Kerko: a
Dragusha & Gjoka: Mark Vuji, një emblemë për t’u frymëzuar
E diele, 26.07.2020, 01:57 PM
PROFESOR AS. DOKTOR MARK VUJI, NJË EMBLEMË PËR T’U FRYMËZUAR, PËRPUNUES I SAKTË I PRAKTIKËS SHKENCORE
-Në
kujtim dhe respekt të emrit dhe figurës së Tij-
(Ne
5-vjetorin e ndarjes nga jeta)
NGA
NDUE DRAGUSHA
FRAN GJOKA
LEZHE
Çdo
kohë ka heronjtë e saj, ka vlerat, të cilat rrjedhin prej njerëzve që i mbartin
dhe i transmetojnë në vijimësi ndër breza. Dhe heronjtë nuk kanë lindur të
tillë, por koha dhe rrethanat i kanë nxitur që të japin maksimumin e aftësive
të tyre për të mbetur të pavdekshëm.
Një
ndër këta “heronj”, që punoi me një përkushtim të madh dhe vëmendje
profesionale në fushën e arsimit dhe të edukimit, duke krijuar praktika
shkencore dhe duke i zbatuar ato, është dhe “Mësuesi i Popullit”, Prof. Dr.
Mark Vuji, shembulli më i mirë i një studiuesi dhe i një pune shumëvjeçare të
një didakti dhe psikologu, i cili për vite e vite me radhë punoi me objektiva
të caktuara për të futur në filtrat shkencorë, pedagogjikë dhe psikologjikë të
gjithë përvojën e punës së tij dhe të kolegëve, me të cilët punoi për shumë
vite, të studiuesve, mendimtarëve dhe shkencëtarëve të vjetër e të rinj, duke
krijuar kështu një tërësi praktikash shkencore të zbatuara dhe të provuara ndër
vite, duke prodhuar modele pozitive dhe të përparuara, prej të cilave vazhdojnë
të rrjedhin dhe traditat kërkimore në fushën e studimeve pedagogjike dhe
socialpsikologjike, në të cilat shpaloset forca e argumentit, qartësia e
objektivave dhe e rrugës nga duhet të kalojë një proces i tillë.
Prof.
Dr. Mark Vuji ishte një vëzhgues i kujdesshëm për vite e vite me radhë në
fushën e arsimit, ku mblodhi, ballafaqoi dhe zbatoi në praktikën e gjallë
gjithë materialin shkencor psikopedagogjik, duke përpunuar me kujdes gjithë
praktikën e shumë viteve dhe shtroi si detyrë para mësuesve, prindërve dhe
nxënësve përfshirjen e tyre, për të arritur tek suksesi në punën me fëmijët
përmes njohjes së sistemit të tyre
biologjik individual, sistemit psikologjik dhe sistemit social, me
qëllim që të kuptohet pozicionimi i qenieve njerëzore në ambientin social ku
bën pjesë, mundësitë që krijon ky rreth për plotësimin e nevojave të ndryshme
dhe zhvillimin e individëve pjesëmarrës.
Kjo
shkallë zhvillimi kërkonte universalizim kulturash, bashkëpunime disiplinash
shkencore, harmonizim ideshë dhe objektivash drejt një vizioni të përbashkët
global, për një botë më paqësore, me njerëz të vetëdijshëm për rolin që kanë në
një botë të tillë dhe për këtë Prof. Dr. Mark Vuji punoi gjithë jetën me një
dashuri prindi, seriozitet e përkushtim shkencëtari, bindje të thella e të
vetëdijshme shkencore dhe vullnet të papërkulur titani, duke bërë të dallueshëm
qytetarin e devotshëm, njeriun që di të krijojë sistem vlerash të studimit dhe
të bashkëjetesës sociale në shoqëri, ndryshe nga njeriu me interesa të ngushta
me përfitime personale.
