Shtesë » Lajme
Albin Kurti nuk pajtohet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese
E premte, 29.05.2020, 02:56 PM
Albin Kurti:
Mbrëmë
natën, në orët e vona, morëm njoftimin nga Gjykata Kushtetuese lidhur me
Aktgjykimin për dekretin antikushtetues të Presidentit.
Le
të themi qysh në fillim, se në tekst dhe nëntekst nuk gjendet shumë lidhur me
çështjet kushtetuese sa me metodën e pashembullt të shprehjes së parullave
disiplinuese-ndëshkuese.
Mund
të gjenden pak ose aspak raste në botën demokratike kur fituesi i zgjedhjeve
dhe vetë qeveria në detyrë janë të gatshëm për zgjedhje të reja dhe kjo ju
pamundësohet nga Gjykata Kushtetuese dhe Presidenti duke u thirrur në shumica
fiktive në Kuvend dhe duke spërdredhur deklarimet dhe shkaqet objektive siç
ishte gjendja e rëndë e pandemisë.
Në
vend se të bëjë interpretim të Kushtetutës, Gjykata duket se kishte këtë qasje:
meqë presidenti ka të drejtë, le të përpiqemi ta arsyetojmë.
Gjykata
ka theksuar se në vitet 2010 dhe 2017, pas mocioneve të suksesshme të
mosbesimit, nuk ka pasur vullnet dhe as shumicë në Kuvend për të formuar një
Qeveri të re, mirëpo se si e kanë konstatuar këtë nuk dihet, pasi shpërndarja e
Kuvendit ka qenë automatike.
Është
e vërtetë që Presidenti s’ka një të drejtë absolute për të shpërndarë Kuvendin,
por, pikërisht për këtë arsye, ajo është e kufizuar në mocionin e mosbesimit si
kriter për këtë.
Gjykata
e ka shkruar njoftimin në mënyrë të atillë thua se fituesi i zgjedhjeve nuk
ekziston fare, sikur fituesi të jetë inekzistent. Ndërkaq, në anën tjetër, Gjykata
shlyen dallimin midis shkarkimit dhe dorëheqjes së ekzekutivit.
Gjykata
paragjykon kur thotë se fituesi jo vetëm që s’ka propozuar një kandidat, por as
që ka shprehur interesimin për një gjë të tillë. Kjo nuk qëndron, sepse në
vazhdimësi është theksuar nga ne se fituesi i zgjedhjeve nuk po heziton dhe nuk
po refuzon.
Në
disa raste Gjykata në vend të interpretimit është marrë me shkrim e rishkrim të
Kushtetutës, psh. në pikat 13 dhe 18.
Formulimet
e llojit “... Gjykata thekson se është e vetëkuptueshme, që ky “konsultim”
formal, duhet të përmbyllet sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe ngërthen në
vetvete kërkesën për dinamikë të shpejtë ndërveprimi”, apo, “E drejta për të
propozuar mandatarin për Kryeministër është edhe përgjegjësi edhe privilegj”
përbëjnë shembuj eklatant të kreativitetit të gjyqtarëve të Gjykatës
Kushtetuese në shprehjen e admirimit të tyre ndaj vendimeve të Presidentit të
vendit.
Një
vlerësim të plotë e të hollësishëm nga këshilltarët tonë ligjorë do të mund ta
kemi pasi ta marrim tekstin e plotë të Aktgjykimit.
Fatkeqësisht,
Gjykata Kushtetuese u rreshtua me kapësit e shtetit. Ajo foli për veten, më
parë e më shumë sesa për çështjen që trajtoi. Ajo e vulosi veten, ajo e
zhvlerësoi veten.
Beteja
jonë vazhdon, bashkë me popullin e vetëdijësuar, kundër kësaj kaste të
korruptuar.
Për
fund, ne njëmend nuk kemi pasur shpresa të mëdha për vendimin e Gjykatës
Kushtetuese, mirëpo, ky vendim është përtej imagjinatës e nën çdo nivel (logjik
e juridik). Si i padrejtë, ai është i papranueshëm. Për hapat e tjerë politikë
do të njoftojmë qytetarët në ditët në vijim.