Kerko: a
Ilir Çumani: Vatha e militantëve
E premte, 22.05.2020, 06:12 PM
VATHA E MILITANTËVE…
NGA
ILIR ÇUMANI
Para
dy ditësh, në faqen time në facebook postova një foto, nga ato që shpesh bëjnë
xhiron e botës dhe i shohim të publikohen nga agjensitë ndërkombëtare të
lajmeve Rojter ku pasqyrohen ngjarje dhe konflikte në zona të nxehta kudo nëpër
botë. Ishte një foto që fliste më shumë se sa fjalët me imazhin që ishte
fiksuar aty. Ishte një foto ku fiksohej si e gjallë një nga shumë prej skenave
rrëqethëse dhe tronditëse e dhunës barbare policore mbi demonstruesit që
protestonin në të drejtën e tyre, pas aktit makabër të shëmbjes së Teatrit
Kombëtar, një objekt i Trashëgimnisë Historike dhe Kulturore jo vetëm për
Tiranën, por për mbarë Shqipërinë. Në atë foto, shfaqeshin disa policë që
dhunonin pa mëshirë një student të Akademisë së Arteve. Njëri prej policëve, ai
më i bëshmi dhe më fuqishmi, i kishte lidhur duart me pranga të riut protestues
dhe kokën i’a kishte bërë njësh me asfaltin e bulevardit ku protesohej
masivisht. Ndërkohë, pa as edhe më të voglin mëshirë, këpuca e tij ushtarake
mbështeste të palosur fortë, po aq fortë, fytyrën e njomë e të “maskuar” nga
një mjekër e atij student, që dukej sikur tregonte burrërinë e tij të
parakohëshme, pamje kjo që të sillte në mëndje gijotinën ku u priteshin kokat
skllevërve të pa bindur në mesjetë…! Nuk i di arsyet e asaj situate, por,
cilatdo qofshin ato, ai gjest i shëmtuar dhune i një punonjësi policie të
shtetit që në një situatë tjetër, mund të ishte edhe babai i atij studenti, më
ka trishtuar, më ka angështuar në shpirt dhe më ka lënë pa fjalë. Njëri prej
komentuesve, “shok” virtual në rrjetin social, pas publikimit që i bëra kësaj
foto në profilin tim në facebook, përmes një komenti më shkruan: “….Policia ka
bërë detyrën, dhe ky gjest i policisë nuk është turp, siç po e quani ju, që i
vini ca fjalë të pakuptimta e të pa llogjikshme…. Ç'farë donte ai student i
arteve aty …!? , - pyet komentuesi “friends” në facebook dhe që, çuditërisht,
mban emrin e Kryeministrit tonë, Edvin.
Vendosa
të mos i përgjigjem drejtëpërsëdrejti “mikut” virtual në atë status që kam
publikuar, për një arsye të thjeshtë. Sepse, mes atij komentuesi dhe shumë të
tjerëve që mendojnë ndryshe nga ai student guximtar që doli në shesh për të
protesuar, janë dy mendësi që ndajnë dy botë të ndryshme.
Ai
student dhe gjenerata e tij, kanë lindur dhe jetojnë në një tjetër Shqipëri nga
ajo që kemi jetuar ne prej shumë dekadash, në zgjedhën e një diktature të
pashembullt, duke na humbur një pjesë jo e vogël e dinjitetit njerëzor përmes
mohimit që ai rregjim gjakatar i bënte individit, përmes mohimit të Lirive dhe të
Drejtave që duhet të gëzoj çdo qënie njerëzore në vendin ku jeton.Me sa duket,
një pjesë e konsiderueshme e gjeneratës tonë, nuk e kuptojmë siç duhet
mentalitetin dhe botëkuptimin këtyre të rinjve, që, Lirinë e tyre të fituar në
një tjetër kohë nga ajo e jona, ata e kanë më të shejntë se militantët partiakë
fanatikë që sublimohen dhe flijohen në regjime diktaturash dhe autokratësh si
idhujtarë të liderëve dhe partive politike që ato përfaqësojnë. Pra, Liria dhe
dinjitet që ata kanë, nuk lejojnë tu cënohet, sepse prevalojnë mbi çdo interes
të ngushtë, mbi çdo lloj forme diktature që na paraqitet e veshur me kuperturën
e “parimeve” demokratike dhe sloganeve false mbi “Liritë dhe të Drejtat e
Njeriut”, të cilat që përmes propagandës, paraqiten si të tilla ndër nesh nga
një pushtet absolut që ka vënë në një dorë të gjitha pushtetet. Ne shqiptarët,
në përgjithësi vuajmë nga sindromi i njohur i Stocholmit. Si një ves që
trashëguam nga e kaluara jo shumë e largët e historisë tonë të dhimbshme,
ndoshta edhe pa vetëdije, adhurojmë shtetarë dhe lidera me simptoma të qarta
autokratike dhe mendësi tiranie. Adhurojmë dhe i përulemi me dinjitet të
nëpërkëmbur dhunuesve dhe viktimizuesve tanë. Ndryshe, nuk ka si shpjegohet ky
lloj "solidariteti", ku shumica ndër nesh manifestojnë mbështetjen e
akteve të tilla të dhunës respresive që prodhon një rregjim autokratik dhe i
korruptuar...
