Kerko: a
Agron Tufa: Bubulina
E shtune, 16.05.2020, 03:32 PM
BUBULINA
Nga
Agron Tufa
Janë
dy ditë fundjave. Dy ditë pushimi. Dy vajzat enden nëpër dhoma; vrapojnë,
pengohen, bien, qeshin, prapë vrapojnë e gjithmonë diç rrëzohet me potere, por
harbimi vazhdon: piskama gjithandej dhe të qarat e së voglës. E qara e saj
është gjithmonë në zgrip, gati të shpërthejë. Në shtëpi ka një javë që ka ardhë
banori më i ri: i porsalinduri. Vëmendja është përqendruar tek ai, ndërkaq që
të mëdhenjtë ndjekin gjakngrirë dy vogëlushet, drejt të cilave lëshohen
pasthirma të forta paralajmëruese: "Kujdeeees!", "Moooos!",
"Mjaft!", "Mos e prek!".
Por
vajzat kanë marrë imunitetin e duhur me kohë prej këtyre paralajmërimeve, andaj
vazhdojnë katrahurën. E vogla, Bubulina 2 vjeç e gjysëm, përpiqet të spikasë
para të mëdhenjve, duke recituar "Pujet Lola sa çudi/ ç'u bë bola, pse u
shkli...?" (ajo nuk e shqipton dot zanoren 'y'), por e ndjen veten krejt
të eklipsuar nga e motra, Vesa katërvjeçare, e cila ia rrëmben dhunshëm
motivin, duke dalë para e duke e vazhduar vetë. Bubulina sfumohet nën protagonizmin
e së motrës që pisket me një zë therës pikërisht vargjet, që deshi t'i
recitonte vetë. Pasi sheh që e motra s'ka ndërmend të ndalet, Bubulina bën
gjestin e zakonshëm të dëshpërimit: ngre të dyja duart sipër kokës dhe shfryn
me psherëtimë: "O Zot i madhe-e!".
Askush
nuk ndërhyn. Bubulina kalon në studio: i kërkon babit fletë të bardha dhe
lapsa. I merr dhe nis të vizatojë. Vija të drejta, të shtrembëra, gjysmërrathë,
pastaj trajta shtrembaluqe. Por edhe aty, si një tren i furrishëm hyn Vesa, ia
rrëmben lapsat dhe nis të zhgarravisë vetë.
Në
vend që të protestojë, Bubulina qan, shkul me inat kaçurelat e zeza. Koka e saj
si manaferrë pikëllohet. E ndjen veten të flakur jashtë rradhe, jashtë
fushëpamjes. Askush nuk e ka mendjen tek ajo. Atëherë Bubulina ngre duart lart
dhe prapë psherëtin: "O Zot i madhe-e!".
Në
shtëpi ka ardhur një beb dhe të gjithë po luajnë fiqirit pas tij. Bubulina e
kundron gjatë, kërkon të kuptojë: "çdo ky qullash, që vetëm fle", por
zgjedh si mënyrë kumunikimi me të, vetëm njërën: i flak një tufë çelësash në
fytyrë... pastaj me dorën e majtë kap të djathtën, me të cilën sapo goditi në
drejtim të bebit dhe ngrin e hutuar, duke kundruar turbull efektin e këtij
gjesti tek të rriturit. Ata i flasin. Disa me të mirë, disa i tundin gishtin kërcënueshëm.
Mami i flet me durim, gjatë e qortueshëm. Bubulina dëgjon e trishtuar dhe dikur
hap krahët e vegjël dhe i thotë së ëmës:
"Po
unë jam e vogël moj, nuk kuptoj! Lelmë!"
-
O Zot, kur do të vijë më në fund e hëna! - fshan pafuqishëm e ëma, duke nënkuptuar
kopshtin dhe çerdhen.
Shpresat
për t'i nxjerrë të voglat jashtë ende nuk duken: përtej xhamave qyteti qullet
në një shi të dendur e të heshtur. Më në fund, pasi ka dëgjuar fshamjen e
pashpresë të së ëmës, del nga studioja babi. E merr në krahë të voglën dhe
përpiqet t'i pëshpërisë diç ngushëlluese, por përfundon me një klishe pa
fantazi, të cilën Bubulina e ka dëgjuar me qindra herë: "O Bubu, o Bubu/
ç'po na vjen një kalë me dru".
-
Po mjaft, o Ba-bi! S'e dua!
Babi
as që e ka mendjen dhe vazhdon të pëshpërisë të njëjtat vargje bajate.
-
O Zot i madhe-e! - proteston gati në të qarë Bubulina dhe me pëllëmbën e vockël
pëpiqet t'ia mbyllë gojën babit. I ati e lëshon. Vërdalliset nëpër dhomë dhe së
mbrami nxiton në studio, duke mbyllur derën pas vetes.
