Kerko: a
Prend Buzhala: Kodi i mallkimit si kod i dashurisë së thellë për Prishtinën
E diele, 26.04.2020, 01:49 PM
KODI I MALLKIMIT SI KOD I DASHURISË SË THELLË PËR PRISHTINËN
(Lexime
poetike. Poezia “M’u thaftë dora Prishtinë" e poetes Hida Halimi), XVIII
Nga
Prend BUZHALA
Hida
Halimi (1948- 2012) është njëra ndër krijueset e njohura e që ka lënë krijime
artistike me vlerë në prozë, po edhe në poezi. E njohur me romanet Ai që nuk
ishte Fidia , Njeriu im, Shpina, pastaj vëllimin me tregime "Ato letra i
shkrova vetë", me dramat “Bijtë e Njeriut” (dramë, 2001), “Tri medaljonet
e Franc Ferdinandit” (dramë, 2001); ajo njihet edhe si poete me vëllimin poetik
"Vendlindjen ma zgjodhe ti" (1993). Porse poezi ajo ka shkruar edhe
gjatë dekadave të fundit deri sa jetoi. Nga opusi i saj poetik, zgjodhëm
poezinë "M’u thaftë dora Prishtinë", e shkruar në Cognace, Francë,
korrik ‘99, gjatë eksodit biblik të Kosovës.
1.
Frazeologjizmi
shqip "Mu thaftë dora", "t'u thaftë dora", "iu thaftë
dora" etj", vjen si një mallkim, si pasojë e një veprimi tragjik.
Drama e përjetimit të largimit e një popullsie të tërë, më saktësisht, edhe e
një qyteti të tërë, ishte e rëndë. Poetja hyn menjëherë në mallin përvëlues të
gjakimit ndaj qytetit të saj, të dashuruar vdekshëm:
Ti
pas meje n’Atlantikun 99
Të kundroj tek kërcas
gishtërinjtë,
N’skaj bote, nga një
kënd i një farë shtëpie,
Që prej se të lashë
Prishtinë.
Për
poeten është njësoj si të thuash profete, poete, orakull. Ky karakterizim e
gjen mbështetjen në parimet e ekspresivitetit të thënies lirike, në
projeksionet e shpirtit lirik në hapësirë dhe kohë qoftë edhe në kohë të
pakohë:
Ne s’i duam profetët
mëkatarë,
Diku u këndon epitafe
një bariton i shqyer
Kujt akordi s’i pengon.
Edhe
kësaj radhe, Letërsia dhe leximi, na janë Shkronja e Fundit. Strehimi i fundit.
Një strehë a univers që nuk mund të ta rrënojë askush. Shtegu që nuk mbyllet
asnjëherë. Ti lexon, krijon dhe bisedon me Librin e Jetës, me Librin e Qytetit
të Prishtinës e me poetët e saj, dhe aty je duke kuvenduar me praninë e Fjalës
së Hyjit. E shijon atë kënaqësi leximi, krijimi e përjetimi... Njeriu mësohet
me botën e tij të brendshme, aty ku e ka rrënjën e jetës së tij... dhe së
andejmi nxjerr frytet e Hireve të Brendshme. Dështimet shpesh na janë si proces
i natyrshëm pësim-mësimesh, proces i arritjes së urtisë dhe përvojës. Porse
krijuesja letrare (dhe lexuesi) e përjetojnë jetën e paraqitur në art si një
aventurë krijimi dhe leximi, po edhe si dramë përjetimi. E pra, letërsia na
thotë (dhe na mëson) se ia vlen nganjëherë të provojmë që të ndjehemi ndryshe
nga zhgënjimi a dëshpërimi, të ndjehemi të ripërtrimë... Fëmija që mëson të
ecën, rrëzohet shpesh, madje edhe përgjaket, por ai gjithnjë ngrihet në këmbë,
nuk e humb kurrë shpresën e kurajon, se do të ketë sukses për të ecur vetë në
këmbë, në jetë. Cili është ky sekret i forcës së vetëbesimit? Dhe, gjithsesi,
ky është edhe sekreti i bukurisë së shpirtit të saj...
2.
