Kerko: a
Xhelal Zejneli: Elena Gjika - Personalitet i ndritur i periudhës së Rilindjes Kombëtare
E hene, 24.08.2020, 09:04 PM
ELENA GJIKA – PERSONALITET I NDRITUR I PERIUDHËS SË RILINDJES KOMBËTARE
Nga
Xhelal Zejneli
Dora d’Istria
(1828-1888), pseudonim i Elena Gjikës, ka qenë një figurë e rëndësishme
e kulturës shqiptare dhe evropiane të mesit të shekullit XIX. Është publicistë,
feministë, etnologe dhe shkrimtare rumune me prejardhje shqiptare.
Lindi në Bukuresht më 22 janar 1828 në familjen aristokrate Gjika,
të ardhur nga Parga, Maqedoni e Egjeut. Pra, prejardhja e saj është nga ngulimi
labovit i Pargës. Këtë e vërteton vetë ajo. Shkonte shpesh në brigjet e Pargës,
ku kishte dhe shumë labovitë të tjerë të cilët në shek. XVII kishin ardhur nga
Labova, duke krijuar kësisoj ngulimin labovit që ekziston sot e kësaj dite.
Prindërit e Elena Gjikës kishin emigruar në Rumani. I ungji, Grigore IV, ishte
vojvodë në Vllahi. I ati Mihal Gjika, në fillim të viteve 1800, ishte ministër
në Moldavi – Vllahi. Prindërit e saj jetën e mbyllën në Pargë kah mesi i shekullit
XIX.
Elena Gjika mori pjesë në lëvizjen kulturore të Evropës
si një luftëtare e madhe e mendimit të lirë dhe si kundërshtare e sundimit despotik monarkik dhe e shtypjes
kombëtare.
Për historinë e familjes së vet, Dora d’Istria botoi një
vepër 455 faqesh me titull Gli “Albanesi in Rumenia. Storia dei principi
Ghica nei secoli XVII, XVIII e XIX”, Firenze, 1873 (Shqiptarët e
Rumanisë. Historia e princërve Gjika në shekujt XVII, XVIII dhe XIX).Ky
studim pasi u botua në revistën Europea (1871-73), në vitin 1873
doli edhe si vëllim më vete, i përkthyer në italisht nën kujdesin e Bartolomeo
Çeçetit (Bartolomeo Ceccheti, 1838-1889). Në këtë përmbledhje studimesh
trajtohet edhe çështja e prejardhjes së familjes Gjika. Ajo tregon në
mënyrë të qartë se Gjikajt kanë prejardhje shqiptare, duke
shmangur kështu të gjitha hipotezat që synonin ta shtrembërojnë origjinën e
kësaj familjeje. Mirëpo, ajo rezervohet në njëfarë dore kur i duhet të
përcaktojë se nga cila zonë e Shqipërisë është familja e saj dhe për ç’farë
arsye të parët e Gjikajve u shpërngulën në Azi të Vogël.
* *
*
Që në moshë të re Elena Gjika udhëtoi me prindërit dhe
vizitoi oborret e Vjenës, të Drezdenit dhe të Berlinit. Kudo u adhurua për
talentin dhe bukurinë. Studioi në Rumani, në Itali, në Francë, në Gjermani. U
mbrujt me kulturë të gjerë perëndimore në shkollat më të mira të Evropës.
Më 1849, martesa me princin Aleksandër Koltov
Massalskij e shpuri në Rusi ku kaloi gati gjashtë vjet. Sipas disa
studiuesve, nga martesa me princin rus, mori titullin princeshë.
Në oborrin perandorak të Nikollës I (Nikolaj Pavlovi? Romanov,
1796-1855) kaloi një jetë të trazuar. Pas ndarjes me të më 1855, u shpërngul
dhe vajti në Zvicër. U bë e para grua që ngjiti Malin Jungfrau. Më 1860 bëri
një udhëtim në Greqi. Pjesën tjetër të jetës e kaloi kryesisht në Itali.