Profesor
Doktor Mark Vuji nuk vuajti asnjëherë nga ndjenja e pasigurisë, sepse gjithçka
e planifikonte me kujdesin më të madh, por edhe kur i dilte rrugës diçka e re e
paparashikuar, ai i kushtonte vëmendje të madhe dhe e studionte me kujdes.
Atij nuk i mjaftonin vetëm faktet që
kishte mbledhur për punën shkencore, por ai kërkonte që t’i vërtetonte
gjithmonë këto fakte, t’i shihte, t’i prekte dhe t’i ndjente gjatë praktikës së
gjallë, t’i konsultonte me kolegët, me studentët, me prindërit dhe me
qytetarët, me të cilët kishte përherë një komunikim shumë cilësor.
Për
të nuk mjaftonte të jeshë i mirë, të bësh mirë dhe të jeshë i vlerësuar për
sjelljen tënde etike, por të punosh në mënyrë të përhershme dhe me punën tënde
të bësh mirë dhe të vlerësohesh nga ajo që bën realisht dhe që i vlen
shoqërisë, duke i dhënë asaj vetveten.
Kështu
e njohëm Profesor Doktor Mark Vujin, me të cilin ndamë një pjesë të mirë të
kohës në studimet shkencore të viteve të fundit të jetës së tij dhe nga ku mora
“limfën” e jetës dhe disa praktika shkencore të mrekullueshme, që vetëm ai që
ka punuar me Profesor Markun i kupton dhe përjeton, sepse ai ishte njeriu që
nuk kursehej, nuk pushonte asnjëherë dhe kishte një sistem të strukturuar pune
me objektiva dhe parametra të qarta.
Profesor
Marku, vitet e fundit, u ndalua më shumë tek dy dukuri të fuqishme
psikopedagogjike, të cilat lidhen organikisht njëra me tjetrën: Vizioni Mësimor
dhe Vetëvlerësimi Mësimor. Ai u investua maksimalisht në këto dy strategji të
fuqishme të mendimit dhe të veprimit aktiv, kritik e krijues, që mbështeten në
katër dhuntitë njerëzore: Vetëdija, Ndërgjegja, Imagjinata dhe Vullneti.
Nuk
është rastësi që Profesor Doktor Mark Vuji i solli shkollës sonë një sërë
studimesh me vlera praktike shkencore, si: “Një kolektiv që lufton për
përsosjen e metodave mësimore.” (Me bashkautorë). “Mbi kontrollin e punës
mësimore dhe edukative në shkollë.” (Me bashkautorë). “Probleme të organizimit
të punës bujqësore.” (1983). “Përvoja jonë për revolucionarizimin e metodave
mësimore.” (1972). “Pedagogjia për shkollat e larta.” (Kapitulli i 15 – të për
metodat aktive, kritike e krijuese). Tiranë, 1985. Didaktika (Tekst
universitar). Kapitulli i 11-të “Mbi metodat e reja mësimore”. Tiranë, 1986.
“Diskutimi si metodë mësimore.”, “Mihal Duri”, Tiranë, 1986. “Si mund të
mësohet në mënyrë aktive, kritike e krijuese.”, Tiranë, GEER, 1999. “Drejt
vetëmësimit dhe vetëformimit intelektual përmanent.” GEER, Tiranë, 2003.
“Zhvillimet kulturore e arsimore para e pas Kuvendit të Arbërit në Dioçezën e
Lezhës.” (2005). “Filozofia Arsimore e Akademikut Gjergj Fishta.” Enti Botues
“Gjergj Fishta”, Lezhë, 2007. “Vetëvlerësimi Mësimor.” GEER, 2012 dhe “Vizioni
Mësimor”, Mirgeeralb, Tiranë 2015. Përveç këtyre, Profesori ka botuar shkrime
dhe tema studimore me shumë vlera në të gjitha organet e shtypit të shkruar
shqiptar dhe jashtë Shqipërisë, të cilat janë vlerësuar shumë jo vetëm nga
lexues të zakonshëm, por dhe nga studiues të ndryshëm në fushën e arsimit dhe
të edukimit.