Skenat
e braktisjes ngjajnë në ato të kolonave hebraike që e ndjekin pas udhëheqësin e
tyre shpirtëror, Moisiun. Kah do që shkon kjo kolonë e braktisjes së qytetit,
pas lë gjurmën e një përjetimi e kujtimi të hidhur. Në braktisjen e tillë sikur
thuhen Fjalët e Fundit për jetë a vdekje... se nuk i dihej fatit. Pas mbesin
dyert, shtëpitë, rrugët, pamjet ku e ke kaluar një jetë të tërë. Takimet,
fytyrat e njerëzve të njohur, gjallëria... - Kur të mungon (qyteti), atëherë
"kjo mungesë është si një shtëpi aq e gjerë, sa që brenda saj ju do të
depërtoni nëpërmes mureve të saj dhe do t'i varni fotografitë në ajër." E
kapluar prej këtij trishtimi, se më nuk do t'i shihte ato që i do me afshin e
shpirtit, në vetminë e plagosshme të eksodit, diku në Evropë, qenka dhe diçka
tjetër që e hedh vështrimin mbi qenien e saj, mu ashtu si ajo e vëzhgon nga
larg qytetin e saj, dhe këtij premtimi për ta parë edhe nga larg qytetin e
braktisur e të shkretë, është e vetmja fije që e mban gjallë. De Rada do të
theksonte: kudo që shkon, e merr hijen e shtëpisë me vete. Poetja e mori me
vete hijen e Shtëpisë së madhe të quajtur Prishtinë:
Sa herë zgjohem nga ky
shtrat mërgate që Zoti e di
sa veta gërhinë në të,
e lyp pamjen që e lashë
po s’më braktisi.
Të shoh ty:
Pas terrasës me
trëndafilë të ngrirë,
Shtresë e hollë bore që
gdhinë në qytetin ku cicërojnë fëmijët,
Ku shahen për një
çamçakëz,
Ndarë padrejtësisht me
dhëmbë…
Ka shkuarje, ka largim,
por a do të ketë kthim?
A do t'i tradhtojë
dashuria për kthim?
Ky
besim te kjo dashuri e madhe, mbetet e fortë, përtej secilës logjikë të jetës e
ekzistencës: njeriu shqiptar është krijuar për të mos u zhdukur!
Bashkëveprimi
emocional mbetet si frymëmarrje e thellë e jetës. Vargjet marrin frymë së
bashku me poeten e me njerëzit e saj. Pamjet ngjajnë në netët e Bartolomeut.
Vetmia është më shumë se tragjike, diku larg qytetit të saj. Ajo i drejtohet
Prishtinës në veten e dytë, një si bashkëbisedim me qenien e zemrës. Kodet e
saj të ekzistencës përplasen me kodet e krijimit poetik, mu si zanafillë bote,
kur përmend emra e vepra poetike:
Dhe krejt vetëm unë e ti
Ku e thyen qafën miqtë e
mirë,
Orë e heshtjes i shitoi,
s’flet kush
për “Bukurinë e zezë”
për poetët që i vramë,
Përse i zdritën netët e
Bartolomeut Dardan
dreqi e rroftë! Kemi
frikë.
Krijuesja
të duket se këndon në vorbullën e apokalipsit, përbuzjes, tragjedisë e vetmisë,
tek e përplotëson këtë boshllëk me anë të poezisë. Për të nuk ka hapësirë
boshe: e rëndësishme është që nga ky kaos apokaliptik të krijosh harmoni,
kujtesë momentale, nga hiçgjëja ta krijosh lirinë, ngrohtësinë e emocionit e të
përkushtimit për gjërat e qeniet më të dashura të jetës e të ekzistencës. Aty
vigjilojnë vargjet si këngë mbi të gjitha këngët, çfarë është Kosova dhe
Prishtina, poetët dhe shtëpia.
I
braktisi qyteti apo njerëzit e braktisën atë?
Sado
që jepet ky largim kaq i prekshëm, braktisja e brendshme nuk ndodhi. Le ta
kujtojmë po ashtu atë rikthim po aq biblik në trojet e veta të këtij populli
martir.
Mu
ashtu, siç thonë poetët: as dielli nuk e braktis kurrë hënën në errësirë.
3.
Peizazhi
i jetës, i braktisjes dhe i vendosjes diku larg, nëpër qytetet e Evropës,
ndërkëmbehet me ato të këtij shkretimi:
Borë marsi, prilli e
maji 99 n’këtë pranverë
Dhe fëmijë që hahen si
gjelat
Për ndihma humanitare
Pampers, tambël druni
dhe… pak dashuri.
