Kerko: a
Alfred Papuçiu: Ismail Kadare i përket njerëzimit
E marte, 28.01.2020, 10:00 PM
Ismail Kadare i përket njerëzimit
Nga
Alfred Papuçiu
Në
84-vjetorin e tij të lindjes, Akademia e Shkencave mblodhi tryezën “Kadare dhe
letrat shqipe”, ku ka ripropozuar shkrimtarin Ismail Kadare për çmimin “Nobel”,
Akademisë së Shkencave të Suedisë. E përshëndes me entuziazëm këtë nismë
pozitive, por do të dëshiroja që kjo të mos mbetej vetëm në këtë ditë, por të
bashkoheshin bashkëbesëlidhësit në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë për ta
finalizuar atë.
Ditëlindja
e Ismail Kadaresë është nuk është një datë e shënuar vetëm për lexuesit
shqiptarë që krenohen me të, por edhe për lexuesit e gjuhëve të tjera në botë,
pasi letërsia e tij është përkthyer në më shumë se 45-së gjuhë. Kadare ka qenë
disa herë kandidat për çmimin “Nobel” në letërsi dhe së fundmi ka marrë
dekoratën më të lartë franceze, më 1 janar 2020, nga presidenti i Francës,
Makron “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.
Ismail
Kadaré është një autor, puna e të cilit është po aq e papritur, sa një kohë ka
qënë e pashpresë. Në një vend që ishte një nga më totalitarët në planet, në
Shqipëri, ai arriti të ngrihet në rangun e shkrimtarit kombëtar, ndërsa krijoi
një vepër gjithnjë e më kritike. Ismail Kadaré e bëri groteskun një armë
jashtëzakonisht të efektshme, për të denoncuar diktaturën në Shqipëri. Puna e
tij, megjithatë, nuk mund të kufizohet në denoncimin e totalitarizmit. Paradoksi
është marramendës dhe nuk ka rreshtur të ketë dyshime të vazhdueshme për të.
Sidoqoftë, duhet pranuar se autori zhvilloi një betejë autentike letrare. Në
disa raste, ai u shqetësua seriozisht derisa, në kohën e dënimit, diktatori,
Enver Hoxha, ndërhyri për të ndërprerë procesin ndaj tij. Shkrimtari ende
habitet për këtë butësi të çuditshme. Kadaré ishte dhe mbetet gjithmonë një
njeri i Iluminizmit dhe një humanist, një njeri i lirë dhe një demokrat i
zjarrtë, i cili transmetoi përmes mesazheve të veprës së tij, për disa dekada,
kushtet e tmerrshme të një diktature të tmerrshme. Drejtpërdrejt ose indirekt,
ai transmeton mendimin e tij, ideologjinë e tij, dashurinë e tij për lirinë.
Ndikimi i tij është i shquar në të gjitha aspektet e jetës, kulturës dhe identitetit
shpirtëror të shoqërisë shqiptare dhe veçanërisht midis brezave të rinj.
Origjinaliteti
i tij disidencial shfaqet qartë brenda veprës së tij: në shkrimet e tij, ai
komunikon revoltën e tij në të gjitha vendet komuniste të Lindjes dhe ky veprim
kërkon konsideratë të lartë dhe respekt të pakufishëm, sepse ky fenomen i
rezistencës kulturore dhe artistike ishte mjaft i veçantë dhe i pashembullt në
histori. Borgjezia Ndërkombëtare mbajti një heshtje të plotë dhe befasuese për
fatin e shqiptarëve , të nënshtruar nga diktatura staliniste, ndërsa mbështeti
me mjete mbresëlënëse lëvizjet disidente në vendet komuniste, si Bashkimi
Sovjetik, Hungari, Cekosllovaki, Gjermania Lindore, etj.
