Kerko: a
Alma Lama: Reciprociteti dhe vijat e kuqe të dialogut
E premte, 14.02.2020, 09:59 PM
Reciprociteti dhe vijat e kuqe të dialogut
Nga
Dr. Alma Lama
Ndërsa
për taksën e vendosur nga qeveria e kaluar e Kosovës si një masë hakmarrëse
ndaj fushatës së Serbisë kundër njohjve, është kuptuar pak a shumë qëllimi dhe
efekti, për reciprocitetin, si masë zëvendësuese që po propozon kryeministri
aktual, ka ende shumë paqartësi.
Vetë
koncepti i reciprocitetit është qëndror në marëdhëniet ndërkombëtare,
veçanërisht në të drejtën ndërkombëtare. Mënyra se si shtetet i përgjigjen
njëri-tjetrit që shtrihet nga përdorimi i forcës deri tek liberalizimi i
tregtisë, sipas studiuesve është e lidhur ngushtësisht me konceptin e politikës
ndërkombëtare. Reciprociteti në marëdhëniet ndërkombëtare në bazë të dhënave
empirike ka shtrirje të gjërë dhe njeh modele të ndryshme të aplikimit.
Fushat
më të njohura të zbatimit të reciprocitetit janë tarifat, të drejtat e
autorësisë, njohjet e ndërsjellta, zbatimi i vendimeve gjyqësore, masat që
lidhen me lirinë e lëvizjes, vizat, ekstradimet etj.
Këto
ndërveprime shtetërore që rregullohen në sajë të marrëveshjeve, zbatohen në
përgjithësi nga kërcënimi i hakmarrjes reciproke në rast të tërheqjes apo
shkeljes nga palët. Janë institucionet ndërkombëtare dhe e drejta ndërkombëtare
që shërben si garanci dhe besohet se ndikon në zbatimin e ndërsjelltë të
marrëveshjeve. Por sipas studiuesve, mungesa e informacionit rreth respektimit
të marrëveshjeve mund të rezultojë problematike për aplikimin e reciprocitetit.
Dhe
është këtu pika ku qeveria e kaluar, në pamundësi për të zbatuar ndonjë
politikë reciprociteti ndaj Serbisë përsa i përket bllokimit të Kosovës në
anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare si dhe në tërheqjen e njohjeve,
vendosi një masë ndëshkuese, siç ishte tarifa doganore 100%. Ishte një masë
ndëshkuese, për të treguar edhe fuqinë e një shteti sovran dhe për të përcjellë
një mesazh politik ndaj sjelje destruktive të Serbisë.
Vendosja
e masave tarifore është një masë që përdoret shpesh në ndërveprimin ndërmjet
shteteve. Çështja është se Kosova, edhe pse ka një pavarësi formale, është e
varuar nga mbështetja e SHBA-së dhe BE-së dhe shumë shpejt u vu nën presionin e
vendeve që e mbështesin, pasi Serbia kushtëzoi pjesmarrjen në dialog me heqjen
e kësaj takse. Duhet të jetë e qartë se nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë
mes taksës dhe proçesit të dialogut politik, por vendosja e taksës është dëshmi
e acarimit të raporteve.
Taksa
më pas mori rolin bllokues të dialogut për të mbrojtur Kosovën nga plani i
ndarjes që doli në skenë me 2018, i iniciar nga presidenti i Kosovës dhe ai i
Serbisë, dhe me mbështetjen e disa aktorëve ndërkombëtarë që ende nuk kanë dalë
në skenë.
Serbia
e shfrytëzoi kokëfortësinë e z. Haradinaj për ta mbajtur taksën, duke e
paraqitur gjithnjë e më shumë si një akt primitiv në një ekonomi të lirë të
tregut, ndërsa kryeministri i Kosovës, i rrethuar nga njerëz jokompetente nuk
arriti të bindë askënd nga shtetet mike për domosdoshmërinë e vendosjes së
kësaj takse. Madje edhe kur iu kërkua ta pezullonte përkohësisht me garancinë e
vendeve si Franca apo Gjermania, ai për llogari të politikës së brendshme
kundërshtoi.