Ishte kundërshtare e regjimeve monarkike dhe
diktatoriale. Përkushtimi i pareshtur i saj ndaj aspiratave të pakicave
kombëtare në Perandorinë Austro-Hungareze, ndaj barazisë së gruas dhe ndaj
arsimimit të popujve e bëri të mirënjohur në mbarë Evropën. Duke qenë një
veprimtare e rëndësishme e lëvizjes kulturore evropiane si dhe kundërshtare
e sundimit despotik dhe e shtypjes së popujve, disa studiues e kanë
quajtur edhe pioniere të Evropës së bashkuar. Duke qenë se kishte gjak
princëror, nuk e kishte të vështirë të vendoste kontakte të shumta me rrethet
intelektuale, shkencore, politike dhe letrare të Evropës. Fama e kësaj zonje
fisnike shpejt u përhap në mbarë Evropën, por edhe përtej kontinentit të vjetër.
Ajo kishte kontakte me personalitete të njohura të kohës,
si p.sh. me njërin nga themeluesit e shkencës së albanologjisë, albanologun
gjerman, diplomat në shërbim të Austrisë
Johan Georg fon Hahn (1811-1869), me patriotin dhe figurën
e shquar për çlirimin e bashkimin e Italisë, gjeneralin Xhuzepe Garibaldi
(Giuseppe Garibaldi, 1807-1882), me Adam Volfin etj.
Ishte një mike e poetit romantik amerikan Henri Uodsuërth Longfelou
(Henry Wadssworth Longfellow, 1807-1882), autor i poemës romantike “Skënderbeu”
(1873). Nën ndikimin e Dora d’Istrias, Lonfelou hartoi poemën romantike “Skënderbeu”
(1873), me temë kthimin e heroit në Krujë pas betejës së Nishit. Kryetrimin
poeti e ka paraqitur si një hero legjendar. Në vitin 1916 vepra u shqipëruar
mjeshtërisht nga poeti, figura e shquar dhe e shumanshme e letërsisë, kulturës,
jetës fetare dhe politike shqiptare Fan S. Noli (1882-1965).
Në saje të njohjes së nëntë gjuhëve të huaja,
Dora d’Istria përktheu krijime nga letërsia botërore. Falë diturisë që kishte,
tërhoqi vëmendjen e shoqërisë së lartë, madje në një moshë të re, kur nuk ishte
më shumë se 20 vjeçe. Bashkëkohësit e saj e renditën në radhën e
personaliteteve më të shquara të Evropës së asaj kohe, siç ishin shkrimtarja
franceze Zhorzh Sand* (Amandine-Lucie-Aurore Dupin,
1804-1876) dhe kontesha d’Agu (Marie d’Agoult
Flavigny, 1805-1876). Arriti kulmin e lavdisë, ndaj princi i Rumanisë Karoli
I ia dërgoi “Urdhrin e shkallës I” (Bene Merenti), vlerësim ky që në
Perëndim u jepej dijetarëve meshkuj. Në Enciklopedinë e përgjithshme
të Francës, për Elena Gjikën ndërmjet tjerash thuhet: “Princesha Elenë
njihte thellë italishten, anglishten, gjermanishten, frëngjishten, rumanishten,
greqishten, latinishten, rusishten dhe shqipen”. Njohja e këtyre gjuhëve
dhe e kulturave të popujve që i flisnin gjuhët e sipërthëna, i mundësoi që të
pajiset me një kulturë të gjerë, ndaj dhe studiuesi spanjoll Iriarte e
quajti “enciklopedi e gjallë”.
