ndër më të kulturuarit e botës, në saje të të cilit e kam
krijuar një pjesë të madhe të kulturës sime? Sidoqoftë, puna e urrejtjes midis
kombeve është një çështje e çuditshme. Gjithmonë do të hasni se urrejtja është
më e fortë dhe më barbare në një qytetërim të niveleve më të ulëta. Sipas një
pikëpamjeje të re urrejtja zhduket plotësisht kur njeriu qëndron, si të thuash,
përmbi kombet, ndërsa mirëqenien dhe vuajtjen e popujve fqinj i përjeton si të
ishin të popullit të vet”.
* * *
Në moshën 72-vjeçare u dashurua në një vajzë 17-vjeçare
të quajtur Urlika Levectov. Ajo e refuzoi. Një muaj para se të vdiste e
kishte përfunduar pjesën e dytë të “Faustit” që u botua pas vdekjes së
tij. Karrierën e filloi si shkrimtar klasik, për ta përfunduar si
romantik. Asnjë para tij nuk ndikoi aq shumë në letërsinë dhe në
artin e asaj kohe. I frikohej vdekjes por jo edhe vdekjes së vet, ngaqë besonte
se shpirti është i pavdekshëm. Vdiq në Vaimar në moshën 83-vjeçare, nga
pika në zemër. Për nder të këtij letrari të madh, në Frankfurt ndahet “Çmimi i
Gëtes”. Prej vitit 1932 Universiteti i Frankfurtit e mban emrin e tij.
Krijimet letrare dhe shkencore
Romanet: Vuajtjet
e djaloshit Verter (1774); Udhëtimet e Vilhelm Maisterit
(1821); Vitet e arsimimit të Vilhelm Maisterit (1796); Zgjedhja sipas
ngjashmërisë;
Dramat: Ka shkruar mbi 100
drama. Gëci i Berlihingenit (1773), e para dramë gjermane me
motiv kombëtar, origjinale për nga forma, me etikë jetësore dhe realitet
historik; Ifigjenia në Tauridë, Egmonti (1788); Torkuato
Taso (1789); Fausti, I (1808); Fausti,
II (1832);
Poezitë: Prometeu; Mbreti i logut të
zanave; Elegji romake (1795); Dhelpra
Reineke; Vitet e mësimit të magjistarisë; Hermani
dhe Dorotea (1797);
Veprat shkencore: Metamorfoza e bimëve (1790); Teoria e
njgyrave (1810); Udhëtim nëpër Itali; Punë pas vdekjes; Biseda
të Gëtes.