Edhe
Bubulina është zhdukur në dhomën e fëmijëve, por duket se edhe andej nuk e lë
rehat e motra. Sepse që andej, ani pse dobët, prapë dëgjohet: "O Zot i
madhe-e!" Dhe Bubulina del. Të mëdhenjtë po lajnë bebin në një govatë.
Pasthirma ledhatare adhurimi. Asnjë nuk e ka mendjen tek Bubulina. As ajo nuk
di me çfarë t'ua tërheqë vëmendjen. Ja dhe bebin e lanë, e veshën dhe mami po i
jep të pijë. Vesa vazhdon të bëjë rrëmujë nga dhoma tjetër. Dëgjohet
periodikisht zhurma e mbytur e diçkaje që shembet. Sende, lodra, rroba,
libra...
-Çfarë
po bën ti andej moj, Shkatërrime Tufa!
Përgjigje
nuk ka. Bubulina shfrytëzon mungesën e së motrës dhe heshtjen e të mëdhenjve:
del para kontrabufesë, merr pozicion duke hapur këmbët paksa për pikëmbështetje
sa më të fortë, thotë disa herë me zë të lartë titullin e vjershës, deri sa t'i
kujtohen vargjet: "Qu-ka-pik!", mandej nis:
"Quuu-ka-pik,
o qu-ka-pik, /të kam shok e të kam mik...!"
Por,
ajme! Ndjehet pabesisht e ndërprerë. Vesa ka marrë turr që nga dhoma tjetër; i
del para së motrës dhe më një zë tejpërshkues ngre lart një flaut fëmijësh,
duke i fryrë si për kushtrim, mandej shpall: "SuperVesaaa!".
-
O Zot i madhe-e! Plapë kjo...! Po hiqu moj!
Vesa
është si tank, nuk mund ta lëvizësh nga vendi, andaj Bubuja e gjorë tërhiqet
duke pëshpëritur e pakënaque: "Ehu...ehu!". Por kësaj radhe tërhiqet
krejtësisht. Hap derën e jashtme dhe del në sheshin e shkallëve. Përjashta
dëgjohet brerima e shiut që derdhet me rrëshekë dhe pikërrimat karakteristike
që rrahin tubat e qyngjeve. Aty, në sheshin e shkallëve, nuk e ngacmon askush
të bëjë çfarë të dojë. Dhe Bubuja vendos të japë një koncert për vete. Provon
të recitojë vjershën që ia ndërprenë. Larg të tjerëve. Për vete. Por ia nis
keq:
"Quuu-ka-pik!
Të kam mik... Të kam shok..." dhe më tej nuk i kujtohet. Dhe qan. Provon
prapë, kësaj radhe duke numëruar ngadalë me gishta të gjitha atributet e
qukapikut: "Quuu-ka-pik! të kam mik, të kam shok..." dhe ngec prapë
këtu. Si duket harresa e rimës i sjell harresën e rendit të fjalëve. Qan nga
inati. Provon prapë, por qan, se nuk i kujtohet. Pastaj vetëm qan. Ajo nuk e di
se një kokë pas dere që po e ndjek fshehtas. Me dhimbje. Me kërshëri. Me buzë
në gaz. Por Bubulina pushon së qari. Përtej mureve me tulla të vrimëzuara shiu
dendësohet bashkë me rropamat monotone dhe pikërrimën në tubat e qyngjeve. Një
vrundull ere beh në shkallare, përshkon tullat e vrimëzuara, përmbys dy-tre
bidona të zbrazur plastikë dhe ngre në ajër një tufë letra.
-
Kush fryn kështu? - pyet Bubulina dikë të papërcaktuar. Mandej vetë fryn
bulçitë e vogla për të imituar shfryrjen e erës. Kapet pas parmakëve të
shkallëve, sheh poshtë dhe pëshpërin me vete: "qu-ka-pik, qu-ka-pik,
qukapik... pik-pik-pik... Mbushet me frymë, hap paksa këmbët dhe, duke kapur
një nga një gishtat e dorës, thotë me bindje e siguri versionin e saj të ri të
vjershës:
"Quuu-ka-pik!
Të kam mik. Të kam shoook. Të kam... dhi!". Merr frymë thellë dhe thotë:
"Po, unë të kam edhe dhi! Ja, kështu: me-e-e-e!", imiton ajo
blegërimën e dhive. Me këtë sajesë, duket se Bubulina është krejt e kënaqur.
Hyn
brenda dhe shpall para të gjithëve, me ngutin se mos e ndërpret Vesa:
"Quuu-kapik!
Të
kam mik!
Të
kam shoook!
Të
kam dhi!"
2010
Nga "Thembra e Akcilit", MB, 2014