A
e kuptojmë se në ç'gjëndje ndodhet aktualisht shoqëria jonë, në ç’farë mjerimi
politik, social dhe ekonomik, shpirtëror dhe moral ndodhen sot të gjithë
shqiptarët!? A e bëjmë dot dallimin mes nesh dhe shoqërive të zhvilluara dhe të
qytetëruara kudo në botë, të cilat qeverisen nga politikanë të përgjegjshëm,
dinjitozë, të ndershëm dhe të moralshëm, që nuk kanë asnjë ngjashmëri me
profilin politik dhe staturën e politikanëve dhe liderave tanë të kapur nga
krimi dhe korrupsioni…!? Kush nga liderët politikë në botën e qytetëruar, ka si
qëllim, që në karrierën politike të synojë me kaq ambicie të shfrenuar për të
mbajtur të mbërthyer prej 30 vjetësh karriken e pushtetit duke e konsideruar
atë si çifligun personal, dhe të zhytet në zullumet e pafundme të pasurimit
përmes korrupsionit duke varfëruar popullin e tij…!?Ndryshe prej politikanëve
tanë, ata investojnë dijet dhe kulturën që kanë marrë në shkollën politike,
përvojën dhe potencialin e tyre duke dhënë kontribute të rëndësishme
shtetformuese për 4 dhe e shumta 8 vjet, e më pas, investojnë të përgatitin
elitat e reja politike, për të zhvilluar përparimin e vendeve te tyre...!? Dhe
së fundi, ajo që mbetet për tu thënë është se, nëse në vathën e militantëve
bubërues, të ndarë në parcelat kënetore të politikës së ditës, do të kemi në
mes tonë shërbëtorë pushtetesh, idhujtarë e adhurues të despotëve tanë
autokratë me të ngjashmit e tyre nga të gjitha krahët e politikës, do të
vazhdojmë të jemi këta që kemi qenë deri tani. Do të jemi të ndëshkuar dhe të
destinuar të mbajmë në kurrizin tonë edhe për 30 vjet të tjera të njëjtët
politikanë, për sa kohë do të udhëhiqemi me këto mendësi me tipare dhe zakone të
nështrimit tonë ndaj zullumeve të tyre... Ai student protestues, që mund të
ishte djali im, i yti, apo i të gjithëve ne, me aktin e tij të guximshëm rinor,
frymëzon dhe inspiron çdo qytetar të këtij vendi. Me gjestin e tij na mëson dhe
na ndërgjegjëson të gjithëve se si duhet të reagojmë fuqishëm me një zë, frymë
dhe në një mëndje për të mos lejuar asnjë lloj diktature apo tirani që të
ngushtoj hapësirat e Lirive tona, që synon të cënoj dinjitetin dhe vetëdijen
tonë kolektive. Ndjehem i keqardhur që, një masë jo e vogël njerëzish në
shoqërinë ku jetojmë, mendon dhe vepron ndryshe nga ai i ri ëndërrimtar dhe
guximtar, i cili e ngre zërin me kurajo dhe di të protesoj për të qenë i lirë
në lirinë e tij…Padyshim, ai dhe moshatarët e tij, përfaqësojnë një tjetër
gjeneratë dhe një tjetër të ardhme nga ajo që kemi sot, për të mos patur mbi
kurriz dhe nëpër këmbët tona politikanë dhe lidera nopranë e zullumqarë, të
etur për para dhe pushtet, por jo për të bërë shtet…..(!!!)
Tiranë, 21.05.2020