Tashmë
Kosova është para presionit për ta hequr taksën pa asnjë lloj kushti. Ndërsa
vendosja e reciprocitetit të proklamuar nga kryeministri aktual, përveçse është
një proçes shumë i ndërlikuar, duket se do të ketë të njejtin fat: Kosova nuk
do të lejohet ta implementojë. Për më tepër se deklarata për reciprocitetin
është dhënë pa ndonjë studim paraprak, dhe për efekte elektorale.
Tashmë
ka ardhur koha për të ndarë shapin nga sheqeri. Së pari duhet theksuar se në
raportet me Serbinë, reciprociteti do të ishte i plotë nëse do të ishte
politik. Ta zëmë të kërkohej që të drejtat e shqiptarëve të Luginës, të ishin
të bararbarta me të drejtat e serbëve në Kosovë, siç shprehej dikur kryemistri
aktual, edhe pse i vëtëdijshëm se kjo është e pamundur.
Për
t’iu rikthyer realitetit, përveç marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë
përgjatë viteve të kaluara, në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian,
që janë shprehje zotimi, në rrethanat e proçesit kushtëzues të anëtarësimit,
Kosova nuk ka asnjë mundësi tjetër të zbatojë reciprocitetin. Ta zëmë, në
marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, edhe Kosova të filloj të vendosë tabela
letre për makinat me targa serbe që hyjnë në Kosovë, e po kështu t’iu japë
fletëkalime ku nuk e njeh Republikën e Serbisë, qytetarëve të Serbisë që vizitojnë
Kosovën, njejtë siç bën Serbia me qytetarët e Kosovës. E njejta gjë mund të
zbatohet në tregti, energji, në njohjen e ndërsjelltë të diplomave, etj.
Imagjinoni çfarë problemi politik do të krijohej nëse qeveria e Kosovës vendos
të mos njohë diplomat e serbëve të shkolluar në Serbi.
Çështja
është se edhe në lidhje me këto marrëveshje, edhe pse janë ndërkombëtare,
(Serbia nuk pranon t’i konsiderojë të tilla), Kosova nuk ka ndonjë mënyrë për
ta “kërcënuar” Serbinë dhe nuk mund të ankohet zyrtarisht në ndonjë institucion
ndërkombëtar, pasi nuk është anëtare e OKB-së dhe si pasojë as në shumicën e
institucioneve ndërkombëtare që lidhen me të.
Këtu
duhet bërë një sqarim në lidhje me ato marrëveshje që kanë të bëjnë me
anëtarësim në institucione ndërkombëtare, ta zëmë rreth kodi telefonik. Kosova
tashmë është pjesë e ITU dhe për shkelje të marrëveshjes nga ana e Serbisë, ta
zëmë futje e operatorëve ilegalë mund të ankohet pranë këtij institucioni. Por
edhe kjo marrëvshje është problem pasi ka legjitimuar në veri antenat e
operatorëve serbë.
Kosova,
për shkak të mungesës së bashkëpunimit gjithashtu nuk ka mundësi të ketë
informacion të saktë se sa po i zbaton Serbia marrëveshjet e nënshkruara, dhe
si pasojë nuk e ka të lehtë të ndërmarrë masa reciprociteti adeguate.
Ajo
çfarë i mbetet, është t’i dorëzohet superfuqive që kanë ende interes për të
zgjidhur konfliktin në rajonin tonë, e kjo do të thotë se ato nuk do të
pranojnë asnjë lloj veprimi që mund t’i japë shkas Serbisë që të kundërshtojë
pjesëmarrjen në dialog. Reciprociteti i hamëndësuar, i parë si një “exit
strategy” e qeverisë Kurti, duket se do të ketë fatin e taksës së Haradinajt.