Prapë ti Prishtinë
Mesditë është dhe rrugët
janë shterur,
Çfarë telefoni idiot!
Askush s’përgjigjet
n’të.
Memecëri e ndytë në
gjithë këtë qytet.
Ç’u bë ai det
njerëzish?!
Poezia
nglrthen shtresime të forta psiko-lirike, gjithë tension të brendshëm, deri te
shprehja shpërthimore. Vargjet shqiptojnë një patos të kontrolluar, pa emfazën
e shprehjes që mund t'i jkarakterizojë motovet e tilla. Porse, ky patos
ndërthur përvojën psikologjike dhe etike, i këmben shqetësimet e forta me tonin
e qetë, reagimet emocionale me skenat dramatike. Të duket se po e lexon një
monodramë të apfund vuajtjesh që po luhej në skenën e botës. Një entitet unik
arti. Dhe gjithnjë poetja nuk i reshtet revoltës së brendshme, shpërthyese, një
si ironi tejet e hidhur e jetës, që pikon gjak:
I kalojmë ditët në
ceremoni varrimi
Mbi arkivole prekim
shikimin
Dokrra, shpirti im,
llafe.
Kush tha se gazi u shua?
Përse u çnjerëzua një
poet!
Jo, aspak
Se jemi njerëz, gëzohemi
si çdo kafshë e butë
E
kah fundi vijnë ato përbetimet si mallkim i kësaj ironie të absurdit të jetës,
me togfjalëshat frazeologjikë e poetikë: M’u thaftë dora, M’u marrtë goja, Më
plaçin sytë... Tri herë ndodh ky mallkim, me semiologji të thellë rikrijimi:
mallkimi i dorës (si mallkim i krijimit, dorëshkrimit, artit poetik); mallkimi
i gojës (si shenjë e ligjërimit) dhe mallkimi i syve (si semantemë e pamjeve,
pikturës, fotografisë, imazheve të kujtesës).
M’u thaftë dora, e Mira
ime,
S’ta shkrova një fjalë
të mirë,
Përherë një dorë ethesh
më dridh
Gjithë kjo borë në gji!
M’u marrtë goja, s’ta
thashë asnjë varg,
Për erë bliri në verë,
udhët e zëna me nektar e njerëz
Që pështyjnë tri herë
Orët e Liga n’gji,
Sa shqip!
Belbëzimet që t’i qesin
njëmijë vargje n’ditë,
Gjithë këta poetë të
këqij!
Por s’kanë si të duan
ndryshe, Prishtinë.
Më plaçin sytë.
S’ta thura një pikturë,
aso që laikët i shesin në rrugë, krejt lirë.
Për me të marrë me të
mirë.
Me t’rrejtë se s’na vjen
era mut, kur shohim pika gjaku.
Se… se… deshëm diçka në
ty.
Ç’e do këngën time verdh
si lakra!?
Ajo
nuk e mallkon dikë tjetër, përpos vetvetes, porse KODI I MALLKIMIT rrah diku
tjetër: është KOD I DASHURISË - dashuria e saj është përtej këtij mallkimi që
bartin ngarkesë emocionale të madhe e të thellë. Vetëmallkimet vijnë si betim.
Ajo nuk e bën mallkimin ta shitojë dikë tjetër, t'ia dëshirojë dikujt tjetër të
keqen, as e shfaq dëshirën e saj që t'i ndodhë ndonjë fatkeqësi Tjetrit.
Assesi. Thjesht, ajo sugjeron që te shprehjet e tilla të qëndrojë i paprekur ai
gjakim, të qëndrojë e pashprishur ajo dashuri, ai përkushtim, ai përjetim dhe
ato pamje. Sikur shprehjet e tilla, të bartura nga traditat popullore e kohëve të
lashta, bartin fuqinë magjike të fjalëve. Nga kjo magji e fjalëve ajo kalon në
magjinë e thënies lirike.
A
e shpall veten fajtore ajo?
E
si qenkan fajtorë ata fëmijë, ai popull duarthatë, atje, në eksod!
Porse
qortimi është përtej edhe një mallkimi të tillë, është fundbotshëm invektivë
revoltuese, vetëm për hir të asaj dashurie që shpesh shfaqet e rreme:
I dashur m`u duk se ishe
ti; edhe pse e di se nuk vjen aty
Ku të gjallët e rrejnë
një kufomë
Dikush preku n’gaz,
krejt si ti, m’dërgoi puthje me dorë…
U çart edhe poeti i
mbramë në këtë qytet!
