Kerko: a
Blerim Rrecaj: Lëmsh kohe ose pëshpërimë pandemie
E diele, 26.07.2020, 11:42 AM
Lëmsh kohe ose pëshpërimë pandemie
Nga
Blerim Rrecaj*
Tregimet
disi më kanë tërhequr gjithënjë. Që nga fëmijëria. Qysh kur dikush i afërt, a
mysafir ka rrëfyer për ndonjë ngjarje, ndodhi, a ndonjë gjë sado të thjeshtë.
Vetë
kam qenë një fëmijë i qetë, i heshtur, i ndrojtur, pa ndonjë dëshirë e talent
për t'i hyrë komunikimit a valleve që shpiejnë andej ku unë do merrja rolin e
rrëfimtarit. Kam qenë më i prirur për të dëgjuar. Kam heshtur mbase bukur, e
për dikë kjo ishte e tepërt. Bëhu më i gjallë, më këshillonte e na thonte
gjyshi. Gjyshet, nëna e babai sa i përket kësaj, s'kanë thënë ndonjë gjë. Edhe
tash sikur i shmangem kësaj valleje. Ndonëse herë-herë rrëmbehem nga
papërmbajtshmëria.
Nëpër
klasë shkollash kur bënim hartime me shkrim merrja nota e fjalë të mira prej
mësimdhënësve. E tash kur numrit 4 të moshës sime i është shtuar dhe një dysh i
mirë, sot derisa rrija në një restaurant kafene hapur së fundmi (pse a mos po
hapet ndonjë biblotekë, park, kinema e fushë rekreative a...)me emrin që është
i njohur për autorin e këtyre rreshtave, po mrizoja ulur në karrigë, përballë
gruas, ndërsa fëmijët merrnin fije bari këtej pari dhe shkonin ua hidhnin ca
lepujve në një kafaz, por edhe vizitonin kafeze me shpezë, dhi, dhe ndonjë
kaproll a drenushë të lodhur e të mërzitur që na kujtojnë gjendjen tonë, që të
paktën të bëjmë një krahasim. Ç'ambient, si një lloj oaze në i thënçin,
rrethuar me shumëkatëshe disa prej tyre në ndërtim e meremetim e sipër.
Jam
hedhur në krahët e një mëdyshejeje jo dhe aq të vogël. T'ia nis a mos t'ia nis
apo tashmë të vazhdoj provën për ta thurur tregimin tim të parë. Po t'ia nisësh
mund ta bitisësh, po mos t'ia fillosh, kushedi, do ta lësh për ndonjë herë
tjetër, ose do ta lësh fare këtë punë. Vetë vendos!
Ti
tashmë ke botuar një libër tëndin me skica dhe vargje, sikur i thua vetes, pse
të mos provosh se si e çfarë do të ndjesh po të ndërrosh paksa udhë e stil, e
ndoshta s'të kushton gjë. Është kohë pandemie katër-pesë muajshe, që s'dihet si
do e mund të shkojë, e ç'kahje e ç'drejtim mund të marrë. Sidoqoftë nxjerr
telefonin shumëfunksional nga xhepi dhe përpos ca shkrepjeve që bëj rreth e
rrotull, në mesin e tyre, përqëndrohem te këto lozë kungulli me një lule të
verdhë të çelur dhe ca tjerave që janë duke vazhduar rrugën që të hapen si
bashkëfamiljarja e tyre që mrizojnë mbështetur për murin kufitar të kësaj
hapësire. Vështrimi përveç se kthjellues e çastëmbël të kthen në kohë te oborri
i shtëpisë së dikurshme me një mur ndarës, ku njëra pjesë e oborrit me pemë, që
na "takonte" neve, e tjetra e rrafshtë, e fortë, e "shkretëtirtë",
pa bar që atëbotë shfrytëzohej nga dy qiraxhinjë që me rreshin me shitjen dhe
përpunimin e granitit e mermerit. Pikërisht për murin ndarës të oborrit të
shtëpisë rrinin e rriteshin ca lozë kungujsh të tilla që hidhnin kokën edhe
matanë. Dhe seç të vijnë dhe ca vargje që ne dëgjonim nga të afërmit tanë më të
mëdhenj: "Pite, pite kungullor, qitma lamshin kush ma mor..."
Kalon
e kalojmë nëpër këtë lëmsh kohe sa të hapësh e të mbyllësh sytë, a sa kjo
shkrepje e radhës që bën, për të "ngrirë" si të ishte farë shtaze a
farë shpezi e zënë dhe e kapur peng.