Në
studimet e tija, Profesor Doktor Mark Vuji sillte referenca nga sudiues,
pedagogë, psikologë dhe filozofë të ndryshëm, që kishin kontribute shkencore
lidhur me shkollën e jetën, veçanërisht në rolin dhe forcën e edukimit, në mundësitë
për të integruar vetëvlerësimin në proçesin mësimor dhe edukativ dhe për të
orientuar dhe shfrytëzuar vizionin personal dhe kolektiv. “Laboratori” i punës
së tij ishte jeta e gjallë, shkolla ku punonte, mësuesit me të cilët ndante
gjithë arritjet, nxënësit, të cilët i kishte shumë për zemër dhe që në punimet
shkencore ngulmonte që të sillte vlerat reale, psikologjinë dhe frymën e moshës
së tyre.
Nuk
mund të harrojmë kohën kur punuam së bashku në shkollën e Mesme Private “Matia”
të qytetit të Lezhës, ku Profesori ishte Drejtor. Çdo ditë diskutonim për çdo
detaj që dilte në punën mësimore dhe edukative në këtë shkollë. Kontaktet me
studentët ishin kaq prindërore nga mënyra se si i trajtonte problemet, se sa
konkrete i sillte faktet dhe se me sa vëmendje i dëgjonte ata, duke i bërë
pjesë e vetëdijshme e procesit.
Përherë
mendonte se si ta bënte nxënësin një vetëveprues të ndërgjegjshëm, një
pjesëmarrës aktiv në mësim dhe në jetën e veprimtarinë e shkollës. E gjithë
veprimtaria e tij në lidhje me nxënësit kishte brenda filozofinë e dashurisë
reciproke mes mësuesit dhe nxënësit me motivin që mësuesi duhet që të preket
nga dashuria e pakufi e këtyre nxënësve, me qëllim që të bëhen njerëz të lirë,
për të arritur dijet dhe për të ndërtuar një shoqëri demokratike, ku të
shpalosen vlerat e secilit, me një vetëvlerësim maksimal, duke i ndihmuar që të
qartësojnë vizionet e tyre personale dhe sociale, të përgaditur për përballimin
e sfidave të shekullit të ri.
“Mos
e lejo veten kurrë që të plakesh!” Leximi i vazhdueshëm dhe studimi shkencor të
mbajnë përherë të ri.”, - thoshte ai. Ai ishte shkencëtari i vendosur për të
realizuar objektivat shkencore të studimit, por dhe njeriu, të cilit i
mbusheshin sytë me lotë kur fliste për prindërit e tij, për historitë e dhimbjes
njerëzore në familjen e tij, për motrën e tij, Marien dhe merakun e përjetshëm
të saj për të si vëlla. Lotët e Profesorit kishin brenda mallin, pamundësitë që
krijon jeta për t’i parandaluar, dhimbjen e thellë, dashurinë e pakufi, brengën
e mbetur brenda qenies së tij për vuajtjet e familjes së tij, për sakrificat që
kishte bërë në jetë për të arritur deri tek Profesor Doktor Mark Vuji. Kishin
brenda këta lotë rininë e tij të dhimbshme, shqetësimin për nipërit dhe mbesat,
merakun për kujdesin e pakufijshëm që i kushtonte motra e tij e mirë, Maria.
Eh, sa shumë gjëra “notonin” në lëngun e pastër të lotëve të tij. Nuk mund t’i
harroj ata lotë, të cilët dhe sot më rikujtojnë figurën madhështore të Profesor
Doktor Mark Vujit.