Duke
parodizuar Ferrin e Dantes, ai tregon, në “Muzgu i perëndive të stepës” (1978),
neverinë e thellë që realizmi socialist frymëzoi në të. Shkrimtari konsideron
se ai ishte imunizuar kundër kësaj doktrine falë modeleve klasike që ai nderon
dhe me të cilat janë përvetësuar veprat e tij: Homeri, Eskili, Dante,
Shekspiri, Cervantes, Gogol. Në vitin 1960, prishja me Sovjetikët e detyroi atë
të kthehej në Tiranë. Fillon punë si gazetar. Fillon të shkruajë qysh në moshë
të re, por në fillim boton vetëm disa poema. Në moshën 13 vjeçare zbuloi
Makbethin, një ndër veprat e Shekspirit, dhe kështu i lindi dashuria për
letërsinë. Në këtë moshë shkroi tregimet e para të cilat i botoi te revista
Pionieri në Tiranë . Më 1954 botoi një përmbledhje poetike të quajtur
"Frymëzime djaloshare". Në 1963 botimi i romanit të tij të parë “Gjenerali
i ushtrisë së vdekur” i sjell famën e duhur, në fillim në Shqipëri dhe pastaj
jashtë shtetit në sajë të përkthimit të tij nga Isuf Vrioni. Megjithë disa
tundime, Kadaré nuk pranoi ta linte vendin.
Pasi
u bë një shkrimtar me kohë të plotë, Kadaré drejton edhe revistën letrare “Les
Lettres albanaises” (botuar njëkohësisht në frëngjisht). Pas dy vjet largimi në
fshat, ai arriti të udhëtojë në Finlandë (1962), Kinë (1967) dhe Francë, për
herë të parë, në 1970. Ismaïl Kadaré u emërua deputet, pa e kërkuar atë. Në 1972,
atij iu desh të bashkohej me partinë, por një roman provokoi poshtërimin e tij.
Ai u dërgua përsëri në fshat. Ai u ndalua të shkruajë një farë kohe. Librat e
tij do të botohen në Francë nga Fayard. Pas zhgënjimit nga temat aktuale, u
rikthehet temave historike. Në këtë kohë Kadare konsiderohej si shkrimtar i
talentuar, por talenti i të cilit anonte nga dekadenca dhe subjektivizmi.
Armiqtë e Kadaresë në organet e Sigurimit dhe garda e vjetër e Byrosë Politike
e akuzonin atë vazhdimisht si "agjent i Perëndimit", që ishte njëra
prej akuzave më të rrezikshme që mund të bëhej asokohe. Në 1990, Ismaïl Kadaré
mori azil politik në Francë dhe sot ndan jetën e tij midis Parisit dhe Tiranës.
Në vitin 1996, ai u zgjodh anëtar i huaj i asociuar i Akademisë së Shkencave
Morale dhe Politike në Paris. Por, ky shkrimtar me famë botërore, autor i
romaneve të shumtë (Daullet e shiut, Ura me tre harqe, Dimri i madh, Kronika e
qytetit të gurtë, Piramida...) nuk mori çmimin Nobel.Veprat e tij do të botohen
pothuajse të gjitha, më shpesh duke shkaktuar heshtje nga kritika ose
paralajmërime. Në disa raste, ai u kritikua ashpër: në 1973 ( “Dimri i vetmisë
së madhe”), në 1975 (për poezinë "Pashallarët e Kuq"), në 1982
(“Pallati i ëndrrave”), etj. Tek “Ura me tre harqe”, Ismaïl Kadaré vë shenjën e
barazimit midis Orientit dhe despotizmit. Perandoria Osmane, trashëgimtare e
tiranive të lashta, mishëron, për të, frymën e pushtimit të verbër dhe
shkatërrues. “Porta” me kokëfortësi kërkon të heqë rrënjët europiane të
Shqipërisë. Sidoqoftë, kjo perandori, për shkak të anakronizmit të saj,
rikthehet në periudhën bashkëkohore. Komunizmi më pas paraqitet si avatar i
despotizmit aziatik. Në veprat me një ton anti-utopik, Kadaré ilustron dhe
dënon vullnetin e çoroditur në mjeshtëri absolute të një fuqie që është e
ngjashme me të Keqin. Brenda potencialit të tij krijues janë mitet dhe
legjendat, e shkuara dhe e ardhmja, raportet e përkohshmërisë dhe të
përjetësisë, dramat e kaluara dhe ato të tashmet, veset dhe virtytet shqiptare,
kullat dhe pallatet moderne, qëndresa dhe humbja, zhdukja dhe ringjallja, të
gjitha labirintet e jetës dhe të vdekjes. Duket sikur asgjë çka është
shqiptare, nuk mund t’i shpëtojë syrit të shkrimtarit të madh. E gjithë vepra e
Ismail Kadaresë që nga botimi i parë deri te i fundit ndrit nga mesazhi dhe
shpresa për një Shqipëri të barazuar me shtetet më të qytetëruara të botës,
sepse ashtu e meriton, ndihet të pohojë autori.