Shënim: Zhorzh Sand
jetoi në kohën e ligjit të Napoleonit (Napoleone di Bounaparte, 1769-1821,
burrë shteti francez dhe prijës ushtarak) që u jepte meshkujve pushtet të
pakufizuar ndaj grave, kur gruaja nuk kishte të drejtë për pasuri të vet, për
shkurorëzim dhe liri për të lidhur sërish martesë. Personaliteti i saj i
fuqishëm u rebelua. Herët u martua me baronin Kazimir Dudevent. Me të kishte dy
fëmijë. Asaj i pengonte pabarazia me burrin që ia impononte martesa. Thoshte: “Burri
im bën ç’të dojë, shkon me femra aq sa i do zemra, e ka në dispozicion
pasurinë. Këtu s’do të kishte asgjë të keqe, sikur kjo të ishte e ndërsjellë, e
dyanshme. Për këtë arsye dua të jem e pavarur. kthehem në shtëpi në mesnatë,
për të mos thënë, në mëngjes”. Pas tetë vjet martese, e la vatrën martesore
dhe u nis për në Paris. Aty punoi si gazetare, piktore e sidomos u mor me
shkrime. Më 1836 takoi kompozitorin polak,
pianistin virtuoz të epokës së romantizmit Fridrih Shopen (Fryderyk
Franciszek Chopin, Zhelazowa Wola, Poloni, 1810 – Paris, 1849). Lidhja e tyre
zgjati pothuajse 10 vjet (1838-1847). Pas kësaj, ajo i dha fund kësaj lidhjeje,
plot zënka. Shopeni vdiq nga tuberkulozi. U varros në Paris, ndërsa sipas
porosisë së tij, zemra iu dërgua në kishën e Kryqit të Shenjtë në Varshavë. Në
varrimin e tij ku morën pjesë 3.000 vetë, u ekzekutua muzika e kompozitorit
austriak të epokës së klasicizmit, një nga më të mëdhenjtë e muzikës klasike Mocartit
(Wolfgang Amadeus Mozart, 1756-1791). Zhorzh Sand nuk mori pjesë në
varrim. Ajo krijoi lidhje të tjera dashuria me personalitete të tjera të
jetës letrare dhe artistike të Parisit.
*
* *
Në saje të udhëtimeve dhe të shtegtimeve të shpeshta në
vende të ndryshme dhe të largëta, shkroi një sërë artikujsh publicistikë, duke
sjellë mbresa nga udhëtimet. Shumë shkrime të saj janë botuar nëpër gazeta dhe
revista të ndryshme, “Ilustration” i Parisit, “Le Jour” i
Triestes etj. Në Larousses, vëllimi VI, f. 1107, Paris 1870,
thuhet se Dora d’Istria ishte “kampione e palodhur e çështjes së kombësive,
e së ardhmes politike dhe shoqërore të popujve, për një jetë moderne”.
Në kërkimet që i bëri në Venecie, Elena Gjika flet për
marrëdhëniet intime dhe të gjata të kësaj pjese të Evropës me Shqipërinë, madje
edhe për një bashkë-vëllazëri shqiptare. Ajo ishte për përgatitjen e një kryengritjeje
shqiptare me armë. Një kryengritje të këtillë e mbështeste edhe gjeneral Garibaldi,
i cili Elena Gjikës i drejtohej me fjalët “motër heroike”.
Për ta njohur më mirë jetën dhe veprën e kësaj zonje
fisnike, duhet lexuar punimin voluminoz të ish-drejtorit të arkivave veneciane,
Bartolomeo Çeçeti (Bartolomeo Cecchetti, 1838-1889) e sidomos bibliografinë
e punimeve të saj, të ndarë në disa pjesë.
Në pjesën e parë janë përfshirë studimet dhe punimet
letrare mbi poezinë popullore, portrete letrare të gadishullit Ballkanik
e më gjerë, studime të poezisë indiane dhe të popujve të tjerë, kritika
letrare etj. Në pjesën e dytë të bibliografisë ndodhen punimet mbi jetën
në manastiret fetare, që e bënë Dora d’Istrian të famshme në Evropë. Në
pjesën e tretë trajtohen problemet shoqërore të femrave si dhe çështjet
që kanë të bëjnë me luftën. Pjesa e katërt ndërlidhet me ekonominë
politike dhe me agrikulturën. Në pjesët e tjera ndodhen artikujt
me karakter politik, histori dhe udhëtime. Në fund janë
përfshirë romancat dhe shkrime të tjera.
*
* *
Si mbështetëse e madhe e lëvizjes
kombëtare shqiptare, Elena Gjika u shqua si një veprimtare e dalluar.
Ajo bën pjesë në plejadën e personaliteteve të Rilindjes Kombëtare që bënë të
pamundurën për të mirën e kombit, të sunduar nga Perandoria Osmane. Përkrahu
dhe nxiti lëvizjen kombëtare shqiptare për liri dhe përparim. Zhvilloi
korrespondencë me figura të njohura të kohës, si p.sh. me De Radën, Dhimitër
Kamardën, Thimi Mitkon, Zef Jubanin, Zef Seremben etj. Në letrat dërguar
atdhetarëve të sipërthënë, shihet se ka rrahur mendime për organizimin e
lëvizjes kombëtare, veçanërisht në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
(1878-1981).