Profesor
Marku ishte gjithmonë mes njerëzve: mes mësuesve, studentëve, mes jetës reale,
duke ofruar në çdo moment prezencë, vëmendje, dëgjim, kuptim, empati, nxitje,
besim, respekt, siguri, qetësi dhe secili kishte dëshirë të qëndronte pranë
tij, të mësonte, të diskutonte dhe të frymëzohej dhe kjo ia rriste përherë
vlerat dhe përmasat intelektuale të kësaj embleme frymëzuese. Ai kishte një
informacion të shumtë, fituar nga jeta dhe nga studimet, përpunuar në
“laboratorin” e mendjes së tij brilante, duke i ruajtur në kujtesën e tij të
shkëlqyer, të cilën e kishte të freskët deri në çastin kur u nda nga kjo jetë.
Profesor
Marku ishte një sistem i plotë dijesh, me një potencial të jashtëzakonshëm
intelektual dhe profesional, me një eksperiencë dhe intuitë shumë të madhe dhe
që bënte në mënyrë të vazhdueshme përpjekje që këto dije të shkonin tek
njerëzit e duhur, në kohën dhe vendin e duhur. Por nganjëherë pavëmendja
institucionale dhe vetëdija shoqërore, ku ndodhen potenciale të tilla, si
profesor Marku, nuk u krijojnë kushte dhe mundësi që këto potenciale të
shfrytëzohen maksimalisht në dobi të zhvillimit dhe progresit social.
Ai
ishte pjesë e realitetit tonë, ishte mes nesh, por më së shumti ai u mbështet
dhe përkrah nga kolegët e tij, nga qytetarët e interesuar për përparimin e
fëmijëve të tyre, nga disa institucione vendore, sepse madhështia e tij dukej
se i eklipsonte mediokrit dhe mediokritetin e atyre që kishin mundësi të bënin
diçka më shumë, por gjithsesi ai mbeti përherë Profesori i nderuar, “Qytetari i
Nderit”, “Mësuesi i Popullit” dhe kapaciteti i tij intelektual dhe shkencor u
bë pjesë e zhvillimeve profesionale në fushën e arsimit dhe të edukimit,
studimet e tija shkencore ishin dhe mbeten të një niveli të lartë shkencor.
Institucionet shqiptare kishin mundësi të bënin më shumë për profesorin e
nderuar, kishin mundësi të lehtësonin
kushtet e punës së tij, të vlerësonin dhe përjetësonin imazhin pozitiv të një
shkencëtari, që nuk kërkonte kurrë rehatinë e tij personale, që punoi në
heshtje, i privuar nga shumë nevoja të domosdoshme, për të lehtësuar punën e
tij kërkimore, i privuar nga mjetet financiare për botimet e tija dhe i lënë
pothuajse plotësisht në harresë në promovimin shkencor të punës së tij
titanike.
Kjo
gjë nuk e demotivoi Profesor Mark Vujin që të vazhdonte pa u ndalur në rrugën e
tij të studimeve, analizave progresive dhe deduksioneve shkencore drejt
qëllimit dhe objektivave që ai i kishte vënë vetes. Shtëpia e tij ishte kthyer
në një studio shkencore, ku përpunoheshin ide dhe projektoheshin libra të rinj,
përherë e më cilësorë, ku kujdesi dhe meraku i profesorit ishte gjithmonë
prezent në vlerat që duhet të mbartnin. Kjo gjë e bëri që gjithsesi vlerat e
tij të ndrijnë, të mësojnë, të udhëheqin dhe të frymëzojnë vazhdimisht, për të
mos mbetur thjeshtë një kujtim i një kohe të shkuar, por një emblemë e
domosdoshme për t’u frymëzuar jo vetëm për ne që e njohëm dhe bashkëjetuam në
kohën e tij të madhe, por dhe për të gjithë ata breza që do ta lexojnë dhe ta
studiojnë Sfinksin e Mendjes Shkencore, Mjeshtrin e Dijeve, Njeriun e Papërkulur,
Mikun e Madh të mësuesve dhe studentëve, Profesorin e dashur, Doktor Mark
Vujin.
I
përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e tij!