Fotoja
tjetër "mbushet" më filxhanin e espresos mbi tavoninë dhe pranë saj
duke ndenjur me maskën a gojashkën (siç po e quajnë tash ca gjuhtarë a letrarë)
ngjyrëbardhë me "llastikë" (jo për të gjuajtur zogj, a për t'u gjuajtur
mes vete si dikur...) do rrijnë varur për veshësh sapo ta marrësh për ta veshur
për të mbuluar gojë, hundë, faqe e mjekër.
Koha
po rrjedh. Nën dritë-hije, e këtë çati druri e mbajnë trupa pishash të prera e
paksa të gdhendura. Derisa gruaja flet në telefon me të afërmit, e të tjerët
vazhdojnë ndejat e tyre, pasi fëmijët kanë rrethuar kafshët e shpezët e
mbyllura, unë shfletoj facebook-uk tim, për të parë dhe reagimet (kryesisht me
pëlqime) të dy postimeve që bëra sot, jo shumë kohë më parë. Njëri përbëhet nga
një fotografi ku dy fëmijët tanë ia bëjnë me dorë një helikopteri që lundron
nëpër qiell para pak ditësh, derisa endeshin arave e livadheve, aty ku dalim
ndonjëherë për të kaluar kohën. E përfundi kësaj shkrepjeje personale, në fakt
përmbi të qëndron poezia e arbëreshit Vorea Ujko me titullin: Aeroport. Postimi
tjetër është i librit tim me një titull të gjatë, që s'prish punë edhe po mos
ta përmendi, në fakt janë dy shkrepje njëri në një qytet verior të Shqipërisë
londineze të cilën e bëra para jo shumë kohësh gjatë nj ë vizite me vëllaun e
vogël, (bile vëllau i madh, mërgimtari, më njoftoi se më kishte parë në një
kronikë televizive për turizmin, për dy-tre sekonda derisa zbrisja nga
autobusi, dhe vëllaun tjetër po aq shkurtë, duke ecur) e shkrepja tjetër e një
qyteti andej kah jugu ku sugari qe për pushime dhe ma dërgoi në viber të
nesërmen që u kthye me ndjenja ëmbëlsie në të ëmblën shtëpi. Për pak e harrova
mbishkrimin për dy fotot që e vura: "Pranë malit, pranë detit, pranë
vetit!"
Pas
edhe ca bredhëritjeve tjera nëpër virtualitet, aty këtu flasim edhe ndonjë
fjalë, derisa fëmijët vijnë për ca çaste për t'u larguar me të shpejtë në
drejtim të kafazeve. Kosovës përveç kafazit që kishte tash iu shtuan edhe këto
kafaze taze, por edhe kafazi pandemik, nëse kemi të drejtë të shprehemi kështu.
Që si duket do të sjellë ca ç'rregullime shtesë.
Sivjet
siç duket do na mungojnë të afërmit mërgimtarë. Edhe motra që gjendet në New
York e ka shtyer fluturimin për këtë verë.Ia kalofshim sa më mirë e sa më lehtë
përgjatë këtyre sfidave. Si e qysh po themi: të kujdesemi për veten dhe për të
tjerët. Në këtë shtet pa shumë gjëra nëpër vend të vet, që kur do fillojnë të
bijnë e kemi mjaft të vështirë ta dijmë...Sa të mundemi le t'i biem vetes pas,
që ta kemi atë nën kontroll, e të kaluara qofshin edhe ngritja e zërit,
bërtima, neurozat, thyerja e ndonjë gote, rrëzimi i ndonjë karrigeje, e situata
sado me elemente dramatike, po në(n) kontroll të jetë. Qysh u përhap dhe fjala
se kush ka qenë këtu gjithmonë normal, ai me të vërtetë s'është as pak normal.
E sot vëllau që jeton në kryeqytet na trokiti në derë, bashkë me të dy fëmijët,
për të na u kujtuar dhe shprehja migjeniane por tashmë e ndryshuar: qeshu,
fëmijëri qeshu... Këta rreshta të derikëtushëm mbas e nuk i përngjasin një
tregimi, por mbase një prove për të ndërtuar një të tillë. Kjo kështu shkoi
deri këtu, kështu që tash e tutje mund të fillojë të vërtis mendjen për
tregimin tjetër, rrëfimin e dytë...
*Autori i librit ''Gjurmë kujtimesh e ngjyra stinësh''