Shënim:
Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte organizatë e parë politike dhe ushtarake
mbarëshqiptare me frymëzim patriotik, e themeluar në Prizren më 10 qershor
1878, në kushtet e sundimit osman dhe të Krizës Lindore të viteve ’70 të
shekullit XIX.. Lidhja e Prizrenit i nisi punimet tri ditë para mbajtjes së Kongresit
të Berlinit (1787).
*
* *
Princeshën Elenë e konsideronin si modele të
bukurisë së femrës shqiptare. Ajo ishte poete, piktore,
publiciste e pasionuar, mbledhëse dhe studiuese e folklorit. Shkruante
poezi dhe tregime. Edhe pse disa e kanë konsideruar amatore në shkrimet e para,
nuk ka dyshim se studimi i saj i famshëm “La nationalité albanaise
d’après les chants populaires” (Kombësia shqiptare sipas këngëve
popullore), botuar në vitin 1866 në revistën letrare të Parisit “Revue
des deux mondes”, luajti rol të rëndësishëm në lëvizjen kombëtare shqiptare
të periudhës së Rilindjes. Në studimin e sipërthënë, midis tjerash shkruan: “Dashuria
për atdhe ka qenë gjithmonë veçoria më kryesore e shqiptarit. Shqipëria në të
gjitha kohët ka qenë vendi i heronjve. Shqiptarët janë një popull i fuqishëm,
porsi shkëmbinjtë ku jetojnë”.
Filologu dhe folkloristi arbëresh Dhimitër Kamarda
(1821-1882) këtë studim e përktheu në gjuhën shqipe me titullin “Fyletia
e arbenore prej kanekate laoshima”, Livorno, 1867. Ai e konsideronte Elenën
“unazë që lidh qytetërimin e Lindjes me atë të Perëndimit”.
Në shenjë mirënjohjeje për ndihmesën e dhënë në njohjen e
çështjes shqiptare nga opinioni publik botëror, atdhetarët rilindës dhe
arbëreshët e Italisë e të Greqisë shkruan vepra dhe poezi që ia kushtuan asaj.
Dhimitër Kamarda botoi një përmbledhje poezish atdhetare kushtuar Dora
d’Istrias, me titullin “A Dora d’Istria gli Albanesi”, Livorno 1870 (Dora
d’Istrias, shqiptarët). Kjo antologji poetike përmbante poezi nga poeti e
kleriku Preng Doçi (1846-1917, veprimtari e ideologu i
Rilindjes Kombëtare Zef Jubani (1818-1880), veprimtari i Rilindjes
Kombëtare, folkloristi Thimi Kostë Mitko (1820-1890), figura më e
shënuar e lëvizjes kombëtare shqiptare, katalizatori i ndërgjegjes kombëtare
shqiptare Jeronim De Rada (1814-1903), shkrimtari me talent
origjinal, autori i së parës dramë të shkruar në gjuhën shqipe Françesk Anton Santori (1819-1894), poeti
lirik Zef Serembe (1844-1901) etj.
Ndër pasuritë e saj letrare dhe shkencore, një vlerë të
jashtëzakonshme ka letërkëmbimi i saj me rilindësit
shqiptarë. Në epistolarin e saj tanimë të njohur dhe të publikuar,
vërehet ndihmesa e saj e madhe në luftën për pavarësinë e Shqipërisë. Në një
letërkëmbim të saj me pishtarin e romantizmit shqiptar - De Radën, më 1859,
përpos tjerash thuhet: “Populli shqiptar, një nga më të vjetrit e Evropës,
meritonte të ishte i lirë dhe në liri të zhvillonte më tej aftësitë e
veta krijuese”.
Vepra historike me interes për shqiptarët janë “Studimi
për Bushatlinjtë e Shkodrës” (1868) si dhe “Studimi
për Ali Pashë Tepelenën” (1870) me titullin e përbashkët “Shqiptarët
myslimanë”, botuar në revistën “Nuova Antologia” të
Firences.
