Kerko: a
Enver Bytyçi: Zgjedhjet e 24 majit 1992 janë themeli i shtetësisë së Kosovës bazuar në filozofinë politike të Ibrahim Rugovës
E diele, 24.05.2020, 11:56 AM
Zgjedhjet e 24 majit 1992 janë themeli i shtetësisë së Kosovës bazuar në filozofinë politike të Ibrahim Rugovës
Nga
Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi
Sot
bëhen 28 vite nga dita kur në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme
parlamentare dhe të presidentit të Republikës. Këto zgjedhje i organizoi
Këshilli koordinues bazuar në dokumentin themelor, kushtetutën demokratike të
Kaçanikut. Votimet për të zgjedhur një parlament të ri, të parin parlament të
pavarur, si dhe Presidentin e vendit u bënë më 24 maj të vitit 1992. Kushtetuta
e Kaçanikut kishte përcaktuar numrin e deputetëve me 143 vende në parlament.
Për këto zgjedhje kandiduan 511 kandidatë nga 22 parti politike si dhe grupe
shoqërore e etnike në Kosovë. Kandidaturë e vetme për president ishte ajo e
liderit të konfirmuar të shqiptarëve, Ibrahim Rugova. Rugova përfaqësoi jo
vetëm vullnetin e Lidhjes Demokratike, por edhe të gjithë partive të tjera
politike pjesmarrëse, përfshirë Partinë Parlamentare, të cilën nga viti 1996 do
ta drejtonte Adem Demaçi.
Qeveria
serbe i shpalli zgjedhjet të paligjshme dhe vu në veprim një numër të madh
policësh për të bërë presion dhe penguar procesin zgjedhor. Megjithkëtë në
votime morën pjesë 89.32 për qind e zgjedhësve dhe 99.7 për qind prej tyre
votuan për president Ibrahim Rugovën. Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi 76 për
qind të votave dhe vendeve në parlament, të përkthyera në 574.755 vota
gjithsej, të cilat i korespondonin 96 vendeve në parlament. Partia Parlamentare
e Kosovës fitoi 4.86 për qind, e barabartë kjo me 36.549 vota duke u paraqitur
në parlament me 13 vende. Pas saj vinin Partia Fshatare dhe Partia
Demokristiane e Kosovës me pak më shumë se 23 000 vota secila dhe me 7 vende,
gjithashtu secila, në parlament.
Në
zgjedhje morën pjesë kryesisht shqiptarët dhe turqit, ndërsa nga minoriteti
serbo-malazez numri i pjesmarrësve në votime ishte i vogël. Sipas kushtetutës
dhe sistemit zgjedhor 14 vende, ose 10 përqind e tyre i takonin kandidatëve
serbë, të cilët bojkotuan procesin zgjedhor. Por këto vende mbetën gjatë gjithë
kohës të paplotësuara, si e drejtë e minoritetit serb për t'i administruar ato.
Një akt i tillë nuk ishte ndërmarrë nga faktorë kërcënues e detyrues,
përkundrazi kjo ishte shprehje e filozofisë së paqes dhe e së drejtës
ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të pakicave. Ndërkaq ishte akt, me
të cilin shqiptarët dëshmuan diferencën me politikën e Milosheviçit në
trajtimin e pakocës serbo-malazeze.
Parlamenti
i ri tentoi të konstituohej për herë të parë me 23 Korrik 1992, fshehtas në një
shkollë fetare islamike në Prishtinë, por në hyrje të shkollës u pengua nga
forca të shumta policore të armatosura rëndë. Pesë deputetë u arrestuan dhe u
dënuan me burgim me dy muaj, “për aktivitet armiqësor kundër territorit të
Republikës së Serbisë dhe cënimin e kushtetutës së saj“. Prandaj dhe Parlamenti
i Kosovës i zhvilloi punimet e tij në grupe pune, kryesisht në ekzil, në
Shqipëri e në Maqedoni, ku deputetët u detyruan të arratiseshin, pasi u
kërcënuar prej masave represive të shtetit serb, të cilin këta deputetë e
kishin shpallur jo legjitim në territorin e Kosovës.