Çfarë arrogance pash
Zotin, sikur s’kemi të tjera punë,
(...)
Me t’rrejtë se s’na vjen
era mut, kur shohim pika gjaku.
Se… se… deshëm diçka në
ty.
Ç’e do këngën time verdh
si lakra!?
Invektiva
është figurë poetike. Invektivë do të thotë SHARJE, sulm, denoncim, fyerje...
Invektiva në këtë poezi vjen me ngjyrim stilistik e satirik. Kësaj radhe, kjo
figurë merr përsipër reagimin e fortë për vetëdijesim, për zgjim të ndërgjegjes
indiferente, të fjetur, kundruall tragjikes që po luhej para tyre.
Qytetin
e braktisur askush nuk e merr në mbrojtje: a thua, gjithçka paska qenë
gënjeshtër te kjo dashuri?
A
thua, këta njerëz që po ikin, a nuk ndiejnë kurrfarë dashurie përballë
kprcënimit, zhdukjes, vrasjeve?
Humbjet
e gjymtimet ajo i ndien thellë. I muros e i rishkruan së thelli, si tatuazhe
shpirti. Si tatuazhe fjalësh të zemërimit, klithmës e trishtimit. Si zemër e
çartur dhe e shprishur kundër të vetëve. Braktisja e mungesa e kësaj dashurie,
janë si goditje qortuese me mprehtësinë e thikës, si goditje e përgjakshme që e
lë pa frymë Tjetrin.
4.
Cili
është besimi që na dhuron leximi?
Përpos
kënaqësisë së leximit, përjetimit estetik etj, leximi është një aventurë, është
një kërkim, më në fund, është kërkim i shpresës.
Letërsia
zë fill, aty ku njihet vullneti i njerëzimit, pra, mu aty edhe ku njihet
vullneti hyjnor; për të na bindur se cila është e vërteta e plotë (përtej
fakteve lakuriqe e ironisë së jetës); se cila na është e ardhmja që na jepet si
dhunti (arti i shkrin kohët, i bën një); i shkrin e i afron krejt largësitë...
Poezia
vjen si ngushëllim i bukur. Si një çlirim nga ngricat e barrët e jetës. Një
shteg për të depërtuar në thellësitë e kuptimit të jetës, në ciklet kozmike të
ekzistimit. Krijuesja letrare e sprovon dorëshkrimin e vet lirik si një
mikrokozmos të qëndrimit personal në hapësirat e ngushta të eksodit.
Me
vetë aktin e shkrimit fillon të hysh në thellësitë e kohës e në labirintet e
saj. Së këndejmi, a nuk shndërrohet Fjala në medium të pagëzimit e të emërtimit
të drejtpërdrejtë të gjërave, a nuk i ngërthen në Libër shtresat e kohës, a nuk
e vë në takim njeriun e kësaj kohe me të gjitha kohët, me të padukshmen, me të
pathënën, me dimensionet kozmike? Por, me aktin e leximit, poezia edhe kërkon
të plotësohet, sepse, secili lexim i saj, është edhe një mbushullim i tillë i
aktit estetik të saj.
Sa
herë që të lexohet kjo lirikë, aktualizon e ringjall kohët, me ndërgjegjen e
vrarë dje, po edhe me brejtjen e kësaj ndërgjegjeje sot.
Krijimi
poetik, duke krijuar një realitet të ri, njëmendësinë artistike, lexuesit i
duket sikur gjendet në ambientin e legjendës që e thur vetë jeta, ndërkohë që
poetët thurin legjendën e jetës vetjake, që ia kalon edhe imagjinatës, shkon
edhe përtej legjendës vetë.
__________________________________
HIDA HALIMI
M`U THAFTË DORA PRISHTINË
Ti pas meje n’Atlantikun
99
Të
kundroj tek kërcas gishtërinjtë,
N’skaj
bote, nga një kënd i një farë shtëpie,
Që
prej se të lashë Prishtinë.
Ku
jam e ç’kohë bën, për mua s’lëviz gjë.
Sa
herë zgjohem nga ky shtrat mërgate që Zoti e di
sa
veta gërhinë në të,
e
lyp pamjen që e lashë po s’më braktisi.