Pas
rënies së komunizmit u botuan rreth 101 dokumenteve arkivore në vëllimet
"Kadare i denoncuar" dhe "Kadare në 101 dokumente të
"Pallatit të Ëndrrave"" ku zbulohet përndjekja e shkrimtarit
gjatë regjimit. Dosja e ndjekjes së Kadaresë nga organet e Sigurimit është më e
vëllimshmja e ndonjë personazhi publik në Shqipëri me 1280 faqe dhe katër
vëllime.
Një
ndër fushat më pak të lakuara të veprimtarisë së Kadaresë janë përkthimet, të
cilat i nisi më 1955, kur shqipëroi poemat Lisi, Fëminija, Në pyllin afër
fronit, Katjusha, Pranvera, etj. të shkrimtarit rus M. Isakovski. Autorë të
tjerë të shqipëruar prej tij janë: Eskili, Heminguej, Pushkin, Majakovski,
Eminescu, Gogol, Esenin, Mihallkov, Shçipaçov, Mickieviç, Buske, Sendrar,
Bodler, Andrade, Vijon, Kejler, Seferis, Kavafis, Elitis, Li Bo, Du Fu, Jan
Czjun, etj.
Ismail
Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai ka
marrë Medaljen e artë të Lidhjes së Prizrenit, Kosovë. Në vitin 1992 u vlerësua
në Francë me Prix Mondial Cino Del Duca. Në 1997 mori në Itali çmimin
“Bokaçio”, në 1998 në Austri çmimin Herder Prize, në 2003 në Rumani çmimin Ovid
Prize, në vitin 2005 fitoi çmimin "Man Booker International Prize" ku
kishte qenë i nominuar bashkë me shkrimtarë të tjerë të mëdhenj, duke përfshirë
nobelistë si Gunter Grass, Gabriel Garcia Marquez, Kenzaburo Oe etj. Kryetari i
jurisë e arsyetoi vendimin për t'i dhënë çmimin Kadaresë me fjalët:
"Ismail Kadare është një shkrimtar që hedh në hartë një kulturë të tërë:
historinë e saj, dëshirën, folklorin, politikën, fatkeqësitë. Ai është një
shkrimtar universal me traditë rrëfimi që shkon deri tek Homeri". Në vitin
2009 u nderua me çmimin spanjoll Princi i Asturias për Artet - çmimi më i
rëndësishëm letrar në vendet spanjolle, dhe një nga çmimet letrare më
prestigjoze në botë. Në vitin 2010 Ismail Kadare nderohet në Itali me çmimin
Lerici Pea. “Dhënia e çmimit Lerici Pea 2010 autorit Kadare - shkruhet në
motivimin e çmimit - nënkupton rolin e poezisë dhe letërsisë si instrument
lirie, duke u bërë mbështetje për të gjithë njerëzit e botës, të cilëve iu
mohohen liritë themelore”. Në vitin 2015 mori çmimin Jeruzalem në Izrael, Ne
2016 në Francë « Komandant i Legjionit të Nderit”, në 2017 çmimin « Letërsia
shqipe në Kosovë, në 2018 çmimin « Nonino » në Itali, në 2018 çmimin e
karrierës akademike nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Kadaré u nderua me
çmimin Pak Kyongni për vitin 2019, më datë 26 tetor në Korenë e Jugut.