Jens
Reuter shkruan se “Shteti paralel ia arriti deri në fillim të vitit 1996 të
zbatojë politikën e rezistencës paqësore“, kohë kur fillon edhe radikalizimi i
jetës politike në Kosovë, si pasojë e mosvëmendjes që i kushtoi bashkësia
ndërkombëtare në Dayton si dhe masave represive të qeverisë serbe të
Millosheviçit.
Kritikë
të ndryshëm e kanë goditur veprimtarinë e këtij parlamenti në kohën e
administrimit të dhunshëm të Kosovës nga ana e Beogradit, por në parim dhe deri
diku në praktikë analistët dhe studiuesit kanë zbuluar atë që është thelbësore,
shprehjen e vullnetit të shqiptarëve të Kosovës në formë të pranueshme juridike
për arritjen e formimit të shtetit sovran e të pavarur. Profesori i shkencave
juridike në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare i Universitetit të Kölnit në
Gjermani, Georg Brunner, i cili është dhe një nga personalitet më të spikatur
të shkencës ndërkombëtare në këtë fushë, e quan periudhën e viteve 1990 si
periudhë të sundimit të dyfishtë të Kosovës; nga njëra anë të sundimit të
dhunshëm të Serbisë dhe nga ana tjetër të sundimit të institucioneve paralele
të promovuara nga shqiptarët. Ai e konsideron të justifikuar nga pikëpamja e së
drejtës ndërkombëtare një shprehje të tillë të vullnetit të shqiptarëve në
Kosovë për vetëvendosje. Ai shkruan se “Në pikëpamjen e organizimit shtetëror u
zhvillua sistemi i shkollave, shëndetësisë, taksave dhe shtypit, të cilat ...
nuk mundën të evitoheshin nga ana e administratës qendrore serbe“.
Kjo
përbën qasjen thelbwsore të shprehjes së aftësisë shtetformuese të tyre. Nga
ana tjetër, presidenti i Kosovës, Rugova, si dhe qeveria në ekzil ishin pranuar
si partnerë të rëndësishëm nga bashkësia ndërkombëtare. Ndonëse në potokollet e
veprimtarive ndërkombëtare Rugova emërtohej si “lideri i shqiptarëve të
Kosovës“, ai pritej në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit të SHBA,
në Paris, në Berlin, Londër, Romë e gjetkë nga liderët e shteteve e të qeverive
me protokollin e pritjeve për kryetarë shtetesh.
Në
konferencat ndërkombëtare ishte i pranishëm edhe zëri i shqiptarëve të Kosovës.
P.sh më 19 shkurt 1993 Rugova parashtroi para bashkësisë ndërkombëtare në një
mbledhje në Atlanta të SHBA-së një plan prej 10 pikash për zgjidhjen e çeshtjes
së Kosovës, ku bëhej thirrje që popullsia shqiptare në Kosovë të merrej në
mbrojtje nga një prani ushtarake e civile ndërkombëtare dhe Kosova të shpallej
protektorat ndërkombëtar. Në këtë plan thuhej se gjatë një periudhe tranzicioni
Kosova do të duhej të të shprehej me referendum për vetwvendosje dhe statusin e
saj. Ndonëse në kushte të tjera, procesi i zhvilluar nga Rambujeja më 1999, si
dhe vetë diskutimet e metejshme për statusin e Kosovs ishin një proces i
projektuar në propozimet e Rugovës në atë Konferencë.
Të
gjitha zhvillimet prej 24 majit 1992 e deri më 17 shkurt 2008 kanë në themel
mendimin politik e filozofik të Ibrahim Rugovës, bazuar në konceptet e
modernitetit politik për statusin dhe sistemin politik në Kosovën e
mëvehtësishme.