Ajo ishte për krijimin e një akademie shqiptare
në Kalabri, sipas shembullit të Akademisë Franceze të Risheljesë, e cila do të
merrej me hartimin e një enciklopedie kombëtare e cila do të
bëhej shpirt i popullit shqiptar.
Për rolin e çmueshëm në çështjen e çlirimit kombëtar të
shqiptarëve, atdhetarët shqiptarë e quajtën “Ylli i Shqipërisë”.
*
* *
Princesha Dora d’Istria është pranuar nga disa akademi:
nga akademia e Italisë, e Francës, e Greqisë, e Turqisë evropiane, e Azisë së
Vogël, e Austrisë. Është anëtare nderi e Shoqatës arkeologjike të Athinës (28.
05.1860); anëtare e Shoqatës së gjeografëve të Francës (19 janar 1866); anëtare
korrespondente e Universitetit të Venecias (8.03.1868); anëtare nderi e disa
akademive italiane (1868-1873), mes të cilave edhe e Akademisë
Fizio-Medistatika të Milanos (18 qershor 1868); anëtare nderi e Minervës të
Triestes; anëtare nderi e Sillogut të Athinës (maj 1867); anëtare nderi e
Sillogut të Kostandinopolit (8.08.1870); Presidente nderi e Shoqatës Elikona të
Smirnës (17.03.1871); Anëtare e merituar e Akademisë Mbretërore Rafaelo nga
Urbino (17.12.1871); anëtare letrare e Shoqatës për nxitjen e teatrit në Itali,
Firence (21.01.1872); Nën-presidente nderi e Shoqatës së grave greke për
institucionalizimin femëror (11.09. 1872); anëtare e Akademisë së Konsultës
(Quiriti) në Romë (shkurt 1873); anëtare nderi e Paransios të Athinës
(28.02.1873); anëtare nderi e Akademisë së Pitagorës të Napolit (24.05.1873);
korrespondente e huaj e Akademisë Kombëtare të Letërsisë dhe të Shkencave të
Barcelonës (Spanjë); korrespondente e huaj e Institutit Arkeologjik të
Buenos-Airesit (30.05.1873); Presidente nderi dhe kujdestare e shoqatës Chark
të Kostandinopolit (20.04.1873) etj.
* *
*
Krijime dhe shkrime të caktuara të Elena Gjikës janë
përkthyer dhe janë botuar edhe në shqip. Shumë studiues shqiptarë kanë shkruar
për të dhe për veprën e saj një numër të madh artikujsh shkencorë, publicistikë
si dhe një sërë monografish.
“Gra të para nga një grua”,
shtëpia botuese “Elena Gjika”, Tiranë 2003;
Elena Gjika, “Letra drejtuar Jeronim de Radës”,
shtëpia botuese Bargjini 2004;
Elena Gjika, “Fyletia arbënore nga kanekate laoshima”,
përkthyer nga Dhimitër Kamarda, Livorno 1867.
* *
*
Vehbi Bala, “Jeta e Elena Gjikës (Dora d’Istrias”,
Mihal Duri, Tiranë 1967;
Vehbi Bala, “Jeta e Elena Gjikës (Dora d’Istrias)”,
Rilindja, Prishtinë 1970;
Koli Xoxi, “Zvicra dhe Dora d’Istria”, Tiranë,
Alta 1995;
Koli Xoxi, “Erazmi i Roterdamit dhe Helena Gjika”,
Marin Barleti, Tiranë 1994;
Koli Xoxi, “Franca sipas Dora d’Istrias”, Tiranë
1997;
Ahmet Kondo, “Dora d’Istria për çështjen kombëtare
shqiptare”, Flesh, Tiranë 2002;
Kristia Maksutoviq, “Elena Gjika dhe shqiptarët e
Rumanisë”, Çabej, Tetovë 2001.
Kristia Maksutoviq, “Un nume pe nderpet uitat: Dora
d’Istria” (Një emër i harruar me të padrejtë: Dora d’Istria), Ararat,
Bukuresht 1997;
Kristia Maksutoviq, “Dora d’Istria, Kriterion”,
Bukuresht 2004 etj.