Enkas,
në udhëtimet që kam patur fat të bëj në botë, si rezultat kryesisht i punës me
organizatat ndërkombëtare, si në Nju Jork, Nju Xhersi, Paris, Vjenë, Kajro,
Nairobi, Athinë, Limasol, Gjenevë, Rhodes, Romë, Bazel, Dubai, Singapur,
Budapest, Florida, Nju Dehli, Palma de Majorka etj., “gërmoj” në libraritë dhe
bibliotekat e këtyre vendeve dhe shoh se librat e Ismail Kadaresë zenë një vend
nderi në raftet e tyre. Shpesh pyes për aksh libër të Ismailit që nuk ndodhet
aty dhe librashitësja thotë me dashamirësi se tanimë është blerë. . Në
Bibliotekën madhështore të Pallatit të Kombeve në Gjenevë, ku kam patur fatin
të punoj në fillimet e viteve 90-95, kërkoheshin dhe lexoheshin me kënaqësi
veprat e shkrimtarit Ismail Kadare. Dhe unë isha krenar që vija nga « vendi i
Kadaresë ».
Nuk
dua të bëj polemikë këtu në këtë shkrim të shkurtër me ndonjë bashkëkombas, apo
edhe ndonjë “qoftëlarg”, pasi nuk ja vlen të merresh me ta. Askush nuk mund ta
përlyejë figurën madhore të Ismail Kadaresë dhe të letërsisë shqiptare. Për
Ismail Kadarenë nuk mjaftojnë as disa qindra faqe të tëra për të shkruar për
veprën e tij, për jetën e vrullshme, për karakterin tepër njerëzor, maturinë,
pjekurinë, inteligjencën dhe bonsensin e tij. Ato i gjen të shkruara në qindra
e qindra botime kudo në botë. Kemi fat që një "Doctor honoris causa"
është shqiptar, kemi fat që vepra e tij ndodhet kudo: në Kongresin amerikan, në
Bibliotekën më të vjetër të botës, themeluar në shekullin e XII-të në Oksford
të Anglisë, në Universitetin Jale (SHBA) etj.
Duam
a s’duam ne, Ismail Kadare nuk i përket vetëm Kombit tonë, por botës letrare
europiane dhe ndërkombëtare. Ai i përket mbarë njerëzimit. Është pararendës i
njohjes së letërsisë shqiptare në botë. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe
veprat e tjera të tij, hyjnë në fondin e artë të letërsisë botërore. Qysh i ri
ishte ambicioz dhe energjik dhe me penën e tij shumë shpejt u imponua për të
rezatuar letërsia shqiptare në Europë, megjithë censurën e diktaturës
enveriane. Një akademik francez ka thënë për Ismailin tonë: "Toujours vous
porterez l'Albanie et toujours l'Albanie vous portera" (Ju do të mbani
gjithmonë Shqipërinë dhe Shqipëria do t'u mbajë). Profesori i njohur zviceran,
Jean-Philippe Assal në një mesazh të fundit pas botimit të një shkrimi tim në
“Panorama”, rreth shkrimtarit Ismail Kadare dhe nderimit të tij me titullin
“Oficer i Madh i Legjionit te Nderit”, nga Presidenti i Francës, Macron,
thekson se Kadare është një njeri unik dhe se i ka bërë përshtypje guximi i tij
në komunizëm. “Unë sapo lexova artikullin tuaj të mrekullueshëm nga gazeta
Panorama, shprehet ai dhe më ka bërë veçanërisht përshtypje admirimi juaj për
Kadarenë dhe përkushtimin tuaj të plotë për këtë njeri unik. Guximi i tij në
një situatë politike, e cila si duket bllokoi gjithë këtë shprehje të bukur të
kulturës shqiptare për të cilën keni qenë një dëshmi madhore. Faleminderit
juve, për urimet tuaja dhe këtë admirim për Kadarenë,që ju më bëtë për vitin
2020”.
Të
heq Kapelen miku im i mirë, modest, fisnik, por penë artë, Ismail dhe ty Helenë
që ke qëndruar gjithmonë pranë tij në Shqipëri, Francë e gjetiu, ku ju kanë
shpënë rrugët e jetës. Së bashku me nderimin e madh që i bëri presidenti i
Francës së fundi, ne do bëjmë çmos dhe do ndikojmë që Njeriu ynë i Madh, Ismail
Kadare të marrë faktikisht çmimin "Nobël" që e ka merituar prej
kohësh. Më 28 janar 2020, festojmë me madhështi ditëlindjen e shkrimtarit tonë
mbarëkombëtar, kollosit të letërsisë shqiptare dhe botërore, .
Gjenevë, më 28 janar 2020