Për
fat të keq, megjithëse tema e dialogut, ka qenë hija e rëndë pas fushatës
elektorale dhe dihej se çfarë do e priste qeverinë e radhës, protagonistët e
saj sillen ende si në atë përrallën me ujkun, kur edhe pse ai po e kafshonte,
thoshte “qofsha në ëndërr.” Me pak fjalë kjo situatë, deri tani nuk është
trajtuar me seriozitetin e duhur. Është evidente se SHBA kërkon një zgjidhje
përfundimtare të kësaj cështje, dhe me të drejtë pas investimeve miliarda
dollarëshe për rajonin, dhe një zgjidhje mundësisht brenda këtij viti
elektoral. Është po ashtu e qartë si drita e diallit se Kosova në asnjë
rrethanë nuk duhet të humbë mbështetjen amerikane.
Dhe
këtu qëndron sfida më e madhe e kryeministrit aktual. I ndodhur mes presionit
të SHBA-së për dialog, nga njëra anë, qëndrimeve të tij kontradiktore me
procecin nga ana tjetër pasi i duhet të hajë të gjitha fjalët që ka thënë dhe
më të cilat ka mbërritur deri te pushteti, dhe interesit nacional, ai duhet të
bëjë një zgjedhje aspak të lehtë.
Nga
ana tjetër, ai duhet të dijë të notojë mes mungesës së koordinimit SHBA-BE,
kundërthëniet që ekzistojnë mes politikave të Trumpit dhe Francës e Gjermanisë,
ku këto të fundit gjithashtu po bëjnë presion për të qenë aktorë në gjetjen e
një zgjidhje përfundimtare, dhe kurtheve të presidentit Thaci i cili për të
shpëtuar lëkurën e vet është në gjendje të nënshkruajë gjithçka i ofrohet.
Në
rrethana të tilla, gjëja e parë që duhet të bëjë kjo qeveri dhe zoti Kurt është
përcaktimi i vijave të kuqe për dialogun. Më saktë, vijat e kuqe ai i ka
përcaktuar prej shumë vitesh, tani duhet vetëm t’i zbatojë. Ato janë: Jo
negociata, Vetëvendosje!
Mund
të duket e çuditshme, por kjo parullë e Lëvizjes Vëtëvendosje, e lidur gjatë
negociatave për statusin, kurrë nuk ka qenë më aktuale se sot. Së pari sepse
Republika e Kosovës, e cila u shpall pas negociatave të organizuara nga OKB-ja,
me mbështetjen e SHBA-së dhe Bashkimit Europian, dhe me kundërshtimin e
Serbisë, prej momentit të heqjes së pavarësisë së mbikqyrur, është
vetëvendosëse.
Së
dyti, Republika e Kosovës, duhet ta konsiderojë të mbyllur një herë e mirë
çështjen e sovranitetit territorial dhe rregullimeve kushtetuese për pakicat,
megjithë problemet në terren të cilat i ka prodhuar Serbia gjatë njëzet viteve
të fundit. Pra nuk mund të ketë më negociata pwr rregullimet e brendshme.
Është
e qartë se parulla e Lëvizjes ishte kundër çfarëdolloj bisedimi me Serbinë, por
siç e dimë u provua të jetë jorealiste dhe e paqëndrueshme, pasi çlirimi i
Kosovës u bë nga bashkësia ndërkombëtare, dhe pavarësia e saj u mundësua po nga
ata. Refuzimi i çfarëdolloj bisede me armikun do të ishte ideale, por ky nuk
ishte rasti në rrethanat e përmendura më sipër. Ajo çfarë mund të bënte dhe
duhet të bëjnë tani përfaqësuesit e Kosovës është të mos lëshojnë pe për
interesat e veta shtetërore, pavarësisht se kush e kërkon diçka të tillë, pasi
argumentat edhe këtë herë janë në anën e tyre.