Të
shoh ty:
Pas
terrasës me trëndafilë të ngrirë,
Shtresë
e hollë bore që gdhinë në qytetin ku cicërojnë fëmijët,
Ku
shahen për një çamçakëz,
Ndarë
padrejtësisht me dhëmbë…
Dhe
krejt vetëm unë e ti
Ku
e thyen qafën miqtë e mirë,
Orë
e heshtjes i shitoi, s’flet kush
për
“Bukurinë e zezë”
për
poetët që i vramë,
Përse
i zdritën netët e Bartolomeut Dardan
dreqi
e rroftë! Kemi frikë.
Ne
s’i duam profetët mëkatarë,
Diku
u këndon epitafe një bariton i shqyer
Kujt
akordi s’i pengon.
Borë
marsi, prilli e maji 99 n’këtë pranverë
Dhe
fëmijë që hahen si gjelat
Për
ndihma humanitare
Pampers,
tambël druni dhe… pak dashuri.
Prapë
ti Prishtinë
Mesditë
është dhe rrugët janë shterur,
Çfarë
telefoni idiot!
Askush
s’përgjigjet n’të.
Memecëri
e ndytë në gjithë këtë qytet.
Ç’u
bë ai det njerëzish?!
T’ëmën
e s’ëmës! Askujt buza n’gaz s’i shkon,
kush
s’e di një barcoletë të mirë!
Sa
për një mahi t’idhët në këtë pikë t’qetësisë,
Vetëm
pranverë 9,9,9 dhe 9
Ku
era hedh qese najloni e fryn pantallona uniformash
Me
folklor të Shumadisë.
Dikush
më dha shenjë me buzëqeshje, dje n’varrim.
I
dashur m`u duk se ishe ti; edhe pse e di se nuk vjen aty
Ku
të gjallët e rrejnë një kufomë
Dikush
preku n’gaz, krejt si ti, m’dërgoi puthje me dorë…
U
çart edhe poeti i mbramë në këtë qytet!
Çfarë
arrogance pash Zotin, sikur s’kemi të tjera punë,
I
kalojmë ditët në ceremoni varrimi
Mbi
arkivole prekim shikimin
Dokrra,
shpirti im, llafe.
Kush
tha se gazi u shua?
Përse
u çnjerëzua një poet!
Jo,
aspak
Se
jemi njerëz, gëzohemi si çdo kafshë e butë:
Aty
kur blejmë supë me kiste,
Kur
e mashtrojmë patrullën, me t’u shtirur serbë…
Si
the?!
Sa
para i ka fytyra pa leqe, nderi e...
Prano.
S’e
vlejnë një bukë fabrike, një birrë Peje, jo se jo.
Shih
çfarë të bëra Prishtinë
M’u
thaftë dora, e Mira ime,
S’ta
shkrova një fjalë të mirë,
Përherë
një dorë ethesh më dridh
Gjithë
kjo borë në gji!
M’u
marrtë goja, s’ta thashë asnjë varg,
Për
erë bliri në verë, udhët e zëna me nektar e njerëz
Që
pështyjnë tri herë Orët e Liga n’gji,
Sa
shqip!
Belbëzimet
që t’i qesin njëmijë vargje n’ditë,
Gjithë
këta poetë të këqij!
Por
s’kanë si të duan ndryshe, Prishtinë.
Më
plaçin sytë.
S’ta
thura një pikturë, aso që laikët i shesin në rrugë, krejt lirë.
Për
me të marrë me të mirë.
Me
t’rrejtë se s’na vjen era mut, kur shohim pika gjaku.
Se…
se… deshëm diçka në ty.
Ç’e
do këngën time verdh si lakra!?
Për
këta fëmijë nervoz, që grrithen, ngrehen për flokësh
Kur
zihen për politikë
Apo
për këta etër që aktrojnë qetësi
Dehen
me coca-cola
Teren
në tym duhani Ballkanik
Me
ambalazh “Marlboro”.
E
di! S’ke pse më ndien mua gjakhumburën,
Por,
zë besë Kosovë
Se
aty ku të gjallët e rrejnë një kufomë
Buzëqeshi
i mbrami poet. Vetë miku im.
Tash
të shprishin bombat Kosovë,
E
këtu, gjë nuk ndodh, pak kush bën kryq,
E
lëkundin dallgët Atlantikun.
Cognace, Francë, korrik
‘99
--
(Prend N. Buzhala, 18 prill 2020)