Kerko: a
Helena Halilaj: Vrisni imoralitetin tuaj, jo gratë, burracakë!
E premte, 28.02.2020, 08:18 PM
Vrisni imoralitetin tuaj, jo gratë, burracakë!
Nga
Helena Halilaj
Vrisni
imoralitetin tuaj, jo gratë, burracakë! Në emër të cilit moral flasin këta
burrat e sodit? Ku e takojnë moralin këta, te gruaja? Pse aty fillon morali dhe
dinjiteti, pse aty fillon dëshmia e burrërisë dhe zotësisë, mbi gruan? Po ju
zotërinjë jeni ushqyer me moral, dinjitet, me mësime nënash të mira? Po ju
zotërinj e keni takuar më herët nevojën që ka një femër, jetesën me të? Ju ka
treguar nëna, motra, vajza më vonë se çfarë do në jetë? Të ka treguar nëna jote
për babain tënd, për dashurinë, respektin, kujdesin, për lindjen tënde po
njësoj si motra jote, për ty që nesër duhet të jesh shtylla e shtëpisë,
mbrojtja jo dhunuesi. Po motra të ka folur për burrin e saj që dëshiron të ketë
në të ardhmen? Keni biseduar diku nëpër dhomë kur keni folur për librat, për
shokët dhe shoqet se çfarë dhe si do i zgjidhni partnerët e jetës. Po për
dashuritë e hershme, ato të fshehtat keni guxuar të flisni? Jeni zënë nëpër
lagje si zakonisht zihen fëmijët, dhe ti motrën e ke mbrojtur gjithmonë,
sigurisht të ka mësuar nëna, babai ta mbrosh motrën. Se motra mbrohet, po për
gruan çfarë të kanë thënë, çfarë të ka treguar nëna për marrëdhënien
nuse-vjerrë, po se ajo është soji huaj të ka përsëritur shpesh besoj. Po sot i
mbron vajzat e tua, ke mënd dhe kohe të ju flasësh për të ardhmen e tyre, për
familjen, për dëshirat, për mendimet e tyre të ndryshme nga ato që ke ti. Po ti
e more dikur dhëndrin e shtëpisë dhe e kërcënove: kujdes se motra ka vëlla,
ndodh ende kjo në shumë raste. Po vajzës tënde i tregon se ke një baba që të
mbron, që lutesh dhe sakrifikohesh për të. Po besoj po, i bëni dhe këto
deklarata emocionale. Po vetes si ia bëni me hile për lidhjet paralele që
mbani, për tradhëtitë pafund që ju shoqërojnë, po ato gra, të kujt janë ato gra
dhe vajza? Mos ndoshta të kolegëve tuaj, të shokëve apo edhe gratë e ardhshme
tuajat. Mbi cilin moral vrisni ju imoralë në mendime dhe sjellje. A e dini ju
se morali fillon tek ju dhe mbyllet po tek ju pas qarkullimit që bëni ju në
shoqëri kur tregoni veten tuaj. Pse e moralshme është për ju që kohën, para dhe
vëmëndje i çoni te femrat e huaja. Me po të njëjtat duar që prekni dashurisht
motrat dhe vajzat, i mbroni dhe në faje, i mbuloni dhe në imoralitet, vetëm se
janë tuajat, gjaku juaj. Shpesh dhe tuajat i vrisni kur nuk ju binden në
zgjedhje. Keni vrarë dhe për dashurinë, se ju nuk jeni takuar askund me nënën,
motrën, gruan dhe vajzën. Ju nuk mbërrini tek ato se nuk dini, nuk doni. Po me
ato duar ngrini armën dhe vrisni gratë, ata sjanë gjaku juaj, po pra po,
burracakë jeni.